E shtune, 27.04.2024, 06:29 PM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Majtizmi shqiptar: Pushteti me çdo kusht. Kredibiliteti, dytësor!

E merkure, 01.07.2009, 06:43 PM


Majtizmi shqiptar: Pushteti me çdo kusht. Kredibiliteti, dytësor!

Nga Kostaq Xoxa

Ed Rama i ka kontestuar zgjedhjet shumë kohë para 28 qershorit. Ulërimat me tërsëllëmë “nuk do të lejojmë të na vidhet asnjë votë”, kanë shpuar timpanet e veshëve të audiencës së mjeruar shqiptare. Sipas huqeve komuniste, militantët e tij bëhen provokatorë dhe kërkojnë të vihen në rolin e viktimës.

Pasqyrimi më spikatës i kësaj të vërtete është prurja e stilografëve me kamera të fshehtë brenda tyre në sallat e zgjedhjeve, si edhe aparaturave për të “verifikuar” kartat e identitetit (me 19 elemente sigurie), se mos janë të falsifikuara!

Kodi zgjedhor i KQZ-së, në nenin 101 të tij, e parashikon edhe këtë prapështí dhe e ndalon kategorikisht futjen në sallat zgjedhore të materialeve të tilla. Afër mendsh! Si do të jenë të falsifikuara, kur mjafton të krahasohen me shenjat e të dhjetë gishtërinjve dhe falsifikatori përfundon në burg, si falsifikator! Cili është ai që e merr përsipër një risk të tillë, për të përfituar një votë plus! Kaq logjikë e kanë edhe fanatikët më të trashë, që duan të ndihmojnë ustanë, në sindromën e tij se po ia vjedhin votat!

Përkundrejt kësaj ngjarjeje të shëmtuar, demokratët durimshumë kërkuan natyrisht, për të shmangur një veprim shprehimisht të ndaluar, që të nxirreshin jashtë mbartësit e këtyre kamerave të fshehta nën dukjen stilografike! Por meazallah se dilnin ata që kujtonin se ishin në të drejtën e tyre, paçka se mund t’u vihej para syve, e shkruar e zezë mbi të bardhë,  fraza që nuk linte asnjë marzh për dyshim, për çka ndalohej në sallën zgjedhore.

Gjer këtu mund të thuhet se s’kemi mbërritur në asgjë skandaloze. Sepse ja që kjo dynja ka edhe (të na falet fjala, por është më e sakta) idiotë të kësaj kategorie!

Por skandali i vërtetë e nxjerr kokën më pas.

“Duhet të dilni jashtë”, - “nuk dalim”, është gjysma e së keqes.  Se policia, shembull korrektese - siç u pohua njëzëri, - nuk ka të drejtë të hyjë në sallë; por në raste të veçanta, kur thirret nga brenda për të qetësuar një sherr në rritje, - ajo e ka tagrin që ta shuajë këtë sherr.

Natyrisht ajo nuk është në rol të arbitrit. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka në kompetencën e tij të drejtpërdrejtë që të ndërhyjë ligjërisht. Falë komunikimeve elektronike (meritë e qeverisjes së paskorrikut 2005) dhe për hir të autostradave të asfaltuara që bëjnë të mundur ndërhyrjen  në kohë rekord, (sërish meritë e qeverisjes së paskorrikut 2005), mblidhet KQZ, merr vendimin, dorëzohet vendimi dhe çështja mbyllet me kaq.

Veçse “mbyllja” është sa për t’u thënë.  Sepse problemi vërtet zgjidhet menjëherë, por duke lënë pas një shije tepër të hidhur. Jo për budallallëkun e atyre që i quajtëm kokëtrashë, - për të mos thënë ndonjë gjë më të majme, - por për mënyrën sesi u mor vendimi në KQZ: katër me tre! Këtu qëndron skandali i vërtetë!

Është skandaloze që tre nga të shtatë anëtarët, të quanin të ligjshme një gjë të paligjshme! Nëse i ruajtëm me etiketime të përmbajtura ata që donin ta kthenin sallën në një laborator eksperimentimesh, ç’duhet të themi kur tre elementë ligjorë (siç ishin të tre vendimmarrësit në KQZ), marrin vendime në kundërshtim me ligjin, konkretisht në kundërshtim me kodin zgjedhor?

A mund të jenë edhe ata, me mendësi militantësh fanatikë? Janë vënë në atë detyrë për të bërë veprime partiake, apo për të zbatuar ligjin?

Këtu kemi të bëjmë, vërtet, me një skandal.

Veçse është një manovrim i pisët, që ka edhe anën e vet groteske. Në vend që të qahen buajt, qahet qerrja! - është një aforizëm. Në KQZ pati një fërkim të çuditshëm, ndërmjet të tre thyerësve të ligjit të Kodit Zgjedhor dhe të katër anëtarëve të tjerë, që nuk po u besonin syve dhe veshëve! Nëse duhet të përdorim edhe një lokucion popullor: - Pa shihe ku e ke të shkruar, o të plaçin (sytë)!

Por ajo që të bën të qeshësh se s’qan dot, është se ankuesit dhe ngritës të zërit janë ata mender ligjorë që s’dinë (s’duan, saktësisht), të interpretojnë dhe të zbatojnë ligjin, por dinë vetëm të qahen, duke na kujtuar atë muhabetin e qerres dhe të buajve!

Kur Edvini na del në TV dhe me një fjalim monoton, të gjatë e të zvargur merr përsipër të përligjë edhe këtë turp, pa pasur përgjegjësinë qytetare  ta shprehë  drejtpërdrejt këtë paudhësí, por e bën këtë me aluzione të çoroditura ai, mbase, i quan ata që e dëgjojnë, si këpëdarët e tij (Besoj se i kujtojmë ato pyetjet e gazetarëve se ç’është një kongresmen, apo ç’domethënë ajo meritokracia e z. Nano, ose ç’kuptim ka ai katarsisi që duhet bërë në administratë, si edhe përgjigjet Roma për Toma që morën nga këta të ashtuquajtur kongresmenë shqiptarë!).

Lajmi i orës së fundit: Më 30.06.2009, ora 9, disa nga mediet tona na vënë në dijení se në një kuti në Shkodër, na dalin njëri pas tjetrit e në vijim, votues të PD-së. Komisionerët e majtë, dalin nga salla, në shenjë proteste! Këtu më duket se komenti është i tepërt. . .

Ia vlen, megjithatë, të përsërisim edhe njëherë sesi u zgjodh ai kryetar bashkie: “E martë, 3 tetor 2000: Sipas njoftimeve për rezultatet e votimit, qeveritarët socialistë, në sajë të mashtrimit dhe të shantazhit të tyre, paskan fituar me mbi 70 %. Po sipas tyre, ja një fakt interesant: Në kryeqytet, në Tiranë, nga 472 mijë votues të regjistruar, për Ramën paskan votuar 82 mijë veta. Pra, kanë mbetur jashtë votimit 390 mijë votues! Me këto vota ai u shpall kryetar bashkie! U shpall fitues me afërsisht një të gjashtën e votuesve të regjistruar! Rast i paparë në botë! (Nezir D. Isufi: “Ditari i një katundari”, f.191).

Autori është një fshatar i varfër gjer në skaj, që është bërë intelektual me forcën e tij të vullnetit. Për kah shtresa, është i majtë. Por ka frymëzim të djathtë dhe është i ndershëm dhe i paanshëm.

*  *  *

Për ta përfunduar, do të bëjmë një vëzhgim dhe një përsiatje:

Edvini kërkon të përdhosë zgjedhjet përmes veprimesh të tilla  provokuese. Si të thuash, ta lë kopilin në prehër! Dhe, me këtë veprimtari të padenjë, s’e ka për gjë të flasë (dhe t’i vërë në vesh faktorit ndërkombëtar) atë që e përsërit vazhdimisht dhe me ligësi: thyerje të standardeve! -Nëse zgjedhjet nuk i fitojmë ne, të kuqtë, nuk janë respektuar standardet! – është mendësia e tij pseudodemokratike dhe shpërfillëse ndaj çdo ndjesie kombëtare, me të cilën kërkon të sugjestionojë opinionin e pavarur ndërkombëtar.

Por, e thamë, ka vend edhe për një përsiatje: Si do të besojë ky popull në premtimet e zhurmshme të së majtës se do të jetësojnë një sistem të pavarur gjyqësor, të drejtë dhe të paqortueshëm, kur e drejta ligjore përdhoset në atë mënyrën që thamë, me shpalosjen e asaj ngjarjeje të shëmtuar të shndërrimit të sallave të zgjedhjes në laboratorë eksperimentimesh butaforike? 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora