E diele, 28.04.2024, 03:24 PM (GMT+1)

Mendime

Eljan Tanini: Kur militantizmi partiak ngatërrohet me flamurin kombëtar!

E marte, 30.06.2009, 06:45 PM


Kur militantizmi partiak ngatërrohet me flamurin kombëtar!
(Flamuri Kombëtar dhe ai i partisë)

Nga Eljan TANINI

Qarkullon oferta se po te varësh në ballkonin tënd një flamur partie mundësisht ngjyrë blu bashkë me mënyrën e varjes në një pllakë hekuri, merrke nja 5 mijë lek të reja. Ta fal zoti, hallall! Nëse të duhen pare, vëre. Të paktën këtej në lagjen time filluan trapanët të shpojnë fasada pallatesh. Si kam parë ndonjëherë të preokupuar fqinjët e mi për të varur flamuj! Në këto ditë të çmendura fushate, që edhe vapa bën të sajën nga ku uroj që shiu i rënë ditët e fundit të na freskojë pak mendjen, fqinjët e mi janë ngatërruar keq me ngjyra partish. Në fakt SHQIPËRIA VOTON, nuk është asgjë më shumë e as më pak se sa një stinë e radhës që njerëzit ngatërrohen për të marrë një pare më shumë. Partitë dhe militantët e tyre na janë bërë si dëshmitarë fesh. Nuk ka asnjë dallim midis militantëve të partive dhe atyre të fesë. Një pjesë e militantëve partiak punojnë në kohë fushatash se duan lek më shumë, nga ku një pjesë e militantizmit fetar është futur në fe të ndryshme se nuk kanë të hanë dhe gjoja janë fetarë të mëdhenj. Madje edhe këta të fundit angazhohen më shumë në kohë festash fetare, ashtu sic bëjnë militantët e partive.

Dy krahasime që qëndrojnë midis militantizmit partiak dhe besimit të sigurtë tek feja.
Të dyja palët besojnë se do të bëjnë më të mirën. Në fakt kjo mënyrë MILITANTIZMI, është më e vjetër tek ne. Pra përherë duket se kemi patur një lidhje midis të dyjave për të pritur orën se duam të mirat e partive dhe të fesë. Po fqinjët e mi, ç’patën në këtë kohë zgjedhjesh! Nuk e dija që kisha kaq shumë fqinj militantë në lagjen time, sa kanë filluar të varin flamuj në ballkone. Më së shumti ato të PD-së, bashkë me flamurin Shqiptar dhe deri diku edhe ai Europian. Iku NATO, tani na erdhën flamujt e partive. Nuk po sshoh asnjë flamur të PS-së! Tani NATO është përzier me erë partie. Dua te them që, kjo mënyrë e të shfaqurit të besimit në parti është shumë tërheqëse për dalldisje. Më pas vjen mënyra se si besojnë në partinë që duan, pak rëndësi ka majtas apo djathtas; rëndësi merr mënyra e dëshirës në parti.

A e duan zotin sa duan dhe partine e tyre? Përse bëjnë një shfaqje kaq të hapur të këtij militantizmi, apo ndoshta nuk janë fetarë? Apo janë fetarë dhe besojnë edhe në fenë e partisë? Vështirë të qëndrojnë këto të fundit. Mos ndoshta janë besimtarë sipas rregullave të tyre, dhe kjo i bën të duan partinë që kanë përzemër.

Nuk është se partitë po na zëvendësojnë zotin, dhe ato do të na shikojnë nga lart për katër vitet e ardhshme. Besoj që do na hipin përsipër për katër vite të tjera. "Njerëzit duhet të shikohen nga lart. Njerëzit kujdesen për dukjen e përparme të fytyrës, nganjëherë edhe për të mbrapmen, por të gjitha efektet e tyre janë të llogaritura për shikues një metër e shtatëdhjetë centimetra. Njerëzit nuk maten të luftojnë kundër armikut më të madh të njerëzimit: perspektivës së shikimit nga lart".

Ka të drejtë Sartri, por ama me duket se lideri politik ka filluar të na shohë nga lartë, madje ka hipur në shtizat e flamujve, dhe në fund na thotë hani pulat e mia. Ajo që më shqetëson më shumë është mënyra së si partia i pajis qytetarët edhe me flamuj, edhe shkopinj ku ti vendosin ato, por mbi të gjitha edhe me ganxha prej hekuri që flamujt të rrinë në mënyrën më të estetshme. Por si ka mundësi që ne nuk e mbajmë flamurin kombëtar në shtëpitë tona, apo në ballkone, dhe sa herë që ka raste të tilla apo festa kombëtare e nxjerrim flamurin për të treguar dëshirën e mirë të kombit? S’ka më himn kombëtar tani, ka vetëm himn partiak. Këngë partish që të ngjajnë si reklama për lëngje frutash, apo për pije energjike. Si ka mundësi që flamurin tonë kombëtar e duam vetëm për raste të tilla, dhe nuk kujtohemi që atë ta vëmë diku. Mjafton këtu të përmend se Sllovenët e shfaqin flamurin e tyre kombëtar çdo të diel, dhe madje hanë në tryeza mbi të. Ndërsa sa herë që më duhet të lëviz në Greqi, shpesh shoh edhe ballkone që flamurin kombëtar e lënë të varur në ballkon. Përse e duam flamurin tonë kombëtar vetëm në mburrje se ai është më i bukuri në botë, apo vetëm në anët kur kemi për të shfaqur diçka.

Më shumë më duket sikur jemi nacionalistë partish se sa adhurues të flamurit tonë kombëtar. Nuk është se më bëhet vonë për fqinjët e mi, por ama ajo që më çudit është mënyra se si na dalin këta njerëz kaq të zellshëm për partitë dhe jo aq për një mendim më kombëtar. Po aq sa më çmend edhe fakti se interesat e partive kundrejt tyre janë më të shumta. A thua të jetë vallë partia ajo që e bën njeriun? Deri më sot tek ne, me duket se partia e ka bërë njeriun: dhe në të shumta po vazhdon ta bëjë. Rroftë PARTIA! Përse fiksohen kaq shumë këta njerëz për një flamur partiak se sa për atë kombëtar! Si ka mundësi që ngjyra e partisë qenka me më shumë vlerë se merita kombëtare e dy ngjyrave kuq e zi? Jo vetëm që nuk më intereson aspak zarllëku për partitë, por më duket se qytetarët e një shoqërie deri diku moderne janë më shumë periferikë të veshur mirë, dhe mendërisht të qethur nga partitë. Nuk më intereson nëse duhet të ÇOHEM, apo nëse SHQIPERIA PO NDRYSHON; gjë që më çon menjëherë në konkluzionin se: "Çdo popull ka qeverinë që meriton". Por Hegeli thoshte gjithashtu se çdo realitet, ndonëse tërësisht i justifikuar për momentin, përmban në vetvete dhe njëkohësisht, farën e ndryshimit.

Dhe këtu vijmë tek e famshmja "SHQIPËRIA PO NDRYSHON apo ÇOHU”. Më shumë shpërndahen flamuj partiakë, madje këta të fundit edhe me hele dhe pllakë hekuri, sesa flamuri kombëtar për festa kombëtare.Por si mund të krahasohet dhe të vihen pranë një flamur për të cilin është derdhur gjak për shekuj, dhe nja dy flamuj njerucesh vocërrakë për hire postesh dhe të mirash? Ja pra një harresë e shpejtë militantizmi që as fenë nuk e njeh, por humb shpejt edhe masën e një flamuri kombëtar. Si mund të qëndrojnë dhe të krahasohet flamuri kombëtar më atë të partisë? E di që ma shpif ai i partisë, e madje e shëmton shumë flamurin e zemrës. Nuk kanë të krahasuar, se nëse për flamurin blu me të bardhë apo edhe ate rozë kanë vdekur njerëz në emër të demokracisë, për atë kuq e zi ka me miliona te tjerë. Se nësë për të roztin dhe për të blujtin vdesin dhe vriten njerëz për idiotllëqe partish, se i plagosin me apo pa qëllim, se edhe nëse janë “injorantë” partish nxehen për hatër të tyre, dhe jo për një flamur kombëtar. Ndërsa për atë të fundit mund të vdesësh me plotë dëshirë, dhe në fakt ja vlen. Por kam frikë se këtë të blujtin e mbajnë më shumë si shpëtim kohe. Kaq të budallepsur jemi dhe të fiksuar pas ngjyrash se edhe rrugët mbajnë një emër si “Bulevardi Blu në Kamëz”. Madje edhe shtyllat e dritave janë blu.

Po Bulevardi Zogu i parë është komunist dhe socialist? Sipas disave po. Që në fakt megjithëse ai bulevard është një shtrim në mënyrën se si ka qënë më parë, një kthim në identitet nga ku fiksohemi pas ngjyrash pa kuptim. E pra më dhemb zemra kur shoh në përhumbje masën e kombit me ngjyrën e partisë, kjo vërteton më shumë se e duam flamurin kombëtar vetëm për nacionalizma boshe. Më në fund u kujdesëm për flamurin tonë, se edhe atë të qendrës e patëm lënë në zhul e sipër, jo vetëm të grisur, por edhe me kokën e shqiponjës të kthyer poshtë.

Nuk e kuptojmë që flamuri i qendrës së Tiranës, është krenaria më e madhe kombëtare. Nuk është qytetar ai që do flamurin e partisë apo edhe të kombit, që bërtet në stadiume për hire kombëtare, dhe përsëri aty e përdor flamurin kombëtar, nuk është qytetar ai që mburret me shqiponjën, qytetar është ai që paguan rregullisht taksa për shtetin e tij dhe që pronën e shtetit nuk e quan si të tijën. Sepse ngjyra e flamurit të partisë nuk të jep asgjë, nuk është prani kombëtare por një frymë ndarëse.

Lart më lart o shokë, flamujt e Kongresit dhe të partisë, beteja, fitore, përpara na presin!

eljantanini@gmail.com


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora