E diele, 28.04.2024, 10:25 AM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: Rreziku dhe triumfi përfundimtar i demokracisë

E merkure, 01.07.2009, 06:42 PM


Rreziku dhe triumfi përfundimtar i demokracisë

Nga Feti Zeneli

Po mbushen afro 20 vjet nga fillimi i proceseve demokratike në Shqipëri, por zgjedhjet e 28 qershorit treguan se rreziku komunist që u kanoset atyre vazhdon të jetë i pandryshueshëm edhe sot e kësaj dite. Madje këtë herë ai ishte me kërcënues se kurrë, pavarësisht se u maskua me petkun e “bashkimit të ri për ndryshim”, me qëllim që të mos identifikohej lehtë në situatën optimiste që kishin krijuar rezultatet qeverisëse në fushën e zhvillimit dhe integrimit tonë ekonomiko-shoqëror në strukturat euroatlantike. Po, për shumëkënd prej politikanëve dhe analistëve tanë të emancipuar kjo situatë ka qenë e paparashikuar. Madje ata ishin “të kënaqur” teksa shihnin që përfaqësuesit politikë të ish-komunistëve shqiptarë këndonin dhe kërcenin përpjetë në podiume, pa u treguar qytetarëve shqiptarë asnjë objektiv të programit të tyre qeverisës. Dhe këtë e konsideronin, një midis shumë avantazheve të tjera, që kishte e djathta për t’i fituar në mënyrë “plebishitare” zgjedhjet e 28 qershorit për në kuvendin e ri të Shqipërisë. Ndërkohë ish-komunistët vazhdonin në krahun tjetër punën “kokë më kokë” me njerëzit. Unë e kisha pikasur me kohë këtë situatë. Në një sms që i dërgoja ditë më parë liderit demokrat, z. Sali Berisha, midis të tjerash i shkruaja: “…Të përgëzoj për fushatën e deritanishme dhe pikët që i ke shtuar çdo ditë fitores së PD-së. Por ditët e mbetura janë vendimtare, pasi komunistët nuk dorëzohen lehtë. Mitingu i Vlorës u ka dhënë zemër, ndërkohë që sondazhet i kishin rrëzuar përtokë. Ndaj kërkohet që njerëzit tanë t’i gdhijnë këto ditë duke punuar pa u lodhur me qëllim që asnjë demokratë të mos mbetet pa votuar. Kartat e pashpërndara u përkasin kryesisht njerëzve tanë, indiferentizmi po ashtu, pse jo dhe idealizmi kur s’duhet. Fitoren e meritojmë për shumë arsye, por mund të na e rrëmbejnë për asryen e vetme, të mosmbrojtjes së saj deri në fund. Edi Rama po përgatitet për të blerë vota, siç bleu mitingashë në Vlorë, përveç që i ka rreshtuar e pajisur “ushtarakisht” të gjithë votuesit për të mos patur asnjë firo. Ju drejtohen juve me këto fjalë pasi vetëm tek ju kam besim se, me përkushtimin dhe eksperiencën e vyer që keni, do të dini si t’i vini para përgjegjësisë jo vetëm vartësit tuaj, por edhe ata që kanë përfituar nga qeverisja juaj, në mënyrë që gjithësecili të bëjë detyrën që i takon. Fitorja e këtyre zgjedhjeve është vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, po edhe të PD-së…”

Por me kalimin e ditëve, duke parë sheshet e mbushura plot me përkrahës të PD-së, sidomos në Jug të vendit, po pendohesha për sms-në që i kisha dërguar “Doktorit”, për më tepër që përmbajtja e saj nuk kishte ndonjë gjë të veçantë, tek e cila nuk i shkonte mendja askujt tjetër përveç meje. Më dukej sikur i kisha përcjellë atij një shqetësim të kotë, në një moment kur fitorja e PD-së shkëlqente si “drita e diellit”, dhe vetëm unë nuk kisha sy për ta parë. Ndërsa pas mitingut përmbyllës të demokratëve, që s’ka qenë i tillë as në ’92-shin, e konsiderova këtë sms një “lajthitje” të pazakonshme nga ana ime, për shkak të fobisë që kam ndaj “kuqalashëve” politikë të vendit tim lidhur me kategorinë e atyre qytetarëve, të cilët votojnë si në kohën e Enverit, për sa i përket militantizmit të treguar. Sondazhet e zhvilluara në ditët e fundit të fushatës zgjedhore ma përforcuan edhe më shumë këtë mendim, ndaj i dhashë më shumë kurajo dhe besim vetes se fitorja e demokratëve, për rrjedhojë edhe çështja e vazhdimësisë së reformave integruese apo projekteve zhvilluese të vendit ishin të garantuara plotësisht. Në këto kushte, fillova t’u shkruaj sms dhe e-maile miqve dhe shokëve të mi, të pozicionuar majtas apo të papozicionuar ende, për të votuar Nr.10, pasi në këtë mënyrë, sipas meje, votonin për të ardhmen e fëmijve të tyre. Kjo ishte edhe një thirrje që e kisha dëgjuar jo pak herë të bëhej nga politikanët e djathtë gjatë mitingjeve elektorale me mbështetësit e tyre. Ishte një thirrje e sinqertë dhe plotësisht e moralshme, që bëhej në emër të vazhdimësisë së mëtejshme të zhvillimit dhe integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Këto ishin edhe motivet, mbi të cilat unë mora iniciativën për t’u shkruar miqve dhe shokëve të mi të votonin djathtas, pavarësisht se në të shkuarën kishin votuar majtas apo kishin abstenuar. Isha i bindur se të paktën 90% e tyre do të më jepnin përgjigje pozitive, por mbeta i befasuar kur nuk m’u përgjigjën as 3%. Edhe këto përgjigje ishin tepër formale dhe të pasinqerta, ku mund të veçoj atë të një kushëririt tim, i cili më telefonoi duke më thënë: “Ti e di që unë jam i majtë, por për hatrin tënd, këtë herë do të votoj djathats”. Jo për hatrin tim, i thashë, po për hatrin tonë të përbashkët, pasi Berisha, përveç të tjerash, ka premtuar që në mandatin e tij të dytë do të ndërtojë edhe Boshtin e Jugut, i cili kalon mespërmes zonës sonë në Tepelenë, sikundër do të asfaltojë edhe rrugën e vjetër Berat-Përmet që u jep vlerë pronave tona në atë zonë. Por ai më përsëriti se, “këtë gjë  e bëjë vetëm për hatrin tënd dhe për asgjë tjetër”, duke më uruar paskësaj një “sukses” të thatë. Personin në fjalë, përveçse kushëri e kam edhe moshatar, me të cilin kemi kaluar bashkë shumë momente të rëndësishme në jetë. Ai nuk shquhet si militant fanatik, përkundrazi është talluar tërë kohës me komunistët para ’90-s dhe s’ka aderuar kurrë as në PP dhe as në PS, ndaj nëse do të kishte një “të majtë” që do t’i përgjigjej thirrjes për të votuar djathtas për shkak të vazhdimësisë së mëtejshme të ndryshimit të nisur nga qeveria “Berisha”, ky do të ishte kushëriri im.

Por nga përgjigjia e tij unë kuptova se ai ishte përgatitur të votonte majtas, thjesht për militantizëm; ja ashtu siç kanë vepruar kohë pas kohe të gjithë votuesit e majtë. Ndaj këtë herë nuk do të ndodhte ndonjë çudi në qëndrimin e tyre, edhe pse një pjesë jo e vogël kishin qenë përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve publike dhe arritjeve të tjera qeverisëse të kryeminstrit Berisha. Nga ana tjetër, ky fakt po më bënte të tregohesha skeptik edhe ndaj disa historive të tjera, ku votues të majtë deklaroheshin “mirënjohës” ndaj qeverisë së djathtë për investimet apo përfitimet e tjera materiale që kishin patur prej saj dhe “nuk shihnin ndonjë arsye”, siç shpreheshin ata që  të votonin më majtas.

Megjithatë asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se fitorja e së djathtës do të kishte nevojë për vota të majta, por nëpërmjet një veprimi të tillë unë doja të faktoja qoftë edhe me një rast të vetëm se, pas afro 20 vitesh demokraci, ish-komunistët nuk do të kishin mbetur po aq militant sa ç’kishin qënë në kohën e Enverit. Dhe para së gjithash këtë ndryshim e prisja nga ish komunistë e thjeshtë, fjala vjen, të qarkut të Vlorës, të cilët janë ndër përfituesit më të mëdhenjë të investimeve publike të ndërmarra nga qeveria “Berisha” gjatë 4 viteve të fundit, nga të cilët shpresoja se, nëse nuk do t’u bënte dora të votonin për PD-në, të paktën do të abstenonin. Por u shokova nga përkrahja plebishitare që i kishin dhënë ata partisë së Edi Ramës apo partive të tjera të këtij koalicioni. Nëse në rang republike këto vota do të kishin qënë të bashkuara me ato të partisë së Ilir Metës, atëherë sot vendi do të ndodhej nën pushtetin e ish-komunistëve shqiptarë që përfaqësojnë të majtët më të pareformuar të të gjithë botës. Ky ishte rreziku real që kërcënonte shoqërinë shqiptare, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, por që për fatin tonë të mirë nuk ndodhi. Falë mbështetjes që të djathtët i dhanë koalicionit “Aleanca e Ndryshimit”, kryesisht në qarkun e Durrësit dhe në veri në vendit, pse jo edhe të formulës së llogaritjes së mandateve në bazë qarqesh, PD dhe aleatët e saj do të vazhdojnë qeverisjen e vendit edhe për 4 vitet e ardhshme. Po kjo mbështetje mund të kishte qenë edhe më e madhe nëse votuesit demokratë nuk do të kishin pësuar firo në ditën e votimit, për arsyet të cilat i kam përshkruar në sms-në dërguar ditë më parë kryeministrit Sali Berisha. Gjithashtu me të njëjtat arsye unë spjegoj edhe përkrahjen e lartë që i është dhënë partisë së Edi Ramës. Dhe siç dihet pushteti i përfituar në emër të militantizmit prodhon dhunë dhe diktaturë edhe në demokraci. Ky ka qënë ankthi që ka shoqëruar procesin e numërimit të votive, duke filluar nga darka e datës 28 qershor e në vazhdim, i cili erdhi edhe për shkak të nënvleftësimit që iu bë fushatës elektorale të Edi Ramës pa objektiva e premtime konkrete apo besimit të treguar ndaj një pjese votuesish të majtë se arritjet qeverisëse mund të kishin reflektuar emancipim në qëndrimin e tyre. Lënia në opozitë e të majtëve është një ndër fitoret më të mëdha të këtyre zgjedhjeve, pasi në këtë mënyrë partive të këtij spektri u jepet koha e domosdoshme për t’u rinovuar. Gjatë 4 viteve të ardhshme pritet të ndodhin një sërë procesesh të rëndësishme zhvilluese dhe integruese deri tek anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, për rrjedhojë ato do të kenë një ndikim jo të vogël edhe përsa i përket reformimit të së majtës shqiptare. Një meritë tjetër e këtyre zgjedhjeve ishte dhe “nxjerrja në pension” e figurave të tipit Gjinushi që përfaqësonin enverizmin aktual të së majtës shqiptare, por mbetet të shihet qëndrimi që do të reflektojnë pinjollët e nomenlaturës së lartë koministe që përfshiu në listë Edi Rama, nipi i Spiro Kolekës. Sidoqoftë, demokracia shpëtoi në fije të perit këtë herë, edhe pse zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet më të lirë e më të ndershme, për të mos thënë të nivelit europian, që ka bërë ndonjëherë Shqipëria në këto 18 vitet e fundit.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora