E premte, 26.04.2024, 07:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Violeta Manushi, një yll që nuk do shuhet kurrë...

E merkure, 22.08.2007, 04:00 PM


“Kam dëshirë të vdes në skenë. Unë u lidha me skenën. Skena ishte shtëpia ime, rolet ishin fëmijët e mi, ndërsa kolektivi familja ime”

Në vjeshtën e një viti më parë kisha fatin të ndaj një darkë që zgjati rreth 4 orë me artisten e famshme të skenës dhe ekranit, Violeta Manushin sëbashku  me një grup artistësh dhe miqsh gazetarë. Në atë mbrëmje të gjatë e organizuar enkas për filmin e fundit të Pirro Milkanit, ku Violeta Manueshi e ftuara e nderit të tavolinës sigurisht që kishte një rol, megjithëse jo kryesor, por siç ajo thoshte “nuk kam refuzuar role se nuk janë protagonist. Merrja  role kryesore, figurante, apo statist, kur duhej. Gjithmonë mundohesha që të sillja diçka të re në skenë, nëpërmjet asaj figure, me fjalë apo pa fjalë. Pra, çdo gjëje i jepja rëndësinë e duhur. Përpara punës ne nuk vinim asgjë.”

Megjithse e lodhur paksa nga sëmundja që e kishte pllakosur, përsëri me bastunin e saj si mik të ngushtë ku gjente mbështetje, nuk ka munguar kurrë në festa dhe ftesat që i janë bërë.

Një e tillë ishte edhe ajo e 17 tetorit të vitit të shkuar. Ajo që më ka bërë përshtypje dhe më ka tërhequr gjithmonë që në vegjëli ka qenë portreti i një të moshuari dhe fjalët e tyre. Shpesh i bluaja në mendje për një kohë të gjatë dhe për më tepër kur dalin nga goja e njerëzve që kanë bërë një histori në fusha të ndryshme e tillë është dhe e paharrueshmja Manushi ajo thoshte: “Kam dëshirë të vdes në skenë. Unë u lidha me skenën. Skena ishte shtëpia ime, rolet ishin fëmijët e mi, ndërsa kolektivi familja ime.” Manushi ka pasur partner në rolet e saj aktorë nga breza të ndryshëm, gjë që tregon elasticitetin profesional. Ajo ka luajtur përkrah Viktor Gjokës, Naim Frashërit, Drita Pelingut, Marie Logorecit, Besa Imamit, Prokop Mimës. Edhe me më të rinjtë.  Me aktorin e madh Sulejman Pitarka, aktorja e famshme ka luajtur një numër të madh rolesh  Ajo thoshte: “Me Sulën kemi qenë çift i mirë, se shkonim edhe si trupa. Ai ishte edhe i humorit, edhe i dramës. Njeri me kulturë, që shkruante. Ishte një partner shumë i mirë.” Por që të dy sigurisht që janë dhe do të mbesin me rolet e tyre të përkryer në memorjen e të gjithëve.

Në arsenalin e pasur të roleve të saj spikasin role si nga dramaturgjia botërore dhe ajo shqiptare, por më përzemër ka pasur dramaturgjinë shqiptare, sepse aty efekti i rolit që  përcjell te artdashësit, është më i prekshëm dhe e ndjen sesa reale ke qenë. Por ka ndonjë brez të rinjsh dhe të moshuarish që nuk ka qeshur dhe mahnitur me rolin e saj te “Zonja nga Qyteti”. Me Teta Ollgën misioni aktoresk në skenë (sepse atë e ka luajtur si komedi fillimisht në Teatër dhe më pas është realizuar si film nën regjin e Pirro Milkanit) është mëse i kryer. Pasi me këtë emër shumë njerëz deri vonë e kanë njohur dhe thirrur. Dhe me të drejtë ajo thoshte se “ai rol ka qenë ndërtuar enkas për mua”. E kush nuk është gozhduar përpara ekranit kur jepej komedia “Pallati 176” e kush mund të na sillte një personazh më komikë dhe të dashur se Violeta Manushi në rolin e teto Ritës. Të flasësh për një gjigante të skenës duhet shumë kohë dhe asnjëherë nuk ka fund. Por ne themi që shpirti i saj u preht në paqe, pasi na la lamtumirën fizikisht, por ajo do mbetet në memorien e të gjithëve si zonjë e madhe dhe aktore e paharrueshme.

Ja kush ishte Violeta Manushi.

Violeta Manushi, Artistja e Popullit, e nderuar edhe me titullin "Qytetare nderi e Tiranës" u shua me 26 korrik në Tiranë, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, që e kishte pllakosur prej kohësh. Aktorja e mirënjohur është shuar në moshën 81-vjeçare, duke lënë pas emrin e aktores së madhe të skenës dhe filmit, gruan e shquar të Kombit, që jetën dhe energjitë ia kushtoi skenës dhe popullit që e duartrokiti për 60 vite që ajo interpretoi në skenë.

Ikona e skenës Violeta Manushi është ngjitur për herë të parë në skenë në 1946 dhe në karrierën e saj artistike numërohen mbi 100 role në teatër dhe 16 role në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi edhe sot e kësaj dite.

Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977.

Filmografia

Eja! - (1987)
Rrethimi i vogël - (1986)
Taulanti kërkon një motër - (1984)
Një shoqe nga fshati - (1980)
Përtej mureve të gurta - (1979)
Zemrat që nuk plaken - (1977)
Zonja nga qyteti - (1976)
Vitet e para - (1965)
Debatik - (1961)
Tana - (1958)

Drita Pelingu
Me lot në sy dhe me zë të këputur një karakter i veçantë, siç është profesoresh Drita Pelingu e përshkruan humbjen e mikes së saj si një dhimbje e pa përshkrueshme. Ajo thotë se “ megjithëse prej disa muajsh e vizitoja çdo ditë në shtëpi, pasi po rënkonte peshën e dhimbjeve. Ajo që më ka mbetur në mendje është momenti kur i rrëshkitën lotët nga sytë, duke na lënë lamtumirën e dashura e jonë dhe e gjithë shqiptarëve, zonja nga qyteti, teto Ollga- në ato momente e kuptova se po ikte në një rrugë pa kthim.

Margarita Xhepa
Humbëm një ikon të skenës, një zonjë bujare të dashur dhe mike të mirë. Jo vetëm kaq, por ne jemi një brez që jemi mësuar të lidhur ngushtë me njëri- tjetrin. Të flasësh për Violeta Manushin në të gjitha dimensionet, ke çfarë të thuash dhe mbi të gjitha ishte një figurë që ka lënë gjurmë në historin e Teatrit Kombëtar.

Rajmonda Bulku
Për aktoren Rajmonda Bulku, apo vajzën e saj Melin (tek "Zonja nga qyteti" ku padiskutim korrën një sukses), humbja e aktores së madhe Violeta Manushi ishte e dyfishtë. "Lidhja ime me të nuk mbetej vetëm në skenë. Jam krenare që e kam pasur në krah dhe kam mësuar shumë prej saj. Ndaj edhe sot ndiej një dhimbje të madhe për këtë ikje", - thotë Bulku.

Ruzhdi Pulaha ëndrra e mbetur përgjysmë
Jo vetëm kolegë në skenë dhe art prej vitesh, por edhe miq në jetën e përditshme ku kanë ndarë hallet, gëzimet dhe hidhërimet, sigurisht që humbja e një mikeshe për të është një zbrazëti dhe dhimbje. Ku në shumicën e rasteve projektet artistike i kanë punuar me dashuri dhe me frymë bashkëpunimi, dhe tashmë më së miri mund ta quajmë si ëndërr e mbetur  përgjysmë projektin që kishte kohë që kishte nisur skenaristi i mirënjohur Ruzhdi Pulaha, me të cilin kanë bashkëpunuar në shumë role të suksesshme. I tillë ishte dhe “Zonja nga qyteti”.  Ai thotë "Ndiej një dhimbje të jashtëzakonshme, sepse ka qenë mikesha dhe bashkëpunëtorja ime më e afërt në teatër dhe kinematografi. Kjo miqësi ka filluar që para 33 vjetësh, kur unë shkrova "Zonjën nga qyteti", - thotë dramaturgu dhe skenaristi Ruzhdi Pulaha, që ruan shumë kujtime nga bashkëpunimet me Manushin.

Bashkëpunimi më i fundit, i njohur për publikun është tragjiko-komedia "Streha e të harruarve", ndërkohë që dramaturgu thotë se prej dy vjetësh po punonin për një dramë të re. "Kam shkruar një tragjikomedi, "Fqinjët", ku një rol kryesor ia kushtoja Violeta Manushit. Ishte roli i një nëne që rri ulur në poltron dhe nuk ka mundësi të lëvizë, siç ishte dhe gjendja fizike e Violetës. Ajo ishte shumë e dashururar me këtë rol dhe për dy vjet të tërë nuk kishte ditë që të mos më telefononte për një detaj që gjente, për një mendim… E kishte mësuar të gjithë tekstin, por për arsye fondesh pjesa nuk u ngjit në skenë", - tregon Pulaha, me pengun që nuk mundi ta ngjit edhe një herë në skenë aktoren 81-vjeçare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora