E shtune, 12.10.2024, 02:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Anjeza, ja ku është fshehur

E enjte, 09.08.2007, 07:27 PM


Anjeza Shahini
U duk se karriera e saj do kishte vetëm ngjite. Por dy vjetët e fundit këngëtarja, suksesin ndërkombëtar të së cilës nuk e përsëriti më njeri, u zhduk nga skena. Sepse nuk e donin? Revista “JETA” e ka gjetur se pse ish- etheistja nuk duket më askund. Ja sepse...

Atë kohë kur vendosi të linte Shqipërinë, Anjeza Shahini sigurisht që nuk mund ta kishte të kthjelluar mirë në kokë se çfarë do ta priste pasi të linte pas ajrin e vendit të saj. U step paksa para se të bënte gati valixhet e udhëtimit për t’u nisur drejt Austrisë, ku e priste një specializim dyvjeçar për muzikë. Por dukej se për momentin kjo ishte më e mira që mund të bënte. Pikërisht në kohën kur ajo filloi të sundonte skenat dhe të sfidonte të gjithë ata që deri të atë moment dukeshin të pathyeshëm.
 
Fillimisht u pa si një Elsa Lilë, që rrëzonte këdo që i dilte përpara, si një konkurrente e fortë për këdo që deri në atë moment kishte pretenduar çmimet e para të festivaleve. Tani duhej t’ia kishin frikën të gjithë idesë se nëse ajo shfaqej andej pari, çmimi i parë duhej fshirë nga mendja njëherë e përgjithmonë. E para në ethet e së premtes mbrëma, e para në festivalin e dhjetorit, dhe... e para që në festivalin evropian arriti të rendiste Shqipërinë në një nga vendet e kreut. Aty po, që preku një sukses që pas asaj askush nuk e ka arritur. Ende vazhdon ta mbajë atë rekord. E pritën si mbretëreshë pas kthimit nga Turqia. Me konferenca shtypi e kronika televizive pa fund. Shumëkush asokohe ka menduar se një yll i ri sapo kushte lindur. Menjëherë pas evropianit ishte e sigurt se të bashkëpunoje me të nuk ishte një ide aspak e keqe. Të parët që provuan ishin grupi “Marigona”. Një këngë shoqëruar nga një videoklip që pushtoi televizionet dhe u bë hiti i fundverës së 2004-ës. Dhe atëherë kur pritej goditja e saj e radhës, gjithçka u ndërpre në mes. Anjeza Shahini la gjithçka dhe u zhduk. Në një kohë kur nuk kishin kaluar ende ethet e të qenit e njohur sa hap e mbyll sytë. Në një moment kur emocionet e Festivalit Evropian ishin akoma të ngrohta. Në një kohë kur ndoshta duhet të mendonte për shfaqjen e radhës pasi kishte në dorë një kartë fituese, që e kishte lakuar si shqiptaren më të suksesshme që preku skenën e evropianit, e këtë nuk e ndjeu vetëm ajo. E thanë të gjithë. E megjithatë, Anjeza i la të gjitha. Paketoi gjërat e saj dhe u nis. Nuk u shfaq më në asnjë skenë shqiptare, nuk u pa më në asnjë qoshe të Tiranës.
Ndoshta ishte një vendim që erdhi natyrshëm. Pas atij suksesi, Anjeza nuk kishte më se ç’të arrinte në Shqipëri. Në një kohë aq të shkurtër i kishte prekur të gjitha. E në mes të gjithë asaj zulme ndryshimesh e arritjesh duket se në vetvete ajo vajzë e vogël çuditërisht kishte mbetur me këmbë në tokë. Pas mbarimit të gjimnazit i duhej një shollë. E meqë Anjeza ia doli jo vetëm të qëndronte e kthjellët, por edhe të gjente mundësi më të mira se Shqipëria, arriti të kapte momentin dhe të hartonte një plan të detajuar për më tej. Po cili ishte plani? “Të kërkoja më të mirën për veten. Nëse do të qëndroja në Shqipëri, maksimumi që mund të bëja ishte të konkurroja nëpër festivale, të këndoja nëpër koncerte dhe pastaj të nxirrja një album. Të vazhdoja edhe studimet veçse për kanto, sepse në Akademinë tonë nuk të ofrohet asnjë zhanër tjetër muzike, ndërkohë që në Austri unë mund të zgjidhja pop, një muzikë më evropiane, më bashkëkohore sesa ajo që më ofrohej në vendin tim”. Ja pra, arsyet bindëse të renditura një e nga një, si rrobat e palosura në valixhen e udhëtimit.

Një largim që duket se i kënaqi shumë ata që deri në atë kohë kishin parë tek ajo një rivale vërtet të rrezikshme. Tani që Anjeza ishte larguar, gjithçka ishte më e lehtë për të ngritur barrierat që do ta pengonin të depërtonte sërish.
Ndërkohë, për Anjezën sapo kishte filluar një jetë e re. Me shkeljen në tokën austriake, gjithçka kishte filluar nga e para, aty ku ishte ndërprerë para se ajo të vishte në këmbë këpucën e qelqtë të “Etheve të së premtes mbrëma”. Ishte sërish ajo vajza e panjohur, që mund të kalonte në rrugë pa e njohur askush. Një studente që duhet të bënte të njëjtat gjëra si shumë të tjerë. Madje me ca vështirësi më shumë, sepse edhe ajo ishte ushqyer me idenë se sot pa anglisht nuk bën dy hapa, ndërsa italishtja i rrinte në xhep sa për të thënë “le të jetë, se s’i dihet”. Aty i duhej gjermanishtja. I duhej edhe të harronte se ç’kishte qenë, e ky fakt e lëndonte jo pak. E megjithatë, ai vend i ka dhënë mundësinë të jetonte e qetë. Nuk e vriste më mendjen për t’u veshur bukur në shkollë, si ç’ndodhte këtu në Shqipëri. Atje nuk e shigjetonin në çdo moment shikime nga të katër anët sapo hynte në oborrin e shkollës, për të parë se si ishte veshur, si i kishte krehur flokët. Aty ishte thjesht Anjeza, që mund të ngrihej në mësim, madje të merrte edhe katër, e të ulej qetë-qetë në bankën e saj, pa e vrarë shumë mendjen për shikimet e shokëve dhe shoqeve të klasës. Pa u shqetësuar se nga momenti në moment aty mund t’ia behte ndonjë kamer televizive dhe t’i kontrollonte një më një të gjitha notat në regjistër, siç kishte ndodhur këtu në Shqipëri. Herë pas here i ka munguar skena e mbushur plot, duartrokitjet vetëm për të. Veçse nuk kishte rrugë tjetër. Ndaj edhe Anjeza, deshi s’deshi i mbylli kapitujt e jetës së saj shqiptare e ia nisi me mësimin e gjuhës, me ndjekjen e leksioneve, me jetën e konviktit, që nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse ndërkohë e gjithë jetesa e saj përballohej vetëm nga të ardhurat e familjes. Të gjente një punë? Kjo nuk bënte pjesë tek lista e gjërave që ishin rrumbullakosur me laps të kuq. Sepse synimi më i parë ishte një tjetër: një album. Ndaj edhe koha do të fillonte të grimcohej mes shkollës dhe përgatitjeve për në përmbledhje këngësh të reja. E kishte menduar ndryshe nga të tjerët kur filloi punën me një producent austriak. “Ka qenë një punë vërtet e lodhshme, pasi vetëm për një këngë mund të punohej deri një muaj. Ndaj më duhej të menaxhoja mirë kohën time për t’i lënë vend muzikës dhe shkollës në të njëjtën kohë”. Po argëtimi? Të mos përfitonte pak kënaqësi në një vend ku ishte e lirë të bënte ç’të donte, pa ato shikimet kureshtare që i ngjiteshin pas çdo në lëvizjeje? Mbetej shumë pak për këtë. Ndonjë të premte dhe e shtunë tek-tuk... Sepse veç të tjerave, nuk mund të linte pas dore edhe diçka tjetër që e kishte menduar mirë para se të nisej: të mos zhdukej tërësisht nga skena shqiptare. Kjo do të ishte vërtet lëvizja më e gabuar që mund të bëhej. Ndaj edhe 2006 do ta ngjiste sërish në skenën e festivalit të dhjetorit. Me një ndryshim veçse. Tani vinte si një këngëtare me lidhjet e saj profesionale jashtë Shqipërisë. Bashkëpunëtorë të huaj që do ta nxisnin më tej suksesin e saj. Duket se Anjeza po e tepronte. Një nxënëse shkolle që po rrëmbente trofetë e të tjerëve? Një vajzë e vogël që krahasohej me Vaçe Zelën? Kjo duhej të merrte fund njëherë e mirë. Si? Duke mos i lënë asnjë sekondë kohë. Sapo Anjeza u ngjit në skenë për të kënduar, fonisë do të shtoheshin edhe ca zëra të çuditshëm, ca zhurma mbytëse që nuk do të lejonin as që kënga të dëgjohej në sallë. Për çmim? Kësaj radhe duhet ta harronte. Juria e TVSH-së nuk do ta kualifikonte as në natën finale. Ajo kishte pasur të drejtë. Kishte bërë gjënë e duhur që ishte larguar nga Shqipëria. Nuk e provoi më konkurrimin. Edhe në festivalin e sivjetshëm do të shfaqej me një këngë përshëndetëse e pastaj do të kthehej sërish andej nga kishte ardhur...

Në këto ditë të nxehta pak e dinë që Anjeza ndodhet këtu. Janë shumë të paktë ata që kanë mësuar për kthimin e saj të përhershëm. Sepse ajo vazhdon të mos shfaqet e të preferojë paskuintën. Kësaj radhe i duhet të studiojë mirë terrenin. Të bëjë gjithçka në heshtje. Ka kontaktuar me producentë, ka nënshkruar kontrata për spektakle të reja, ka bërë plane për të nxjerrë në treg me bujë albumin e saj të parë të prodhuar në Austri, dhe së shpejti të shfaqet përfundimisht në sezonet e reja artistike, në formatet e fundit televizive dhe ta lidhë fillin aty ku e këputi para dy vjetësh. Ndoshta për të goditur sërish fort. Sikur të mos u ishte shkëputur për asnjë moment aktiviteteve në Shqipëri. E në fakt ajo ka vetëm pak ditë që është kthyer. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora