E diele, 13.10.2024, 12:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Lamtumira e një artisti të shquar/Lec Shllaku (1921-2007)

E enjte, 09.08.2007, 08:56 PM


“Vdekja nuk më tremb, vuajtja po!”

Lec Shllaku
Më 5 gusht 2007 u nda nga jeta një emër tjetër i madh i artit tonë, aktori dhe regjisori i shquar, “Artisti i popullit” Lec Shllaku. Ai iku në heshtje, pa fjalime e pa bujë, iku, ashtu siç u mbyll e gjithë jeta e tij, jeta e një punëtori të madh të artit, i harruar në madhështinë e tij.
Pak rreshta u shkruan për të, ekrani nuk gjeti kohë të shfaqte diçka që kishte mbetur nga pasuria e tij e vyer.
Në një vuajtje të gjatë fizike e shpirtërore, Lec Shllaku i tha lamtumirë kësaj bote, në moshën 86-vjeçare dhe u përcoll për në banesën e fundit mes lotëve të familjarëve, miqve e dashamirëve të qytetit të tij të lindjes. Shkodra i dha lamtumirën në hollin e Teatrit Migjenit ku u bënë homazhe pranë trupit të Lec Shllakut, në atë teatër që ai i kushtoi jetën e tij.
Lec Shllaku është i dyti artist shkodran që ndahet nga jeta këtë vit, pas Vitore Ninos dhe i pesti pas aktorëve Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi.

***
Lec Shllaku u lind në Shkodër në 3 nëntor 1921. Mbeti jetim nga babai që 4 vjeç. Bashkë me nënën dhe dy vëllezërit u rrit në shtëpinë e dajës, i cili ndonëse me profesion rrobaqepës, kishte hobi skenën, bejtet, karnavalet e sportet. “Ndjeja nji prirje të veçantë për artet e dijet. Në krye të herës kur do të shoshiteshin prirjet e mia, ngurrova shumë për t’u binde se çfarë emërtimi do të kishte rruga ime. Doja të bâhesha nji profesionist i mirë e t’arrija përsosuninë. Me teatrin e poezinë, ma së pari m’afroi Daja im, teatrist i shquem i skenës shkodrane e bejtar në zâ i Karnevaleve.”Fillimet e tij artistike i përkasin teatrit amator, para dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1945 - 1949 ai vë në skenë me amatorët, disa pjesë të suksesshme, ku angazhoi një sërë aktorësh amatorë, që më vonë u bënë bërthama e teatrit “Migjeni”, që u krijua në vitin 1949. Të kësaj kohe janë pjesët “Agimi”, “Kopraci”, “Jeta fillon përsëri”, “Shërbëtori i dy zotnive”, “Tirani i Padovës”, etj, pjesë që patën suksesin e vet, të vëna në skenë në harkun kohor 1945 - 1960. Për një vit, 1949-’50 punon në Teatrin Qendror të Ushtrisë. Prej vitit 1951 deri në 1960 punon pranë teatrit të Shkodrës, i cili deri m’at kohë udhëhiqej prej Andrea Skanjetit. Në Shkodër punon me aktorët e mirënjohun Zef Jubani, Tinka Kurti, Antonjeta Fishta, Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lkunda, Adem Kastrati. Fryt i këtij bashkëpunimi gjenial âsht edhe vumja në skenë e «Kopracit» me aktorin Zef Jubani në rolin kryesor. Së bashku me regjisorin tjetër të këtij teatri “Artistin e Popullit” Andrea Skanjeti, Lec Shllaku ka merita në konsolidimin e këtij teatri, të cilët i dhanë atij një fizionomi kombëtare dhe u bë teatri i dytë me rëndësi në Shqipëri, që për vite krijoi vlera të të mëdha dhe që u ballafaqua me sukses edhe me teatrin kombëtar, apo ata të rretheve.
Në vitin 1962 me urdhër të ministrisë ngarkohet të themelojë teatrin e Elbasanit. Një punë që ai e nisi nga fillimi e që për mëse 8 vjet pune të palodhshme si autor dhe regjisor, bëri një punë të madhe regjisoriale, krijoi një trupë të suksesshme e dhe e ngriti këtë teatër në rangun e teatrove më të mirë kombëtare. E kanë cilësuar si regjisori që shtroi bazamentin e shëndoshë të një trupe cilësore teatrale profesioniste.
“Në qeverisjen e Mbasluftës autorët e huej të mdhaj, filluan me u përfillë në skenat tona përkatsisht pak si vonë. Për t’i futë në skenat profesioniste, pranë Ministrisë së Kulturës ishte ngritë nji komision i posatshëm. Ai përgatiste listen e autorëve të huej e u hapte dritën e blertë vetëm atyne që gjykoheshin si ma “edukative” d.m.th. kritikonin e godisnin ma egërsisht klasat e nalta me të drejta përjashtimore, sidomos ato të feudalizmit e të kapitalizmit. Edhe kur kaloheshin në peshoren e përzgjedhjes për blatim bashkësive artistike profesioniste të provincave – këto tipare duhet të peshonin shum ma randë se vlerat e tyre artistike.”
Janë 13 premiera, 10 drama e 3 komedi, që i dhanë shkëlqimin si regjisor. Ndër pjesët e tij më të suksesshme përmendim komeditë “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Udha e Zavalinjëve”, dramat: “Shatë shalianët”, “Fundi i një intrige”, “Skënderbeu”, etj.
Në vitet 60-70 skenën e Teatrit Profesioinist e zotëronin disa emra të shquar e të mëdhenj si Nazmi Bonjaku në Vlorë, Lec Shllaku në Elbasan, Kujtim Spahivogli në Tirana, Gjergj Vlashi në Durrës, Pirro Mani në Korçë e më pas në Tiranë, Serafin Fanko në Shkodër.
“Kështu në vitin 1962 më dërguen në Elbasan, ku themelova dhe drejtova për nji dhjetëvjeçar teatrin «Skampa» dhe ku m’u dha mundësia me çilë horizonte të reja e me njohtë nji realitetet që ma ka ndihmue shumë. S’mund të rri pa kujtue aktorët e mëdhaj Robert Ndrenika dhe Demir Hyskja, por më bjen ndër mend edhe vlerësimi që dha Viktor Eftimiu për aktorin Haxhi Sejko, kur ndoqi shfaqjen e “Njeriu që pau vdekjen me sy”: Të këtillë aktorë as teatri ynë në Rumani nuk i ka.”
Në vitin 1970 largohet nga teatri “Skampa” dhe për çudi nuk e emërojnë në teatrin “Migjeni”, por mësues në shkollën 8 - vjeçare në Koplik, me idenë të angazhonte edhe vatrën e kulturës (?!), qëndroi deri sa doli në pension, por që u angazhua edhe me Institutin e Shkodrës, ku vuri me ta 11 pjesë teatrale.
Lec Shllaku është aktivizuar dhe në disa filma, kryesisht në role negative, si p.sh tek “Skënderbeu” në rolin e Gjon Kastriotit, tek filmi “Plumba Perandorit” në rolin e gjykatësit, tek “Yjet e netëve të gjata” në rolin e oficeri gjerman , tek “Qortimet e Vjeshtës” në rolin e priftit etj. Në vitet ’90 ai ka marrë pjesë edhe te filmi “Larg barbarëve” i regjisores franceze me origjinë shqiptare Liri Begeja, dhe këtu në rolin e përkthyesit Jusuf Vrioni. Pas vitit 1990 iu përkushtua të shkruarit. Mbasi doli në pension, ai e vazhdoi aktivitetin e tij, kryesisht në fushën e letrave. Që prej 1997-s, emigroi në Athinë, së bashku me djemtë e tij, Primo (poet) dhe Brunon (aktori teatrit “Migjeni”). Për aktivitetin dhe kontributin e tij të veçantë është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Deri në vitet e fundit të jetës Lec Shllaku nuk u ndal së punuari. Shkroi me vërtetësi e pasion historin e teatrit shkodran, është autor i monografive kushtuar figurave të tilla të kulturës e skenës si Zef Jubani, Loro Kovaçi, Palokë Kurti, etj, është autor i disa vëllimeve me poezi e prozë, madje duke lëvruar dhe lloje të gjata të këtyre gjinive si poema “Norja e Nika” në vitin 1995, “Kur lindej teatri”, “Loro Kovaçi 1903-1966” (monografi) , apo romani i fundit “Historia e një plage”. Në 5 vitet e fundit botoi plot 7 libra, një ndër të cilët, libri me përshtypje udhëtimi “Dy hapa në Perëndim” është botuar në italisht dhe greqisht.
U nda nga jeta në 5 gusht 2007, por la pas një emër, la një vepër e cila nuk ka gjetur ende vlerësimin e saj. Emri i Lec Shllakut i shtohet emrave të shquar të kësaj familje që kanë një kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm në kulturën tonë kombëtare, shto këtu edhe përkthyesin e madh, vëllanë e Lecit, Gjon Shllaku.
"A e kam frikë vdekjen? Kam frikë vuejtjen, të cilën s'e kuptoj veçse në fund, kurse vdekjen s'e kam frikë, mbasi ajo e ka nji kuptim, bile shumë të madh. Nakël a pishman nuk më ka mbetë kurrgja, mbasi nuk kam bâ kurrë projekte që për me u realizue t'i kenë kapërcye fuqitë e mija. Ajo çka më ka idhnue ka qenë hupja e disa dorëshkrimeve dhe punimeve kur jam bajtë me shtëpi.”

Lamtumirë, Artist

(Në vdekje të Lec Shllakut)

Nga Ardian Ndreca

Fisnikëria e shpirtit, ndryshe prej asaj të gjakut, ka nji të mirë të madhe, mund të fitohet me forcat tona. Të tillë e kishte konceptue jetën e vet Lec Shllaku, zemra e të cilit rrahu deri në fund simbas ritmeve të nji harmonie të pashoqe që vetëm Muzat munden me falë.

Fjalët e tija, ligjërimi i rrjedhshëm, hiri në shprehje dhe mendimet e pazakonta që mbërrinte më shpreh për artin, botën, njerëzit – banin që figura e tij të hreflektonte diçka tërheqëse dhe manjetike.

E kam takue sa herë në vetminë e tij të shenjtë, gjithnji në tryezën e punës, herë me klasikët në dorë (i lexonte të gjithë në origjinal), herë me shkrimet e tija; por sa herë e takoja më linte përshtypjen se ai ishte sa këtu mes nesh po aq edhe në nji botë tjetër, me mendimet dhe me hijet e veta, me andrrat e pashprehuna, me kangët e pakëndueme ende.

Deri diku arti i tij (e kam fjalën për krijimtarinë letrare), i botuem dhe i pabotuem, më jepte idenë se ishte shprehje e mungesave të kohës në të cilën ai kishte jetue, por në të njejtën kohë ai art nuk ishte ba për asnji çast shprehje e kohës së vorfën në të cilën ai jetoi.

Lec Shllaku ka lind me 3 nandor 1921 në Shkodër dhe âsht rritë në nji hapsinë kulturore që i jepte randësí të madhe teatrit, koncerteve të bandës qytetse, karnivaleve, bejteve. Deri në vitin e parafundit ai ndoqi liceun "Illyricum", i cili mbahej prej Françeskanëve, ndërsa vitin e fundit e kreu në gjimnazin "28 Nandori". Leci ka hypë në skenën e teatrit qysh në moshën 12-vjeçare e mandej ka vazhdue edhe tue këndue si kangëtar solo edhe tue debutue te ai që ishte tempulli i parë i teatrit tonë: Teatri saverjan i Etënve Jezuitë.

Në Shkodër ai âsht njohtë dhe ka luejt me mâ të mëdhajt aktorë që ka pasë vendi ynë, si: Zef Jubani, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma, Ana Kçira. Menjiherë në vjetin 1945 ai vuni në skenë nji pjesë të titullueme "Djersë dhe gjak", mandej vijon me punue me filodramatikën e Shtëpisë së kulturës, kurse prej 1949-'50 punon në Teatrin qendror të ushtrisë. Në këto vjetë njeh dhe përfiton shumë prej përvojës së vërtetë artistike të disa regjisorave sovjetikë që kishin ardhë me punue në vendin tonë, ndër të cilët veçohet regjisorja baltike Zinaida Andri. Prej vjetit 1951 deri në 1960 punon pranë teatrit të Shkodrës, i cili deri m'at kohë udhëhiqej prej Andrea Skanjetit. Në Shkodër punon me aktorët e mirënjohun Zef Jubani, Tinka Kurti, Antonjeta Fishta, Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lëkunda, Adem Kastrati. Fryt i këtij bashkëpunimi gjenial ishte edhe vumja në skenë e "Kopracit" me aktorin Zef Jubani në rolin kryesor. Premiera e shfaqjes u dha me 17/2/1952 dhe âsht e tepërt me ia kujtue këtu lexuesit suksesin që pati kjo shfaqje si edhe vendin e nderit që ajo ka në historinë e teatrit tonë.

Arti për Lec Shllakun ka qenë vetë jeta.

Para pak vitesh më tregonte:

"Edhe kur i lodhun dhe i zhgënjyem, i sulmuem dhe i përfolun kryesisht prej cmiret, kam dashtë me e braktisë artin, m'âsht dashtë me u pendue e me i shkue mbrapa si qeni tue qa e tue u përlotë. Gjithmonë jam ndie i kërcënuem, gjithmonë kam qenë në nji ekuilibër të paqindrueshëm, tue jetue pezull mbi nji botë që lëvizte pa prâ në vlerat dhe në drejtimet e saja. Por, kam preferue mâ mirë me jetue pezull tue luftue sesa i venduem e tue lëngue".

Arti, skena, regjia, letërsia kanë qenë për të nji vokacion, nji thirrje e madhe shpirtnore përpara së cilës kanë hesht nevojat dhe zanet e tjera të imta të kohës së vështirë në të cilën ai jetoi.

Vëlla i nji njeriu tjetër të shquem të letrave tona, Gjon Shllakut, atij që përktheu mjeshtërisht në gjuhën shqipe "Iliadën" dhe tragjediografët grekë, Virgjilin dhe "Kangën e Rolandit", Leci i ishte kushtue tansisht vitet e fundit botimit të krijimtarisë së tij shumëvëllimëshe, të shkrueme e të ruejtun me shumë kujdes gjatë viteve të komunizmit, shumë herë tue përdorë - për gjanat mâ të rrezikshme - edhe kode të mshehta shkrimi.

Ndihej i lumtun pse kishte ribotue monografinë kushtue aktorit të madh Zef Jubani, mandej poemën "Norja e Nika", studimin "Maska shkodrane", monografinë kushtue aktorit Loro Kovaçi, librin "Shtegtimi i monumenteve", përshtypjet e udhtimit me titull "Dy hapa në Perëndim", studimin kushtue artistit Palok Kurti, romanin "Plaka e harkoçi Miki", romanin "Historia e nji plage" e këto dite kishte pritë me gëzim daljen nga shtypi të vëllimit me poezi "Ngatrrim stinësh".

Kur e pyeta nji herë a e kishte frikë vdekjen m'u përgjegj:

"A e kam frikë vdekjen? Kam frikë vuejtjen, të cilën s'e kuptoj veçse në fund, kurse vdekjen s'e kam frikë, mbasi ajo e ka nji kuptim, bile shumë të madh. Nakël a pishman nuk më ka mbetë kurrgja, mbasi nuk kam bâ kurrë projekte që për me u realizue t'i kenë kapërcye fuqitë e mija. Ajo çka më ka idhnue ka qenë hupja e disa dorëshkrimeve dhe punimeve kur jam bajtë me shtëpi. Kam banue për 15 muej në Shirokë, buzë liqenit të Shkodrës, pak hapa larg vilës së Zogut. Atje kam përtri forcat e mija, kam thithë erën e sherbelës e të trumzës, kam përkëdhel me sy mrizat e zajet e bardha e prej tryezës seme të punës kam vërejt shtërngatat mbi liqé e borën që mbulonte dimnit Maranajn e Cukalin. Natyra, për vetë faktin që lind e vdes në mënyrë ciklike, i jep artistit nji entuziazëm të pashoq".

Me këtë gëzim të shtruem, me shikimin e thellë e me mendjen e mprehtë – ai iku prej nesh, deri diku i pakënaqun prej shumë gjanave që i kishte pritë dhe mendue ndryshe në jetë, por i rrethuem në çdo lëvizje prej shikimit dashunor të së shoqes, e cila me nji dhembshuni të përvujtë kishte qenë lexuesja e tij e vetme për gati nji gjysëm shekulli.

Arti dhe qenia e tij, fjala e tij e zgjedhun dhe ligjërimi klasik – e pikzojshin para syve të atyne që patën fatin me gëzue miqsinë e tij në nji njeri të kohnave të shkueme, në nji gjysëm murg e gjysëm kalorës mesjetar që donte me çue në vend nji amanet, nji premtim, nji fjalë.

E at' fjalë, at' premtim Lec Shllaku dijti me e mbajtë në shumë faqe të mrekullueshme të krijimtarisë së tij letrare.

"Edhe kur i lodhun dhe i zhgënjyem, i sulmuem dhe i përfolun kryesisht prej cmiret, kam dashtë me e braktisë artin, m'âsht dashtë me u pendue e me i shkue mbrapa si qeni tue qa e tue u përlotë. Gjithmonë jam ndie i kërcënuem, gjithmonë kam qenë në nji ekuilibër të paqindrueshëm, tue jetue pezull mbi nji botë që lëvizte pa prâ në vlerat dhe në drejtimet e saja. Por, kam preferue mâ mirë me jetue pezull tue luftue sesa i venduem e tue lëngue".

"A e kam frikë vdekjen? Kam frikë vuejtjen, të cilën s'e kuptoj veçse në fund, kurse vdekjen s'e kam frikë, mbasi ajo e ka nji kuptim, bile shumë të madh. Nakël a pishman nuk më ka mbetë kurrgja, mbasi nuk kam bâ kurrë projekte që për me u realizue t'i kenë kapërcye fuqitë e mija. Ajo çka më ka idhnue ka qenë hupja e disa dorëshkrimeve dhe punimeve kur jam bajtë me shtëpi.

Shllaku: Aktori, kjo qenie e mbinatyrshme

Anila Dushi

Vepra e një prej regjisorë të parë dhe të talentuar të teatrit shqiptar që Shkodra e përcolli dje me përulje

Shkodër

U nda nga jeta pas vuajtjes së gjatë në moshën 86-vjeçare dhe shumë shpejt, dje, u përcoll për në banesën e fundit, Artisti i Popullit Lec Shllaku. Një prej pak figurave kryesore të artit shkodran, por i njohur për aktivitetin e tij të gjërë artistik në të gjithë vendin, Shkodra i dha lamtumirën në hollin e Teatrit Migjenit ku u bënë homazhe pranë trupit të Lec Shllakut.

Regjisor i talentuar, aktor i spikatur. Lec Shllaku pati si të përbashkët të gjithë aktivitetit të tij pasionin për artin e kulturën, punën e palodhur. Kjo vërtetohet me faktin se as në vitet e pleqërisë ai nuk reshti së punuari. Me një përkushtim e pasion të madh. Lec Shllaku u muar me shkrimin e historisë së teatrit shkodran, është autor i monografive kushtuar figurave të tilla të kulturës e skenës si Zef Jubani, Loro Kovaçi, Palokë Kurti, etj., duke hulumtuar rrugën e zhvillimit të komedisë shkodrane, ndërsa ka lënë prapa dhe një trashëgimni me vlera në fushën e krijimtarisë artistike si autor i disa vëllmeve me proezi e prozë, madje duke lëvruar dhe lloje të gjata të këtyre gjinive si poema "Norja e Nika" apo romani i fundit "Historia e një plage". Lec Shllaku mbetet autor i disa dramave, ndërsa kontributi i tij kryesor për artin është në regjinë e teatrit, një ndër të parët regjisorë shqiptarë.

Në 5 vitet e fundit botoi plot 7 libra, një ndër të cilët, libri me përshtypje udhëtimi "Dy hapa në Perëndim" është botuar në italisht dhe greqisht.

U lind në Shkodër më 3 nëntor të vitit 1921. Mbeti jetim nga babai që 4 vjeç. Bashkë me nënën dhe dy vëllezërit u rrit në shtëpinë e dajës, i cili ndonëse me profesion rrobaqepës, kishte hobi skenën, bejtet, karnavalet e sportet. Aty Lec Shllaku do të ndiente për herë të parë, joshjen ndaj arteve të bukura. Aty do të takohej me një pjesë të lëvizjes së pasur artistike amatore të Shkodrës. Në kohë karnavalesh shtëpia kthehej në prapavijë teatri. Bëheshin prova recitimesh dhe 34 makina qepëse punonin kostumet. Daja nisi ta merrte në premierat e teatrove. Kureshtja e Lecit për skenën bëri që ai të merrte pjesë dhe vëzhgonte provat e shfaqjeve që bëheshin në kinemanë-teatër "Shkodra". Në një intervistë të para disa viteve dhënë gazetës "Shekulli", Lec Shllaku rrëfente: "Filluan provat dhe aktorët i shihja si qenie të mbinatyrshme. Unë e adhuroja teatrin dhe fillova që bashkë me shokët e mi të bëja shfaqje teatrore nën shkallët e shtëpisë me çarçafë, rrogoza etj. Shpejt, shumë fëmijë filluan të vinin për të parë teatrin. Jeta skenike filloi në moshën 12-vjeç, më 4 tetor 1933 në një dramë me një akt. Pas luftës, në shtëpinë e kulturës fillova si aktor, shkrova vetë dramën "Djersë e gjak" dhe e vura në skenë. Me këtë pjesë Shkodra fitoi çmimin e parë kombëtar".

Pas studimeve të larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës e më pas në Universitetin e Tiranës për Gjuhë- Letësi, Shllaku shkroi dramat "E vërteta", "Punëtori", "Njeriu më i madh" etj. Shkruan e vë në skenë disa prej tyre, dhe për një vit, 1949-'50 punon në Teatrin Qendror të Ushtrisë.

Nuk mund të lihet jashtë kontributeve të Lec Shllakut, themelimi në vitin 1962 i teatrit "Skampa" kur e larguan nga Shkodra në Elbasan. Dhjetë vjet në Skampa. Një punë intensive. (Po botojmë disa nga fotot e tij gjatë punës në Skampa). Një nga pjesët që vuri në këtë skenë ishte "Njeriu që pa vdekjen me sy". Autori i saj, Viktor Eftimiu, i shoqëruar nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Bukureshtit, pasi e panë punën e bërë nga Shllaku, u shpreh: "Që nga viti 1928 kur e shkrova këtë dramë ajo është luajtur nga 30 teatro të ndryshëm, por pa dyshim më e mira është kjo e juaja. Edhe ndryshimet që regjia i ka bërë finales janë një gjetje e përsosur që unë dua ta përdor si mbyllje zyrtare përfundimtare në botimin e veprave të mia të plota."

Në suksesin e kësaj drame ndikuan aktorët Robert Ndrenika, Haxhi Sejko, Shpëtim Shmili etj. Ka ndodhur që Shllaku ka punuar paralelisht me 3 drama si "Angjelo, tirani i Padovës" i Hygosë, "Berberi i Seviljes" i Bomarshesë dhe "6 dashnorët" e Arbuzovit. Ka vënë në skenë dramaturgji shqiptare dhe të huaj, por autorët klasikë ishin ata që e grishnin më shumë.

Lec Shllaku tregonte se ka patur ëndrra në sirtar, vepra që për efekt të kohës nuk realizoheshin dot. "Nuk ishin fuqitë e plota dhe moderne. Teatri që nuk bazohet në një dramaturgji të mirë është teatër i falimentuar. Këto pjesë nuk viheshin dot në skenë sepse mungonin forcat interpretative dhe ndërhynte politika. Ishin preferencat e saj në repertorin e teatrit. Ku hyn politika hyn vdekja, pushka, thika, sepse ne nuk dimë t'i kujtojmë. Jo çdo gjë komuniste është e keqe dhe jo çdo gjë demokratike është e mirë" thoshte Shllaku.

Lec Shllaku është aktivizuar dhe në disa filma si tek "Skenderbeu" në rolin e GjonKastriotit, tek filmi "Plumba Perandorit" në rolin e gjykatësit, tek "Yjet e netëve të gjata" në rolin e oficierti gjerman , tek "Qortimet e Vjeshtës" në rolin e priftit etj. Në vitet '90 ai ka marrë pjesë edhe te filmi "Larg barbarëve" i regjisores franceze me origjinë shqiptare Liri Begeja, dhe këtu në rolin e përkthyesit Jusuf Vrioni. Pas vitit 1990 i kushtohet të shkruarit.

Ka lënë mjaft vepra në dorëshkrim dhe siç thoshte dhe ai vetë "kam në dorëshkrim mjaftfaqe me punime artistike, romane, tregime, novela, monografi, kujtime, përshtypje udhëtimesh", ka dhe poezi të shkruara në vitet '40, se më vonë nuk këndonte dot më zemra. Gjithçka lidhet me Shkodrën. Ai është i vetmi qytet për të cilin mund të shkruash pa frikë se vë këmbën në minë. Arti ka të bëjë me të bukurën, estetikën, të gudulis kënaqësinë", thoshte artisti. Lec Shllaku, është cilësuar një personalitet i skenës dhe letrave shqipe, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës, te atij të Ushtrise, dhe Teatrit "Skampa" në Elbasan. Për këto Lec Shllaku është vleresuar me titullin e lartë "Artist i Popullit".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora