E marte, 08.10.2024, 03:42 PM (GMT+1)

Kulturë

"Inva Mula nuk mund të jetë e dyta"

E merkure, 01.08.2007, 10:10 PM


Rikthehet pas tri vitesh në skenën e Veronës varianti modern i "Traviatës" me regji të Graham Vick. Inva Mula interpreton rolin e Violetës

Inva Mula ne ''Traviata''
"Traviata", e pesta dhe e fundit vepër e edicionit të 85-të të Festivalit Lirik ngjitet në skenën madhështore të Arenës së Veronës ditën e shtunë. Sipas të përditshmes veroneze "L'Arena", protagoniste është sopranoja shqiptare Inva Mula, e cila ka në krah tenorin Roberto Aronica dhe baritonin Ambrogio Maestri në rolin e Alfredos dhe të plakut Zhermon. Orkestra i është besuar bagetës së dirigjentit bullgar Julian Kovatchev, ndërsa regjia anglezit Graham Vick, i cili tre vjet më parë shtangu pjesën më tradicionale të publikut arenian me një spektakël të guximshëm, joshës e të paharrueshëm. I ndihmuar në skenografi dhe kostumografi nga Paul Broën, regjisori anglez rishkroi nga e para ngjarjen e Violeta Valerisë, duke kërkuar t'i japë veprës një impakt provokues në një ambient kontemporan, ashtu si ishte në të vërtetë dhe projekti origjinal i Verdit. Nuk janë të paktë autorët që shohin në këtë vepër jetën e vetë Verdit. Kështu jeta e Violetës i ngjan viteve të rinisë së sopranos Giuseppina Strepponi (gruaja e dytë e Verdit), ndërsa plaku Zhermon nuk mund të jetë veçse vjehrri i mirë "baba" Barezzi, në fillim i ashpër e më vonë i mëshirshëm. Të gjithë në një panoramë, me anë të së cilës kompozitori donte të arrinte Strepponin dhe të shpërndante këtë mesazh në gjithë botën. Për Graham Vick, Violeta është një "heroinë" e kohëve tona, bijë e një kohe konsumi dhe tregu, ku të gjithë janë të gatshëm të shesin shpirtin për pak famë dhe sukses. Sëmundja e pashërueshme dhe vdekja e parakohshme e shndërrojnë në një ikonë laike si Ledi Diana, apo Merilin Monro. Dhe në fund, në vend që të bjerë përdhe merr homazhin e fundit floreal të një adhuruesi dhe del nga skena për të hyrë tek mitet. Leximi që Vick i bën veprës priret drejt simbolizmit (e vëzhguar dhe e komentuar nga kori që qëndron në anë të skenës). I lë shteg psikanalizës dhe zbulimit të shenjave dhe ironisë. Një botë, në të cilën publiciteti përmes fotografisë dhe spoteve ka për detyrë të bindë për të ekzistencën e të fundmit idhull që ka mbetur: malli për t'u adhuruar dhe për të blerë. Nga ky këndvështrim "Traviata" areniane rezulton të jetë në përputhje të plotë me kohën tonë. Violeta vjen e interpretuar nga sopranoja Inva Mula që në vitin 2004 pas tri shfaqjeve zëvendësoi solisten titullare Mariella Devia. Por sopranoja shqiptare nuk është e dyta dhe zëvendësuesja e askujt, jo vetëm për shkak të zërit të saj virtuoz, por edhe për përfshirjen emocionale dhe gërmimin dramatik që i bën personazhit. Në rolin e Giorgio Germont interpreton Ambrogio Maestri, një bariton me volum dhe timbër autoritar. Ndërsa Roberto Aronica në rolin e Alfredos është debutant në skenën e Veronës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora