E enjte, 07.11.2024, 03:56 AM (GMT)

Kulturë

Turbo-folku, kopje e shëmtuar e muzikës së vërtetë

E marte, 17.07.2007, 09:46 PM


Turbo-folku, muzikë joshqiptare me ndikime të huaja       
 
“Krahas shumë zhanreve dhe rrymave të ndryshme që Shqipëria në boshllëkun e vet po zhytet, është shfaqur një vorbull rryme muzikore që quhet Turbo-folk. Ky boshllëk që solli muzika në artistë dhe ardhja e një fryme krejt të re dhe njerëzit duke mos qenë të aftë të krijojnë një muzikë të re që është shumë e këndshme, zgjedhin këtë rrymë. Në një vend të vogël si Shqipëria, me një larmi temash shumë të bukura, ku unë do të veçoja trevën e Vlorës, shumë të pasur. Por nëse me turbo-folk nënkuptojmë krejt muzikën tonë popullore, është shumë iu rëndomtë si term. Nuk mund të bëhet turbo-folk në sasi.Turbo-folk është vetëm në cilësinë e gjërave. Nëse një artist apo një grup krijojnë për 5 vjet rresht vetëm turbo-folk, 20 materiale në javë apo në muaj, atëherë kemi të bëjmë me sasi por jo me cilësi. Dhe kjo shkon drejt nivelit zero. Me siguri njerëzit kanë të drejtë që t’ia urojnë një fund kësaj, sepse siç e kishte një fillim do ta ketë edhe një fund. Sa ngel kjo muzikë në mendjet e njerëzve, kjo ëhstë një tjetër faktor. Unë nuk dua të merrem me asnjë prej këtyre dhe as nuk analizoj, por dua të them se në vetvete turbo-folku si rrymë është simpatik, nise ruhet sasia dhe kjo shkon për cilësinë”. Ndërsa sa i përket vlerave të vërteta të muzikës sonë, por edhe atyre që ne i njohim për vlera autentike por në fakt kanë ndikim të huaj, ai shprehet se: “Mos të harrojmë se trevat tona janë shumë të pasura. Nuk mund të mohohen ndikimet nga kulturat e ndryshme që e kanë përshkuar, meqë Shqipëria ka qenë shumë herë e pushtuar. Turbo-folk nuk mund të quash një muzikë që s’është autentike shqiptare. Me trubo-folkun e krijuar këtu, kur del jashtë e kupton që nuk është turbo-folk shqiptar, por rumun, turk etj. Trevë e pastër shqiptare për muzikën është Burreli (Matit), treva e Dibrës, Skraparit dhe kënga polifonike labe, që është shumë e pasur dhe e pastër. Ndërsa me shumë ndikime janë këngët e Shqipërisë së mesme, kënga qytetare korçare (serenatat), ose jaret shkodrane, që janë bazuar mbi ariet e operave të kohës, të kompozitorëve si Verdi, Vivaldi etj. Janë treva me ndikime orientale. Po kështu, e pastër është edhe muzika kosovare. Pra, nuk do të thotë që të këndosh shqip duhet të përdorësh diçka orientale. Shqipëri ëhstë edhe pjesa e trojeve jashtë Shqipërisë, sic janë arbëreshët e Kalabrisë, që kanë një muzikë krejt pa ndikime. Atëherë lind pyetja “Muzika jonë ka qenë ajo apo muzika italiane ka marrë prej tyre?”. Muzika e tyre ëhstë krejt e pazhvilluar, ka ngelur e virgjër në këtë kontekst. Po ashtu, edhe shqiptarët e Transilvanisë apo Gjeorgjisë, që ruajnë traditën e disa këngëve shumë interesante. Ato janë po ashtu pa ndikime. Prandaj njerëzit që krijojnë turbo-folk duhet tu drejtohen këtyre trevave dhe do shohin sesa të bukura janë ato. Janë shumë më jetëgjata dhe sjellin vërtet diçka të re në muzikë. Muzikantët më të mëdhenj shqiptarë, emra me influencë edhe në botë, nuk mbështetetn shumë në turbofolk. Unë vetë kam bërë një material që mbështetet tek muzika jonë, ku ndërthur disa treva: atë të Dibrës “Fusha e Korabit” dhe “Hapi sytë e zezë” të Korçës, ndërsa në Vlorë kam marrë “Në një anë, në një lëndinë”. Janë tre tema që nisen njëra nga minore në maxhore, tjetra nga maxhore në minore. E njëjta ndërthurje, veçse me një alternim shumë të veçantë. Kënga quhet “The crying field” (Lëndina e lotëve), një këngë epike e cila në Amerikë ka fituar çmim të parë për këngët më të mira të vitit 2006. Futja e këtyre tre elementeve ka bërë që të vlerësohet si kënga epike më e mirë për vitin 2006. Njerëzit po të punojnë seriozisht, cilësia bën punë më të madhe, ndërsa sasia, bazuar tek nevoja për para, bën që edhe artisti më i mirë të bjerë në paqartësi vetjake, nga ku është vështirë të dalë”.

Këngëtarët e suksesshëm të turbofolkut
Sipas shtëpive diskografike në kryeqytet dhe dyqaneve të CD-ve, rryma që po pëlqehet më shumë dhe ka një sukses të madh në muzikën shqiptare është turbo-folku. Janë të shumtë këngëtarët që e këndojnë këtë lloj muzike dhe kanë bërë emër në karrierën e tyre. Këtu mund të përmendim Ponin, Marjolën, grupi “Djemtë e Vjosës”, si dhe shumë të tjerë të cilët me albumet e tyre duket se po i rezistojnë prej disa kohësh tregut të muzikës në vendin tonë. Ndonëse nuk ka shifra të sakta shitjeje të albumeve të tyre, është i njohur fakti se ata janë më të kërkuarit nga publiku, gjë kjo që vërtetohet edhe nga shtëpitë diskografike. E vendosur në tabanin e muzikës popullore, këtu është i ndërthurur teksti dhe muzika, ku kjo rrymë ka këngë direkt labe, por edhe të përpunuara, si zona e Mallakastrës që turbofolkun e ka pasur pa orkestër, ndërsa tani ka futur edhe orkestrën. Shumë këngë janë të kopjuara nga muzika sllave dhe ajo bullgare. Në tekstet e saj i këndohet dashurisë dhe fisnikërisë, trajtohet tradita dhe kultura. Sipas shtëpive diskografike, një CD me këngë të rrymës turbo-folk kushton 600 lekë të reja. 

Turbofolku, rryma muzikore e keqkuptuar       
 
Është tendenca më e fundit e muzikës shqiptare, që këtë herë ka zgjedhur të rrugëtojë nëpër trotuare rrymash të njohura, edhe pse tashmë u bënë rreth dy vjet që po lëvrohet gjithnjë e më shumë. Më e lehtë të imitosh e rikrijosh? Krijohet muzikë mbi muzikë, e reja mbi të vjetrën, modernia mbi folklorin shqiptar. Të krijosh nota mbi muzikën popullore nuk është edhe aq e vështirë, por të ruash vlerat e saj të pacenuara pas rikrijimit është diçka që rrallë ndodh. Me gjithë tregun e madh që ka gjetur kjo rrymë e re e muzikës në vendin tonë, këngët e njëpasnjëshme që dalin dita-ditës ngjasojnë si pika uji dhe asnjëra prej tyre nuk të mbetet në vesh për shumë kohë. Është mbase muzika më jetëshkurtër, e cila aq lehtë sa lind edhe vdes. Në qindra albume që mbushin vitrinat e dyqaneve të muzikës, ku nuk duhet mohuar se secila prej tyre ka kategorinë e blerësve të vet, vështirë se gjen një album që vërtetë të ketë vlera të rezistueshme ndaj kohës. 

Turbo-folku, muzika që shkel mbi traditën      

Vazhdojmë të flasim për tendencën e një rryme të re si turbo-folku dhe arsyeja e shtrimit gjatë të një problemi të tillë është pikërisht fakti i përhapjes së saj masive, kur nuk dihet qartë nga të gjithë se çfarë vlerash përcjell ose jo në të vërtetë kjo rrymë. Duke diskutuar me kompozitorë, kantautorë e orkestrues shqiptarë, synojmë që debatin mbi turbo-folkun ta çojmë në një nivel më të gjerë dhe më specifik. Kjo për faktin se një tendencë e tillë ngjall natyrshëm debat, pasi duket se nuk po kalon ende vala e fillimit, por po ndërtohet, gabimisht, një traditë e modifikuar mbi një traditë të pastër, për të cilën vlen të krenohemi.Në këtë rubrikë shpresojmë në përfshirjen edhe të komenteve tuaja, njerëz të fushës, specialistë të muzikës, këngëtarë etj. Në prononcimin e mëposhtëm për gazetën “Sot” kantautori Ardian Trebicka flet rreth ndikimit të drejtpërdrejtë të kësaj rryme mbi muzikën e pastër shqiptare, mbi vlerën dhe traditën e saj. Trebicka është i njohur në tregun muzikor shqiptar së pari me albumin e tij “Tango”, me muzikë të frymëzuar nga vitet ‘70.

Ardian Trebicka, kantautori i muzikës tradicionale
Turbo-folku dëmton tabanin popullor

Turbo-Folku është një rrymë e re në tregun muzikor shqiptar, si shumë dukuri të tjera të shfaqura në vitet e fundit, e cila për mendimin tim personal është një rrymë që i jep hapësirë amatorizmit. Jo se kjo nuk mund të këndohet nga një profesionist, por deri tani shembuj të tillë kanë ardhur pa doreza. Kjo rrymë ka dëmtuar tabanin popullor shqiptar. Për mendimin tim, ne po kalojmë një moment i cili mohon vlerat e vërteta të muzikës shqiptare dhe shkaqet janë nga më të ndryshmet; një nga ato është edhe shkaku i mësipërm. Unë, personalisht, jam gjithmonë për të renë në muzikë, kur ajo është gjithmonë e bazuar brenda traditës dhe vlerave tona. Mund të flitet shumë për këtë problem, por në këtë vend asgjë nuk lëviz për sa i përket rregullit dhe më vjen mirë që një pjesë e shoqërisë shqiptare ka një lloj reagimi për këtë shtrembërim të folkut shqiptar. Unë  shpresoj që një ditë shteti do të zgjohet e do ta shikojë këtë problem, këtë gjini të këngëve dhe folkut shqiptar, me po atë prioritet që mbron edhe amfiteatrot. Ndërkohë që mund të them, se për tregun muzikor shqiptar mungojnë akoma disa rregulla. Turbo- Folku ka dëmtuar tabanin popullor dhe ai serviret në mënyrën më të shëmtuar. Këngëtarët e rinj duhet të mos abuzojnë me tekstet e tyre. Unë jam i të resë, por duke respektuar të shkuarën sepse kam parë që edhe vende më të zhvilluara kanë një rrugë të shtruar, ndërsa mua kjo dukuri në vendin tonë më jep idenë e një livadhi, ku secili ndjek rrugën e tij. Ndërkohë, ky shkatërrim i muzikës fillon që nga studiot e muzikës. Madje, unë mendoj që duhen pyetur edhe kompozitorët për këtë dukuri. Personalisht, mendoj që i gjithë ky lloj degradimi i muzikës është lënë vetë dhe nuk ka mundësi që të mos reagojë njeri.
 
Turbo-folku, kopje e shëmtuar e muzikës së vërtetë       
 
I vazhdojmë debatet për rrymën më të re, turb-folkun, e cila çdo ditë e më shumë na prezanton në ekranet e televizioneve këngëtare e këngëtarë të rinj, emra anonimë, me të kaluar anonime dhe me apo pa talentin e duhur për të mbajtur epitetin ‘këngëtar’. Muzika po vritet dalëngadalë, çdo ditë më shumë. Po a po sjell diçka të mirë në vetvete turbo-folku, apo tendenca në rritje drejt saj vetëm sa e ka nisur një fazë muzike shqiptare anonime dhe anonimësh? Në lidhje me këto çështje, foli për gazetën tonë në një prononcim këngëtarja e mirënjohur, me shumë eksperiencë dhe e suksesshme në skenat tona dhe jashtë saj, Jonida Maliqi.“Nuk më pëlqen rryma e muzikës Turbo – Folk dhe nuk kam kënduar asnjëherë këtë lloj rryme. Duhet të merret thjeshtë si Turbo –Folk dhe nuk duhet krahasuar me folkun shqiptar, me muzikën tradicionale shqiptare. Unë mendoj se kjo rrymë e re në muzikën shqiptare e degjeneron muzikën tradicionale shqiptare. Kjo është një rrymë e zbuluar pak vite më parë që po kultivohet në vendin tonë dhe është një kopje e shëmtuar e muzikës popullore. Ndërkohë, mendoj që një pjesë e fajit për këtë degjenerim të muzikës sonë tradicionale shqiptare i përket edhe kompozitorëve, të cilët i kompozojnë këto këngë. Unë mendoj se asnjë prej kompozitorëve, megjithëse mund të niset nga ana financiare, nuk mund të lejojë këtë degjenerim të muzikës shqiptare sepse mbi të gjitha vlerat artistike të këngëve tregohen edhe në kompozimet që ata bëjnë. Unë e kuptoj mirë që kjo është një show- biznes por po harrohen vlerta artistike për origjinën e muzikës shqiptare. Po dëgjojmë rryma të muzikave të ndryshme si: rrymën hip-hop, muzikën rrok dhe mendoj që po bëjmë një revolucion, ndërsa rryma turbo-folk vetëm po e degjeneron muzikën dhe folkun shqiptar, po i humbet vlerat e tyre dhe vetëm po e shkatërron tabanin popullor shqiptar. Turbo-folku mbase tani ka një lloj pëlqimi nga një kategori e caktuar por nuk do të rezistojë gjatë dhe më pas do të shihet vetëm si një kopje e shëmtuar e muzikës popullore. Për mendimin tim edhe ata këngëtarë që e këndojnë rrymën turbo-folk dhe më vjen keq se nuk dua të përmend emra nuk mund të quhen këngëtarë. Por këtu faji është edhe i medias dhe kjo ka të bëjë me videoklipet. Sapo të realizohet një videoklip dhe o burra ta shfaqim sa më shumë në ekran , për mua ky lloj degjenerimi i muzikës është i papranueshëm. Po e them përsëri kjo rrymë është një kopje e shëmtuar e të tjerëve, ne nuk dimë të ruajmë vlerat tona muzikore nuk dimë të ruajmë traditën shqiptare. Turbo-folku nuk ka të bëjë me muzikën shqiptare. Pra unë jam e mendimit që kjo rrymë muzikore e shfaqur vitet e fundit vetëm e dëmton tabanin popullor. Dhe mendoj se çdo njeri i artit, me punën e tij, duhet të dijë që të mos shkatërrojë tradicionalen, por përkundrazi ta ndihmojë që ajo të ruhet dhe të respektohet”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora