Kulturë
3 mbremje "Gala" dhe tapeti i kuq
E hene, 23.07.2007, 11:24 PM
Triumfatorët duhet të ecin mbi tapetin e kuq. Parimisht kështu duhet të ndodhë në çdo garë ku artistët vihen përballë njëri tjetrit, për të veçuar më të mirin. Ai tapet i kuq është ëndrra dhe krenaria e triumfuesve, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të rëndësishme të kulturës, ku modeli botëror “a la Oscar” bëhet shembëlltyrë e konkurimit shqiptar. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që tre ngjarje të rëndësishme të këtij lloji, të bëheshin njëra pas tjetrës në një kohë të shkurtër, ku finalja e “Top Festit”, nga finalja e çmimeve “Kult” dhe finalja e “Netëve të klipit”, kanë pasur veç një kohë të shkurtër në mes, duke krijuar impresionin se jeta artistike në shqipëri është sa intensive aq edhe tërheqëse. Se edhe shqiptarët janë të interesuar në shoshitjen e vlerave të krijuar nga elita artistike dhe krijuese, ndonëse për një pjesë të mirë, koha është vlerëshprehësi më i mirë. Mbrëmja e ndarjes së çmimeve kult, ishte pa dyshim më e rëndësishmja prej tyre.
Mbrëmja “Kult” dhe kultura në udhëkryq
Elita nuk punon vetëm idetë e një shoqërie, po punon edhe ndjenjën e saj. Ndjenjat kanë një rëndësi ca më të madhe nga idetë mbi dëshirat dhe dashjet.
“Është nevojë t’i japim një shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi më i madh i shqipërisë. Këtë shpirt do ia japim kombit tonë me anë të elitës shqiptare”. Kjo është çështja e kthjellët që pat shtruar Faik konica menjëherë pas shpalljes së pavarësisë dhe që atëherë deri më sot, ngelet një ndër problemet më të mprehta të shqipërisë dhe shqiptarëve. Problemi i identifikimit dhe mbështetjes së vlerave të vërteta, të cilësdo sferë qofshin ato.
Në periudhën e përpjekjeve për qytetërim dhe kulturë, edicioni i tretë i çmimeve “kult” përbën një nga pëpjekjet më serioze në ndihmë të kulturës që ndodhet në udhëkryq. Një vend nuk është grumbulli i njerëzve që e përbëjnë atë, por është një shpirt, një ndërgjegje, një princip i gjallë. Është padyshim vazhdimësia e sistemit të vlerave, që mbështet dhe stimulon artistët shqiptarë duke i vlerësuar me kupën e më të mirit gjatë një viti, dhurata dhe ndihmesa më e vyer që mund t’i bëhet elitës së kulturës shqiptare. po cilët janë njerëzit e përzgjedhur si më të mirët e këtij konkurimi zhvilluar nga Agjencia kult, por që kësaj radhe ndryshe nga një vit më parë u braktis nga Ministria e kulturës Shqiptare? Emrat e fituesve deri diku përsëriten me ato të një viti më parë. Edhe sukseset e tyre gjithashtu, ndërsa mjaft të tjerë enden diku në hije, megjithëse shënojnë suksese. si çdo garë dhe konkurim, ka fitues ka edhe të humbur, ka të gëzuar por edhe qejf mbetur. Juria nuk gjykohet, as shijet gjithashtu. pavarësisht emrave fitues, e rëndësishme është që vlerat u vunë në përballje me njëra tjetrën. Nuk është e thënë që vota për më të mirin të përputhet me vlerësimin e të tjerëve. Nëse kjo do të ndodhte, do të thoshte se shoqëria shqiptare gëzon të njëjtën kuotë mendimi dhe kjo është tepër e bukur për t’u besuar.
Kristo Frashëri është nderuar me çmim, për Librin enciklopedik të vitit, ndërsa Ylljet Aliçka për Librin më të mirë të vitit. Luiza Xhuvani, për të dytin vit radhazi është shpallur aktorja më e mirë, ndërsa të njëjtin sukses ka përsëritur edhe partneri skenik dhe historik i saj, Ndriçim Xhepa. Me çmime janë vlerësuar edhe Kristaq Skrami, Lorenc Radovani, Pirro Çako, Armaldo Kllogjri, Lumturi Blloshmi sipas fushave të ndryshme ku japin kontribut, ndërsa “Butrint 2000” është vlerësuar si aktiviteti kulturor më i mirë.
Spektakli, ndonëse me një traditë ende të re në shqipëri, pati një sukses të jashtëzakonshëm, i cili u vu re jo vetëm tek publiku në sallë, por edhe në konceptimin e drejtimit të tij. Një mbrëmje ndryshe nga edicionet e mëparshme të shpërndarjes së çmimeve kult, ku artistët ishin ata që mbizotëronin dhe i linin vendin njëri-tjetrit. Maratona e shpërndarjes së çmimeve dominohej nga virtuoziteti i artistëve dhe krijuesve, të cilët ngjiteshin në skenë për të prezantuar emrat e nominuar për secilin çmim, duke ia kaluar më tej stafetën një artisti tjetër, e kështu me radhë. Një mbrëmje e krahasueshme me “a la Oscar”, pa dyshim jo me të njëjtin shkëlqim dhe zhdërvjelltësi, por me të njëjtin seriozitet dhe përshtatshmëri me gjithë tablon sociale dhe ekonomike që ofron vendi ynë.
Femrat që “tronditën” Top Festin
Ndërkaq mbrëmja e Top Fest-it ka ngjarë si dy pika uji me mbrëmjet brilante të çmimeve të MTV-së. Veçse protagonistët nuk ishin ata të muzikës më të pëlqyer për momentin në botë, por yjet e rinj të muzikës shqiptare nga të gjitha trevat. Prezantuesit e tij, nuk ishin të famshmit e ekranit të MTV-së, por të përzgjedhurit e Top Channel, Arbana dhe Ledioni. Fraza të shkëmbyera me humor, një lojë “nuk ndodh, por nëse ndodh.....”, ekzibicione nga më interesantet, atmosferë përvëluese, këngë të kënduara në kor, kjo ka qenë pak a shumë atmosfera e finales së Top Fest, e cila zgjati shtatë javë, duke u bërë aktiviteti artistik më i dashur për publikun e ri në moshë. Dhe ky konkurim i këngës e pati një emër, gjashtëmbëdhjetëvjeçaren Greta Koçi.
Dy vite më parë, kur ishte veç 14 vjeç, Greta as që mundi të klasifikohej në gjysmëfinalen. E megjithatë këto gjëra ndodhin në art. Sa e sa herë ka qëlluar që artistë të cilët më pas ia kanë dalë të bëjnë emër, në sajë të talentit, por edhe investimeve që kanë bërë, në fillimet e tyre të jenë zhdekurajuar? I tillë ishte edhe fati i Gretës. Pas zhgënjimit të hidhur, një erë e re zë fill për Greta Koçin gjatë dy viteve që pasuan. Fituese në “Mikrofoni i Artë”, tek “Kënga Magjike”, një prezantim dinjitoz në “Festivalin e Këngës në RTVSH”. Tashmë ajo ka zaptuar skenën muzikore shqiptare, edhe pse është më e vogla e këngëtarëve. Mungesa e Alban Skënderaj, imazhit të këtij Festivali, zbulim i të cilit Albani është, bëri që të tjerë këngëtarë të dilnin në pah dhe çmimi të diskutohej kryesisht mes femrash. Në garë me Ponin, Tunën, Zanfinën, Besën, Ngroban, Vesën, Flakën, etj, Greta arriti të rrëmbejë çmimin e madh prej 10 000 eurosh, çmim që përcaktohej nga votimi i publikut në internet. Pak e nga pak, Greta po merr formën e një pop-stari. E si për t’i mbushur mendjen të gjithëve që e meritonte çmimin, Greta këndoi një fragment të këngës “live” që u shoqërua nga një kor i madh spektatorësh. Zëri i saj unik ka përshkuar të gjithë sallën, pavarësisht se duket që nuk kanë qenë të gjithë dakord që Greta të ishte fituese e Top Fest, përfshi këtu jurinë e kritikës.
E nëse Greta është një projekt që kërkon të bëhet “top star”, juria e kritikës në Top Fest e ka gjetur “starin” e vet. Ajo është Tuna me këngën e saj “Bileta”. Pas duetit të goditur që solli vjet me JonidaMaliqin me këngën “Forca e femrës”, kënga “Bileta”, rrëmbeu duartrokitje dhe simpatinë e publikut, vlerësimin e jurisë dhe të drejtën për të qenë një ndër këngët më të kërkuara të momentit. Një këngë e fuqishme që transmeton emocione të vërteta. Një pjesëz historie femërore që mund t’i ketë ndodhur Tunës, apo kujtdo tjetër, por që Tuna e përcjell tek publiku me një pjekuri artistike që nuk e ka ushqyer asnjëherë më parë sa kësaj radhe. Ndërsa tronditja e tretë, “Top Fest”-it i erdhi nga Poni, vlonjatja e “egër” e këngëve të vendlindjes së saj, por që kësaj radhe ishte zbutur e çelur në muzikën e lehtë, “Por si trëndafil”. Sprova e parë e Ponit për të konkuruar në një festival të muzikës kaloi me sukses. Edhe Poni arriti të siguronte shumë nga vlerësimi i publikut, megjithëse çmimi i rëndësishëm i Top Fest, kaloi në duart e Gretës.
Netët e klipit nderojnë “Nënat shqiptare”
“Klipi”, nuk i përket këngës, por prodhimit”. Këtë ka patur parasysh juria profesioniste e përzgjedhur nga “Deliart Association”, në mbrëmjen Finale të ndarjes së çmimeve, për klipin më të mirë, garë e cila ka patur një seri të gjatë puntatash përmes ekranit të Televizionit Publik Shqiptar.
“Ekziston një koncept i gabuar që ngatërron klipin me këngëtarin, kur janë dy gjëra të ndryshme, pavarësisht se janë në funksion të njëra tjetrës, thotë Alda Bida, bashkëndihmëse e producentit të spektaklit Petri Bozo”. Tani kur maratona e klipit ka marrë fund dhe nata finale ka ndarë çmimet e saj, organizatorët janë të bindur se çmimet shkuan aty ku duhej të shkonin. Si klipi më i mirë në të gjithë komponentët fitoi studio “Max Production”, me klipin e këngës “Nënat shqiptare”, kënduar nga Vagabondi, shoqëruar nga Erjon Korini dhe Gjergj Jorgaqi.
“Kjo këngë trajton një problem të mprehtë social, atë të raportit dhe qëndrimit të dy brezave në familje, e sidomos të nënës me fëmijët deri sa ky fëmijë rritet. Është një himn kushtuar grave shqiptare dhe sakrificës së tyre, e deri sa ke një tekst të mirë të karakterit social, mund të them se është ky tekst që i ka dhënë dorë produksionit të klipit për të ndërtuar një klip shumë të mirë, i cili me të drejtë u vlerësua nga juria në të gjithë komponentët”, shprehet Alda. Ndërkohë u dhanë një varg çmimesh të tjera për kategori të veçanta, duke iu nënshtruar edhe këta garës së nominimit. Mbrëmja e drejtuar nga Alert Celoaliaj dhe Silvi Skënderaj, shënoi edhe fundin e tre aktiviteteve të rëndësishme të tipit Gala, ku të kurorëzuarit parimisht duhej të shkelnin mbi tapetin e kuq.
Meditim për tapetin e kuq
Nëse i duartrokasim fort nëpër skena, nëse i bombardojmë me intervista dhe shkrime të tjera, nëse na pëlqen që shpesh herë t’i imitojmë, të ndjekim jetën e tyre private dhe adhurimi ndonjëherë shkon drejt ekstremit, harrojmë që ata njerëz kanë nevojë për një tjetër vëmendje. Nëse flitet për mbrëmje Gala dhe nëse kopjohen modele të tilla në Botë, është mirë që modelin ta marrim deri në fund. Ta marrim edhe për atë pjesën ku makina luksoze i sjellin të ftuarit si zotërinj të vërtetë deri tek rrugica e tapetit të kuq, edhe tek fansët dhe adhuruesit që duhet t’i duartrokasin nga të dy anët e rrugës, edhe tek lulet që duhet t’u dhurohen, apo përcjellja që duhet të jetë po kaq e fisme sa edhe pritja e tyre.
Një mbrëmje e denjë për Gala, duhet t’i ketë të gjitha këto që të quhet e tillë. Ndryshe do kemi ca njerëz të harruar, që marrin një çmim që i gëzon si fëmijët dhe pastaj nisen në këmbë për në shtëpi dhe askush nuk kujtohet t’u thotë “natën e mirë”. Ne kemi nevojë për elitën tonë të kulturës, kemi nevojë t’i njohim dhe t’i nderojmë ata, sikurse duhet të mos harrojmë të kujdesemi për shkëlqimin e tyre. Që janë realisht të tillë.