E premte, 26.04.2024, 11:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Eli Fara: Jetoj me këngën, duke kërkuar të renë dhe të bukurën

E hene, 01.06.2009, 10:44 PM


Këngëtarja e njohur e këngës korçare tregon për karrierën e saj artistike, por zbulon dhe projektet në vijim

Intervistoi Julia Vrapi

Ruan akoma bukurinë e saj të spikatur femërore edhe pse ka disa vite që i ka kaluar të dyzetat. Gjithnjë me modesti dhe thjeshtësi këngëtarja e njohur e këngës korçare Eli Fara tregon se jeta e saj tashmë është mes këngës, duke rendur pas së resë dhe të bukurës.   Këngëtarja që këndoi “Çupëzë beqare moj”, “Qeraxhiu i Grebenes”, “Kur nata Korçën mbulon”, “Ku je nisur të vesh ti” etj, tregon se me këngën ka marrë emocione të veçanta. Vetëm një vit më parë ajo ka nxjerrë në treg albumin e saj më të fundit me titull “Të dua për vete”, ndërkohë që albumi para tij ishte “Vjeshta”, ku përveç krijimeve të reja, janë përfshirë edhe perlat e repertorit të saj. Në këtë album, i cili vjen me këngë popullore, gjysma e tyre është balada. Përmban shtatë krijime të reja në folk dhe dy janë këngë që ajo i quan perla që janë “Qeraxhiu i Grebenes” dhe “25 gërsheta” . Ajo tregon se këto këngë që kur janë kënduar për herë të parë në skenë, janë kërkuar gjithmonë nga publiku. Për këtë ajo ka vendosur që ato të jenë dhe pjesë e albumit. Këngëtarja gjatë kësaj interviste tregon se po përgatitet për të realizuar dhe një koncert recital, gjë e cila mund të ndodhë në vjeshtën e këtij viti. Në karrierën e saj artistike deri tani ajo ka nxjerrë gjashtë albume, të cilët janë pëlqyer dhe janë vlerësuar për këngët që ato përmbajnë. Ndërkohë që në një koncert që do të zhvillohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i valleve Popullore në datën 4 qershor,këngëtarja do të jetë e ftuar ku do të këndojë disa nga perlat e krijimtarisë së saj.
“Mendova që në këtë koncert të vij para publikut me këngën “25 gërshetat”, e cila është nga të parat këngë të mia dhe më pas do të këndoj dhe këngën “Mora rrugën për Misir”, që është dhe pjesë e albumeve të mi të fundit si dhe këngën time më të fundit, e cila është po pjesë në album “Të dua për vete”, tregon këngëtarja e njohur dhe aq e adhuruar nga publiku Eli Fara, e cilado të sjellë në skenë disa prej perlave të folkut shqiptar. Ndërkohë që flet për krijimtarinë e saj artistike ajo tregon se: “Kënga popullore tek unë zë një vend të veçantë por më pas dhe gjinia tjetër ajo e serenatës zë një vend të rëndësishëm tek unë, që unë e kam bërë pjesë të krijimtarisë sime, por nuk ngelen pas dhe baladat. Së fundmi kam bërë disa balada dhe besoj se kjo është një nga gjinitë e fshehura, sekrete dhe të dashura për mua”.

-Jeni e ftuar  në koncertin e datës 4 qershor që do të zhvillohet me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Si ndiheni?

Është normale që të jem shumë e kënaqur dhe për mua kjo është e veçantë. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është shumë i rëndësishëm në vendin tonë, por gjithashtu ai ka në përbërje të tij dhe njerëz profesionistë. Nuk është hera e parë që unë marr pjesë duke kënduar në Ansamblin Popullore, pasi kam pasur bashkëpunime dhe më përpara, por ky koncert për mua është si një fillim ndryshe për mua.

-Cilat do të jenë këngët që ju do të këndoni para publikut në datën 4 qershor?

 Mendova që në këtë koncert të vij para publikut me këngën “25 gërsheta”, e cila është nga të parat këngë të mia dhe më pas do të këndoj dhe këngën “Mora rrugën për Misir që është dhe pjesë e albumeve të mi të fundit, si dhe këngën time më të fundit, e cila është po pjesë në album “Të dua për vete”.

-Ndërkohë që çfarë mund të na thoni për aktivitetin tuaj artistik. Do të kemi ndonjë album të ri nga ju?

Vjet bëra albumin tim të fundit, kështu që unë nuk besoj që do të realizoj një tjetër tani, pasi është një vit dhe mendoj se është pak shpejt për të nxjerrë album. Megjithatë unë kam në mendje projekte të tjera artistike, që pres ti realizoj. Ndërkohë që para tij kam realizuar albumin tim të pestë “Vjeshtë”. Albumi është me këngë popullore, ku gjysma e tyre është balada. Në këtë album janë disa krijime të reja në folk dhe dy janë këngët e mia perla që janë “Qeraxhiu” dhe “25 gërsheta” . Që nga koha që i kam kënduar për herë të parë në skenë, kanë mbetur këngët më të bukura popullore për mua dhe më të kërkuarat në të gjitha koncertet.. I kam kënduar përsëri në mënyrë që të jenë në repertorin e albumeve të mia dhe njëkohësisht i kam sjellë dhe për brezin e ri, që të vazhdojnë të më ndjekin me këto këngë. Gjithashtu në album kam kënduar dhe dy këngë shkodrane.

-Fakti që publiku ju adhuron akoma për këngët tuaja çfarë domethënie ka për ju?

Sigurisht që është publiku ai që të mban gjallë, që të jep kënaqësi, që të jep forcë për të vazhduar përpara.

-Si e shikon Eli Fara krijimtarinë popullore?

Unë nuk e kam lënë asnjëherë këngën popullore, sepse ajo është brenda meje,madje edhe në koncertet që japim për emigrantët jashtë shtetit baza mbete tradicionalja. Modernet mbeten më shumë këtu, se sa jashtë nëpër ambientet shqiptare.

-Përveçse këngë popullore çfarë ju pëlqen tjetër të këndoni?

 Kënga popullore tek unë zë një vend të veçantë, por më pas dhe gjinia tjetër ajo e serenatës zë një vend të rëndësishëm tek unë, që unë e kam bërë pjesë të krijimtarisë sime, por nuk ngelen pas dhe baladat. Së fundmi kam bërë disa balada dhe besoj se kjo është një nga gjinitë e fshehura, sekrete dhe të dashura për mua.

-Mes këngës popullore, serenatave dhe baladave si ndjehet Eli Fara?

Folkloriken, tradicionalen unë e kam të lindur. Serenata tek unë erdhi me pjekurinë profesionale timen dhe balada është shumë shpirtërore, pasi unë jam dhe pak romantike.

-Nëse rikthehemi pas në vite çfarë mban mend nga aktiviteti i muzikës popullore “Mbrëmjet e muzikës popullore, që ju u vlerësuat me çmim të parë?

Besoj që ai aktivitet është një nga më të mrekullueshmit, që është bërë ndonjëherë sepse ishte shumë origjinal dhe ishte show i parë. Njerëzit ishin të përqendruar vetëm në atë aktivitet. Ishin këngëtarët më profesionistë të vendit dhe ishin të gjithë të përzgjedhur apo ishin gjigandë për mua. Unë në atë kohë isha shumë e re dhe është një kujtim shumë i bukur për mua. E mendoj si një çudi e jetës sime. Në atë konkurs morën pjesë gjigandët e muzikës shqiptare dhe çuditërisht fitova.

-Keni menduar për ndonjë koncert recital tuajin në Tiranë?

 Në fakt unë kam një projekt që dua ta realizoj më vonë. Bëhet fjalë për një koncert recital me krijimtarinë time, i cili do të jetë në bashkëpunim me Ansamblin Popullor dhe besoj do të realizohet nga vjeshta e këtij viti.

-Ndërkohë që me “Maratonën e Këngës Qytetare” ju keni marrë duartrokitje nga publiku. Si jeni ndjerë?

Në fakt nuk e kam pritur atë pritje aq të ngrohtë nga publiku dhe nuk e kisha menduar se ata do të ishin kaq shpërthyes me atë pritje që më bënë në këtë aktivitet të këngës.

-Publiku ju admiron për paraqitej tuaj në skenë. Çfarë emocionesh përcillini në për publikun?

Mua më mban gjallë puna dhe të menduarit. Mënyra se si mendon njeriu dhe që është aktiv në jetën e tij.

-Sa vite keni që këndoni këngën popullore?

Mua ma bënë njëherë këtë pyetje në skenë dhe unë iu përgjigja se unë kam lindur duke kënduar dhe po vazhdoj.....

-Cilat kanë qenë emocionet e para që ju keni marrë me këngën, si kanë nisur fillimet tuaja?

Mbaj mend që fillimet e mia kanë filluar me Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me një këngë kurbeti. Ishte viti 1983 në atë kohë ku u zhvillua festivali. Ishte një këngë shumë e vështirë dhe shumë dramatike. Sot kur e mendoj unë çuditem që e kam kënduar kur isha në një moshë aq të re. Po ishte një melankoli, një ngjyrë zëri e përshtatur për atë gjini këngësh dhe ishte shumë e veçantë.

-Në krijimtarinë popullore sot në vendin tonë janë futur shumë rryma të reja muzikore, të cilat në shumë raste ato vijnë të përpunuara. Sipas jush sa e dëmtojnë këto rryma muzikore tabanin tonë popullor?

Unë nuk besoj që ato e dëmtojnë nëse nuk del nga tabani popullor, por shton gjëra që përshtaten në tabanin tonë popullor.

-Keni bashkëpunuar me shumë kompozitorë, cilët nga ata do të veçonit?

Për mua janë të gjithë të mrekullueshëm. Me të gjithë që unë kam punuar kam përshtypje të jashtëzakonshme, duke filluar që nga Josif Minga në Korçë, Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi apo Edi Balili.

-Keni zhvilluar dhe shumë turne jashtë vendit. Cilat kanë qenë përshtypjet apo kujtimet që ju keni nga këto koncerte?

Të gjitha koncertet që zhvillohen jashtë shtetit kanë të gjitha emocione të veçanta. Janë të ndryshme  nga njëri-tjetri, por emocioni është shumë i madh. Kudo që kam zhvilluar koncerte dhe kam kënduar më kanë pritur shumë ngrohtë, emocioni është njëlloj, duartrokitja po njëlloj. Në këto koncerte është një pritje e jashtëzakonshme.

-Thatë që do të udhëtoni drejt Korçës, por si zhvillohet jeta kulturore atje?

Në fakt unë mbaj më shumë mend se si është zhvilluar jeta kulturore në Korçë dhe nuk është se tani ka ndonjë veprimtari kulturore të ngjeshur, ashtu si ndodh sot në vendin tonë në të gjitha qytete e vogla. Megjithatë unë kam qenë e ftuar në teatrin e Korçës “Andon Zako Çajupi”, ku mu dha dhe një çmim si artistja korçare që ka debutuar më shumë jashtë shtetit, e cila e përçon këngën korçare kudo, dhe për mua ky çmim është diçka që është shumë e veçantë.

-Cili është për ju këngëtari, që ju preferoni më shumë në zhanrin këngës popullore?

Janë shumë pasi ne kemi këngëtarë shumë të mirë të këngës popullore. Por do të veçoja Mentor Xhemalin, për këngën përmetare, por janë dhe shumë këngëtarë të vjetër të Shqipërisë së Mesme, që kanë qenë jo të paktë si Hafsa Zyberi, Big Ndojën, Naile Hoxha, këngëtarë të tjerë nga Shkodra. Por unë mendoj se ka dhe këngëtarë shumë të mirë që janë nga brezi jonë si Merita Halilin, Bujar Qamilin etj, që janë pa diskutim shumë të mirë.

-Në albumet tuaja a keni këngë të këtyre këngëtarëve që ju i quani të mëdhenj në krijimtarinë tonë popullore?

Në albumin e fundit që titullohet “Të dua për vete”unë kam një këngë shkodrane shumë të bukur me titull “Po ti ça i ke thënë dikujt”. Këtë këngë e ka interpretuar Ibrahim Tukiçi dikur. Këtë këngë nuk e kishte inçizuar dikush tjetër dhe unë meqenëse e kam për zemër këngën shkodrane, pasi ka shumë këngë të cilat më përshtaten në interpretim, mendova që një prej këtyre këngëve ta fusja në repertorin tim. Kjo këngë bën pjesë në albumin tim me orkestrim të Shpëtim Saraçit dhe është një këngë shumë e ëmbël.

-Nga Korça në Shkodër me këngën popullore. Çfarë mund të na thotë Eli Fara për këtë?

Kjo nuk ka të bëjë fare me këtë, sepse ne jemi në Ballkan. Dhe nëse ne këndojmë një këngë greke që ne na pëlqen, përderisa ne imitojmë dhe këngë sllave dhe bullgare, atëherë nuk ka se si që të mos këndosh një këngë që është shqiptare. Megjithëse është e një qyteti tjetër. Unë i këndoj dhe këto këngë.

-Në krijimtarinë tuaj keni ndonjë këngë të cilën ju e veçoni?

Në fakt unë të gjitha këngët që kam kënduar i kam për zemër, por do të veçoja këngët “25 gërsheta” dhe “Qeraxhiu i Grebenesë” që mbeten si më të mirat. “Qeraxhiu i Grebenesë” është një këngë shumë e bukur, pasi është si një histori, si një film, prandaj për mua kjo këngë mbetet një perlë e repertorit tim popullor.

-Me këngën tuaj çfarë mundoheni të përcillini tek publiku?

Përveçse këngën të cilën ti e përcjell me zërin, e rëndësishme është dhe interpretimi im. Zërin ti mund ta kesh, por duhet të dish dhe ta përdorësh.

-Gjatë karrierës suaj artistike sa albume muzikore keni bërë?

 Deri tani unë kam bërë gjashtë albume muzikore. Janë “Nostalgji”, “Përtej”, “Më thotë zemra”, “Të dua për vete”, “Vjeshtë” etje. Këto albume kanë dhe këngë folklorike, por ka pasur dhe ndonjë baladë që unë e kam për zemër. Ndërkohë që albumi “Nostalgji” është me serenata.

-Pak më parë ju folët për një projekt, i cili kishte të bënte me një koncert recital. Si do të vijë ai para publikut, çfarë këngësh do të përmbajë?

Është një projekt shumë i rëndësishëm për mua, dhe siç thashë dhe pak më parë dua që ta realizoj nga vjeshta e këtij viti, por për repertorin dua të jetë gjithçka një surprizë.

-Pas aktivitetit që u bë në vitin 1989 me titull “Mbrëmjet e muzikës popullore”, si vazhdoi më pas krijimtaria juaj me këngën?

Fatmirësisht çdo më pas filloi të ecte për mrekulli. Filloi një aktivitet shumë i ngjeshur artistik për mua, duke qenë pjesëmarrëse në shumë aktivitete kulturore, koncerte, jam shpërblyer dhe me çmime, publiku më ka duartrokitur pasi ai e ka pëlqyer këngën time, kështu çdo gjë shkoi shumë mirë.

-Në muzikë tashmë ka shumë këngëtarë. A e keni ndjerë xhelozinë e tyre ?

Nuk më ka rënë rasti që të ndiej xhelozinë. Dhe kur mblidhemi të gjithë së bashku, janë thjesht momente ku shihemi si miq të vjetër dhe kaq. Ne në përgjithësi me njëri tjetrin kemi qenë shumë miq. I kam vlerësuar shumë kolegët e mi si : Bujar Qamilin, Merita Halilin e shumë të tjerë.

-Gjatë rrugës suaj artistike më këngën a keni ndonjë peng gjatë karrierës suaj?

Në varësi të kushteve që ne kemi pasur për të zhvilluar krijimtarinë, por dhe të këtyre që ne kemi tani nuk besoj se kam pasur ndonjë peng gjatë karrierës sime artistike. Unë kam bërë më të mirën që mund të bëhej në kushtet tona në atë kohë. Për mua rruga artistike me këngën ka qenë shumë e bukur dhe më ka falur emocione të veçanta.

-Jeni një prej këngëtarëve më të njohura të këngës korçare. Cilat kanë qenë mesazhe më të bukura që ju kanë dhuruar fansat tuaj?

 Kam marrë shumë mesazhe të bukura gjatë aktivitetit tim artistik si këngëtare. Janë aq të bukur sa nuk di kë të veçoj. Kënga jonë është aq  e bukur sa mes tyre më kanë thënë dhe : “mos vdeksh kurrë”, pasi kam kënduar vërtetë këngë që ata i kanë pritur shumë ngrohtë dhe janë emocionuar.

-Si nisi udha juaj artistike më këngën?

Në Korçë unë fillova studimet në Liceun Artistik “Tefta Tashko” për kanto dhe kështu që kuptohet që rruga ime ishte drejt këngës.

-Thatë që keni filluar studimet për kanto. Pse nuk e vazhduat këtë rrugë me kanton?

Në atë kohë unë nuk vazhdova për kanto sepse profesorët e mi ata mjeshtra të mëdhenj menduan që Eli duhet të vazhdojë me këtë që ka të lindur dhe nuk gjendet tek askush tjetër.

-Meqë kanë thënë kështu, Eli Fara dhe kënga popullore?

Eli Fara dhe kënga popullore jetojnë bashkë, nuk kanë për t’u ndarë asnjëherë.

 -Keni qenë gjithnjë një grua e bukur. E keni vlerësuar pamjen tuaj?

Jo shumë. Më shumë jam njeri që vlerësoj shpirtin e njeriut, sesa pamjen e jashtme. Megjithatë gjithnjë jam përpjekur të jem e këndshme në çdo ambient. Jam shumë e kënaqur me veten si jam dhe kam provuar gjëra shumë të vogla në lukun tim, ku ndryshoj ndonjëherë ngjyrën e flokëve dhe këtë e kam bërë më parë. Por tani nuk besoj se do të ndryshoj më, pasi më pëlqen të kem këtë luk.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora