E premte, 26.04.2024, 08:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Një fjalor si domosdoshmëri e kohës

E hene, 27.04.2009, 08:14 PM


NJË FJALOR SI  DOMOSDOSHMËRI E KOHËS

VËSHTRIM

(Dr. Jahi Staneci, “Fjalor i Gjeomorfologjisë”, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2004 , faqe 514).

Nga Bilall MALIQI

Në korrik të vitit 2004, doli nga shtypi vepra e parë e dr.Jahi Stanecit “Fjalor i gjeomorfologjisë”, botuar nga Shtëpia Botuese “Libri Shkollor” në Prishtinë.
Fjalori  i gjeomorfologjisë, është fjalor shpjegues i termave dhe shprehjeve gjeomorfologjike, i cili ka më shumë se 5000 zëra. Këta zëra emërtojnë nocione për relievin e tokës, përkatësisht për format, proceset  dhe dukuritë gjeomorfologjike në sipërfaqen e tokës.
Në parathënien e fjalorit , autori thekson se në fjalor numrin më të madh përbëjnë termat dhe shprehjet gjeomorfologjike ose që kanë të bëjnë me shkencën e gjeomorfologjisë.

GJEOMORFOLOGJIA SHKENCË NATYRORE

 Meqë gjeomorfologjia si shkencë natyrore ka lidhje të ngushtë ose të afërt  me disa shkenca tjera, natyrore , siç janë: gjeografia fizike(degë bazë e së cilës është edhe vet gjeomorfologjia), gjeologjia, petrologjia, pedologjia, kimia etj., në fjalor janë përfshirë edhe një numër termash të nocioneve nga këto shkenca me disiplinat e tyre.
 Autori gjatë shtjellimit të termave, ka dhënë veçoritë e ndërlidhjeve e të ndikimeve, si dhe të varshmërisë të ndërsjella kryesore të tyre.Po ashtu, në fjalor është bërë sistematizimi gjenetik, përmasor i (mikroformave dhe pjesërishtë i mezoformave), dhe pjesërishtë, krahinor i makroformave dhe mezoformave relievore, i proceseve dhe dukurive gjeomorfologjike.Të gjithë termat , proceset dhe dukuritë gjeomorfologjike janë renditur sipas alfabetit.

FJALOR I PARË I KËTIJ LLOJI

Vepra “Fjalor i gjeomorfologjisë  i autorit dr. Jahi Staneci  është i pari i këtij lloji, jo vetëm në literaturën shqipe, por edhe më gjerë.Deri në botimin  e këtij  fjalori, për të mos thënë fare, krejt pak disa autorë shqiptarë aty-këtu  në disa revista shkencore, kanë paraqitur disa terma relievore, procese dhe dukuri gjeomorfologjike, por në formë shumë të kufizuar nga vështrimi i shpjegimit, i sistematizimit të tyre, e  mos të flasim për përhapjen e tyre krahinore.Kështu, terminologjia e gjeomorfologjisë në të gjitha trevat shqiptare ishte e papërpunuar, e cila paraqiste mungesë të madhe, jo vetëm në shkencat gjeografike dhe në shumë shkenca tjera natyrore, por edhe  në shumë fusha  të veprimtarisë së njerëzve.Kështu, në veprat  gjeografike, në veprat e shumë shkencave natyrore e fushave  të veprimtarisë  së ndryshme të njerëzve  ishte një larmi  e madhe në përdorimin  e termave të gjeomorfologjisë, e cila padyshim , përbënte një hutim dhe pengesë gjatë hartimit të teksteve shkollore, të librave të ndryshëm , të projekteve të ndryshme, të elaborateve, të hartave të ndryshme, të atlasave, të përdorimit në mjetet e informacionit(radio, televizor, gazeta) etj. E gjithë kjo ishte arsyeja, siç thakson autori në parathënien e fjalorit, që ai t’i përvishet punës  e ta hartojë këtë fjalor shumë të nevojshëm. Kështu që vepra “Fjalor i gjeomorfologjisë” përbën fjalorin e parë të plotë të këtij lloji në letërsinë shkencore shqiptare, dhe një ndër  shumë të rrallë e të paktë në numër në botë.Për këtë arsye , ky fjalor përbën një vepër shkencore shumë të rëndësishme, sepse hedh themelet e terminologjisë së kësaj shkence në të gjitha trevat shqiptare.Autori gjatë përpilimit të këtij fjalori ka shfrytëzuar një literaturë të gjerë shqipe dhe botërore.
Strukturalishtë  fjalori fillon me parathënien, ku autori paraqet  arsyet e tij për ta shkruar këtë fjalor dhe rëndësinë e tij për shkencat e gjeografisë e shkencat tjera të shumta, veçanërishtë të atyre natyrore. Më pas janë paraqitur shkurtesat dhe shenjat, dhe në vazhdim ,  nga faqja 9 deri në faqen 504, sipas alfabetit janë radhitur termat e nocioneve të formave, të proceseve e të dukurive gjeomorfologjike.
Termat gjeomorfologjikë janë dhënë në numër dhe shquarsinë, përkatësishtë në numër njëjës të shquar, si dhe  në numrin shumës,  dhe në shumës të shquar, për të gjithë termat, proceset dhe dukuritë  gjeomorfologjike që kanë këto kategori gramatikore.
Kjo mënyrë e të hartuarit, këtë fjalor të gjeomorfologjisë e bën unik në botë, dhe e bënë shumë të përdorshëm e praktik për të gjitha kategoritë e shfrytëzuesit të tij. Me fjalë tjera, shfrytëzuesi i këtij fjalori krejt i ka të gatshme: shpjegimin e termave të nocioneve relievore, të proceseve e të dukurive gjeomorfologjike, si dhe kategoritë gramatikore që kanë ata. Prandaj vepra “Fjalor i gjeomorfologjisë” përbën një literaturë të shkëlqyeshme, jo vetëm  për shkencat gjeografike  e shkencat tjera natyrore, por edhe për shkencat tjera të ndryshme, dhe për veprimtaritë e njerëzve në fusha të ndryshme.
Numrin më të madh të termave ndërkombëtarë dhe të huaj, si dhe të termave sinonimë në gjuhën shqipe, autori i ka dhënë në fund të shpjegimeve, por edhe në vendin e vet (sipas radhitjes alfabetike), pa shpjegime.

STILI I SHKRIMIT

Në hartimin e këtij fjalori, autori ka përdorë stil dhe shprehje të thjeshtë, pa ulur kërkesat themelore shkencore, për qëllime të kuptimit dhe përvetësimit të lehtë për të gjithë kategoritë e shfrytëzuesve të këtij fjalori.
 Ky fjalor, në rend  të parë u shërben studentëve të gjeografisë në fakultete dhe shkolla të larta, studentëve të fakultetit të edukimit, të fakulteteve të gjeologjisë, të ndërtimtarisë (veçanërishtë për degën e gjeodezisë dhe hidrologjisë), të xehetarisë, të bujqësisë.

RËNDËSIA E FJALORIT

Ky fjalor, ka rëndësi të jashtzakonshme praktike, veçanërishtë për profesorët dhe arsimtarët e gjeografisë, si dhe për mësuesit e klasave të ulëta.Njëkohësisht, mund t’u shërbejë edhe nxënësve të shkollave fillore.
 Për shkak të natyrës shumë disiplinare që kanë njohuritë e gjeomorfologjisë, ky fjalor paraqet interes , jo vetëm për rrethin e ngushtë të shkencave gjeografike dhe të shkencave të afërta me to, por edhe për shumë njerëz të profesioneve të ndryshme të veprimtarisë jetësore, si: hartografë, planifikues hapsinorë, urbanistë, ekonomistë, specialistë të mbrojtjes popullore, gazetarë etj., dhe për të gjithë ata që u intereson dhe merren me çështjen e relievit dhe të proceseve e dukurive që lidhen me të, jo vetëm të relievit tokësor, por edhe atij nënujor.
 Nga gjithë kjo çka u tha më lartë për veprën “Fjalor i gjeomorfologjisë”, len të kuptohet se këtë fjalor duhet ta kenë të gjitha bibliotekat, të gjitha fakultetet, shkollat e larta, shkollat e mesme dhe ato fillore në bibliotekat e tyre.
Këtë fjalor duhet ta ketë në bibliotekën e tij, në dollapin apo vitrinën e dhomës së tij, çdo intelektual.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Dr. Jahi Staneci me botimin e këtij fjalori të gjeomorfologjisë, dëshmoi seriozitetin dhe punën e tij  të palodhshme në fushën e punimeve shkencore, duke u dhuruar lexuesve, nxënësve, studentëve dhe të gjithë atyre që merren me këtë zhanër shkencor, këtë fjalor si udhërrëfyes dhe një lehtësim për ta kuptuar këtë lëmi të shkencës më lehtë dhe më qartë.
Dr. Jahi Staneci intenzivisht merret edhe me tjetër lëmi, një kohë të gjatë merret edhe me mbledhjen e legjendave nëpër fshatrat e Karadakut, ku kohë më parë botoi edhe librin e tij të parë me legjenda të titulluar “Legjendat e Karadakut”, botuar nga SHB “Feniks”, Preshevë, 2007.
Jemi optimist se dr.Jahi Staneci do të vazhdojë me punime shkencore të cilat janë të domosdoshme për këtë trevë, mirëpo nevojitet përkrahje morale dhe materiale me qëllim që të vazhdojë të punojë dhe t’i kontribojë me vepra shkencore, por edhe me vepra tjera, Preshevës dhe më gjërë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora