E merkure, 21.04.2021, 09:57 PM (GMT+1)

Mendime

Pendesa europiane për holokaustin boshnjak

E hene, 19.01.2009, 08:52 PM


Nga Gazeta Shqiptare

Vendimi i marrë më 15 janar nga Parlamenti Europian për të shpallur në të gjitha vendet anëtare të BE-së 11 korrikun si ditën e përkujtimit të genocidit të Srebrenicës, vjen si një nga aktet më fisnike dhe më të domosdoshme, morale, politike dhe juridike të Europës. Por ai vjen njëkohësisht si shembull dhe dëshmi e madhe historike e një pendese europiane ndaj masakrës më të përbindshme, të ndodhur në territorin europian, që nga mbarimi i luftës së dytë botërore, kur më 11 korrik 1995 forcat e armatosura serbe masakruan 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Pendesë, sepse Europa u tregua e paaftë të mbronte ata mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, të cilët kishin vërshuar në qytetin e Srebrenicës për mbrojtje, sepse ishte shpallur zyrtarisht "zonë e sigurt" nga OKB-ja. Pendesë, sepse në qytetin e Srebrenicës ishin dislokuar trupat holandeze, që kishin detyrë të mbronin ata njerëz të pafajshëm, por jo vetëm që nuk bënë detyrën, por edhe asistuan me qetësi në sipërmarrjen makabre serbe. Pendesë, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 8 mars 2006 e hodhi poshtë padinë e Bosnjë-Hercegovinës ndaj Serbisë për genocid në Srebrenicë, ndonëse e klasifikoi atë masakër si genocid. Pendesë, sepse deri para vendimit të Parlamentit Europian dukej se po toleroheshin ata, që fshehin kryekriminelin e masakrës së Srebrenicës, gjeneralin serb Ratko Mlladiç, i cili mbrohet në arratinë e vet nga shteti serb që prej 14 vitesh. Dukej sikur po fitonin terrenin historik europian ato forca, që kërkojnë të zhysin në harresën europiane holokaustin boshnjak, ku serbët e Bosnjës dhe të Beogradit vranë mbi 200 mijë gra, pleq, të rinj e fëmijë boshnjakë, ato forca që shkulën nga shtëpitë e tyre 2 milionë boshnjakë, dhe që ringritën kampet naziste të përqendrimit në zemër të Ballkanit. Rezoluta e Parlamentit Europian e pohon me zë të plotë se Srebrenica u bë simbol i impotencës së bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë në konflikt dhe për të mbrojtur popullsinë civile. Sikundër deklaroi me rastin e shpalljes së vendimit të Parlamentit Europian përfaqësuesi i lartë dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për Bosnjë-Hercegovinën, Miroslav Lajcak : "Të mbijetuarve të Srebrenicës u kemi borxh drejtësinë, të vdekurve u kemi borxh përkujtimin". Vendimi i Parlamentit Europian për të shpallur 11 korrikun ditën e përkujtimit të genocidit të Srebrenicës, është një akt në kohën e duhur. Është koha, kur vendet e ish-Jugosllavisë, (Serbia ndërmori dekadën e kaluar katër luftëra kundër popujve joserbë, ku më e përgjakshmja ishte lufta kundër popullit boshnjak), po përpiqen që të hyjnë në Bashkimin Europian. Dhjetë vjet ka që është mbyllur konflikti i fundit, ai i Serbisë kundër Kosovës. Plagët dhe pasojat e luftërave dhe krimeve të shkaktuara nga Serbia nuk janë mbyllur në asnjë prej shteteve të sulmuara prej saj. Plaga më e madhe është mungesa e drejtësisë historike. Që integrimi në Bashkimin Europian i shteteve, të cilat dolën nga ish- Jugosllavia, të jetë real, duhet vendosur drejtësia, duhet që agresori dhe krimineli të marrin vendin e merituar. Nuk mund të ketë qetësi dhe stabilitet, pa vendosur të drejtën dhe të vërtetën. Nuk mund të ketë drejtësi, duke u përpjekur të trumbetosh teorinë famëkeqe të "simetrisë së fajit" për luftërat në ish-Jugosllavi, duke futur në një thes si fajtorë, edhe kriminelët, edhe viktimat. Nuk mund të ketë drejtësi, duke bërë predikime bizantine se tashmë duhet harruar çka ndodhi dhe duhet bërë pajtimi. Por pajtim pa drejtësi nuk mund të ketë. Pa vendosjen e drejtësisë, mund të rrezikohet që të inkurajohen ato forca dhe ata udhëheqës, që aspirojnë të vënë në jetë teoritë etnocentriste serbe dhe mitet mesjetare, që frymëzonin Sllobodan Millosheviçin për të vendosur me zjarr dhe hekur sundimin serb mbi gjithë popujt joserbë. Në këtë pikë përbën një sinjal alarmi fakti që kryeministri i "Serpska Republikës", Milorad Dodiç, dhe partitë radikale serbe dolën menjëherë kundër rezolutës së Parlamentit Europian. Ripajtimi është vlerë europiane dhe pjesë e procesit të integrimit europian, siç thekson rezoluta e Parlamentit Europian. Por pjesë e këtij integrimi është dhe vendosja e së drejtës dhe të vërtetës historike. Është sidomos mbajtja gjallë e kujtesës së të gjithë popujve europianë, se cilat janë parimet, kriteret dhe sistemet e vlerave, të cilat ata duhet të respektojnë. Është me rëndësi të veçantë fakti që rezoluta e Parlamentit Europian u bën thirrje të gjitha vendeve europianë që të caktojnë 11 korrikun si ditën e përkujtimit të genocidit, dhe sidomos u bën thirrje të posaçme vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkohen me vendimin e saj. Masakra e përbindshme ka ndodhur në Ballkan dhe është padyshim që, krahasuar me popujt e tjerë, detyrimi dhe përgjegjësia e vendeve ballkanike është edhe më e madhe. Jo vetëm pse ndodhi këtu, por edhe sepse rreziku i përsëritjes së tmerreve të tilla është ende i gjallë, sidomos në këto cepa me tokë shkëmbore dhe me mendje shkëmbore në juglindje të kontinentit. Shtetet e Ballkanit mund të bëhen nesër të gjitha anëtare të BE-së, por ato nuk do të jenë kurrë me vlera dhe me identitet europian, nëse nuk do të respektojnë të vërtetat e historisë së tyre, sado e dhimbshme qoftë ajo, nëse nuk do të dinë të nderojnë viktimat dhe të dënojnë kriminelët. Ndaj ka një rëndësi të jashtëzakonshme zbatimi i rezolutës së Parlamentit Europian për të gjitha shtetet e Ballkanit, për t'ia freskuar dhe orientuar kujtesën e tyre historike, e cila për fat të keq, tek popujt e Ballkanit është shumë, shumë e shkurtër. Rezoluta e Parlamentit Europian ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Jo vetëm pse është shtet i Ballkanit Perëndimor, të cilit Parlamenti Europian i drejtohet me emër, por është shteti që ka disa arsye historike për të nxituar për ta bërë këtë hap, që i kërkohet. Ka arsye historike, sepse kombi shqiptar ka pësuar në kurrizin e tij goditjen e krimit shtetëror serb në Kosovë, ku u vranë 15 mijë vetë dhe u dëbuan një milion vetë. Krimi masiv boshnjak i Serbisë u përsërit pas katër vjetësh në Kosovë. Mendojmë se shteti i ri i Kosovës, pavarësisht se e njeh apo nuk e njeh Serbia, duhet të ndërmarrë hapin historik të padisë Serbinë për genocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Duhet ta bëjë këtë, në emër të viktimave të agresionit dhe krimit shtetëror serb në Kosovë, duhet ta bëjë këtë në emër të drejtësisë dhe të vërtetës historike për luftërat në ish- Jugosllavi. Shteti i ri i Kosovës duhet të ndjekë shembullin e Bosnjë-Hercegovinës, e cila e paditi Serbinë për genocid në Gjykatën Ndërkombëtare, qysh në vitin 1993, kur Bosnja ende nuk ishte pranuar në OKB. Ka dhe një arsye tjetër historike, pse Shqipëria duhet me shpejtësi të vendosë të zbatojë vendimin e Parlamentit Europian. Ajo ka një përvojë të hidhur nga qëndrimet dhe politikat e heshtjes ndaj genocidit, që i kanë bërë disa fqinj popullit të saj. Kjo politike antikombëtare e heshtjes bëri që të humbasë në sirtarët e harresës europiane genocidi apo masakra e Tivarit, ku Serbia vrau 4 mijë të rinj shqiptarë të Kosovës. Bëri të harrohet genocidi ndaj popullsisë çame. Europa nuk e di masakrën e Tivarit. Nuk e di, sepse u hesht dhe nuk u fol për dekada me radhë nga vetë shteti dhe nga vetë shqiptarët. Duke përkujtuar më 11 korrik ditën e genocidit, do të ishte nderim edhe për të vrarët e Tivarit. Sesa rëndësi ka mos-heshtja, e tregon shembulli i sotëm i çifutëve dhe i armenëve.Në këto kushte, mendojmë se është një detyrim i Kuvendit të Shqipërisë, që në një kohë sa më të shpejtë të ndërmarrë vendimin për shpalljen e 11 korrikut në Shqipëri, si dita e përkujtimit të genocidit. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Kuvendi i Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të jenë parlamentet e para të Ballkanit, që duhet t'i përgjigjen thirrjes së Parlamentit Europian.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora