E marte, 23.04.2024, 08:08 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Krah për krah me burra

E marte, 08.08.2023, 07:49 PM


110 -të vite Sulltanë Qafa

KRAH PËR KRAHU

ME BURRA

(Pjesë teatrore për fëmijë

me dy pamje).

Nga Kalosh Çeliku

Personat:

XHA MAZLLËMI

NANË ZOJA

SULLTANË QAFA

DENI I VOGËL

MIKALJA I BRODIT

NIPI I MIKALES

ATË PYKËZIU

TRI FEREXHEZEZAT

KOMITË, dhe

FSHATARË

Koha e ngjarjes

Viti i kryengritjeve shqiptare. Koha kur Atdheun, e kishin pushtuar Okupatorët, dhe mundoheshin të mbanin rend dhe “paqe” në popullin shqiptarë. E këndej, shumë rebelë shqiptarë, duke mos u dorëzuar para zaptive pushtuese, dilnin kaçakë maleve. Njëkohësisht, në male, dilnin edhe komitët e armikut, që plaçkitnin popullin shqiptar, duke u vënë disa fshatrave shqiptar edhe zjarrin. Flakën...

Vendi i ngjarjes

Fshat i vogël me disa shtëpi të mbuluara me rrasa guri dhe kashtë. Thellë, diku në malësi mes maleve. Disa herë me radhë i plaçkitur dhe i djegur deri në themele nga zaptijet dhe komitat e atyre anëve. Po, kurrë nuk ka qenë i nënshtruar, kurrë nuk i ka dorëzuar armët...

Burimet e autorit

Rrëfimet e Babait… Odat e burrave… Pleqtë e katundit… Këngëtarët popullorë…

PAMJA E PARË

SKENA: Dhomë e varfër katundi me dy dritare me hekura. Afër oxhakut, shihet edhe një dollap. Pak më tutje shtrati i mbuluar me një zhakë. Në mur, është varur sofra dhe një luganik. E, në mes të dhomës katër-pesë shkama me nga tri këmbë. Në njërin, është ulur Nanë Zoja me një furkë leshi në brez. Ndërsa, mbi shtrat shihet Xha Mazllëmi, duke fshirë mauzerrin. Papritmas, hapet dera dhe në skenë hyjnë, duke vallëzuar e duke kënduar, Tri Ferexhezezat:

TRI FEREXHEZEZAT

Dita erret – zihet dielli

Nata griset – vrahet qielli.

Hëna skuqet – bie ylli

Ujku del – gjëmon pylli.

Zogkeqi këndon – qan terri

Qentë lehin – leh mauzerri.

XHA MAZLLËMI

(Mauzerrin e mbush me fishekë

dhe shtie në Tri Ferexhezezat):

Derën ua zura, dilni nga oxhaku

Gishtin e ka ende grerëzë plaku.

E vret shenjën përtej malit

Armët kurrë s’ia dorëzoi Krajlit.

NANË ZOJA

Burrë, ç’të gjeti, pse hape zjarr

Mos shkele xhindet, u bëre i marrë?!

XHA MAZLLËMI

Jo, oj grua, qenë Tri Ferexhezezat

E zakon s’e kemi t’i heqim brezat.

T’ua hapim derën, t’i presim n’votër

Bukë t’u vëmë, t’i ulim në sofër.

NANË ZOJA

O njeri, s’e di, ka qenë Vdekja

Maleve është ngjitur nga etja.

Burimin të na e shterojë këtë pranverë

Shtëpisë sonë, i ka trokitur në derë.

Magjen ta djegë, t’i zbrazë hambarët

Pemët t’i shkulë, që i mbollën t’parët.

XHA MAZLLËMI

Vetëm mbi mua e shkelin Qafën

Ndryshe plaku s’e hudh armën.

Po krah për krahu me shokë

Të gjithë do të vdesim për këtë tokë.

SULLTANË QAFA

(Hyn në dhomë me kusi në dorë):

Date, edhe mua më ke në çetë

Diellin ta çlirojmë nga retë.

Arave tona prapë të rritet gruri

Kullë më kullë të valojë flamuri.

XHA MAZLLËMI

Të lumtë, bijë, qëndro si trime

Maleve tona rrjedhin burime.

Gur më gurë, seç ecin përronit

Zogjtë t’ia thonë në degë të ftonit.

SULLTANË QAFA

Rrugë tjetër s’kemi, ia dimë hujin

Derës, tash po shkoj t’ia vë shulin.

Natën ta kalojmë, s’na duhet kumbara

Se, mua më presin dhentë, ty Babi ara…

(E hap derën dhe delë nga dhoma).

Errësira, rrëzohet në skenë.

PAMJA E DYTË

SKENA: Po ajo e para (fillimit). Vetëmse, kësaj radhe:

është shtruar sofra dhe janë ulur anëtarët e familjes

të hanë drekë.

DENI I VOGËL

Groshë nuk, tambëlsheqer nuk

Çaj mali, nuk. Nuk dua bukë…

NANË ZOJA

Atëherë çka do, o lum djali

Qengjat të presin te mali.

DENI VOGËL

Babit thuaj t’ma jap pak pushkën

Atëherë unë do ta sulmoj bukën!

XHA MAZLLËMI

Mirë, o bir, sa ta hamë drekën

Babi ty do të ta jap mauzerkën.

MIKALJA I BRODIT

(E shqelmon derën, dhe me gjithë komita

futet brenda me armë në dorë):

Duart lart, jam Mikale Kapidani

Mazllëm, duarlidhur të pret zandani!

Mjaft këtyre maleve jetove i lirë

Nipo, vrik lidhja duart me zingjirë!

NIPI I MIKALES

(Duke nxjerrë nga xhepi një zingjirë):

Duart shtrij këtu, ore kryengritës

Zaptijet, që i vret në pikë të ditës!

Ec para, pa e kthyer kokën

Se, ndryshe e puthe tokën!

SULLTANË QAFA

(Tinëz afrohet pas derës, i merr gërshanët e dhenëve dhe,

te shkallët, ia ngul në gjoks Nipit të Mikales):

Qëndro Date, mos u lidh i gjallë

Se, bija jote bën nam në shkallë!

MIKALJA I BRODIT

(Kur e sheh të nipin duke u rrokullisur teposhtë

shkallëve, u bërtet komitave):

Shokë, mos e lini të ikë cucën

Pushkë shtini, o zërjani udhën!

SULLTANË QAFA

(Duke ikur me gërshërë në dorë, i vret

edhe gjashtë komitë):

Pritni aty, ore qenë të kapidanit

Zot, gjithmonë i kemi dalë vatanit.

MIKALJA I BRODIT

Ikni, shokë, se na shuajti Qafa

Gratë na rrethuan me gërshërë

Furka. Dhe, sopata!

Shtatë veta, na i vrau një grua

Pushka s’e zë, qenka drangua!

ATË PYKËZIU

(U del para komitave që t’i ndalë të mos ikin,

por të shtien në cucën para se të hyjë në dushk të malit):

Pushkën ma jep, o bir i pisave

Cuca, sa s’ka hyrë mes lisave!

(Ia rrëmben pushkën një komiti dhe shtie në cucën).

SULLTANË QAFA

(E qëlluar nga një plumb i Atë Pykëziut,

rrëzohet në tokë):

Oh, si më vrau qeni i Zotit

Motra, mos iu trembni barotit!

Po, krah për krahu me burrat

Për vatanin t’i skuqim gurrat!

(Kokën e lëshon përtoke, dhe vdes

me gërshërë të dhenëve në dorë).

XHA MAZLLËMI

(Hyn në skenë me fshatarë të armatosur deri në dhëmbë):

Qenë, kurrë s’na lidh Mikalja i Brodit

Armët hidhni, se u djegim n’flakë t’barotit!

Dhe, sa herë të doni t’i shuani zjarret

Gjithmonë, o do t’ju vrasin malet!...

Errësira, rrëzohet në skenë.

(Nga librat: Sorraku i Qytetit (1994), dhe Shtriga doli

nga përralla ( 2019).



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora