Speciale » Namani
Qazim Namani: Qytetet Urbane gjatë sundimit osman në Kosovë
E merkure, 15.03.2023, 08:00 PM
Qytetet Urbane gjatë sundimit osman në Kosovë
Nga
Qazim Namani: Dr.
Arkeologji/Trashëgimi kulturore
Perandoria Osmane
pasi që i shkatërroi disa fortifikime të rëndësishme strategjike për vendin, në
fillim të shekullit XVII, si qytete urbane hynin Prishtina, Prizreni,
Vushtrria, Peja dhe në fund të këtij
shekulli edhe Gjakova si qendër e re urbane.
Në shekullin
XVIII, si qendër e re urbane themelohet edhe Gjilani. Në shekullin XIX, pas
ndërtimit të hekurudhës së parë në Kosovë (Q.N) krijohen edhe dy qendra urbane,
Mitrovica dhe Ferizaj. Në këtë kohë një treg i vogël zhvillohet edhe në qytetin
e Kaçanikut.
Gjatë mesjetës në
Kosovës popullsia ishte shqiptare, këtë e dëshmojnë edhe
austriakët. Në dokumentet e tyre të
periudhës 1689 gjenden shprehje si: “Prizreni është kryeqytet i Shqipërisë,
Peja qytet në Shqipëri, Prishtina ndodhet në Shqipëri etj.
Në
disa qytete të Kosovës, si: Prishtina, Prizreni, Vushtrria, Gjakova, Mitrovica,
Gjilani e Kaçaniku etj., i kishin çarshitë e vjetra, të cilat lindën dhe u
zhvilluan si komplekse urbane-arkitekturale me vlera të veçanta për territorin e
Kosovës. Këto realizime komplekse, pra çarshitë na paraqiten si fenomene unike të aglomeracionit historik e urban në Kosovë
si dhe në kufijtë më të gjerë të trashëgimisë kulturo-historike urbane të
Gadishullit Ballkanik.
Në sistemin e disa
pazareve të mëdha bënin pjesë edhe tregjet e mbyllura (bezistanet) të ndërtuara
nga qeveritarë dhe feudalë të mëdhenj vendas.
Përqendrimi i
dyqaneve në një lagje të vetme, ndryshe nga qytetet e Evropës Perëndimore ku
dyqanet ishin të shpërndara në lagje të qyteteve, i formuan rrugët, rrugicat,
sokakët, ku pjesa më e madhe e zejtarëve ishin rreshtuar sipas zejeve dhe
profesioneve tradicionale, traditë kjo e trashëguar që nga periudha e më hershme
bizantine.
Përhapja e
marrëdhënieve monetare krijoi nevojën e
dispozitave shtetërore për rregullimin me anë juridike të jetës në pazaret
lokale. Dispozita të rëndësishme me jetën ekonomike të tregjeve lokale urbane i gjejmë te qytetet: Vushtrria (1525-1530),
Shkupi (1568), Prizreni 1569) etj.
Çarshitë e vjetra
si komplekse paraqesin ekzemplarët me vlera më të rëndësishme të tërësive
urbane të qyteteve shqiptare të periudhës Osmane në Kosovë. Çarshitë si
komplekse urbane në masë të konsiderueshme e kishin humbur stilin arkitektonik
dhe urban fillestar dhe origjinal të kohës së ndërtimit, pos çarshisë së madhe
në Gjakove, e cila fatkeqësisht tërësisht u shkatërrua nga forcat e pushtetit
serb gjatë luftës së fundit në vitet
1998-99.
Çarshitë e vjetra
në disa qytete të Kosovës lirisht mund të themi se ishin muze në qiellin e
hapur të veshura me mozaik varietetesh të ndryshme me një arkitekturë specifike
interierësh të pasura, të sajuara me vegla gdhendëse nga mjeshtër shqiptarë me
përvojë. Këto çarshi ishin komplekset më të bukura të mjeshtërisë popullore dhe
të shkallës së ndërtimit të detajeve më të imëta e deri në tërësi të tyre, prej
objekteve e deri në mjedis, prej mjedisi e deri në urbanizëm.
Në çarshitë e
vjetra qytetare janë ndërtuar shumë objekte kulti, hamame, Kulla të Sahatit,
shatërvanë dhe çezma, të cilat ende ruhen në Prishtinë, në Prizren, në Pejë
etj.
Si qendër
ekonomike e qytetit, pazari kishte një sërë funksionesh, të cilat kanë ndikuar
në zoonimin e tij. Funksioni parësor i pazarit ishte i prodhimit të mallrave,
duke përdorur materiale të papërpunuara ose gjysmë të përpunuara.
Idenë për
ndërtimin e kullave të sahatit, të përdorimit kolektiv për kohë-matje e sollën
tregtarët vendas, të cilët kishin kontakte të shpeshta me qytetet evropiane, ku
orët monumentale ishin shfaqur më parë.
Historiku i shkurtër dhe
trashëgimia kulturore në qytetin e Prishtinës
Territori i
qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 vjetësh. Gjatë punimeve të
rastit në qytet janë hasur gjurmë të qytetërimit që nga kultura e Starqevës:
Kompleksi i spitalit të Prishtinës, Glladnica te Graçanica. Kultura e Vinçës -
neolit i ri: te tjerrtorja, Bërrnica, Matiqani. Në vitin 2012, në fshatin
Dardhishtë u zbulua edhe një vendbanim i ri i neolitit. Kultura materiale e
bronzit: Fusha e Badocit, Bërrnica e Poshtme, Kolovica, Grashtica, Keqekolla.
Periudha e hekurit: Badoc, Matiçan, Tauk-Bahçe, Shkolla normale. Periudha
romake: Ulpiana, Grashtica, Siqeva, Keqekolla, Matiqani Periudha Bizantine-
mesjeta e hershme.
Në afërsi
ndërtohet mbi themele të një kishe së mëhershme, manastiri i Graçanicës, si
monument me rëndësi të veçantë kulturore.
Prania e këtyre monumenteve të kulturës, për nga vlerat artistike hyjnë në
krijimtarinë më të përsosur të Evropës dhe botës.
Për zhvillimin e
Prishtinës ishte e rëndësishme vendosja e dubrovnikasve edhe në vitin 1387. Po
këtë vit dubrovnikasi Marko Zvizdiq, i cili jetonte në Artanë, me vullnetin e
tij me 9 nëntor 1387, ka dhënë 5 dukatë për mirëmbajtjen e kishës së Shën
Marisë në Prishtinë. Kjo tregon se Prishtina ishte qendër e zhvilluar tregtare
edhe para Betejës së Kosovës. Përveç kishës së Zonjës Mëri, në vitin 1421 në
regjistra të këshillit të vogël raguzan, përmendet ekzistenca edhe e një kishe
tjetër, por pa emër.
Në
Prishtinë, në shekujt XIV dhe XV, vepronin një numër i madh i tregtarëve
dubrovnikas, të cilët bënin tregti me qytetet më të zhvilluara në rajon, po
ashtu në shekullin XV, zeja më e përhapur në Prishtinë ishte ajo e
argjendarisë. Pas pushtimit osman, Prishtina fitoi disa objekte sakrale dhe profane
të stilit oriental si xhami, hamame, teqe, tyrbe, etj. Gjatë Mesjetës së vonë,
në Prishtinë, kanë qëndruar dhe kanë shkruar shumë personalitete të njohura të
kohës, si; Jovan Kontaguzeni, mbreti hungarez Vlladisllavi II, Pjetër Bogdani,
Haxhi Kallfa, Evlija Çelebiu etj.
Pjetër Bogdani,
një personalitet kulturor e fetar shqiptar, krye ipeshkëv i Shkupit dhe Sofjes,
i raporton Vatikanit që Prishtina kishte
3000 shtëpi. Evlija Çelebiu shkruante në atë kohë për 2600 shtëpi të mëdha dhe
të bukura, duke veçuar sarajin e Allaj
Begut dhe pallatin e gjyqit, dy hamamet e mëdha, mikpritjen dhe kulturën
qytetare. Në Prishtinë ka 11 hane, ndër të cilët më me emër është hani i Haxhi
Beut. Qyteti ka dy banja, njëra është banja e Fatihut në treg, e tjetra është
banja e vjetër. Në një qoshe të banjës së Fatihut ekziston një shenjë, për këtë
arsye kjo banjë quhet si e shenjtë dhe vizitohet shumë. Në Prishtinë ka 3000
dyqane që janë pak për këtë qytet, këtu ka rrush dhe dardha shumë të mira.
Prishtina në
gjysmën e dytë të shekullit XVI ishte qendër administrative e Nahisë së
Moravës, dhe në atë kohë për nga numri i shtëpive ishte qendra më e madhe në
mesin e të gjitha qyteteve të atëhershme të trevës së sotme të Kosovës.
Prishtina u
dobësua gjatë luftës Austro-turke, kur Prishtina ishte bërë qendër e shtabit të
gjeneralit austriak Pikolominit. Këtë qytet gjatë shekujve XVIII dhe XIX e kanë
sunduar Gjinollët. Pas vrasjes së Maliq Pash Gjinollit më 1809, njëra nga odat
e tij u bë muze. Prishtinën e përmend edhe Feliks De Bozhur, sipas të cilit më
1812, Prishtina kishte dy panaire, të vjeshtës dhe të pranverës, ku merrnin
pjesë shumë tregtarë nga lindja dhe perëndimi.
Në Prishtinë janë
kultivuar lojëra fisnike në fushën e quajtur Poteçishtë. Këto gara janë
organizuar çdo vit të ngjashme me hallkën e Sinjit-vetëm me një dallim në vend
të hallkës është përdorur dorëza, të cilën kalorësit e kanë pasur për detyrë ta
qëllojnë me shpatë, shigjetë ose topuz. Në Prishtinë janë mbajtur edhe bejlegje (dyluftime) të
ndryshme. Prishtinën e kapluan dy zjarre të mëdha më 1859 dhe 1863. Sipas
banorit Gamer, Prishtina është qyteti më i madh që gjendet mes Selanikut dhe
Sarajevës. Sipas Cvijiqit, Prishtina në fillim të shekullit XX kishte 4000
shtëpi.
Në fund të
shekullit XIX në Prishtinë kishin filluar të lindin edhe ndërmarrjet e para
ishin hapur dy fabrika mielli, njëri nga mullinjtë punonte rregullisht dhe i
kishte 25 punëtorë të punësuar. Ky mulli e furnizonte me miell ushtrinë turke
prej Prishtine e deri në Kretë.
Zejtarët e degëve
të ndryshme ishin të organizuar në tarafe ose në esnafe, por në vitin 1861,
Qeveria turke dekretoi një ligj, sipas të cilit esnafet nuk njiheshin më si
organizata prodhuese dhe me këtë u anuluan të gjitha privilegjet e vjetra.
Prishtina ka qenë
qytet bejlerësh dhe agallarësh, qendër e multezimëve të Kosovës. Ajo kishte
tregun e pasur të kafshëve dhe prodhimeve blegtorale që eksportonte në qytete
tjera. Prej zejtarisë në këtë qytet kishte rrobaqepës, rojtarë, këpucëtarë, teneqepunues, lëkurëpunues, bukëpjekës, kazanpunues,
bojaxhi, enë punues, orëndreqës, opingaxhinj, farkëtar, zdrukthëtarë, hasër
punues, bonbonierë etj. Në Prishtinë kishte 500 dyqane që shitnin produkte të
konsumit të gjerë, të cilat këtu silleshin nga Selaniku.
Prishtina e kishte
edhe çarshinë e vjetër të mbuluar. Nga objektet publike në Prishtinë, veçohet
objekti ku është sot Muzeu i Kosovës, objekti ku është vendosur Akademia e
Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hamami i Madh, Kulla e Sahatit, Kompleksi i
Emin Gjikut etj. Nga objektet sakrale veçohen: Xhamia e Çarshisë, Xhamia e
Madhe, Xhamia e Jashar Pashës, Xhamia e Llapit, teqeja etj.
Prishtina u
shkatërrua shumë gjatë luftës ballkanike, kur forcat serbe hynë në qytet. Në mes dy luftërave, nuk kishte ndonjë
zhvillim të hovshëm. Në Prishtinë dhe rrethinë u vendosën shumë kolonë, u
përvetësuan tërësisht objektet e kultit ortodoks dhe filloi shpërngulja e
popullatës shqiptare për Turqi. Mes dy luftërave botërore u ndërtuan objekte
për pushtetarë serbë dhe argëtim të tyre. Shumë shtëpi qytetare shqiptare u
bënë prona të serbëve kolonë. U ngrit ndërtesa e sotme e “Unionit” në vitin
1927, sipas stilit barok perëndimor, e cila përdorej si hotel për argëtimin e
pushtetarëve nga garda ushtarake muzikore e Mbretërisë SKS. Sipas shumë
qytetarëve të Prishtinës që përjetuan dhunën në atë kohë, në pjesën e prapme të
këtij objekti, torturoheshin për vdekje shqiptarët.
Fig. 135 dhe 136- Shtëpi qytetare në Prishtinë fotografuar me 1926 dhe 1928
Prishtina u bë
qendër administrative e Kosovës në vitin 1947, dhe u zhvillua me një dinamikë
të shpejtë duke mos i ruajtur objektet tradicionale të periudhës osmane. Sot
Prishtina si qytet urban i kësaj periudhe ka ndryshuar plotësisht, me
përjashtim të disa rrugëve të ngushta, ku kanë mbetur disa ndërtesa të rralla
me vlerë arkitektonike të periudhës osmane.
Në Prishtinë, pas
Luftës së Dytë Botërore, filloi të ndërtohet infrastruktura institucionale dhe
urbane, me moton e ndërtimit të një qyteti me pamje bashkëkohore.
Me planin urban të
qytetit të vitit 1953, u rrënuan lagje të tëra së bashku me çarshinë e vjetër,
duke e shkatërruar arkitekturën popullore shqiptare të periudhës turke. Në këtë
periudhë, shumë pak shtëpi qytetare arritën të shpëtojnë nga planet e
qëllimshme urbane, të përpunuara në Beograd. Me këtë plan u rrënua kisha
katolike e Prishtinës, Xhamia e Llokaqit, Sinagoga e hebrenjve etj. Në vend të
xhamisë u ndërtua Teatri i Kosovës sipas
arkitekturës dhe modelit sllavo-rus.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, filloi edhe rrënimi i varrezave të vjetra të qytetit. Dy vjet pas luftës, në kompleksin e varrezave, filloi të gërmohet dheu dhe me vagonë të dërgohet në tjegulloren e Shkupit. Në vitin 1947, u hartua plani që në këtë lokalitet të ndërtohet tjegullorja e Prishtinës . Punëtorët që kanë punuar në atë kohë, mbanin mend se gjatë gërmimit kanë hasur në varreza. Gërmimet i filluan edhe nën kompleksin e varrezave te shkolla e sotme fillore “Asim Vokshi” në qytet tej urës së gurit mbi hekurudhë në rrugën Prishtinë-Podujevë. Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë ka vazhduar edhe në vitet shtatëdhjetë, në kohën kur ndërtohet tjegullorja e re e qytetit. Në vitet shtatëdhjetë të shekullit XX, buldozerët rrokullisën në oborrin e sotëm të tjegullores disa dhjetëra varreza të vjetra me epitafe të shkruara në gjuhën osmane. Aty ishte edhe një varr i punuar shumë mirë me një kapak të rëndë prej metali. Prej këtyre varrezave, vetëm një familje arriti të zhvarrosë të afërmit e vetë atë kohë. Edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, në greminën e gërmimeve të kësaj tjegulloreje u shembën afër 100 varreza të shqiptarëve nga kompleksi i varrezave të sotme të qytetit.
Qytetarët
e vjetër të qytetit rikujtojnë shkatërrimin e objekteve të kultit dhe varrezave
të vjetra. Sipas Shaip Berilës, katër lagjet e Prishtinës së vjetër i kishin
edhe varrezat e veta. Varrezat ishin përmbi “varosh”, te oxhaku i fabrikës së
tjegullave, te Xhamia e Llapit... Këto varreza u rrafshuan, ndërsa toka iu
dhanë serbëve. Askush atë kohë nuk guxonte as të pyeste pse po bëhej kjo, thotë
Berila. Po ashtu edhe parku i sotëm i qytetit të Prishtinës ishte kompleks i
varrezave të shqiptarëve, e sidomos atyre që ishin shpërngulur nga Sanxhaku i
Nishit. Varreza të sheshta janë hasur edhe te “Fusha e Pajtimit”, afër Bunarit
të Hajratit. Është me rëndësi të theksohet se edhe gjatë fillimit për hapjen e
themeleve të objektit të sotëm të Kuvendit të Kosovës, në vitin 1959, u zbuluan
mbetje njerëzore, që mendoj se këto ishin varrezat e kishës mesjetare në
Prishtinë.
Fatin
e varrezave të vjetra të Prishtinës e përjetuan shumë lokalitete dhe qytete të
Kosovës. Lokalitetet me kulturë materiale jo sllave, u kolonizuan me kolonë të
sjellë nga Serbia, të cilët ndërtuan objekte banimi mbi kulturat e qytetërimit
dhe civilizimeve më të hershme në këto troje.
Pas
pushtimit të Kosovës, kolonët u vendosën në tërë territorin e saj, në rrethin e
Prishtinës, përveç qytetit, kolonë u vendosen edhe në Graçanicë. Bërrnicë,
Bardhosh, ku u përvetësuan varrezat, pronat, shtëpitë e banimit dhe objektet e
kultit. Në Berrnicë u përvetësuan varrezat e hershme të shqiptarëve, që, sipas
popullatës vendore, ishin të shqiptarëve, u morën gurë varresh, pjesërisht u falsifikuan dhe me
to serbët krijuan mitin për nëntë jugoviqët. Këta gurë janë të publikuar edhe
në librin e Dragan Cukiqit dhe Milan Ivanoviqit të botuar nga Enti për
Përmendore të Kulturës së qytetit të Prishtinës në vitin 1996.
Përshkrimi
i autorëve është shumë i dyshimtë, prandaj kjo çështje mbetet të studiohet nga
ekspertët eminentë të kësaj fushe. Popullata autoktone shqiptare e fshatrave
përreth, ka ruajtur të dhënat se raja e Kolovicës dhe e Bërrnicës, të cilët
kishin jetuar edhe gjatë sundimit osman në këto fshatra, janë shqiptarë të
fisit Krasniqe dhe vëllazëri me shqiptarët e fshatit Makoc e Llukar.
Prishtina, pas
Luftës së Dytë Botërore, e fitoi funksionin e qytetit të rëndësishëm ekonomik
dhe administrativo-politik, që i krijuan bazë materiale solide. Madhësia e
qytetit matej me shkallën e inkuadrimit, numrin e kuadrove, specialistëve,
shkencëtarëve, politikanëve dhe profesioneve të lira intelektuale.
Çarshia e Mbuluar
e Prishtinës (Kapali Çarshi) që shtrihej ne pjesën qendrore të qytetit, quhej
Çarshi e Mbuluar sepse hyrja kryesore e saj, prej rreth 20 m ishte e mbuluar.
Çarshia përbënte një kompleks të tërë dyqanesh dhe punëtori zejtare e shërbyese
që shoqërohej me një numër të objekteve të karakterit publik. Në çarshi
vepronin një numër i madh i zejeve ku shquheshin zejet e saraçëve,
këpucëtarëve, lëkurëpunuesve, kafeneve, berberëve etj. Përveç lokaleve zejtare,
në çarshi shiteshin dhe mallra lëvizëse, artizanat, prodhime blegtorale, veshje
të ndryshme tekstili, kazanxhinj dhe prodhime tjera industriale të kohës.
Pamja e brendshme
e çarshisë ishte shumë tërheqëse, kështu që u ngjasonte në shumë pikëpamje
çarshive të disa kasabave orientale. Është me rëndësi të ceket se tregtinë më
të zhvilluar e bënin hebrenjtë, të cilët ishin më të shkolluar dhe mjeshtër të
vërtetë të zejeve. Në pjesën e poshtme të çarshisë gjendej shatërvani pranë
xhamisë së Llokaqit. Përreth çarshisë ishin edhe disa objekte kulti, ku
shquheshin xhamitë e kësaj zone, kisha katolike dhe sinagoga e hebrenjve.
Çarshia e vjetër e Prishtinës i humbi tiparet e saj fill pas Luftës së Dytë
Botërore, kur filluan të rrënohen shumë objekte arkitektonike në kompleksin e
saj. Rrënimet në çarshi u zyrtarizuan në vitin 1953, kur për herë të parë u
hartua plani hapësinor urbanistik i qytetit.
Plani u hartua
duke e paraparë jetën urbane për 50.000 banorë në një sipërfaqe prej 505
hektarësh dhe 76 ari. Autor i këtij plani ishte prof. Partonić nga Beogradi.
Aksioni i rrënimit të objekteve të vjetra në kompleksin e çarshisë bëhej me një
entuziazëm të madh, me punë vullnetare të rinisë dhe Frontit Popullor.
Në këtë kompleks u
rrënuan edhe disa objekte të vjetra që sot do të ishin vlera me peshë kulturore
dhe historike për trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit.
Sipas planit në
vitin 1954, u rrënua: Xhamia e Llokaqit, Çarshia e Mbuluar, Mulliri Elektrik,
ndërsa Kisha Katolike u rrënua në vitin 1957. Po këtë kohë u rrënua edhe
sinagoga e hebrenjve.
Xhamia e Llokaqit
që gjatë periudhës osmane quhej “Jonuz
Efendi Moflezi”, e mori emrin Lloka
nga fjalët turke “Lloka tykry da kaq”,
e që në përkthim e ka kuptimin “pështyje dhe ik” pasi që kjo pjesë e qytetit
ishte plot me baltë dhe pluhur.
Në kuadër të kësaj
xhamie funksiononte mejtepi me mbi 100 nxënës dhe se aty qëndronte imami kryesor i qytetit, i cili pas rrënimit
kaloi në xhaminë e Jashar Pashës.
Xhamia u rrënua së
bashku edhe me shatërvanin dhe kompleksin e varrezave të vjetra rreth saj për
ta ndërtuar Teatrin e qytetit
dhe hotel “Bozhurin”, i cili pas luftës 1998/99, u quajt hotel “Iliria”, ndërsa sot pas privatizimit
dhe renovimit quhet “Swiss Diamond
Prishtina”.
Në vitin 2011
gjatë punëve në sheshin e Prishtinës u zbuluan gjurmët e shatërvanit dhe të
bazamentit të minares së xhamisë së Llokaçit para Teatrit Kombëtar.
Gjatë gërmimit u
zbulua se “Çeshma e Shadarvanit” ishte murosur me gurët e varrezave të vjetra
që kishin qenë në oborrin e xhamisë.
Pas zbulimit, pllaka
ballore e çezmës, ishte dëmtuar në rrethana të panjohura gjatë natës dhe më pas
pjesa më e madhe e saj nuk është gjetur. Për një kohë shumë të shkurtë gurët e varrezave u
zhdukën.
Në vitin 2014
gurët e varrezave u gjeten në dollapët e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e
Prishtinës.
Zyrtarët e MKRS-së
dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore kanë qenë në Komunë për të ekzaminuar
dhe parë gurët. Është konstatuar se gurët janë gjetur gjatë gërmimeve për
çezmën dhe përreth saj.
Gjithashtu në
vitin 2014 çezma e zbuluar është konservuar dhe mbulua me qelq pa lënë gjurmë
se ishte murosur me gurë të varrezave të shqiptarëve.
Projekti për
restaurimin e kësaj qeshmë u realizua nga Departamenti i Kulturës në MKRS,
Komuna e Prishtinës dhe OJQ-re “TIKA” nga Turqia.
Fig.
138 dhe 139- Çarëshia e mbyllur e Prishtinës dhe Xhamia e “Jonuz Efendi
Moflezi”(Xhamia e Llokaqit) e ndërtuar në vitin 1551 dhe e rrënuar në vitin
1954
Fig.
140 dhe 141- Qeshma e zbuluar para
Teatrit Kombëtar të Kosovës në vitin 2011
Rrënimi i
objekteve të kultit tregon më së miri për civilizimin dhe kulturën e ulët të
pushtuesve të huaj në trojet tona.
Këtë dukuri të
pushtuesve të huaj e përshkruan Radovan Zogoviqi në përmbledhjen e tij “Këngët
e Ali Binakut” (“Pjesme Ali Binaka”), i cili këngën e pestë e përfundon duke
thënë:
Hej bari po rritet mbi rrugët tona!
Udhët tona të gjana janë lavrue
Bëj-be
Në varre rritet kompiri (Patatja).
Nga gjithë kjo që
u tha më lart, mësojmë se: Pushtuesit mbi varreza të shqiptarëve mbillnin
patate (kompira), ndërsa serbët me gurë të varrezave të shqiptarëve murosnin
burime uji, kurse shqiptarët e padijshëm, për tu treguar bashkëkohor dhe tolerant
ndaj të huajve i mbulojnë krimet e pushtuesve!
Sqarim për lexuesit: Fusnotat janë të njohura për autorin e shkrimit!