Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Diçka paradoksale në karakterin e ne shqiptarëve
E marte, 14.03.2023, 08:30 PM
Prof. Blerim Latifi:
Ka
diçka paradoksale në karakterin e ne shqiptarëve. Derisa në njërën anë nuk e
kemi hiç për dert të hapemi ndaj ndryshimeve dhe ndikimeve të jashtme
kulturore, në anën tjetër qëndrojmë fort të lidhur pas disa vlerave, të cilat,
të tjerët që dikur i ndanin me ne, prej shekujsh i kanë harruar.
M’u
kujtua kjo gjë derisa po shikoja në facebook fotografi nga festa e Ditës së
Verës, e cila tradiconalisht mbahet në Elbasan.
Kjo
festë, siç na tregojnë antropologët kulturorë, na vjen që nga kohët antikitetit
pagan. As Krishterimi, as Islami, e as Moderniteti në fund, nuk ia kanë dalë ta
çrrënjosin këtë festë. Ajo vazhdon edhe sot të jetë e gjallë, si në kohët e
lashta.
Ilirët,
grekët dhe romakët përgjithësisht kishin hyjni të përbashkëta, por me emra të
ndryshëm. Hyjnesha greke Artemis, tek romakët ishte Diana, ndërsa tek Ilirët
ishte Zana. E lidhur me kultet e pyjeve, tek ilirët ajo njihej si Zana e Malit.
Diku afër Elbasanit, në brigjet e Shkumbinit, thuhet se ekzistonte një tempull
kushtuar asaj. Në fillim të marsit besohej se ajo e vizitonte këtë tempull dhe
kjo vizitë shënonte fillimin e verës. Njerëzit vërshonin rrugët dhe fushat në
nderim të vizitës hyjnore. Që nga ato kohë pagane na vjen lidhja e fuqishme
semantike midis fjalës “festë” dhe ritualeve religjioze. Këtë na e kujton edhe
Heidegger derisa citon Holderlinin : Të
festosh do të thotë të përjetosh ardhjen e të shenjtës në mesin tonë.
Monoteizmi
abrahamik, që triumfoi në Europë pas Konstandinit të Madh, i rrafshoi e diku i
transformoi tempujt paganë, përfshirë edhe tempullin e Zanës së Malit në
brigjet e Shkumbinit, por jo edhe tempullin e saj të ngritur në imagjinatën
kolektive të iliro-arbërorëve, dhe
pasardhësve të tyre modernë, shqiptarëve.
Sot
turistët romantikë nga e gjithë bota turren gërmadhave të Romës dhe Greqisë për
të prekur atë që ka mbetur nga qytetërimet e tyre antike, derisa nuk e shohin
para syve të tyre diçka krejt të gjallë nga ajo kohë, që shfaqet në rrugët e
Elbasanit në çdo 14 mars. Kuptohet, shkaku është se duke qenë për shumë shekuj
e burgosur brenda kafazit otoman, dhe pastaj për gjysmë shekulli brenda
bunkerit komunist, Shqipëria mbeti dhe ende mbetet një thesar i natyrës dhe
kulturës i pazbuluar nga bota e qytetëruar. Në mesin e këtyre thesareve është
padyshim edhe festa e Ditës së Verës, festa e Zanës së Malit, të cilën as Kryqi
i Krishterimit, e as Gjysmëhëna e Islamit, nuk ia dolën ta dëbonin nga shpirti
i shqiptarëve.
Gëzuar
Dita e Verës!
___________
Dy
atentateve serbe ua kanë pa hajrin shqiptarët. Atentatit mbi mbretin Aleksandri
i Parë, në vitin 1903, dhe, 100 vite më pas, atentatit mbi kryeministrin
Gjingjiq.
Të
dy këta kishin diçka të përbashkët: synimin për largimin e Serbisë nga ndikimi
rus dhe afrimin e saj me Perëndimin. Nëse ata do të jetonin për t'i përmbushur
synimet e tyre, shqiptarët do t'i kishin punët shumë më vështirë.
Vrasja
e mbretit Aleksandër nga një fraksion prorus i ushtrisë serbe, bëri që Serbia
t'i kthehet orientimit gjeopolitik prorus. Kjo i bindi përfundimisht
austro-hungarezët që të fillonin punën për krjimin e një shteti shqiptar, për
të mos lejuar që përmes Serbisë proruse, ndikimi rus të shtrihej deri në
Adriatik. 28 Nëntori 1912 ishte rezultat logjik i kësaj gjeopolitike
austro-hungareze.
Gjingjiq
ndoqi qasjen e mbretit Aleksandër. Ai donte një Serbi të distancuar nga Rusia
dhe të afruar me Perëndimin. Këtë politikë ai donte ta përdorte kundër
aspiratave të Kosovës për pavarësi. Eleminimi i tij e varrosi këtë politikë
bashkë me të. Ata që erdhën pas tij nuk dolën dot nga hija e rrymës proruse dhe
kjo pati ndikim të rëndësishëm në krijimin e bindjes perëndimore për pavarësinë
e Kosovës si opcion paalternativë.
Ideja
se Gjingjiq mendonte për Kosovën jashtë skemave të nacionalizmit serb, është
një mit të cilin e ushqeu edhe më shumë vrasja e tij. Sot e pamë se edhe
kryeministri ynë po besojka në këtë mit.Fatkeqësisht.