E diele, 27.11.2022, 11:36 AM (GMT)

Speciale

Syrja Etemi: Arsimi në trevën e Tetovës në kohën e sundimit të Mbretërisë SKS

E enjte, 10.11.2022, 09:33 PM


ARSIMI  NË TREVËN E TETOVËS - NË KOHËN E SUNDIMIT TË MBRETËRISË SKS

Shkruan Syrja ETEMI

Një ndër sfidat më të mëdha të popullatës shqiptare në kohën e Mbretërisë Jugosllave (në të ashtuquajturën: Sërbia Jugore), ka qenë përballja me politikat arsimore - kulturore, ku, pjesa dërmuese e popullatës ka qenë e paarsimuar. Në këtë kontekst, kundruall “çarshisë introverte osmane”,  në akceptimin apo ballafaqimin  me shtetin e ri jugosllav, siç konsideronte politika zyrtare, është shumë vështirë që kjo popullatë “të orientohet drejt strategjive të politikës sonë kulturore”, tek e cila, paraprakisht tradita arsimore (deri në shek.19) ishte e neglizhuar dhe zhvatur nën Perandorinë pesëshekullore otomane. Këshu, menjëherë pas luftërave ballkanike, shteti i ri i krijuar (Kralevina sërbe, ku bënte pjesë edhe Maqedonia e Veriut dhe Kosova),  sipas inercionit të vet, në “territoret e reja”,  vazhdon etablimin e një  politike të re arsimore,  të cilën e bazon në “stratifikacionet etnike” të  këtyre hapësirave.

Asimilimi kulturor dhe etnik i “Jugut” , ku, siç theksuam, bënte pjesë edhe popullata shqiptare , filloi që në kohën kur Kralevina SKS filloi me ndërtimin e objekteve shkollore, konsolidimin e kuadrove të reja, si dhe krijimin e “publikut lojal”, për të arritur deri te përfshirja e popullatës së re në sistem. Sipas evaluimeve të kohës, “niveli i kënaqshëm i përvetësimit të diturive” që u fitua nga vlerësimi i suksesit të përgjithshëm të nxënësve, do të konsiderohet si indikator relevant për të konstatuar se  realizimi i idesë së këtillë ka qenë në rrugën e duhur.

***

Në krahinat me popullatën dërmuese analfabete, programet ambicioze të arsimit fillor, me pretendimin për “korrigjimin e gjuhës joletrare” të nxënësve, nuk hasën në tokë pjellore. Edhe pse Kushtetuta e Vidovdanit (1921) proklamonte shkollim fillor gjithëpërfshirës - falas dhe të detyrueshëm, hartuesit e sajë kanë paraparë mundësi që ajo “të pësojë ndryshime”, përderisa arsimimi në gjuhën amtare të pakicave kombëtare mund të llogaritet vetëm në shkollat fillore katërklasëshe, të ashtuquajtura, shkolla popullore. Por kjo kurrë nuk u dëshmua në praktikë me nxënësit shqiptarë.

Duke patur parasysh faktin që në Mbretërinë SKS kanë ekzistuar shumë rrethe apo qarqe të ndryshme arsimore-juridike, gjendja provizore në politikën arsimore të shtetit ka qenë deridiku e kuptueshme. Në viset e Maqedonisë dhe Kosovës është punuar sipas ligjeve serbe deri në fund të vitit 1929. Kur hy në fuqi Ligji për shkollat popullore. Në vitet e para të shteteve jugosllave ndikim vendimtar në zhvillimin e objekteve dhe infrastrukturave shkollore kanë patur  autoritetet e  Zyrës së Sigurimit Publik, dhe, kështu, në vitin 1924, Zhivojin Laziç inicoi ndërtimin e godinave shkollore në distriktet kufitare “për zbatimin e propagandës nacionale  dhe kulturore”.

Në territoret apo krahinat me popullatë shumicë Shqiptare u hapën shkolla (mejtepe) në gjuhën turke, e, jo në gjuhën shqipe. Sipas pohimeve të zyrtarëve , gjatë periudhës: 1919-1929, në krahinë janë ndërtuar 487 godina shkollore, nga të cilat shumica në zonat me popullatë shqiptare. Bindja e fuqishme se shkolla dhe mësuesi janë “mjeti kryesor që populli të përfitojë”, nuk po jep efektin e vet në mjediset ku është “keqedukuar” kjo popullatë, e sidomos ajo e ushqyer dhe edukuar në frymën e propagandës së “huaj”, prandaj kjo popullatë duhet që vetëm “me forcë të mbahet dhe të deytyrohet të respektojë ligjet tona”, arsyetoheshin “autoritetet” e Rretheve dhe Qarqeve.

NË MES BANKAVE DHE GJARPËRINJVE

I inspiruar nga restriksionet buxhetore për arsim, në një rast, deputeti popullor në parlamentin e Beogradit, Svetozar Gjorgjeviq në mesin e korrikut (1922), rishtazi potencon se: “kush kursen të jep një dinar për arsimin, ai nesër do të jep dhjetë dinarë për burg dhe xhandarë”. Kritika konsistente e opozitës u kurorëzua me sukses dhe dha frutet e saja dhe, deri në fund të dekadës shtohen mjetet finansiare me të cilët Ministria e Arsimit për ndërtimin e shkollave në Maqedoni dhe Kosovë ndau deri në 43% në nivelin jugosllav. Duket se politika kulturore nga nxitjet apo shtytjet e skajshme e të sinqerta, bënë kthesën e duhur në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Rrethet e braktisura e të lëna pas dore.

Megjithatë, edhe pse një numër i caktuar i shkollave fillore nominalisht rriste dallimin në mes mjeteve finansiare të destinuara dhe të harxhuara (p.sh. shkollat e Shkupit fituan vetëm 16 % të mjeteve të parapara), dëshmoi qartë në funksionimin e sistemit: dotacioni përmes gjyqeve komunale u tregua joefikas, sidomos kur ato detyrime ranë mbi shpatullat e komunave të varfra rurale. Situatën edhe më shumë e rëndonin autoritetet kishtare që arsyetoheshin apo ankoheshin për uzurpimet e pronave të kishave dhe  që përjashtonin nxënësit nga klasat. Kështu, në një fshat në afërsi të Tetovës, (1927), priftërinjtë me ndihmën e policisë, në kohën e dimrit nxjerrin jashtë nxënësit për shkak se do të mbyllet shkolla.

Numri i madh i shkollave frekuentohej nga 4-5 nxënës, sepse një numër i kosiderueshëm (40%) i nxënësve në Jug të vendit nuk regjistroheshin në shkollë, sepse “shtëpia humb fuqinë punëtore”. Në fund të vitit shkollor 1927-28, në shkollat fillore të krahinës së Serbisë Jugore (Juzhna Srbija) kanë mësuar gjithsejt 7565 nxënës shqiptarë (1.7 % të numrit të përgjithshëm të popullatës shqiptare), prej të cilëve vetëm 232 vajza. Në vet Dibrën, klasën përmirësuese kanë ndjekur gjithsejt 2% të fëmijëve të moshës shkollore. Natyrisht, jo vetëm shteti që kishte përgjegjësinë e që ishte fajtor, por, shkaqet duhen kërkuar edhe në mentalitetin konservativ të prindërve, të mbingarkuar me “frikë nga feudalizmi” dhe averzionin e përgjithshëm ndaj shkollës, edhe pse arsimi fillor ishte i detyrueshëm.

“Mbi një milion fëmijë myslimanë bredhin rrugëve si bagëti dhe nuk shkojnë në shkollë”, ankohet deputeti i Xhemijetit”, Qenan Zija, duke akuzuar për këtë ministrin e Arsimit, Svetozar Pribiçeviq. Duke folë për aksionin e tij për mbylljen e shkollave turke, Zija theksonte: “Fëmijët e mi të cilët janë të moshës nga 7-16 vjet, bukur mund të lexojnë dhe këndojnë serbisht, frëngjisht dhe pak anglisht. Por pyetni fëmijët e mi a munden ata në gjuhën e tyre amtare të më shkruajnë mua: “Baba i dashur, të kujtojmë dhe të përshëndesim me gjithë shpirt nga zemra!” Atë nuk munden, e për këtë pse nuk munden, ky është mëkat i Pribiçeviqit”, përfundon ai.

Shteti është i bindur që Shqiptarët shkollën e konsiderojnë si detyrim apo torturim për shkak të kushteve të vështira – të udhëtimit, duke u bazuar edhe në përvojat e hidhura e të dëmshme nën sundimin turk, i cili nuk ka përfshirë fëmijët në shkollë, por edhe mungesën e traditës arsimore e shkollore. Kjo popullatë në praktikë tregon edhe për disa komuna rurale, të cilat udhëhiqeshin nga vet shqiptarët, por të cilët nuk ishin të interesuar për ndërtimin e objekteve shkollore. Në anën tjetër, nga një raport që kishte të bënte për ndërtimin e shkollave të reja në Gostivar, Tetovë, Gjilan dhe Prishtinë, e që  nuk është ndarë asnjë dinar gjatë vitit 1920, mund të nënkuptohet se ky fakt është ekskluzivisht si pasojë e politikës selektive shtetërore.

Shkollat fillore në rrethin e Manastirit kanë pësuar më së shumti dëm gjatë luftërave, prandaj edhe shteti ka urdhëruar urgjentisht në rekonstruimin  e tyre. Inspektori i arsimit më 1924  paraqiti disa shkolla, sidomos ato për fëmijët myslimanë dhe ebre që nuk plotësonin as kushtet dhe kriteret minimale higjienike. Përveç kësaj, situatën edhe ashtu të rënduar, akoma më tepër e përkeqësonte  konteksti kulmor me autoritetet kishtare, të cilët kishin tapitë e tyre në ndërtesat shkollore. Një problem akoma më të mprehtë paraqiste “e folmja e popullatës sllovene”, dhe kështu më 1921 Inspektori i arsimit raporton për domosdoshmërinë e  zgjidhjes së këtij problemi që duhet filluar që nga çerdhja.

Për shkak të varfërisë së komunave rurale, objektet shkollore ngjanin më shumë “burgjeve apo ahureve të kafshëve” , përderisa mësuesit nga nënprefektura e Pollogut të Epër këto shkolla i përshkruajnë si “ Treme varrezash në të cilat po enden kot fëmijët dhe rinija jonë”. Sholla e Zheleznarekës (fshat në Rrethin e Gostivarit), ka qenë e ndërtuar në stallën e kishës, kurse ajo e Gjonovicës, në vend të toaletit, shfrytëzonte pyllin më të afërt të shkurreve pranë hekurudhës. Në fshatin e kurbetqarëve Sretkovë, podrumi i shkollës ka qenë i mbushur plot me vllagë e baltë, kurse në tabelën e zezë edhe mëtej qëndronte mbishkrimi: “Shkolla pravosllave sërbe në Sretkovë nën Perandorinë Turke.” Godina shkollore në Vrapçisht ka qenë dykatëshe dhe se nga plafoni pikonte baltë mbi kokat e nxënësve . E njëjta situatë ka qenë edhe në Dobërdoll, Mavrovë dhe Cerovë.

Përkundër kësaj, shkolla në Vrutok të Vardarit ka qenë antipod i këtyre rasteve që përmendëm, ndoshta, me siguri, për shkak se ishte afër rrugës për në Dibër “ku kalon klasa e aristokratëve”, dhe kjo panoramë impozante duhej të linte përshtypjen e bukur në sytë e kalimtarëve e të duket sikur “ po bëhen përpjekje maksimale për qytetërimin e popullatës”. Godina e shkollës turke në Cërvnik është vënë në funksion që në nëntor të vitit 1924, kur në të u “atdhesuan” tetë xhandarë, ndërsa nxënësit u hodhën në podrum pa dritare. “Derë? Dritare? Ç’janë këto gjepura?, pyet Inspektori i arsimit  më 1925.

***

Situata nuk është ndryshuar gjithaq as në dekadën e radhës, prandaj s’është për t’u habitur që edhe gjatë viti shkollor 1930/31, shkollën fillore e ndjekë çdo i dhjeti fëmijë. Ka tendenca që shkollat popullore me ligj të bëhen gjithnjë e më të afërta në mesin e popullatës, bile edhe kujdesi për ruajtjen e objekteve shkollore të jetë më i konsiderueshëm.

Insistimet e parreshtura të proklamatës se “shkolla u përket atyre që e ndërtojnë”, glorifikojnë taktikën logjike të pushtetit që “mentaliteti minor individualist” i fshatarëve të Banovinës së Vardarit, të orientohet drejt asaj që mund të quhet “interes i gjërë shoqëror”. Një vend meritor në këtë kontekst zë raporti i një Inspektori të arsimit, i cili, në mes tjerash, konstaton që, mbas vitit 1929 finansimi i shkollave duket se po bëhet në mënyrë më efikase, ndërsa mundësitë për malverzim janë në minimum.

Ndryshe nga viset tjera të vendit, gjendja e objekteve shkollore në Jug ka qenë nën normat e parapara, pa marë parasysh se mbështetjet institucionale të shtetit në vitet 1930-1938 kanë qenë më tepër të dedikuara për ato në Banovinën e Vardarit (26%).

Insistimi i shtetit që për një kohë sa më të shkurtë të përfshihet një numër sa më i madh i fëmijëve në to, ka kontribuar në faktin që shumë syresh të hapen edhe në shtëpi private, ndërtesa të braktisura që nga koha e Turqisë, objekte kishtare, bile edhe në objekte kafiterie. Ndërtesat shkollore akoma ishin të ronisura, johigjienike dhe të pandriçuara, bile në disa raste ka ndodhur që të ndërpritet edhe procesi mësimor nga paraqitja e gjarpërinjve nëpër hapësirat mësimore. Ndërtimi i shkollave reprezentative ka qenë privilegj i Shkupit – qendër administrative e Banovinës. Në fillim të vitit 1933, përurohet objekti modern i shkollës: Car Dushani, të cilin e vizitoi edhe Kral Aleksandri. Në mjediset gjeografike pasive e të izoluara, shkollat gjithnjë e më pak u ngjasonin institucioneve arsimore. Në korrik të vitit 1934, në fshatin Kremenci (Srezi i Mariovës), ndërtesa shkollore ka qenë për dy ditë në shërbim të komisionit për regrutim, ku anëtarët para se të hyjnë në të, janë “shtangur” : “në vend të bankave shkollore, në mes mësonjëtores kanë qëndruar tre gurë në formë korite ku kanë bërë kushtar kumritë, ndërsa në mur qëndronte varur fotografia e familjes mbretërore”. Këto skena nadreale kanë hidhëruar drejtorin e shkollës Svetislav Nikoliq, i cili u ka bërtitur punëtorëve teknikë (sluzhitelji)  dhe kërcënuar me suspendim nga puna për arsye të thjeshtë: “pse i kanë hapur dyert e shkollës ushtrisë, bile ka akuzuar edhe Prefektin e komunës i cili i ka mundësuar komisionit për regrutim qasjen në shkollë!”.

Protezhimi apo favorizimi i ndërtimit të shkollave moderne  përgjatë kufirit me Bullgarinë, gjoja në lindje është “armiku i rrezikshëm”, ka dëshmuar se si ka funksionuar  propagandimi i politikës arsimore. Përkundër kësaj, pjesa perëndimore e Banovinës, e njohur për ikjen në kurbet të popullatës dhe boshatisjen e vendbanimeve, ka qenë plotësisht e lënë pas dore.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora