Shtesë » Historia
Namik Selmani: Ju flet Çamëria!
E shtune, 27.12.2008, 04:07 AM
Ju flet Çamëria!
Filati i Camerise i braktisur
Nga Prof. Namik Selmani
Edhe nëse nuk e keni dëgjuar në ndonjë stacion televiziv apo radiofonik këtë shprehje, tashmë kemi kohë që e dëgjojmë thellë vetes. Me zë të lartë e me zë të butë si një fëshfërimë ullinjsh që vjen nga ai truall i malluar për ninulla këngësh e urime dasmash. Është një zë që artikulohet dukshëm pas viteve të demokracisë. Një kulm të këtij zëri e dëgjuam në ato ditë të qershorit të vitit 2007 në Qafën e Botës. Atje ku kufiri i Çamërisë është një hap larg. Një hedhje e një luleje te varret e rënë thellë palcës së tokës martire. E dëgjuat edhe ju këtë ZË? Kishin ardhur shpirtërat e gjyshërve atë ditë atje afër. Shumë afër. Sa një pëllëmbë njeriu. Sa një zgjatje krahu. E zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë lulet më të freskëta.. Në vend të gjakut të gjyshërve apo të njerëzve të sakatuar 64 vjet më parë , ata kishin mbushur duart me lule. Me tufa e kurora . Por edhe me lotë. Se mund të qeshësh fort sa të kesh fuqi, por nuk mund të rrish të mos rrishë pa qarë me pika të nxehta lotit kur ai buron nga zemra e kërkon një vend ku të dalë.
Ndaj faljani lotin atij burri që fliste e qante për nënën e vdekur!. E të therur në sytë e tij. Ec e mbaji po deshe lotët diku në varrezat që ende sot janë të mbushura me ferra. Janë Varret e Xarrës. Një emër fatkeq që futet në analet e Çamërisë Aty, në atë vend, ku një obelisk i lartë sa një qiell do të ishte pak, shumë pak për të zbutur dhimbjen jo vetëm të atyre që janë aty, të fëmijëve por edhe të stërniprve . Aty ku Deti i Dhimbjes do t’ia kalonte edhe vetë Jonit.
Zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë në sofër këngën e vallen çame. Këngët e trimave e këngët e dasmës. Si një zjarr furre që mund të ndizet po kaq shpejt edhe tani pas më se 6 dekadave jetë. E të pjekë kuleçet e dasmës së Kthimit. Një këngë e valle që nuk ka nevojë për solistë, por që të gjithë mund t’i kthenin gjokset e tyre në skenë vallesh si gjoksi legjendar i Osman Takës.
Aty ku kufiri i Shqipërisë është një pëllëmbë larg nga toka tjetër çame Zëri kishte thirrur borzilokët me erë, me dafina dhe gjethet e ullirit duke i shkrirë me drithërimën e tramundanën e shpirtit çam. Atje ku djemtë e Partisë për Drejtësi dhe Integrimi për bashkëatdhetarët e tyre zërin e ri të Çamërisë, zërin e së nesërmes.
Zëri isaj kishte thirrur në Odën e Mençurisë poetët e saj. Sa shumë poetë! Mos pyesni se ku janë shklluar e çfarë veprash poetike kanë bërë . Në një tribunë të improvizuar dilnin njëra pas tjetrës poetët e të gjithë moshave. Që nga fëmijët e deri te më të moshuarit . Ata që nuk dolën dot, folën me sytë e tyre të përlotur. Ishte një Festival i vërtetë Poezie. Pa kurora. Pa fitimtarë. Fitimtare ishte vetë Çamëria.
..Dikush tek mbahej pas bastunit të 85 viteve të tij, tha se Zëri i Çamërisë ishte një prag beteje dhe një Portë malli ku fjalët e gdhendura projektonin e ngrinin një Piedestal të lavdishëm të Mosharresës.
Ky det diku aty pranë , iu jepte një mandile të kaltër për t’ua fshirë djersët e udhës së vaposur të qershorit. Ishte marshimi më i gjatë që ishte bërë ndonjëherë në këto 64 vjet. I një marshimi drejt një Rikthimi. Drejt një pragu ku dera është ende e mbyllur. Një homazh kujtimi e rahmeti për të ndarët nga kjo jetë pa e realizuar ëndrrën.
Ky Det sikur merrte me vete me mijëra puthje nënash, nusesh, vajzash, që dukeshin të gjitha si Vajza e Valëve. Vetëm me një ndryshim. Vajza nuk priste në në shkëmb sado lartë qoftë ai. Por ajo vetë donte të ecte bashkë me shkëmbin drejt trojeve të dashura, drejt luturvivë ( punishteve të ullirit) te krojet e panumrta. Te djepet që kërkonin ninulla te reja. Nanat tërhiqnin pas vetes fëmijët e tyre. Ishin stërnipërit e stërmbesat . Ca mbesa tërhiqnin gjyshet gati të verbuara dhe të kërrusura nga vitet, ose si i thonë çamçe të glunjasura . Një nënë çame kishte sjellë aty të Qafa e Botës një bakllava dhe po e ndante bujarisht të gjithëve atyre që kishin kapërcyer aq rrugë për të ardhur aty. Kishin thirrur amanetet e padjegura për vitet e pragjet e mbushura me barin e harlisur 63-vjeçar. Pa na kishte ardhur aty, edhe Zëri i arsyes çame atë ditë. Zëri i një dite që kërkon me ngulm të nesërmen, të pasnesërmen, të… të drejtën për të vënë një lule si e gjithë bota që flet një fjalë me gojën që ia ka dhënë Zoti. Me të drejtën që ia kishte dhënë po Zoti. Me flamuj të kombit të tyre që prej shekujsh nuk mungoi në karsellat ( sepetet ) e tyre.
A dëgjuat ca zëra, more vëllezër, atë ditë qershori tek na gjëmonin në veshë ca sirena moderne??? Ishin zgjuar atë ditë të gjitha legjendat e thoshin se në to nuk kishte asnjë gjë të pavërtetë. Ishte Paramithia që ato ditë qershori të 44-s i thoshte Ferrit që të terratisej, të ikte nga vendi se do t’ia zinte vendin me atë tokë të djegur të mbushur me kufoma të pavarrosura burrash e grashë të futur nëpër katonjet e… Mos , O Zot!!!!! Ishte Parga që rilindëte sërish në zëra të lashtësisë. Ishte Dodona. Ishte Filati i diturisë. ishte Arpica e mbushur tej e ndanë me ullin,. Të gjithë arpiciotët kudo që jetojnë në Shqipëri e në botë tregojnë njëzëri atë fjalë të urtë se, po qe se mund të ndodhte që të derdheshin fuçitë dhe enët e tjera të vajit të luturvive ( punishteve të vajit) të saj aherë duhet të ikte i turpëruar nga shtrati i tij i përjteshshëm vetë Joni për t’ia lënë vendin asaj rrjedhe të pafund.
E patë Gumenicën dhe Prevezën që kishte sjellë nga larg ca spiranca të arta dhe i kishte hedhur të sigurta në atë Det të vërtetë njerëzor nga e gjitha Shqipëria? Edhe nga Kosova që priste të nusëronte sërish me të tjerë krushq që nga viti 1913. I kishin hedhur këto spiranca të arta te Deti i Dashurisë. Te Deti i Luleve. Te Deti i Përqafimeve.
Koska kishte sjellë mjaltin e posrsanxjerrë nga hojet dhe pyeste: “Ç’ish jeni, more djelm? ”U lodhët , ju pastë nana? Çish je, moj Nu? Po ti, more aga Refat? Mjaltosni pak buzët se jeni lodhur!”
E dëgjuat atë që ishte nga Vërsela, Spatari, nga Vrohonai, nga Grikohori… E dëgjuan edhe gazetarët vendas e të huaj. Në raportet e shërbimit atë ditë ishte vënë shumë litra karburant i harxhuar. Dhe askush nuk ishte ankuar. Shumë djersë në trupat e tyre, edhe pse kishin ca makina luksoze . Në një farë mënyre edhe ata ishin bërë pjesë e një kortezhi të madh, të stërmadh njerëzor në një kërkim paqësor të një të drejte të mohuar. Edhe ata do ta kenë harruar atë ditë statusin e tyre të të “pavarurit “, e kanë brohoritur, e kanë folur, e kanë protestuar, e kanë kuptuar se janë të gjithë shqiptarë të mire, se Çamëria duhet të ishte më afër tyre. “Po politikanët shqiptarë a e dëgjuan ?- thoshte njëri. “Po politikanët grekë ç’thonë ?”- thoshte tjetri, një burrë i moshuar.
Dikush tha se kishte ardhur një çift i sapomartuar. Nipër të Dautit dhe Feridesë nga Grikohori dhe Arpica. Donin edhe ata që ta dëgjonin këtë zë. Edhe fëmijët e tyre që flinin në strehën e artë të amësisë dhe atësisë. Të merrnin edhe ca urime të tjera në Qafën e Botës.
Një invalid në një karrocë, i posazbritur nga një furgon e targa të Durrësit mbante një flamur në duar. Si ke ardhur këtu, o njeri?!! Si? Mbante edhe një lule. Një lule e një urim. Thanë se ishte nipi i Salikos nga Paramithia që kishte mbetur i vrarë atë qeshor kur kishte vënë drapërin e parë të korrjes në grurin e pjekur. Po e kishte korrur drapëri i vdekjes. Atë që gjithë jetën kishte bërë fëmijë e kishte mbjellë grurë e ullinj.
...Një ar fisnikerie kishte rënë në sytë e të gjithëve. Një ar të tillë e kishte çdo sy njerëzor i atij vargani njerëzish që nuk i shihej fundi. Edhe i atyre që nuk mundën të vinin dot, por që më shpirt e me zemër ishin aty.
Dhe u ngritën atë ditë ca gjumëtrazuar të lashtësisë e të së sotmes. U zgjua Pirrua, Bubulina, Dora D’Istria e Hsaan Tahsini, Abedin Dinua dhe Kolë Idromenoja.Faik Konica dhe Bila Xhaferri , Abaz Dojaka dhe Haxhi Murati… Na kishte ardhur jo si mik, por si zot shtëpie edhe Naim Frashëri, i prushëruar nga fjala çame, ose nga kjo gluhë e ngrohtë e Perëndive të dëguar në Çamëri.
U zgjuan të gjithë zërat e nuk kishin nevojë për megafonë modernë sallash luksoze ku rrinë ca njerëz në kolltuke të kadifenjtë. Jo. JO. Klithma e së nesërmes që lindëte nga e djeshmja që nuk mund të harrohej përcillej sa në një shtëpi në tjetrën. Sa në një zemër në tjetrën. Për të ardhur më tej në salla të parlamenteve shqiptarë, grekë, evropianë, amerikanë,…Në dyer redaksishë , në ekrane kompjuterash, në faqosjen e përherëshme të gazetave, në kronikat e përditshme të gazetave..në skena teatrosh e filmash, në ballina të pafund librash ku sado të mëdha të jenë numrat e fletëve të tyre, historia zulmëmadhe dhe po kaq e dhimbshme, përsëri mbetet ende e pambaruar, thuajse e virgjër. Në dyer gjykatash. Për të ardhur më ndryshe në 27 Qershorët e tjerë. Deri sa të zgjidhet problemi çam. Deri sa të themi se ky ishte Qershori i fundit për marshime të tilla.
Është një zë që mban të fshehur shpresën dhe ëndrrën. Shpresën e dashurinë. Na mban të gjallë shpirtin e Mbijetesës. Ishte zëri i 20 000 vetëve që vinin nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Nga Kosova dhe Amerika. Një zë i gjallë e asnjëherë i shuar në kohët moderne. Ja kaq apo edhe ca vetë më shumë kalonin kufirin e përgjakur në ato ditë qershori të 1944-s e 1945-s këtë kufi. Projektuesit menduan (sa keq!) se Çamëria mbaroi, u shua.
Eeeeej vëllezër! A e dëgjuat zërin e ri të Çamërisë? Atë ditë të gjithë u bëmë spikerë të malluar e të talentuar duke folur të gjithë me një zë :
“JU FLET ÇAMËRIA!” “ Çamëria është gjallë! Ajo rron e asnjë nuk mund të humbë historinë e saj , të kaluarën e saj e, aq më tepër të ardhmen e saj!”
Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë
Asnjë historian, demograf, sociolog, gjeograf, arkeolog, folklorist, gjuhëtar, që merr përsipër të qëmtojë në fushën e vet studimore për krahinën e Çamërisë nuk mund të anashkalojë kurrësesi faktin, aspak të diskutueshëm, të ndikimit të jashtëzakonshëm të besimit islam ne jetën ekonomike, shoqërore, shpirtërore, të kësaj krahine që, të paktën në shekujt e fundit e sidomos në 100 vitet e fundit e ka patur dhe e ka (ndonëse me një popullsi tashmë të shpërngulur me forcë nga trojet e veta stërgjyshore këtë besim si identitet dhe si mbijetesë.
Ky vitalitet shpirtëror, ndër më të rrallët në forcën e tij në mbarë Ballkanin bashkë me atë të popullsisë së Kosovës, i mbështetur te ky besim njësohej me shumë fusha të jetës së popullsisë çame që në traditat zakonore, në ato ndërtimore, në guzhinën tradicionale, në onomastikën e pasur e aq të larmishme, në urimet e mallkimet, në dasmat e gëzimet, në ritet fetare që bëheshin aq të rregullta në tërë krahinën, në tolerancën fetare që tregonte kjo popullsi në lidhje me pjesën e popullsisë të krishterë që kishin shumë fshatra të Çamërisë.
Nuk është aspak befasi apo edhe rastësi që edhe krijimi i familjeve të reja, dashuritë e bukura njerëzore që tregonin një pjesë tjetër po kaq të bukur të shpirtit çam të kishte këtë lidhje kaq të harmonishme mes besimit islam dhe vetë jetës që gëlonte në viset e Jugut sa e bukur në atë traditë që zbukuronte jetën e secilit mysliman çam aq edhe të vështirë përballë manovrave, qëllimeve të shtetarëve grekë, të kishës greke për asimilimin e kësaj popullsie, për mohimin e të drejtave më themelore njerëzore, atë të besimit e njohjes së gjuhës amtare që duhet të kishte një njeri.
Brenda kufinjve të kësaj sfide të vërtetë jetësore në kohën që jenët (fëmijët) çamë hidhnin hapat e parë në tokën e bekuar të Çamërisë, nënat i faleshin Zotit me vargje të dala nga shpirti i tyre i bukur dhe i madh:
Shuqur, o i madhi Zot
Kjo ditë që më erdhi sot
Që më ecën kjo fëmilë
Zoti të ma lërë të mirë
Në xhamitë e shumta të Çamërisë (në fillim të shekullit XX, por edhe deri në vitet 40 të këtij shekulli, kishte dhe nga tre, katër në fshatra të ndryshëm) bëheshin jo vetë ritet fetare, por edhe kuvendet e shumta për probleme të ndryshme që kishte fshati. Në vitet 1913-1944 kur kjo krahinë u shkëput nga trungu amë, xhamitë e fshatrave shërbenin edhe si shkolla të mirëfillta shqipe ku fëmijët bashkë me njohuritë për besimin islam, mësonin nga klerikët patriotë shqiptarë herë haptaz e herë fshehurazi shkronjat shqipe. Një gjë të tillë e mësojmë nga shumë banorë burra dhe gra që ende jetojnë në qytete të ndryshme ë Shqipërisë që prej 64 vjetësh, por edhe nga shumë dokumenta të arkivave të kohës.
Oborret e xhamive ktheheshin në mjedise festive të ngjarjeve të rëndësishme. Të tillë mund të përmendim datën 2 shtator 1941 kur në oborrin e Xhamisë së Paramithisë u mblodhën me qindra vetë për të ngritur flamurin shqiptar:
Paramëthi, moj Paramëthi
Tridhjet vjet nënë Greqi
……………………….
Paramëthi u ngrenë e vanë
Shkuan e vanë në xhami
Ngrenë flamurin kuq e zi.
Në dekorin e fshatrave të Çamërisë ato patjetër ishin institucione më të respektuara të besimit, të bashkimit, të këngës, të pajtimit, të respektit ndaj njëri-tjetrit. Vetëm në fshatim Mazrek ka pasur 4 xhami: ajo e Kovaçëve, e Çapuratëve, e Kolicatëve dhe e Mahalesë. Sipas tregimit të Refik Pronjos dhe Riza Kalit nga Paramithia ky qytet, që në vitet 1944- 1945 do të jetonte tmerrin më të madh të genocidit grek, kishte 8 xhami me rëndësi jo vetëm për këtë qendër të banuar, por dhe për mbarë Çamërinë. Të tilla mund të përmendim Xhaminë e Kalasë (ishte brenda në kalanë e qytetit), të Kanelës, të Bollatëve, të Këndalit, të Qendrës ( në të dikur ishte falur Sulltan Bajaziti), të Pazarit, të Prronjatëve, të Shardhaqes. Në fshatin Margëllëç kishte 5 xhami. Vetëm në Janinë ku banonin rreth 40 000 banorë kishte 30 xhami, disa medrese që përgatisnin klerikë për fshatrat myslimane të Çamërisë. Në qytetin e Konispolit ka patur 5 xhami Aliagatit në qendër, e Çuçatit, e Llanxatit, e Pashanjet dhe e Shehatit.
Sheshet e xhamive që ishin kryesisht në mes të fshatrave çame ktheheshin në kuvende dhe për ngjarje të rëndësihme. E tillë është edhe kënga e krijuar në Galbaq të Filatit:
Mu ne Sheshi i Xhamisë
Treqind burra të Labërisë
U thirrën si për mexhlis
Edhe pse organizimi adminstrativ i fshatrave të krahinës bëhej kryesisht me kryepleqtë e fshatrave që edhe mund të grumbullonin fonde për ndërtimin e xhamive në fshatra, nuk janë të pakta rastet kur familje apo fise të caktuara të ndërtonin xhami të reja me kursimet e tyre. Këto xhami më vonë do të mbanin simbolikisht emrat e fiseve, por që do të ishin gjithmonë dyerhapura për të gjithë besimtarët e tjerë. Kështu mund të përmendim Xhaminë e Llodozave në Koskë, të Sejkatëve në Filat, Xhaminë e Ali Çubit në Margëllëç etj.
Ky dekor historik , shpirtëror ishte po kaq vital që nga hapat e parë të jetës së secilit e deri në momentet e fundit të jetës. Më shumë se në çdo aspket tjetër ai do të shpërthente në folklorin popullor që tregon saktësisht forcën e madhe dhe masive të besimit në fenë islame në masat popullore të kësaj krahine.
Po të shikojmë një këngë tepër të veçantë në grupin e këngëve me ndikimin te besimi islam na bëjnë përshtypje tre vargje:
“ Sollopia Medine
Me treqind e ca hane
Dhe me treqind plorë dhe
Ky krahasim i këtij fshati me qytetin e shenjtë të Medinës në Arabinë Saudite ka lindur nga një gojëdhënë që flet për bujarinë e fshatarëve të tij. Një djalë nga Sollopia dhe një djalë turk bënin shërbimin ushtarak në një vend të largët . Miqësinë e tyre të madhe ata e çuan deri në vëllamëri. Që t’i dilte përpara halleve të pafund, një ditë sollopioti i dërgoi kartë turkut se “ në fshatin e tij kishte rënë një zi buke”. Me të marrë këtë letër turku i dërgon 500 mushka me grurë duke iu thënë kalorësve që t’i çonin në “ Sollopinë Medine”
***
Qëmtimi i ndikimit të besimit islam në vargjet e ninullave, të lojërave fëminore, të këngëve të dashurisë, të këngëve të dasmave, të vajeve të thekshme, të punës së përditshme, të dëshirës së sinqertë për mbarësinë e jetës së fëmijëve, të shëndetit të vetë prindërve, të prodhimeve të bollshme të të korrave e të mbjellave është një Antologji e vërtetë sa poetike aq edhe e lakmuar për studiues të fushave të ndryshme ku gjen gjithmonë diçka të re befasuese.
Këngët e trimërisë në pamje të parë nuk zënë ndonjë vend të madh në numër përbri këngëve lirike në këtë krahinë. Por ato nuk janë më pak të fuqishme në mesazhin që sjellin dhe në forcën artistike që përcjellin te lexuesi i të gjithë kohërave. Motivi atdhetar në këngët e tilla shkrihet aq harmonishëm me elementë fetarë të besimit tek Zoti. Është mesazhi i fuqishëm atdhetar i shqiptarëve se “pa fe nuk ka adhe“. Ky del si asnjëherë më i qartë dhe i plotë në këngën “Osman Pashë trimëria” të kënduar në Arpicë që ka edhe një fillim simbolik:
Allah, të biç (bësh) bejan
Ashtu si na ndodhi vakija
Ç’ish nglau në këtë zeman
Osman Pashë trimëria
Një ngjarje epike e ndodhur në kohën e rezistencës së kësaj popullsie kundër forcave të Ali Pashës që donte të pushtonte Çamërinë, na ka lënë një trashëgim të bukur folklorik. Xhafo Dhërmica nga fshati Dhërmicë i Gumenicës ishte një trim që s’e njihte vdekjen. Por pabesia e armiqve kaq e madhe sa atë vendosën që ta sulmonin kur ai falte namazin e suhurit. Edhe pse me rrobat e faljes, ai mori armën e filloi luftën. Kërkoi të çante rrethimin, pasi vrau shumë armiq, por nuk mundi dot:
Dërgon Ali Pashai
Të ziret Xhavo qerratai
Në Dhërmicë e bë berhai
Që n’suhur jaram në drekë
Luftoi Xhavua me brekë
Aq sa kishte fishëkë
Kënga poullore çame mori përsipër që të përjetësonte dhe kujtimin e vyer të klerikëve muslimanë të kësaj krahine që ishin jo vetëm udhëheqës të besimit shpirtëror të krahinës së tyre, por edhe luftëtarë të shquar të çështjes kombëtare . Të tillë mund të përmendim Hoxhë Memenë si quhej shkurt në kujtesën popullore Myftiu i Filatit Hoxhë Mehmet Zeqiraji, Dëshmor i Kombit që u vra nga grekët më 1941:
Ki Hoxhë Memeja
Qëlloi me dilbi
Ndëra e këtej ndëra
U bë Shqipëri.
Natyrisht në këtë thesar folklorik nuk mund të mungonte edhe kënga për dijetarin dhe teologun e shquar Hasan Tahsini. Me pak fjalë të kursyera populli bën portretin e tij:
Dijetar Hasan Tahsini
Në tufane çan shahini
Atdhetar, bir atdhetari
Sadrazemi, shehislami
Mendjendritur, zëmërtrimi
Kënga popullore bëhet edhe pjesë e dhimbjes së madhe që edhe këtu merr forcë te besimi tek Zoti. Pas masakrave të vitit 1945 që kishin një parapavijë të qartë të një lufte edhe me nuanca fetare kënga thotë:
Raçë në gjumë me pikëlli
Mos më keq, moj Perëndi
Pashë një ëndërr llahatari
Ose në një këngë tjetër që ka po këtë temë me një qartësi të madhe këngëtari popullor thotë:
Si na e bëri ne Greqia
E pa vetë Perëndia
Mbilli burrat në shtëpi
I theri si bagëdi
Optikës së folklorit nuk i shpëton edhe protesta ndaj vëllavrasjes që bëhej jo vetëm në planin atdhetar, por edhe si pjesë të besimit te Zoti që nuk lejon të krijosh hakmarrje në popullin tënd:
Ditën e Bajramit seç erdhën e të thanë
Nur babaselimi, nur të qofshim falë
………………………………………
Erdhën melaqetë e të prunë selamnë
T’u bë kabull lutja po bën teslim xhanë
Morali isalm në shumë këngë del i plotë në këngë të mirëfillta fetare. Mjafton të lexosh disa prej tyre e të shohësh jo vetëm këshillat e vyera të islamit por edhe aftësinë artistike që kishte populli për trajtimin e kësaj teme aq interesante. Në një këngë të kënduar në fshatin Galbaq të Filatit thuhet ndër të tjera:
Bënu hoxhë e vesh një gunë
Falu ditën pesë herë
Për nonjë mos fol rrerë
Se do vemi në atë jetë
N’atë jetë të vërtetë.
Sias zakoni të bukur të famljeve çame kur dilte gruaja në mëngjes dhe hapte derën e saj bënte lutjen e zakonshme që thuhet në këto vargje:
Bismilah rrahmani rrahim
Ditë e re kismet i ri
Hiftë fati në shtëpi.
Kjo këngë ose më saktë një ritual fetar ngjan me ajetin kuranor ku thuhet “Pasha këtë mëngjes!”
Nuk janë të pakta edhe këngët kur burrat ose gratë vendosen në veprime që tregojnë se ata janë besmtarë të devotshëm. Në një këngë- dialog të fëmijëve me hënën, ajo tregon se e ka parë babain e tyre “ duke marrë avdes me ibrik të argjendë në Prevezë”:
Hënë, hënë, kako hënë
As na pe babanë tënë?
-Në Prevezë e pashë prëmë
mirr avdes me brik t’argjendë
Edhe në yshtjet që bënin ndonjë herë gratë– nëna për fëmijët e tyre të sëmurë kërkohet gjithmonë ndihmë te Zoti. Një nënë nga Grikohori i Gumenicës kur fëmija i saj kishte këputur mish, recitonte këto vargje:
O zot i vërtetë
Xerre në selamet
Këtë rop që ka kput mish
Vënia mishin neku ish
I itat, i im atë
I it gjish
Vëria misht atje nek ish.
Në pamundësi për të patur libra të historisë islame vetë kënga merr misionin e madh edhe të njohjes së kësaj historie , të zbërthimit të shumë ajeteve e sureve me poezi:
Atë jetë është një urë
Kush të shkojë është burrë
Urdhëroi vetë xhelili
Korbanë bëri Ismaili
…………………..
Gjunahqarët i kërdisi
Brenda në xhehnm i vulisi( futi)
Besimtari çam nga Margëllëçi para së të vërë kokën në jastëk për gjumin e natës bashkë me faljen e tij këndon edhe këto vargje:
Zot i madh, të klofshim falë
Bëra nijet të kumbisem të fle
Bëra veqil milaqetë
Të më dijnë( ndihmojnë) këtë natë sonte
Në u difsha ishalla
Në s’u difsha embër allah
Brenda kësaj hapësire të gjërë shpirtërore që të jep besimi tek Zoti e profetët e dërguar prej tij, këngëtari popullor nuk harron të njësojë veten edhe si çam:
Lah, ilah e jarabi
Vetëhenë çam e di
Nanë e babë çam e di
Vëllezër e motra çamë e di
Gjithë arnautllëkun arnaut e di.
Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit që sjell edhe ditën e bekuar të Bajramit e ka nxitur këngëtarin popullor nga Vola që të këndojë me nderim:
Këto ditët e Remazanit
Jan t’afruarat e Bajramit
Kush agjëron kët Remazan
Isht i afruar për Bajram.
Ky gëzim na del po kaq i madh një këngë tjetër kur flitet për festën e bekuar të Bajramit. Edhe familja më e varfër në krahasim me të tjerat në fshatrat myslimane e mbushte atë ditë sofrën plot . Urimet përcillnin njëri-tjetrin e begatia mbushte pragjet:
Tepsia me bakllai
Për shumë mot Bajramin e ri
Bajramin ç’e kemi sot
Kutu kemi plaka plot.
Është pikërisht kjo festë që në një moment tjetër ka edhe trishtimin që të sjell kurbeti, vajtja nizam e burrave. Monologu i një gruaje që e respekton ditën e Bajramit, në të cilën ka prerë edhe një fustan të ri, shoqërohet me dhimbjen e saj që nuk e ka burrin pranë e të gëzojë familjarisht me të:
Ditën e Bajramit
Preva një fustan
Mjera u e mjera
Me çil do ta mbaj
Një burrë që kesha
Ma muarrë nizam
Më dërgoi një kartë
Më dërgoi selam
I marrça të keqen
Iu bëfsha kurban.
Po të shohësh me vemendje hyrjet e shumë këngëve, pavarësisht nga karakteri i tyre epik ose lirik ato fillojnë me ditën e xhuma ( të premten) që është një nga ditët më të shënuara për myslimanët. Në këngën “ M’u prêt këmbët , m’u pretë “, kënga nis kështu: M’u pretë këmë, m’u pretë / Atë ditën e xhumasë. Në këngën “ Të xhumanë në qindi” është po kjo hyrje ,veç me një ndryshim se është në fillim të këngës:
Të Xhumanë në qindi
Në Volë u bë një thjamë( fatkeqësi, mandatë)
Në këngën kushtuar vrasjes së patriotit Mulla Qemal Dautit kënga nis kështu
Të xhuma më të xhuma
Mulla Qemali u vra…..
Qetësia shpirtërore e myslimanit aq e pranishme në situata të vështira të jetës, kthehet në vargjet e këngës në një burim qetësie , në një forcë për kapërcimin e tyre:
Buza thotë:” S’ka të folë
As kur leni mos gëzoni
As kur vdisni, mos helmoni.
Hapni dyert xhenetit
Janë fekse( dritë) e llambadhë
Hapim dert e xhehenemit
Ishtë pisë e dhe skotarë
Fakti që morali islam është i shkrirë në masën më të plotë në këngën popullore çame, tregon atë përhapje të natyrshme , atë klimë masive besimi që ishte në secilën familje. Për ta bërë këtë moral të njohur edhe te më të rinjtë në to predikohet ndershmëria në luftë me ata që bëjnë gjynahe. Pranohet bota tjetër
(ahireti), për të cilin secili besimtar duhet të punojë që në këtë jetë. Predikohet dashuria për njëri-tjetrin, dashuria e respekti për fqinjin ( Gjitonin) dhe kritikohet veprimi i mynafikëve:
Në atë jetë që do vemi
Është gjarpëri sa demi
Ai njeri që s‘do njerinë
D’e djegin si qirinë
Jitoni që s’do jitonë
Me kran d’e përvëlojnë
Mynafik vatan mos pastë
Brenda varri mos e dhekstë.
Nëse do ta shikonim nga plani gjuhësor dhe artistik në këto këngë të bëjnë përshtypje detajet artistike që zgjedh poeti popullor. Kontraste mbresëlënëse pa rënë në një moral të thjeshtë ku jo rrallë bien këngë të tilla të krahinave të tjera.
Shkon ky urim e kjo frymë edhe në këngët e dasmës, sidomos në ditën kur në shtëpinë ku bëhet dasma vjen nusja:
Bismilahi, rrahmani rrahim
Elhamdu liledhine
Nimeti xhelil
Beriqeti halil
Allahu mezi
Sufra sahibi
Zoti të na fali
Të trashëgohet djali
Mbarësia e nuses që niset nga shtëpia e saj për të shkuar te shtëpia e dhëndërrit nuk mund të kuptohet pa bekimin e Zotit , ndaj dhe kënga e nënës, e shoqes , e motrës , e babait thotë:
Dolle , nuse dolle, me kokën mënjanë
Të përcolli nana të tha: “Udhë të mbarë!’
Kur më dolle derën , me paraponi
Kur më more udhën me bismilahi
Në kulmin e gëzimit të festës një dialog i nuses me dhëndërrin i mbushur me epitete nga më të bukurit i ngroh të dy shpirtërat. Përballë bukurisë së vashës dhëndërri pyet : “Vetullat përse t’u nxinë?/ sikur ke vënë mazinë?/Dhe vajza besimtare, por dhe shumë e zgjuar thotë thjesht: “ Jo, mor jo , për perëndnë / ma dha Zoti bukurinë.”
Një djalë tjetër dashuruar pas Refinanit mezi e prêt Bajramin se pas dy javësh të Ramazanit do të shkojë në dyqan për të prerë një fustan të ri për të:
Në di javë Remazan
E bukura Refinan
U do vete në duqan
Të pshonis një top indian
Që të presësh një fustan
Ta kesh lule për bajram
Gëzimi masiv i dasmës njësohet shumë herë me grumbullimin festiv të njerëzve në ditët e bajrameve , kur me rroba të reja, me urimet e pafund për njëri-tjertin në buzë dhe me falenderimet për Allahun e madhëruar formojnë një dekor të bukur njerëzor në fshatrat e Çamërisë. Për këtë në fshatin Kurtes këndohet kështu:
Bajram , e ç’ish sot
Kutu janë zonjat lot
Bij t’i sho e s’i sho dot
M’u mbushën sitë me lot
Kjo bëhet edhe kur këndohet duaja e bukës . Pasi hanë bukë, të gjithë pjesëtarët e sofrës këndojnë:
Zoti e shtoftë
Dhe e buroftë
Më shumë mo’ ka sot
Ose në një këngë tjetër që këndohej në Picar të Filatit thuhej : “Shtoje o zot, mbushe plot merrja agait/ jepja fukarait”
Vetëm besimi te zoti, te forca e tij e madhe mund ta bëjë edhe më të ndjerë këngën e dashurisë . Përballë një realiteti frymëzues. përpara portretit të vajzës së bukur që del e fshihet në dritare diku nën rrezet e bukura të hënës urimi “ të lëftë perëndia “ është më se i goditur për të shprehur atë gaz të brendshëm që i ka ardhur:
Del hëna ka mali
Llamburit shtëpia
Ja s’del në penxhere
Të lëftë Perëndia
Veç këngëve të tematikave të ndryshme që bartin të fuqishëm edhe sot e kësaj dite, edhe toponimet e shumë fshatrave lidhen me besimin te Zoti. Ato janë subjekte të fuqishëm që tregojnë një vitalitet të madh shpirtëror. Në fshatin Pleshavicë që është në afërsi të kufirit më Konispolin është një shpellë që quhet Shpella e Ujthit. Tregojnë për të një legjendë se si atje shkoi një grua për të lindur. Bëri një vrimë nga lart dhe lidhi tërkuzën . U lidh me të në hava që të lindëte kollaj Guri nën të u kthye në govatë që të lahej kur të lindtëte Por s’kishte ujë . Aherë ajo ngriti të dy duart përpjetë. I mbështeti ato në faqe të shpellës dhe iu lut Zotit: “ O zot , më jep ujë! Menjëherë lutja iu pranua. Atje ku ajo kishte vëvë duart, uji buroi më bollëk. Me vite të tjera më pas shumë njerëz besonin se këtu është vend i mirë dhe shkojnë të lahen me këtë ujë që ata e quajnë “ujë të mirë” dhe shpellës ia vunë emrin “ Shpella e Ujthit”.
Një gojëdhënë shumë origjinale është dhe ajo e lejlekëve që e kanë drejtimin e vajtjes së tyre në vendet e ngrohta të ku gjendet edhe Meka. Kërcëllitja e sqepave të tyre sipas besimtarëve të kësaj krahine duket si ezan ( thirrrje) dhe simbolika e vajtjes së tyre i ngjan asaj të haxhilerëve për në Mekë:
Haxhi lelek
Eja në xhami
Nëse do kati
Efendi me flutura
Edhe onomastika e emrave të njerëzve të kësaj krahine ishte në shumicën e rasteve me origjinë fetare . Kështu emrat Ibrahim, Ismalil, Fatime, Haxhi , Rexhep, Jasin, Ajet, Ali, Adem, Hava, Nuh, Mustafa, Muhamet, Kadri, Bajram, Kadrie, që kanë origjinë islame i gjen edhe sot e kësaj dite në çdo shtëpi të fshatrave të Çamërisë.
***
Përballë kësaj galerie të vërtetë shumëngjyrëshe me tinguj , figura të pasura letrare shumë origjinale, hapësirë, dritë të fortë besimi me shpresën te Zoti që gjthësesi edhe brenda kuadrit të një eseje të plotë, mbetet akoma i virgjër dhe jo i rrahur plotësisht , historia e re nuk e ka mpakur këtë besim te fëmijët , nipërit e stërnipërit e atyre burrave e grave të kësaj krahine me një histori të lavdishme në drejtim të përhapjes së fesë islame. Në të gjitha vitet e qëndrimit në Shqipëri ku është pjesa më e madhe e të dëbuarve nga trojet e tyre, por edhe në vendet e tjera ku jetojnë e punojnë , asnjëherë nuk e patën pengun e përcjelljes së besimit te brezat më të rinj. Por, për fat të keq, në trojet tona amtare në të 70 fshatrat prej nga u dëbuan dhe u masakruan me mijrëa njerëz të pafajshëm, objektet e kultit islam në Çamëri një nga një po zhduken . Natyrisht nuk bëhet fjalë për t’i ringritur dhe restauruar në gjendjen e mëparshme, nëse atje nuk do të skojnë banorët shekullorë të tyre. Jo, as që mund të mendohet një gjë e tillë . Sipas dokumenteve që janë të qarta shumë xhami po prishen duke gjetur një “ argument” të fortë të ndërtimit të objekteve publike , sidomos të ndërtimit të rrugëve, të ndërtesave të tjera publike , me qëllim që të dobësohet ai besim i madh i popullsisë së Çamërisë që ka qenë shenjë e jetës dhe e indentitetit tonë kombëtar.
Literatura
* Rrapaj.Fatos -“ Rënkimet e Çamërisë – Tianë , 1985
Shabani. Halil- “ Shalësi ynë në jug”- “Saranda” 1999
* Rrapaj Mero Fatos- “ Fjalori onomastik i Epirit” – Tiranë 1995
* Hoxha . Ibrahim- Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek” – Tiranë 2000
* Çështja came dhe integrimi europian” ( Konferencë shkencore)– Botim i Institutit të Studimeve për Çamërinë – Tiranë 2005“
* Hoxha . Ibrahim - “ Bilbila e thëllëza came” AITC Tiranë 2007
* Hoxha Ibrahim – Enciklopedia jugshqiptare” Tiranë 2006
Namik Selmani, mësues në shkollën e mesme pedagogjike e të gjuhëve të huaja në
Berat, më 10 shtator 2008
Telefoni 0692776828
Jetëshkrimi
NAMIK SELMANI
Datëlndja-18.11.1950
Vendlindja- Ninat ( Sarandë)
Gjrndja civile – I martuar me dy fëmijë
Adresa- Lagja “ 22 Tetori”, Pallati 80, apt.2, shkalla 2 Berat
Telefoni 00355 32 32051, 0692776828
Shkollimi
Më 1968 ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” – Elbasan
Më 1974 ka mbaruar Univerisitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori- Filologji, dega gjuhë –letërsi shqipe
Ka mbaruar kurse të ndryshme speciaizimi për regjisurë, kritikë letrare, etj
Përvoja profesionale
Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i letërsisë në shkolla të mesme kryesisht në ato të qytetit të Beratit
Ka punuar si mësues i jashtëm i lëndës së gjuhës shqipe në medresenë “Vexhi Buharaja“ të Beratit.
Aktualisht është mësues i gjuhës dhe letërsisë në shkollën e mesme pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja “ Kristo Isak” në Berat
Ka shkallën më të lartë të kualifikimit në lëndën që jep
Ka qenë për disa vite përgjegjës i punës metodike në bazë shkolle, kryetar i komisoni të letërsisë, pjesëmarrës aktiv i Sesioneve shkencore që janë organizuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Beratit
Botimet dhe veprimtari të tjera artistike
1970-1992 boton vazhdimisht në gazetat letrare të kohës si në gazetën “ Drita” , Nëntori” , “Ylli” etj si dhe dhe në organet për fëmijë si “ Fatosi”, “Pionieri” “ Horizonti” etj
1992-1996 është kryredaktor i gazetës lokale ( Dega e PR-Berat) “E vërteta”
1996-1997 punon për dy vjet si bashkëpunëtor i jashtëm i gazetës “Republika” – Tiranë
1980 Punon si libretist i disa veprimtarive të rëndësishme kulturore dhe letrare masive pranë Qendrës Kulturore Berat dhe me shkolla të mesme të Beratit
1975-2005 Me ndonjë interval të shkurtër mungese merr pjesë si autor i shumë teksteve të këngës në Festivale të Këngës për fëmijë në qytete të ndryshme
2000- Boton përmbledhjen e parë poetike “ Vatra e mallit”
2003 Boton me një tirazh të lartë përmbledhje me poezi “Zërat e brigjeve të mia”
2004, dhjetor boton përmbledhjen me proza “Dallëndyshet e Çamërië”
2005 Boton përmbledhje me poezi “Kroi i këngës çame”
1974-2005 boton mbi 500 shkrime të ndryshme publicistike në shtypin pedagogjik, në gazeta të tjera brenda e jasht vendit
1996- në vazhdim është Anëtar i rregullt i Shoqatës Ndërkombëtare të Fotografisë artistike “ VORLD PRESS PHOTO” me qendër në Amstredam të Holandës
2000-2005- merr pjesë në disa konkurse të fotografisë artistike në Tiranë, Berat e në qytete të tjerë
1998-2007 është redaktor i disa librave të disa autorëve të rinj e të tjerë kryesisht me poezi
2004 Është autor i albumit të parë fotografik me temën çame të titulluar “Çamëria rron”
2006 -Boton përmbledhjen me proza “Trokitje në Dodonë”
2006- Boton një libër për kulturën e të shkruarit dhe në ndihmë të Maturës Shtetërore për shkollën e mesme “Filizët e fjalës gjimnaziste “ (Në ndihmë të nxënësve dhe mësuesve të shkolave të mesme)
2000-2007
* Hap shumë ekspozita fotografike individuale me temën çame dhe atë të Beratit në qytete të tilla si në Prizren, Tetovë, Ankona dhe Fabriano (Itali) dhe në shumë qytete të Shqipërisë
2006- Boton monografinë “ Abaz Dojaka_- Mjeshtër i Kulturës Popullore”
2006 Boton përmbledhjen poetike të titulluar “ Fari çam”
2007- Boton përmbldhje me proza “ Kërkoj Monumentet” që është shpërndarë edhe në SHBA
2007- Boton një libër publicistiko-letrar “Rruga e një shkolle“ kushtuar përvojës së fituar në shkollën e mesme profesionale “Stiliano Bandilli” Berat në bashkëpunim me Fondacionin Zviceran “ SVISSCONTAKT”
2007- Boton një antologji personale me poezitë më të mira me temën çame të titulluar “SHPIRTI ÇAM”.
* Është Anëtar i Kryesisë së Lidhjes Shqiptare në Botë.
* Është Anëtar i Kryesisë së Shoqatës për Identiteitn e Bashkimin Kombëtar
*Që prej vitit 2004 është anëtar i rregullt i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
* Bashkëpunon aktualisht rregullisht me gazetat “ Ndryshe” , “55”, “Republika”, “Drita islame”, “Mati” (Burrel), “Dibra”, “Gazeta e Beratit”(Berat), etj dhe me revistat ;letrare kulturore periodike “Familja”, “Emathia”, “ Kuvendi” , “Krahu i shqiponjës”
Pjesëmarrës në Antologji kombëtare dhe ndërkombëtare
1968 Merr pjesë në Antologjinë poetike “Këngët e para” me poezitë më të mira të nxënësve të shkollave të mesme të vendit
2003-Bëhet pjesë e Antologjisë mbarëkombëtare me temën çame të titulluar “Eni vjen prej Çamërie”, të hartuar nga poeti Ali Podrimja e të botuar nga Shtëpia Botuese “ Arbëria“ ( Tiranë) dhe ‘ Buzuku “ (Prishtinë) me 34 poetët më të mirë të kombit që nga fillimet e poezisë shqiptare deri më sot.
2004 – Bëhet bashkëautor i përmbledhjes publicistike kushtuar Mustafa Gjinishit
2004- Bëhet pjesëmarrës i Antologjisë “Kolonel Zylyftari” me shkrime të ndryshme , kujtime, poezi kushtuar Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari
2004 -Është bashkëautor në përmbledhjen poetike “ Përtej detit- Oltre mare” të botuar në Ankona të Italisë nga disa shoqata emigrantësh shqiptare në këtë qytet dhe të financuara nga Ministria e Punëve Sociale të Italisë dhe të Këshillit të Evropës
2007- Është bashkëautor i përmbledhjes letrare me krijime të autorëve shqiptarë të të githa trevave shqipfolëse kushtuar qytetit të Ulqinit ( Mali i Zi)
2000-2007 Bashkëpunon me revista kulturore mbarëkombëtare si “ Krahu i shqiponjës” , “ Kuvendi”,( Tiranë), “Bota sot” ( Zvicër) etj, “ Vlera” ( Maqedoni)
2007- Është autor pjesëmarrës i përmbledhjes “Shtypi shqiptar dhe arvanitasi Aristidh Kola” me poezinë “ Arvanitasit Aristidh Kola”
* Është pjsëmarrës i Antologjisë “ Dritare fisnikërie “ i autorit Mevlud Buci botuar më 2007
Vlerësimet
1979- Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor merr Medaljen “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”
1986- Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e dekoron me titullin e lartë “ Mësues i dalluar” për kontributin e tij në shtypin pedagogjik
2003- Shpallet poeti më i mirë i qytetit të Beratit për vitin 2003
2003- Shpallet fitues i Konkursit Letrar Kombëtar organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në bashkëpunim me drejtorinë e kolegjeve turke “Turgut Ozal” me rastin e 10-vjetorit të hapjes së Kolegjve turke në Shqipëri
2003 – Shpallet Anëtar Nderi i Shoqatës “ C.I.S. Mirë se vini- Benvenuti” me qendër në Ankona –Itali
*Maj 2004- Bashkia e Beratit në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të këtij qyteti organizon veprimtarinë “Të jetosh me shpirtin e kulturës së një qyteti e të kombit” kushtuar veprave të tij letrare të botuara në vite.
*Mars 2007 Nës Qendrën Kulturore Berat nga Bashkia Berat organizohet veprimtaria kulturore me titull “Me katër librat e autorit Namik Selmani të botuar më 2007”
2007- Merr pjesë në veprimtarinë poetike me poetë të ndryshëm të botës të titulluar” Poeteka -2007
* Merr pjesë në Ekspozitën retspektive “Memorie” me 100 artistët pjesëmarrës të eskpozuar në Galerinë e Arteve “ Eduard Lear “ të Beratit në periudhën 50-vjeçare të funksionimit të saj 1957-2007