E diele, 16.05.2021, 06:35 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXIII)

E diele, 21.12.2008, 02:49 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXII

Në fund të majit, të gjithë të burgosunit u grumbulluen në oborrin e jashtëm. Para nesh kishim nji grup oficerësh të Sigurimit të Shtetit, dhe nji mjek me rrobën e bardhë. Ishte koha e punës. Frika e madhe nga puna e randë që përballojshim kësaj radhe nuk më pengoi të mirëpres largimin nga burgu i errët që më dukej si nji makinë mishngranëse. Aty, vetëm vdekja na priste. Në kamp kishim, të paktën, ajrin e diellin që na mbajshin gjallë. Atë ditë, drejtori na lajmëroi se largimi jonë prej burgut kësaj radhe ishte i përhershëm. Puna në kampe, do të vazhdonte edhe gjatë stinës së dimnit. U këshilluem me marrë të gjitha plaçkat, “leckat” e fjetjes, e “zhelet” e trupit. Nuk u trondita! Mbas tri vjet përvojë, isha forcue mjaft fizikisht e emocionalisht me përballue rrezikun. Ende i ri, kisha besim se do të mbijetojsha edhe pesë vjetë të tjera për plotësimin e dënimit, e dija e takimit me mjaft shokë të burgjeve të tjera, më tërhiqte. Natyrisht, isha njeni nga emnat e parë në listë. Mblodha “leckat” e mbetuna, u përshëndeta me shumë mall me disa prej shokëve pleq të burgut e të smurët që nuk do t’i shihsha përsëri, e dola në sheshin e oborrit, në pritje të kamionëve, e të nisjes. Çuditërisht, isha i qetë! Shqetësimi im, tashti ishte familja që për arsye të largësisë së kampit, nuk do të kishte mundësi me vizitue. Nana, e lirueme nga kampi, ishte plakë shumë e nga vuejtjet e papërshkrueshme, e shëndeti i saj, me frikësonte. Mbetej vetëm shpresa! Nga tregimet e rojeve kuptuem se do të punojshim në bonifikimin e fushave te Kavajës, Lushnjës e Fierit, në nji rrjet të gjatë e të gjanë kanalesh kulluese, mbledhëse e vaditëse. Ishte nji projekt që do të zgjaste disa vjet. Përsëri, të lidhun me zinxhirë e litarë në grupe gjashtë vetash, udhëtuem gjithë ditën deri në kampin e Kafarit. Zbritëm prej kamionit, u ndamë në brigada pune e u sistemuem në baraka të mbulueme me kashtë kënetë e llamarina të ndryshkuna. Në kamp, u takuem me shumë shokë të vjetër prej burgjeve tjera, e ashtu si ma parë u formue fryma e solidaritetit. Ishte dhurata ma e madhe mbas izolimit në burg. Puna filloi me ritëm të shpejtë e me normat e detyrueshme. Ushqimi ishte përsëri i dobët, trajtimi nga rojet i ashpër, e orë të gjata në punë. Por na u adaptuem pa vonesë, e në punën e kanalit ndihmojshim me plotësue normën, edhe shokët tonë ma të dobët. Për fat të keq, përpjestimi në mes të burgosunve “politikë” dhe atyne “ordinerë”, kishte ndryshue mjaft me rritjen e madhe të hajdutëve në kooperativat bujqësore e dyqanet e shtetit. “Të gjithë vjedhin”, rrëfeheshin disa prej tyne. “Nuk jetohet ndryshe. Pagesat janë shumë të ulta!” Nga bisedat me ata që vijshin në kamp çdo muej, kuptojshim gjendjen e jashtme të vendit. Përshkrimi i uniformitetit të jetës përjashta, dhe regjimentimi i plotë i veprimtarisë së tyne në qendrat e punës e jetës shoqnore, më bante përshtypje të madhe. Sikur “bota jashtë” nuk kishte shumë dallim prej jetës brenda në kampet e punës së detyrueshme. Ditët e muejt ndiqshin njeni-tjetrin pa dallim, me përjashtim të ndryshimit të stinëve, që tërhiqte vëmendjen tonë. Dimni kishte mjaft ditë pushimi. Data e mueji ishin nji luks për ata që shqetësoheshin. Të tjerët flejshin gjumin e randë të kafshës që punon gjithë ditën, e pushon natën në haur. Librat ishin shumë të paktë, gazetat nuk lejoheshin, e bisedimet tona ishin përsëritëse. Nuk kishte ma asnji dyshim se, truni jonë atrofizohej çdo ditë e ma shumë, e kurioziteti jonë intelektual, pësonte nji grusht të randë. Të lodhun, të uritun, të palame për mungesë uji, jetojshim në nji ambient ku hajdutë e kriminelë ishin gati me ushtrue profesionin e tyne në kurrizin tonë, “të politikanëve”, vetëm me fitue simpatinë e komandës së kampit, e mundësisht lirimin nga burgu, ku ktheheshin për të satën herë. Por në këtë atmosferë frikë e rreziku, grupet tona shtrënguen radhët e mbrojtën veten me guxim. U krijuen dy shoqni të ndryshme kundërshtarë. Komandantët e brigadave dhe informatorët e tyne ushqejshin mshehtas komandën e kampit, me “raporte” kundër nesh. Në disa raste, grupi jonë “merrte masa”, spiunët provokoheshin e rraheshin pa mëshirë. Nji akt i këtillë siguronte izolimin tonë në qeli gjatë natës, por mesazhi i dhanun ishte i qartë e ndalonte sulmet fizike kundër nesh. Kishte edhe “ordinerë” të tjerë që afroheshin me ne. Ishin “kulakët”, ose ata që nuk kishin plotësue “detyrimet”, ose ishin burgosë për faje të tjera që “pushteti” i krijonte simbas nevojës. Për këtë element, na ishim gjysëm heroj e nga ata gjejshim përkrahje në çdo pikëpamje. Nganjiherë, gjindej nji i ri qe, edhe në mes vuejtjesh gjente kohë me këndue lehtë kangët sentimentale të vjetëve djaloshare me nji patos që na prekte thellë e na kujtonte jetën e jashtme që, tashti dukej aq e largët, e jo reale. Zani i trishtuem i kangëtarit të ri shprehte formën ma të thellë që kishte marrë vuejtja jonë: ishte e bukura e shtypun pa mëshirë! Ai za bahej simbol i vuejtjes së pafund të njeriut krijues, të artistit në ballafaqim me pashpirtësinë e padronit-pushtet, që mbante dhunën si të vetmin mjet me zgjatë jetën e vet të pakuptim. I burgosuni që këndonte, më kujtonte temën e bilbilit ne nji legjendë mesjetare gjermane, ku tregohej se “pronari” verbonte zogun magjepsës që, në konkurs me të tjerët, të këndonte ma përmballshëm nga dhimbja e syve të përvluem! Ditët kalojshin pa asgja të re: punë në baltë, mungesë uji të pijshëm, ushqim i dobët, dënime pa bukë, të rrahuna pa arsye e izolime ne kabina teneqeje të ndryshkun për akuzën ma të vogël, ose për “qejfin” e autoritetit që kishte humbë çdo lidhje me arsyen, e me zemrën. Si të gjithë, edhe unë ngrihesha në mëngjes, merrsha gjellën, bollgur ose patate të zieme në ujë e krypë, hajsha për nevojë e pritsha gjysëm i fjetun urdhnin me u nisë për punë. Kanali Vjosë- Levan-Fier, na priste me gojë hapun!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora