E hene, 25.10.2021, 09:04 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Testamenti politik i Fan Nolit

E diele, 21.12.2008, 02:52 PM


Fan Noli
Nga Armand Plaka

Një incizim i vjetër, që daton pikërisht në 80-vjetorin e ditëlindjes së tij, pak kohë para se të vdiste, na rrëfen mendimet e idetë e Fan Nolit. Kontributi i vetë Nolit, Konicës, "Vatrës", "Diellit", trashëgimia që po u linte ai dhe miqtë e tij shqiptarëve, ndërsa bota po vuante krizën më të madhe të Luftës së Ftohtë në vitin 1962, komunizmi, zgjidhjet paqësore e gjithçka që përbën në vetvete testamentin e tij politik

Pavarësisht polemikave që dolën në pah, sidomos pas ardhjes së demokracisë, përpjekjeve për rishikimin e figurës së tij, (gjë e cila në vetvete nuk mbart asgjë të keqe), Fan Noli dhe vepra e tij njihen shumë mirë nga shqiptarët, brenda e jashtë vendit. Në fakt, shumëçka në këto përpjekje për rivlerësim të figurës së tij lidhen me rolin e tij "kontradiktor" në disa aspekte të kontributit të tij në çështjen kombëtare; por gjithsesi, nuk është arritur dot të zbehet vepra e tij madhore në shërbim të kombit që e nxori. Objekt i shkrimit të sotëm, në fakt, janë bërë dy audiokaseta që mbartin zërin origjinal të Nolit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij e njëkohësisht 50-vjetorit të themelimit të shoqërisë "Vatra", si dhe e një konference për shtyp, dhënë po prej tij (në anglisht). Materiali në fjalë ka qenë i panjohur më parë, derisa ra në dorën e një miku e admiruesi të tij të ngushtë, Vasil Qesari, i cili përpiqet t‘i bëjë edhe një koment objektiv përmbajtjes së këtyre dy audiokasetave.

Mbrëmë, deri nga orën 3 të mëngjesit, kam qenë në një gjendje shpirtërore pothuaj surrealiste. Kam ndenjur pranë Fan S. Nolit. Po, po, pranë vetë Hirësisë së Tij, Fan S. Nolit! Po si ndodhi vallë? Shoqja ime në SHBA, e mira dhe e sjellshmja Monda Moisiu, më bëri kohët e fundit një të papritur të veçantë. Më dërgoi dy audiokaseta, ku ishte regjistruar fjala e Fan S. Nolit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, 50-vjetorit të themelimit të "Vatrës", si edhe e një konferencë për shtyp, dhënë po prej tij, në anglisht. Regjistrimi i kësaj ceremonie, mbajtur në vitin 1962, është një dokument i panjohur deri tani, e nuk dihet se në ç‘rrethana e nga kush është bërë. Cilësia e tij është mjaft e pastër dhe e ruajtur deri në ditët tona nga atdhetari i njohur, 76-vjeçari shqiptaro-amerikan, i nderuari Thanas Laskaj. Pra, siç thashë, po dëgjoja zërin e Nolit në atë shirit të bekuar magnetik dhe, krahas emocioneve, shumë gjëra më befasuan. Së pari, ngaqë nuk më besohej se isha duke dëgjuar vërtet, për herë të parë në jetën time, zërin e tij. Sepse ka disa gjëra në jetë, të cilat njeriu i përfytyron përgjithmonë të humbura, të shuara, të pamundura për t‘u ringjallur e që, natyrisht, as që mendon kurrë se mund të ndodhë edhe e kundërta. Ka disa gjëra, të cilat konsiderohen e kujtohen si të ngrira në kohë (diçka e tillë e ngjashme na ndodh, bie fjala, kur shohim bustet apo monumentet e njerëzve të shquar, ndërkohë që ata hedhin atë vështrimin e tyre të ftohtë, të ngrirë, indiferent, të metaltë apo të mermertë e, nga ai vështrim kujtimi i vetëm që na mbetet është jehona e jetës së tyre). Shkurt muhabeti, është e pamundur që i vdekuri të ngrihet nga varri e të na fanepset para syve; por ja që mua atë natë m‘u ngjall e më doli përpara vetë Hirësia e Tij, Fan S. Noli!

Oratoria dhe zjarri i Nolit

Si atëherë, kur në një ditë marsi të vitit 1965 zemra e tij kishte pushuar së rrahuri larg, në dhé të huaj, e kur mësuesi ynë i letërsisë, në shenjë homazhi e zie na kish komentuar poezinë "Anës lumenjve"... Pra, isha kthyer prapa në kohë, pikërisht në vitin 1962, e po dëgjoja Nolin, tamam si të ndodhesha edhe unë aty, në atë sallë të madhe ku komuniteti shqiptar i Amerikës ishte mbledhur e kremtonte 80-vjetorin e tij të lindjes. Dëgjoja zërin e tij e mendoja: Si ishte e mundur që ai të ishte zëri i një njeriu aq të moshuar?! Sepse ishte zë energjik, kumbues, plot timbër, me shumë djalëri brenda; zë, i cili nuk ta jepte aspak përshtypjen e një 80-vjeçari. Me diksion prej aktori, herë i fortë e me tone të larta, herë i ulët e me tone të buta; me një të qeshur, e cila i dilte thellë nga shpirti, shoqëruar me një tingëllim të çiltër, të ngrohtë e, njëkohësisht, tepër fisnik. Nga frazeologjia e thjeshtësia e fjalës, nga mënyra e të rrëfyerit dhe e argumentimit të ideve, kuptova edhe një herë që ishte plotësisht e vërtetë se Noli i Madh, oratori i shquar, e kishte pasur forcën e fjalës pikërisht te thjeshtësia e saj, tek aftësia magjike për të komunikuar me çdo lloj dëgjuesi, pavarësisht nga shkalla e intelektit. E pastaj, humori i tij i hollë! Ai humor, gjithmonë popullor, i mbrujtur nga jeta, përvoja dhe ngjarjet e përjetuara nga vetë ai apo i dëgjuar e i treguar nga të tjerë. Humor që përbën ndofta një nga vetitë më pak të njohura të Nolit, për të cilin është shkruar shumë si akademik i Rilindjes e kulturës shqiptare, por fare pak për aspekte të tij intime. Pra, për NJERIUN. Për një njeri tepër modest, të thjeshtë e popullor.

"Vatra" e "Dielli": In gloriam!

Pas kalimit të emocioneve e dëgjimit "horizontal" me ngut e si i babëzitur të shiritave magnetikë, i thashë vetes t‘i dëgjoja edhe herë të tjera, për vetë faktin se regjistrimi ishte bërë në mënyrë të çrregullt, e kjo gjë e bënte të vështirë renditjen e tij kronologjike. Pra, iu vura punës "të zbardh" kasetat, idetë e komentet, fjalët e replikat, duke i hedhur ato shënim pas shënimi në letër. E duke e kryer këtë punë, vetja m‘u duk si një antropolog që, pas kërkimesh të shumta, arrin të gjejë një copë eshtër të lashtë e pastaj i vihet studimit e me laps në dorë nis të skicojë, së pari kafkën e pastaj gjithë skeletin e një qenieje njerëzore që ka jetuar mijëra vjet më parë. Që në fillim të fjalës (e cila, mesa dimë është edhe fjalimi i fundit publik që Noli ka mbajtur tre vjet para vdekjes, në mars të vitit 1965) të bën përshtypje fakti se, edhe pse ceremonia në fjalë qe organizuar për 80-vjetorin e lindjes së tij, ai i shmanget çdo lloj lëvdate e glorifikimi, duke u bërë jehonë vetëm ngjarjeve më të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare. Në fjalën e tij të gjatë, e cila për nga evokimet e porositë për të ardhmen e "Vatrës" i ngjan një testamenti, ai vlerëson së pari pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve në atë jubilè, i cili nuk qe vetëm i tij, por edhe i shumë ngjarjeve të tjera të shënuara historike. Noli e fillon fjalën e tij kështu: "Sivjet rastis që të kemi nja katër aniversarë të ndryshmë. Aniversari i parë është aniversari im. Aniversar tjatër është ai i kllasit të dymbëdhjetë (1912), kllas shumë i madh në Harvard University, me njerëz që janë bërë shumë të dëgjuar. Nuk do përmënd shumë emëra, po mund t‘u thom që i ati i Presidentit të sotëm (Xhon Kenedi-shënimi im) ishte një nga shokët e kllasit tonë... Tashi, nga një anë është një gjë e çuditëshme që të rroç tetëdhjetë vjet, aq sa kam rrojtur unë, se tamam tetëdhjetë jam tani. Nga një anë është trimëri, po nga ana tjatër është një mjerim. Një mjerim, i cili mund të përshkruhet shumë bukur me atë meselenë e Luigjit të 14-të të Francës. Ai qe një nga mbretërit më të dëgjuar po, në fundin e mbretërisë së tij pati shumë mjerime. Edhe disa nga luftërat e tij, në fund i humbi. Një herë, një nga ata gjeneralët që humbi luftën me të fundme, vajti që t‘i bëjë një raport dhe, i shkreti, s‘dinte si ta niste për të treguar mjerimin që pësoi ushtria frënge. Luigji i 14-të i tha: "Urdhëro thuaji, sado lajme të hidhura që të jenë, se në vërsën tonë s‘ka lajme të mira!". I treti aniversar është aniversari i "Vatrës", që është krijuar në qershor 1912. Aniversari tjatër është ai që do të na vijë më 28 Nëndor, pra aniversari i indipendencës shqiptare". Pastaj ai evokon e ngre lart rolin që luajti "Vatra" në historinë e shqiptarëve të Amerikës e të vetë Shqipërisë. "Vatra në qershor të vitit 1909 themeloi gazetën "Dielli", që jeton qysh prej 53 vjetësh. S‘ka asnjë gazetë tjatër shqiptare që të ketë një jetë kaq të gjatë". Para e gjatë Luftës së Parë Botërore, "Vatra" luajti rolin e një qeverie shqiptare në mërgim. Delegatët e mbrojtjes së çështjes shqiptare në Evropë, Konica e Turtulli, kur fati i ekzistencës së saj ishte në rrezik të madh, i mbajti "Vatra". E jo vetëm ata, por edhe përfaqësuesit e tjerë të kolonive shqiptare. Më 4 korrik 1918, ish-"Vatra", që e përfaqësoi Shqipërinë përpara Presidentit amerikan Uillson, duke fituar kështu një nga miqtë më të mëdhenj, i cili e shpëtoi atë nga copëtimi i armiqve.

Veprimtaria patriotike

Në Kongresin e Lushnjës "Vatra" s‘kish delegatë, por ç‘ngjau? Fryma e saj ishte atje. Ca nga njerëzit që zgjodhi ai kongres ishin njerëz të "Vatrës", përsëri. Kongresi i Lushnjës bëri një këshillë të regjencës dhe një nga pjesëtarët e tij qe doktor Turtulli, delegat i "Vatrës". Kur formuan kabinetin, ministri i Punëve të Jashtme ishte Mehmet Konica, përsëri delegat i "Vatrës". Pas Kongresit të Lushnjës ngjau lufta heroike për të dëbuar italianët nga Vlora. Fryma e "Vatrës" qe atje. Edhe kënga "Vlora, Vlora", sikundër e dini, është bërë nga një përfaqësonjës i "Vatrës", që e kemi këtu në mes tonë. Ja dini emërin, për ata që s‘e dinë do ta thom, profesor Thoma Naçi. Pasi u çlirua Vlora, u nisa edhe unë të veja në Shqipëri, diç të bënja atje dhe, me çfarë pasaportë shkova? A ka ndonjë njeri që e mban mënd këtu? Nuk besoj, veç nja dy a tre. Me pasaportë që ma ka dhënë Çekrezi, si përfaqësonjës i "Vatrës" në Uashington. Në Gjenevë, kur u pranua Shqipëria si pjesëtare e Lidhjes së Kombeve, më 17 të dhjetorit 1921, kryetari i dërgatës ishte përsëri një përfaqësonjës i "Vatrës". Besoj që e njihni! (Fan S. Noli-shënim im) Tashi, dy fjalë për ish-Kryeministrin e Shqipërisë që e keni këtu. (thotë me humor Noli) S‘është fjala që të lëvdohem për veten time, po dua t‘u thom këtë gjë: A ka shumë kombe, në të cilët shumica të jenë muhamedanë e të zgjedhën për kryeministër një prift të krishterë? Kjo më duket është lëvdata më e madhe që mund t‘u bëjmë shqipëtarëve. "Vatra", pastajza, ka bërë një punë të lavdëruar, duke botuar libra; libra tashi botohen shumë dhe kjo s‘ju duket ndonjë gjë me rëndësi, por librat që botoi "Vatra" ishin libra që botoheshin për herën e parë shqip. Këto janë ca nga shërbimet e "Vatrës" në kohën e shkuar. Shërbimet e "Vatrës" në kohën e tanishme mund të përmblidhen me fare pak fjalë. "Dielli" vazhdon e ndriçon opinionin publik të shqiptarëve, edhe u jep atyre një tribunë, ku të çfaqin e të këmbejnë mejtimet për punët e Shqipërisë. Edhe, mos e kujtoni se "Dielli" e "Vatra" e kanë jetën të shkurtër. Kemi ca miq, ca miq shumë të çmuar, dorëhapur, të cilët kanë bërë pllane që të sigurojnë përjetësinë e "Diellit", edhe të "Vatrës".

Thesari i historisë shqiptare

"Tashi, ç‘do të bëjë "Vatra" këtu e tutje?" - pyet Noli, duke vijuar më tej me nevojën e vlerësimit të veprës së personalitetit të shquar të Rilindjes, mikut të tij Faik Konica, e duke ia lënë amanet këtë punë intelektualit e publicistit të njohur Qamil Panariti. "A ka ndonjë punë për të bërë "Vatra"? Po, ka! Disa punë që mund të bëjë, do t‘ua numëroj. Vatra ka punë për të bërë në fushën e botimeve. Për shembëll, në Harvard kemi koleksionin e gazetës "Albania", të Faik Konicës, ndjesë pastë!" ("Albania" e nisi botimin më 1897 dhe u mbyll më 1909-shënimi im). Botimi i një përmbledhjeje të këtij koleksioni të çmuar do të kishte rëndësi të madhe, sepse, siç shprehet Noli, "Historia e Rilindjes shqiptare mund të gjëndet vetëm në "Albanian" e Faikut". Dhe më tej ai vazhdon: "Tjetër gjë që mund të bëjë "Vatra" është ribotimi i disa librave që sot s‘gjenden më, për shëmbëll, "Kalendari" i "Vatrës". Në qoftë se nuk mund të botohet i tërë, të botohet një përmbëledhje, një broshurë. Puna më e madhe që mund të bëjë tashi "Vatra" është të vëmë përsëri Qerimin (Panariti) e të na bënjë një përmbledhje të materialit, i cili ndodhet në koleksionin e "Diellit". Atje ka një thesar për historinë e Shqipërisë. Përpiquni që këto libra t‘i botoni, edhe i thoni Qerimit të mos shkojë në xhenet përpara se të mbaronjë këto libra. Kjo është këshilla ime!". Dhe është, ndërkohë, që përfundon ta quajmë "pjesën" e parë të fjalës së tij që Noli, në të vetmin rast të ligjëratës jubilare ngre tonet e zërit të tij dhe ankohet. Qarja në fjalë, sipas tij, bën pjesë në "temën e ditës". Por, edhe pse ai nuk i drejtohet kurrkujt direkt, nuk zë emra në gojë e nuk e vë dorën mbi "plagë", mendoj se kjo ankesë ka të bëjë ndofta me sulmet që atij i qenë bërë disa herë si drejtues i kishës ortodokse, si person apo si kryetar i "Vatrës", lidhur me të ashtuquajturin "kult" të lëvdatave apo me heshtjen që kish mbajtur ndaj disa çështjeve politike. Asokohe, në "Vatër" Noli kish edhe kundërshtarë e armiq e në fjalën e tij sqaron më poshtë shumë gjëra. Në radhë të parë, faktin që ai (për mendimin tim me plot të drejtë) e vë veten në radhët e rilindasve e jo në atë të politikanëve "modernë" të shqiptarëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora