Mendime
Ndue Dedaj: Vendi im që nuk është më
E hene, 08.08.2022, 07:55 PM
VENDI IM QË NUK ËSHTË MË
NGA
NDUE DEDAJ
Shpesh
lajmet me zjarret nuk thonë gjithë gjëmën që ka ndodhur në terren. U tha se
zjarri në Bukmirë (Mirditë) ishte i madh dhe po rrezikonte shtëpitë dhe
vreshtën e njohur, nga e cila prodhohet vera “Arbëri” nga më të mirat e vendit,
por nuk u tha se zjarri masiv përshkoi jo vetëm këtë fshat, por dhe dy fshatra
të tjerë, Shpërdhazën dhe Shëngjergjin. Tre fshatra të përzhitur nga flakët,
mijëra ha pyje lisi të shkrumbuara. Një hartë e tërë pyjore e zhbërë sa hap e
mbyll sytë. U shkatërrua njëherësh një nga habitatet e rritjes së thëllanzës,
lepurit, dhelprës, ujkut, derrit të egër etj. Toponime të zonës si Maja e
Lleshit të Zi, Përroi i Thatë, Shqopa e Oroshit etj. zor se do të jenë më pika
orientimi për njerëzit. Kurse turizmin harroje, turistët nuk vijnë të vizitojnë
shkretëtira...
Ndërkohë
zjarri vazhdon me shpejtësi të përpijë sipërfaqe të tjera!... Çka do të thotë
se alarmi është dhe më i fortë!...
Shkurt,
ne nuk e zotërtojmë më territorin fizikisht. Shteti nuk ka krijuar një regjim
mbrojtjeje të natyrës, florës dhe faunës, mjedisit, pyjeve, kullotave,
burimeve, vreshtave, ullishtave, shtëpive etj. Nuk kemi më e pakta vrojtues
zjarresh. Kem i patronazhistë sa të duash, derë për derë, që na “monitorojnë”
se për kë do të votojmë, por nuk kemi patronazhistë që të sinjalizojnë për
zjarret. Një xhandar në kohën e Zogut mjaftonte për të siguruar rendin dhe
qetësinë, kujtojnë të moshuarit. Edhe në regjimin e kaluar punëtori i Policisë
rrinte mes njerëzve në fshat, minierë, kooperativë, ishte i informuar për keqbërësit
e ndryshëm që dëmtonin pronën e përbashkët. Sot asgjë nga këto nuk ndodh më.
Nuk të zë syri askund ndonjë tabelë si dikur “Mbroni pyjet nga zjarri”. Vetëm
nëse vjen ndokush i huaj me ndonjë projekt që të na i shkruajë.
Është
dhe një hall tjetër i madh, ministrat në kohën e zjarreve janë me pushime në
det, brenda dhe jashtë vendit. Patë ndonjë ministër të shkojë në Bukmirë? As
njëqind kilometra nga Tirana. Jo. Edhe pse u dogjën tre fshtra, ku më shumë e
ku më pak. Po çfarë duhet të digjet më tepër që qeveria të zbresë në terren me
të gjitha mjetet!? Vërtet ka struktura shtetërore të posaçme si emergjencat
civile që merren me fatkeqësitë natyrore, të cilat bëjnë sa mundin, ndonjëherë
edhe duke sakrifikuar, po kur e keqja s’ndalet, atëherë shqetësimi duhet të
vërë në lëvizje dhe qeveritarët më të lartë, siç ndodhi vitin e kaluar me zjarret në Llogara e
Karaburun etj.
Nuk
mund të rrihet në shpresë të shiut, nëse do të mbarsën retë e do të bjerë shi
sot pasdite, nesër paradite apo pas një muaj.
Askush
nuk e dëshiron elegjinë e vendit të vet. Por ja që ajo qenka e pashmangshme në
këso rastesh. Tek sheh se si digjet
pylli, bari, gjethi, vetë stina e verës, të vjen ndërmend poezia e Martin
Camajt “Vendit tem”: “Kur të vdes, le të bahem bar / Në malet e mia në pranverë
/ Në vjeshtë do të bahem farë…”
Poezia
është përshpirtje dhe ka kumtin e saj, kurse ringjallja e natyrës pas
katastrofës së flakëve ngjan e pamundur, nga njerëz që nuk arrijnë dot ta
mbajnë në “jetë”gjelbërimin…
Mirditë, 8 gusht 2022
Foto:
SAIMIR KOLA