E shtune, 28.01.2023, 08:14 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Don Mark Bici

E hene, 16.05.2022, 06:16 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 27. Zamak i Flamurit…

DON MARK BICI

(1911 – 1946)

Asht fat i madh që me dosjet e të mbytunve e të zhdukun në hetuesi ose në Sigurimin e shtetit komunist asht marrë studjuesi Dr. Pjeter Pepa (2007) e, na ka lanë gjurmët e Tyne të pashlyeme pa të cilat sot nuk do të dinim asgja.

Don Mark Bici asht kenë me origjinë nga Mirdita. U le në vitin 1911. Mbasi kreu studimet në Seminarin Papnuer të Shkodres, dhe u lidh me Kishen Katolike në Universitetin Teologjik në Padova, tue u Shugurue meshtar në vitin 1936. Kthehet në Shqipni e u vendosë në Abatsinë e Mirditës në 1939.

Në vitin 1946 arrestohet nga rregjimi diktatorial i Ever Hoxhës. Ishte klerik i përgatitun dhe me bindje të brumosuna per me i sherbye Fesë e Atdheut.

Rregjimi komunist e masakron keq në hetuesi, gja që i solli pasoja të randa. Në Dosjen 868, të Arkivit Ministrisë së Mbrendshme të Tiranës, mbajtë me daten 18 Tetor 1946 (simbas studjuesit Dr. Pjeter Pepa), i mbajtun në zyret e seksionit të mbrendshem Mirditë, me të arrestuemin Don Mark Bici, i biri i Kolës dhe i Dilës (Nana e vdekun), i lemë në Kashnjet e banues në fshatin Kaçinar të Spaçit, me profesion Prift, famullitar i Qafë Bregut, që deponon: Jam arratisë dy herë duke ju ikun patrullave, sepse në Tetor të 1945, me ka ardhë në qelë Lleshi i Gjon Markagjonit, e i kam dhanë bukë. Jam arratisë se më erdhen në 1946 edhe tre t’ arratisun nga Spaçi: Dod Sakica, Preng Frisku dhe Preng Frrok Marku, të cilve u kam dhanë edhe këtyne bukë.

Para çlirimit nuk kam marrë pjesë n’ asnjë rrymë politike. Kam pasë njohje me majorin anglez Nill, i cili donte me dijtë per qendrimin e gjermanve.

Dij se xhakoni Ndue Gjoni nga Mnela, ishte me Ballin Kombtar. Kam pasë raste që kam takue edhe persona tjerë, sepse vijshin tek qela nevojat e tyne.

Me të pandehurin Dom Mark Bicaj asht marrë gjatë kohës së hetuesisë shefi i seksionit sigurimit të Mirditës Bardhok Biba, i njohun mirë nga kleri.

Ndersa në gjykaten ushtarake të Shkodres, dokumentacioni asht firmue nga prokurori i njohun, kapiteni kriminel Aranit Çela me 25 Tetor 1946.

Aty ka dhe një trup Gjykues të njohun: Kryetari Kap I Mustafa Iljazi, antarë Anastas Koroveshi dhe Zurdi Shehu, ndersa prokuror kapiten Aranit Çela.

Gjykata vendosi dënimin e të pandehurit Dom Mark Bici, me 15 vjet burgim, dhe me zbritjen e këtij dënimi me 5 vjet burg me punë të randa.

Në dukje të parë lexuesi formon pershtypjen se, aty me të vertetë gjyqi asht kenë zhvillue shumë i rregullt, me fakte të provueme nga hetuesia Mirditës.

Gjithshka sillet rreth datës 25 Tetor 1946 (??), tue u mbyllë po me këte datë pa asnjë të dhanë tjeter, ku nuk zehen me gojë as dishmitarë e as folës tjerë.

Per çudi nuk ka asnjë mendim nga hetuesi kriminel i sigurimit të Mirditës, Bardhok Biba, i cili “a ka mujtë me mbyllë dosjen pa shtue asnjë rresht?”.

Studimi i të këtilla Dosjeve ka vlerë të madhe, se don mjeshtri me e kuptue “ate që Dosja e sigurimit të shtetit komunist, ndrynë mbrenda vetes së saj” pa tregue faktin e vertetë të dhanjes së dënimit perfundimtar, si dhe të mos tregimit të së vertetës së zbritjes së sasisë së viteve nga 15 vjet në 5 vite, po me një shtesë gjoja me punë të randë.

Nga kjo Dosje del i kjartë perfundimi i trupi gjykues, i cili ndaj akuzave të bame ndaj Dom Mark Bicit, mbyllë dosjen pa asnjë fakt të dishmuem nga dy ose tre dishmitarë, po vetem një datë “25 Tetor 1946”. Ishte edhe idea se “Dosjet tona, asnjëherë nuk do të lexohen as shihen nga njerzit tjerë!”

Sigurisht, perfundimi i dënimit asht i kjartë per të gjithë ne lexuesit që nuk kemi nevojë me lexue ma shumë, ose të pakten në cilin kamp pune e patne dergue Dom Mark Bicin, per me vazhdue dënimin me “punë të randa”?!

Vetë këputja e Dosjes dhe mbyllja e saj pa asnjë shpjegim, tregon fundin e jetës në mënyrë barbare dhe kriminale të Klerikut Don Mark Bici, nga ato vuejtje që nuk pershkruhen asnjëherë, e kryesisht ato, që ka kalue per 47 vjet Kleri Katolik Shqiptar, Kleri ma i vujtun i gjithë Europës komuniste.

Mungesa e fotos edhe ajo ka domethanjen e vet! Torturat që ka kalue nder ata muej hetuesi, shumë fatzezë i kanë kthye në Portrete të panjohuna!

E shumë vetë mbas vuejtjeve të mnershme në duert’ e atyne kriminelave, nuk kanë njohtë as vetveten kur i ka ra rasa me kalue pranë një dritares.

E faktet janë aq të shumta sa, po të rreshtojmë emnat e Klerikve Katolik me mosha të reja tue fillue nga vitet e para të 1945, jam i sigurt se shumë lexues kanë me i quejtë “shpikje të mijat”, po e verteta asht ajo, që ka ngja nga duert e kriminelave që po t’ ju hapen vorrezat, edhe sot janë të pakalbun!

Duhet të pranojmë faktet! Veprat kriminale të hetuesisë sigurimit komunist janë edhe të padijtuna dhe të panjohuna as, nga Bijt’ e Atyne që kanë kalue torturat ma mizore që mujte me krye truni i smurë i hetuesve barbar.

E mos harroni se ASNJENI kriminel, nuk ka kerkue të falun per vdekjet e Atyne Fatzezve, që janë zhdukë pergjithmonë tue kenë edhe të Pafajshem!

Sot Ata viktima i kujtojmë me dhimbje, Ata vdiqën dhe u zhdukën nder disa gropa pa Shenjë tek koka. Dhe, kurr mos harroni se Ata Martirë janë sot: Zamakë të Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Melbourne, 7 Maji 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora