E enjte, 28.03.2024, 11:15 PM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: 80 vitet nga arrestimi i Norbert Joklit në pakthim

E merkure, 11.05.2022, 06:56 PM


80 VITE NGA ARRESTIMI I NORBERT JOKLIT  NË PAKTHIM

Përvjetor: Përkujtim i  themeluesit të Albanologjisë

Derisa me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë Jokli u nderua nga Mbreti Zog me dekoratën “Urdhëri i Skënderbeut“. Është koha e reflektimit tonë në vlerësimin ndaj atyre që albanologjinë e vunë në baza shkencore.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Shpeshherë në kohë takohen dy ekstremet, vlera dhe jovlera. Kështu ishte kur jetoi në Austri gjuhëtari i madh, Norber Jokli,  i cili shkëlqente me punën e tij shkencore dhe ishte sinonim vlere. Kjo vlerë shndritë akoma më shumë kur dihen rrethanat e formësimit të saj, i rrethuar nga nazizmi si pushtet dhe ideologji antinjerëzore. Kudo  përreth zotëronte acari i ngrirë dimëror nazist që vriste çdo aguliçe marsi në paralajmërimin e pranverës së domosdoshme. Ato mblidheshin një nga një sapo fillonin të hapnin  petalet në rrezet e diellit të shumëpritur.

Dhe, vrasja ishte mizore, pa gjyq e pa gjykatës. Përbindëshat me figura njeriu çirreshin rrugëve të Vjenës në gjuetinë e tyre makabre, ku muret e pallateve shekullore rrëqetheshin nën rënkimet e fëmijëve, pleqve, grave, të cilët nxirreshin me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Fati i bashkëkombëseve të tij e ndoqi edhe Norbert Joklin. Ai e dinte rrezikun që e përcillte, por nuk mundi të mos e ndante fatin me njerëzit e  gjakut t? tij. Rrezikun e kuptuan po ashtu shumë nga miqtë e dashamirët e tij, të cilët e paralajmëruan rrezikun. Gjergj Fishta do të kërkonte nga Jakomoni (përfaqësues nga qeveria pushtuese fashiste italiane) që Shqipëria të jetë e gatshme për strehim të  Joklit, hebreut, i cili themeloi studimet albanologjike. Ashtu vepruan edhe disa intelektual e veprimtar shqiptarë që e njihnin situatën dhe e ndjenin rrezikun që e kanoste Joklin.

Ernest Koliqi i shkruan konsullit shqiptar në Vjenë, Nikollë Rrotës, se duhet ndërmarr veprime që Joklit t’i mundësohet udhëtimi i menjëhershëm për në Shqipëri.  Lasgush Poradeci shtronte nevojën e sjelljes së Joklit nga Vjena në Shqipëri dhe vënien e tij në krye të Institutit Albanologjik që do themelohej në Tiranë. Të gjitha këto lëvizje bëheshin tani kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste.

Nga ana e tij, Jokli kërkonte mundësinë e udhëtimit për në Amerikë, ndërmarrje kjo jo e lehtë në atë kohë.

Para  tetëdhjetë vitesh, në mëngjesin e 4 marsit të vitit 1942, Jokli merret me forcë nga gestapoja në banesën e  tij në rrugën Neustiftgasse 67, Bashkia e 7-të e Vjenës.

Studiuesi, Mechthild Yvon, në botimin e tij me titull:  “Fati i albanologut Norbert Jockli dhe bibliotekës së tij “  mes tjerash shkruan: ,,Shumica e hulumtimeve të deritashme lidhur me fatin e albanologut vjenez Norbert Jokli dhe grabitja e bibliotekës private të tij nga nazist?t janë unik se: Rasti i Joklit është një shembull neveritës i brutalitetit nazist nga kolegët e tij specialistë nga UN- dhe reparti i bibliotekës, para se gjithash i Dekanit të Fakultetit Filozofik, Viktor Christian, i cili ndërmerr deportimin e Joklit në mars të vitit 1942, kur ai  vdes në Maly Trostinec, me çka e nxjerr para përgjegjësisë. Rrallë ndonjëri që e ka mbështetur.

Sipas ditarit të Paul Kretschmer, ish mësues i Joklit, indogermanist , i cili shkruan se Jokli është deportuar qysh në vitin 1941. Një intervenim i rrethit kolegjial do ta shpëtonte para transportimit për në asgjësim. Në vitin 1942 nuk ishte më tutje e mundur. Biblioteka, pronë e tij do të dërgohet në “rrethin shkencor”, duke u shkarkuar përfundimisht në Bibliotekën Kombëtare (Österreichische National Bibliothek), e cila qe nga ajo kohë gjendet aty”.

Disa fakte të reja lidhur me rrethanat dhe gjendjen e Joklit dhe përpjekjet e tij për t’u shpërngulur për në Shqipëri përmes Italisë bashkë me bibliotekën e pasur të tij si dhuratë për Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Sipas shënimeve  nga Kraft, “Jokli e kishte ndërmend që bibliotekën t’ia dhuronte  Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe ta merr përsipër t? drejtën e tij për të emigruar. Kështu, ai kërkoj leje nga Dekanati i Fakultetit Filozofik, mirëpo u denoncua tek Gestapoja nga rektori  i fakultetit, Viktor Christian. Këtë qëndrim e  përkrah edhe Evelyn. Megjithatë nuk mund të vërtetohet denoncimi sipas të dhënave të deritanishme, e njëjta vlen edhe për listën e deportimeve  nga Vjena në vitet 1941 dhe 1942. Sipas Kraft-it, Jokl u arrestua në vendbanimin e tij në Vjenë VII, Neustiftgasse 67 nga Gestapo dhe u deportua në piken grumbulluese në Vjenë II, ”Castellegasse”.  Pra, si shihet, nazistët nuk lenin shënime dokumentuese në veprimet e tyre. Ato bëheshin në formë perfide.

Norbert Kokli, u lind në Bzenec të Moravisë në Çeki, më 25 shkurt të vitit 1877. Rrjedh nga një familje tregtare hebre. Maturën e mbaron me sukses të shkëlqyeshëm në vendlindje, kurse studimet në Vjenë, së pari në drejtësi,  pastaj në shkencat gjuhësore dhe mësimet për bibliotekist. Punon në Bibliotekën Universitare të Vjenës deri në pensionimin e tij të detyrueshëm nga nacional-socialistët e ardhur në pushtet në vitin 1938. Publikimet dhe aktivitetet publike të Joklit do të kufizohen sipas Ligjit Racist të Nyrenbergut edhe pse kjo nuk u tha në mënyrë eksplicite lidhur me botimet e tij. Në këto rrethana Joklin për katër vite rresht e vizitonte nxënësi i tij, Georg Solta, i cili dëshironte të vazhdonte punën shkencore të mësuesit të tij. Në anën tjetër ai e furnizonte Joklin me libra nga biblioteka. Solta nuk kujton asnjë përkrahje nga kolegët e Joklit në gjendjen e krijuar.

Si studiues linguistik u morr me Indogermanistikë, Sllavistikë dhe Romanistikë. Pas mbarimit të studimeve të dyta nga gjuhësia ai mësoi si autodidakt gjuhën shqipe, një gjuhë e pa studiuar gati fare, me të cilën do merret tërë jetën e tij.  Ndoqi kursin e shqipes tek Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1913 emërohet si përgjegjës për ''Shkencat gjuhësore Indogermanistike me theks të veçantë për shqip, gjuhët baltike dhe sllave''. Krahas punëve në bibliotekë ai punon intenzivisht në gjuhësinë shqipe, duke arritur të bëjë emër si albanolog dhe sot konsiderohet si themelues i Albanologjisë. Me hulumtimet e tij gjuhësore ai konstaton, se gjuha shqipe bën pjesë në gjuhët indoevropiane.

Jokli mes tjerash u dallua në fushën e etimologjisë, marrëdhënieve të gjuhës shqipe me gjuhët tjera, fonetikën e zhvillimet në morfologjinë e fjalëve.  Vdekja e hershme nuk i mundësoi botimin e një vepre përmbledhëse të hulumtimeve të tij. Ai, megjithatë, botoi disa vëllime si “Sudien zur albanischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë, 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipës” dhe “Linguistisch¬kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen", Berlin- Lajpcig, 1923 ("Gjurmime gjuhësore, historikokulturore nga lëmi i shqipes".

Studimet e tij gjuhësore përfshinin gjithashtu marrëdhëniet e gjuhës shqipe me gjuhët tjera të lashta jo-greke të Ballkanit, me ilirishten, trakishten, duke e nxjerr tezën e tij të prejardhjes së shqipes si një sintezë e tezave ilire e trake. Jokli mbrojti me këmbëngulje autoktoninë e shqiptarëve, ku Dardania e lashtë vihet si djepi i parë i tyre. Ai e vlerëson lartë punën e rilindësve për pasurimin e gjuhës shqipe duke ndikuar në  vijueshmërinë mbi baza filologjike. Vendin e shqiptarëve - Shqipërinë, Jokli  e viziton tek në vitin 1937, duke e plotësuar dëshirën e  tij, ku pritet mirë duke u nderuar me “Urdhni i Skënderbeut”.  Jokli ishte i njohur edhe nga personalitetet e tjera të kulturës që vepronin në atë kohë në Vjenë, të cilëve u interesonin shqiptarët dhe kultura e tyre. Njëri nga ata ishte  paleontologu dhe albanologu i njohur Franc Nopcsa i cili i  la Joklit në trashëgimi punën e tij në studimet albanologjike në vitin 1933 pasi ai vrau sekretarin e tij Bajzit Elmaz Doda dhe veten pas një krize të rëndë psikike. Fotografitë e Nopcsas dhe Dodes nga rajone shqiptare të fillim viteve të shekullit njëzet ruhen si vlera në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në Vjenë.

Vepra e Joklit është padyshim një vlerë në shumë r?nd?si p?r gjuhësinë në përgjithësi dhe shqipen në veçanti. Ai ishte komunikues dhe mbante lidhje të ngushta me intelektual?t shqiptarë më në zë të kohës, si: Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Faik Konicën, Aleksandër Xhuvanin etj.

Shkenca shqiptare ashtu sikurse populli shqiptar përjetuan ringjallje por edhe katrahurën e robërisë dhe nazizmin shkatërrues komunist, i cili nuk la rrugë për vlerësim të njeriut, pra as të miqve të kombit shqiptar siç ishin albanologët nga hapësirat gjermanofolëse duke përfshirë këtu edhe Joklin.

Derisa me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë Jokli u nderua me dhënie çmimi, çfarë do bënim tani në këtë kohë kur kemi dy shtete shqiptare në përkujtimin e Joklit dhe miqve tjerë, a do duhej përkujtuar denjësisht. Është koha e reflektimit tonë në korrigjimet  në mësimet tona të atyre që albanologjinë e vunë në baza shkencore. Edhe këtu pseudoshkenca greko-sllave  tentuan ta varrosin kulturën, gjuhën e vendorëve në tokat e të cilëve kishin ardhur. Falë këtyre mendje ndritur u vu themeli i ringjalljes së një civilizimi të lashtë mijëra vjeçar duke u kurorëzuar me alfabetin shqip si paraprijës i lindjes së shtetit shqiptar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora