Kulturë
Myzafere Mustafa: Poezia për fëmijë e Anton Çettës
E enjte, 28.04.2022, 09:05 PM
Poezia për fëmijë e Anton Çettës
Nga Prof.
Dr. Myzafere Mustafa
Përmbajtje e shkurtër: Në
punim bëhet fjalë për poezitë për fëmijë të shkruara nga Anton Çetta, i cili
veprimtarinë e tij e kishte orientuar në mbledhjen, botimin dhe studimin e
krijimtarisë letrare gojore, por
gjithashtu në fillimet e punës se tij krahas mbledhjes së folklorit ka
shkruar poezi për fëmijë dhe është marrë edhe me përkthime nga frëngjishtja dhe
italishtja. Si rezultat i punës në mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore ka
botuar disa vëllime me prozë dhe poezi. Në vitin 2020 u botua kompleti i
veprimtarisë së tij në vëllime, si mbledhës i folklorit, studiues, poet për
fëmijë, dhe prijës i pajtimit të gjaqeve, në trembëdhjetë vëllime, botim i
Institutit Albanologjik i përgatitur në përkujdesjen e punonjësve shkencorë të
Degës së folklorit të këtij Instituti
dhe dy vajzave të tij Donikës dhe Agatës.
Në vëllimin e parë të këtij kompleti janë botuar vjershat
për fëmijë që profesor Antoni i kishte botuar për herë të parë në vitin 1955,
në një vëllim të titulluar “Në prehër të gjyshes”. Këto vjersha për
fëmijë i ka krijuar duke e pasur si frymëzim krijimtarinë letrare gojore e
sidomos përrallën, gojëdhënën, kallëzimin, anekdotën si dhe format e vogla të
krijimtarisë letrare gojore siç janë: gjëegjëza, enigma, fjalët e urta etj.
Profesor Antoni ka lënë në dorëshkrim edhe një tufë poezish për fëmijë, të
cilat i kishte titulluar “Vjeti
gazmuer”.
Përmbledhja “Në
prehër të gjyshes”është botuar dhe ribotuar disa herë, ndërsa poezitë e
vëllimit “Vjeti gazmuer” si tërësi botohen për herë të parë. Të parat,
duke qenë në qarkullim për një kohë të gjatë, janë mirëpritur nga lexuesit dhe
kanë bërë ndikimin e tyre, ndërsa këto të dytat nuk janë botuar si tërësi në
një vëllim të veçantë, me përjashtim të ndonjërës që ishte botuar në gazetat
apo revistat e kohës. Vjershat e
vëllimit “Në prehër të gjyshes” ndryshojnë nga tematika dhe subjekti i
trajtuar nga vjershat e lëna në dorëshkrim, prandaj edhe janë analizuar ndaras.
Fjalët kyçe: poezi
për fëmijë, letërsi gojore, përrallë, gojëdhënë.
Hyrje
Anton Çetta e njihte thellësisht letërsinë gojore, vlerat
letrare artistike, pasurinë gjuhësore, vlerat edukative dhe mesazhin që përçon
kjo krijimtari. Tematikën dhe motivet e poezive të librit “Në prehër të
gjyshes” i mori nga kjo krijimtari, duke e pasuruar sistemin e figuracionit
dhe duke e përsosur senzibilitetin poetik
të personazheve, të cilat janë më afër botës dhe mentalitetit të
fëmijës. Këto poezi lexohen lehtë dhe me kënaqësi, nxisin dhe zgjojnë
kërshërinë dhe ndikojnë në formimin estetik
dhe në pasurimin e botës emocionale të fëmijës. Falë vlerave letrare
artistike, përmbajtjesore, edukative, morale, etike, që janë të rëndësishme për
formimin e personalitetit të fëmijës, kjo përmbledhje me vjersha ka hyrë si
literaturë e obligueshme në programin shkollor të ciklit të ulët.
Para se të ndalem në analizën e poezive për fëmijë të
Anton Çettës shkurtimisht do ta bëj një rishikim të disa shkrimeve, kritikave
që janë shkruar me rastin e botimit apo ribotimit të tyre si dhe të disa
punimeve të studiuesve të letërsisë. Është me rëndësi të theksohet se kritikat
lidhur me këtë tufë vjershash janë shkruar në varësi të rrethanave politiko
shoqërore dhe në frymën e kritikës letrare që ka mbizotëruar në kohën e botimit
të tyre. Duke qenë se këto poezi u botuan dhjetë vite pas Luftës së Dytë
Botërore, më 1955 kur Kosova kishte mbetur nën sundimin e Jugosllavisë, e cila
i takonte shteteve të kampit socialist edhe letërsia e asaj kohe shkruhej në
frymën e realizmit socialist. Sipas realizmit socialist tradita e mëparshme
kombëtare dhe kulturore duhej të mohohej dhe çdo gjë duhej nisur nga fillimi
për të glorifikuar vlerat e “jetës së
re” socialiste.
Meqenëse, Anton Çetta tematikën e poezive për fëmijë e
kishte huazuar nga trashëgimia letrare gojore, kritika e parë e shkruar në
shtypin e kohës në vitin 1956, vëllimin e poezive nuk e kishte vlerësuar aq
pozitivisht. Një kritik, i cili ishte njohës i mirë i letërsisë, shkruante: “Në
shkollë dhe përgjithësisht në jetën e sodshme fëmijt hasin në ma shum të
vërteta jetësore dhe sod asht anakronike me dhanë vjersha me këso motivesh
anakronike”.
Ishte kjo një kritikë ideologjike në frymën e realizmit
socialist që i bëhej autorit dhe veprës së tij. Ai madje e kritikon autorin
edhe për titullin e librit. Megjithatë, duke qenë i vetëdijshëm për vlerat
letrare artistike, për tematikën dhe motivet universale, për gjuhën e pasur të
vjershave dhe për mesazhin që e përçojnë ato, përkundër vërejtjeve që u bën, ai
shkruan: “Sidoqoftë, libri i Anton Çettës ka mjaft anë pozitive sa me e marrë
si kontribut të çmueshëm të letërsisë sonë fëminore. Si të këtillë duhet me
theksue formën, vargun e rrjedhshëm, gjuhën e lehtë dhe të kuptueshme. Mandej
në këtë libër ka poezi me të vërtetë të bukur, urtësi të lehtë, t’ambël, me të
cilën duhet me mësue të vogjlit në formim, ka të vërteta artistike.”
Më 1964 ky libër me vjersha u ribotua nga ndërmarrja e
atëhershme botuese Rilindja. Për këtë ribotim një kritik i asaj kohe, shkruante
se autori i poezive e ka marrë subjektin nga përrallat dhe fabulat. Për të
nënvlerësuar këto poezi ai fillimisht nënvlerëson përrallën si krijim letrar.
Për përrallën shkruan: “S’do mend se rrëfimet fantastike të këtilla që janë
krijue në kohë të ndryshme të zhvillimit të shoqnisë njerëzore, sot kanë ma
shumë randësi historike se sa artistike e letrare. N’anën tjetër çdo vepër e krijueme ma vonë simbas klisheve të këtilla klasike na duket si diçka
e vonueme, si diçka që e ka shkelë koha...”.
Përkimet e krijimtarisë letrare të Anton Çettës me krijimtarinë letrare gojore,
kritikët e asaj kohe i konsideronin si anakronike dhe të pa vlefshme. Mirëpo,
vlen të theksohet se nga krijimtaria letrare gojore u frymëzuan krijues të
njohur të letërsisë botërore. Në letërsinë shqipe janë të njohur shumë
shkrimtarë dhe poetë të letërsisë së vjetër, letërsisë së Rilindjes shqiptare
dhe të letërsisë bashkëkohore që u frymëzuan nga letërsia gojore e sidomos nga
përralla dhe gojëdhëna. Disa nga romanet me famë të Ismail Kadaresë, janë të
frymëzuara nga gojëdhënat shqiptare. Shkrimtarët dhe poetët e kosovarë kanë
shkruar romane dhe poezi të bukura, të frymëzuara nga krijimtaria letrare
gojore.
Me tejkalimin e frymës së realizmit socialist ky libër me
poezi u vlerësua pozitivisht nga kritika letrare. Deri në vitin 1989, këto
poezi për fëmijë, u botuan shtatë herë. Në vitin 2004 përsëri u botuan nga Enti
i Mjeteve Mësimore të Kosovës dhe me 2010 u botuan nga botuesi Piramida. Në
parathënien e shkruar nga redaktori dhe kritiku letrar Shefqet Riza, ndër të
tjera thuhet: “Krijimet janë të frymëzuara nga krijimtaria jonë popullore. Si
njohës i mrekullueshëm i folklorit, A. Çetta krijimet për fëmijë i rrëfen nga
prehri i gjyshes(...). Këtu përfshihen gjithsej shtatë vjersha apo
poemtha(...). Vjershat e kësaj përmbledhjeje kanë vlerë edukative dhe letrare
për fëmijë. Në to trajtohen me anë të vargjeve të bukura tema e bashkimit, tema
e përtacisë dhe e punës, çështja e lakmisë(...). Secila nga këto shtatë vjersha
shton interesimin dhe kërshërinë e fëmijës për t’i lexuar. Thënë shkurt, ky
libër shënon një kontribut të çmueshëm
në fushën e letërsisë për fëmijë ”.
Në vitin 2001 Astrit Beshqemi në librin Historia e
letërsisë për fëmijë shkruan: “Ky libër me përralla në vargje i
Anton Çettës u drejtohet fëmijëve të grupmoshës së ulët shkollore. Përrallat që
përfshihen aty trajtojnë motive për kafshët dhe për njeriun. Edhe pse të
frymëzuara nga përrallat popullore, autori i ka ripunuar me kujdes ato. I ka
zhveshur nga folklori i vjetër barbarizmat dhe i ka pasuruar me elemente të
gjuhës artistike. Kësisoj ato na dalin krejt origjinale “.
Studiuesi i letërsisë shqipe Yrjet Berisha, për poezitë Në
prehër të gjyshes shkruan: “Brumi i këtyre krijimeve mbështetet në përralla
popullore, shkruar në formë medituese, që kanë motive shoqërore, filozofike,
etike, etosi etj.(...). Poeti nuk lë anash edhe një lloj nënteksti artistik që
estetët e quajnë lojë fjalësh ku në brendësi zbulohet bota komplekse
medituese e rrëfyer nga gjyshja e zhdërvjelltë(...)”.
Sipas studiuesit të letërsisë gojore Anton Berisha
“Krijimin e veprës Në prehër të
gjyshes mbi bazën e krijimtarisë
sonë letrare gojore e dëshmojnë jo vetëm tematika e motivika, ngjarje e objekte
të ndryshme të njohura nga kjo krijimtari, por edhe mënyra e shtjellimit të
krijimit letrar si strukturë gjuhësore
shprehëse, si metër e si ritmikë e vargjeve, pastaj përsëritjet dhe
formulësimet etj. (...). Idetë kryesore të krijimeve të veta poetike, Anton
Çetta i shqipton shpesh në formë përmbledhëse, që zakonisht marrin formën e
urtive popullore (...)”.
Simbolika, vlerat letrare artistike
dhe edukative, intertekstualiteti
Anton Çetta jo rastësisht vjershat e tij i titulloi “Në
prehër të gjyshes”. Prehri i gjyshes
është simbol i ngrohtësisë dhe dashurisë së gjyshes, përkatësisht nënës për
fëmijën. Qëllimi i poetit ishte që nëpërmjet këtyre vjershave ta përçojë
ngrohtësinë dhe dashurinë për fjalën e bukur të traditës letrare gojore, të
përçojë mesazh se vjershat e tij kanë lidhshmëri me krijimtarinë letrare
gojore, përkatësisht me përrallën, kallëzimin, anekdotën dhe me zhanret e
tjera, të cilën krijimtari gjyshet dhe nënat tona e kanë përcjellë nga një
gjeneratë në tjetrën deri në ditët e sotme. Këto krijime letrare fëmija i
dëgjon nga gjyshja apo prindërit në ngrohtësinë e prehrit. Prehri simbolizon
lidhjen emocionale të fëmijës me gjyshen, përkatësisht nënën, e cila me dashuri
dhe pasion e ka bartur dhe ruajtur traditën letrare gojore, ndërsa te fëmijët
ka kultivuar dashurinë dhe ndjesinë për artin letrar.
Vjershat “Në prehër të gjyshes“ cilësohen para së
gjithash me vlerat letrare artistike, me gjuhën e pasur dhe të zgjedhur, me
mjetet apo figurat stilistike, të cilat kanë rol në formimin estetik të
lexuesit, përkatësisht receptuesit të tyre, që letërsinë ta ndiejnë si
krijimtari të nivelit të ngritur artistik, si krijimtari që krijon kënaqësi
gjatë dhe pas leximit. Por duke qenë se këto poezi janë shkruar për fëmijë,
autori ka pasur parasysh edhe komponentë të tjerë që kanë rëndësi në formimin e
fëmijës e ata janë: komponenti edukativ, etik dhe moral, didaktik etj.
Vëllimi Në prehër të gjyshes përmban gjithsej
shtatë poezi apo vjersha më të gjata të shkruara në formë të rrëfimit në
vargje. Titujt e vjershave janë: Shtatë thuprat; Kush punon ha; Breshka;
Urithi; Ditët e plakave; Unë i ngirë miku i ngirë; E Vërteta del nga pusi.
Në këtë rast do t’i analizoj disa nga vjershat e kësaj përmbledhjeje të cilat
reprezentojnë vlerat e këtyre vjershave.
Subjekti i vjershës Ditët e plakave është
huazuar nga gojëdhëna popullore për muajin mars. Përmbajta shkurtër e
gojëdhënës është: Një plakë, i gëzohet pranverës para kohe. Ajo vendos të dalë
me dhi në bjeshkë, bashkë me burrin e saj, më herët se zakonisht, meqë ishte
nxehur moti. Në rrugë e sipër prishet moti. Plaka dhe plaku ngrijnë nga acari
bashkë me dhitë. Kjo ndodh sepse plaka sfidon natyrën me ngutinë dhe
mendjelehtësinë saj. Sipas kësaj gojëdhëne marsi i huazon tri ditë nga shkurti
e prish motin, shkakton ngricën dhe plaka bashkë me plakun dhe dhitë mbesin të
ngrirë në rrugë. Autori e njeh mirë strukturën e gojëdhënës, prandaj edhe e
mbindërton poezinë në frymën e saj. Në hyrje mjeshtërisht dhe me dell poetik
përdor kronotopinë e përrallës e pastaj
të gojëdhënës. Poezinë e fillon me formulë hyrëse:
Në kohë të lashta (siç tregojnë të
vjetrit) janë bërë ca ndryshime ndër muajt e vitit. At’herë më i shkurti ndër gjithë shokët
tjerë ish muaji i marsit i pari në pranverë.
Rrëfimin poetik e vazhdon në frymën e strukturës
rrëfimtare të kallëzimit gojor, me një varg me ritëm dinamik : N’një shtëpi
të vogël jetonin n’vetmi një plakë dhe një plak pa asnjë fëmijë. Pasuri e
tyre ishin disa dhi.
Në vjershë dominon rrëfimi në veten e tretë, që është
veçori e stilit narrativ epik i gërshetuar herë - herë me dialogun, i cili
rrëfimit i jep një dinamikë dndërsa teksti fiton dramaticitet. Poeti e vë në
funksion dialogun për të reflektuar gjendjen emocionale të dy personazheve të
kësaj vjershe, të plakës, e cila me mendjelehtësinë e saj nuk e vëren rrezikun
që u kanoset dhe gjendjen brengosëse
të plakut që e parandien rrezikun nga të
ftohtit: Paj çka t’ zinë ke Që rri zymtë o plak? Pse kaq fort mendohesh| E nuk flet aspak?
Pse je kaq i mrrolur, Fol,ç’të ka brengosur?(...........)
Pa rri urtë lum gruaja Mos me lodh
me fjalë! Ky udhëtim kaq heret Keq do të na dalë. N’fund të marsit, t’ ftohtit Krejt nuk është
larguar; Mund të kthehet bora dhe era e tërbuar.
Për ta shqiptuar mendjelehtësinë e plakës poeti e vë në
funksion figurën e personifikimit. Plaka i drejtohet marsit si një krijese të
gjallë duke e shpotitur atë me ironi fëmijërore:
Tërci, tërci Mars i v’shtirë Në
prill dola sh’ndosh e mirë. Shporru qafe, mars i mjerë! Tani jemi në pranverë.
Vjersha përçon mesazhin se nuk bën të ngutemi e të marrim
vendime para kohe dhe të nxitojmë pa pasur arsye, apo ta shpotisim dikë pa
nevojë, se pasojave nuk iu dihet dhe çdo veprim duhet të bëhet në kohën e duhur
pa qesëndisur e nënçmuar të tjerët. Poeti e përfundon vjershën: Kur ndoj pune ia synojmë duhet
mirë ta mendojmë. Mendjelehtas po t’veprojmë, Keq shpeshherë mund të
mbarojmë. Kjo përrallë ka një mësim Që është lehtë të mbahet mend-
S’ duhen folur me nxitim fjalë t’pamira
e pa vend.
Sikurse edhe në vjershën
Ditët e plakave, në poezinë Breshka poeti e ka
huazuar subjektin nga gojëdhëna, sipas së cilës pula ka pësuar metamorfozë dhe
është shndërruar në breshkë. Por shndërrimi, pra metamorfoza e saj ka një
histori, që korrespondon me një ves të keq njerëzor e ai ves është grykësia.
Gojëdhëna tregon se si kanë jetuar dy vëllezër së bashku duke çuar jetë të
lumtur. Por njëra nga gratë e tyre kishte prerë një pulë për ta ngrënë fshehtas
pa e ndarë me anëtarët e familjes. Rastis që burrat e shtëpisë, të kthehen në
shtëpi më herët. Gruaja e fsheh pulën në magje duke e mbuluar me një enë të
dheut të quajtur çanak. Kur shkon më vonë për ta marrë e sheh se pula ishte
shndërruar në breshkë.
Vjersha fillon me një tablo të kontaktit të parë të çupës
me breshkën, pastaj vazhdon dialogu në mes të çupës dhe gjyshes. Kureshtja e
vajzës bëhet shkas i vazhdimit të rrëfimit, përkatësisht shpjegimit të
historisë apo besimit lidhur me shndërrimin e pulës në breshkë. Vjersha është
shkruar në veten e tretë, përshkrimi bëhet me fjalor të zgjedhur poetik nga leksiku
i gjuhës popullore, vargjet tingëllojnë rrjedhshëm e bukur me një ritëm dinamik
dhe të natyrshëm dhe me +-rimë të tipit AB, AB. Vjersha e artikulon natyrshëm
gjendjen emocionale të vajzës, e cila e sheh për herë të parë breshkën:
Sa fort gjyshe| Jam frigua!| S’ish e
madhe –| Sa ‘i çanak,| Mbi shpinë kishte| një kapak; një rasë ashti kish nën bark. Rasë përfund,
Rrasë përmbi- Rrinte brenda Si n’ kuti.
Nëpërmjet këtyre vargjeve shpërfaqet kureshtja e fëmijës
për gjërat e panjohura, ndërsa përshkrimi i breshkës duket i ngjashëm me
strukturën e gjëegjëzës. Madhësia e breshkës krahasohet me çanakun, enë kjo e
dheut që është përdorur në kuzhinën shqiptare. Rrëfimi vazhdohet me përshkrimin
e mënyrës së jetesës të bashkësisë familjare patriarkale, të ndarjes e punëve
në mes të anëtarëve të familjes dhe të harmoninë familjare të idealizuar. Më
tutje rrëfehet historia e besimit popullor, siç e thotë gojëdhëna, për
shndërrimin e pulës në breshkë. Vjersha nëpërmjet një leksiku gjuhësor të pasur
e pajis fëmijën me informacion për bollëkun e ushqimeve, për bulmetrat e shumta
që gratë i kanë përgatitur nga qumështi etj.
Gratë e tyre bënin bashkë punët n’
shtëpi brendë e jashtë- ndërsa njëra rrinte n’ magje, bënte bukë dhe
pogaçe ziente gjellën, mjelte gjënë vlonte qum’shtin për ta zënë djathë e
kos, dhallë e hirë, gjalpë e mazë sa më mirë.
Nëpërmjet vargjeve të zgjedhura përçohet mesazhi lidhur
me pasojat që sjell grykësia në familje dhe në shoqëri. Vjersha mbyllet me një frazeologjizëm
popullore, se nusja “mbeti me gisht n’gojë”. Vjersha si tërësi përçon
mesazhin se grykësia shkakton dëme dhe
në fund të lë pa asgjë.
Mbeti nusja Pa e kërkuar Dësh’roi
vetë Ta shijojë, porse mbeti| me gisht n’gojë.
Poezia apo poemthi Urithi subjektin
e huazon nga gojëdhëna popullore, sipas së cilës rrëfehet etiologjia e urithit
apo transformimi (metamorfozimi) fatal i njeriut lakmitar në urith. Vjersha ka
një hyrje të bukur të përshkrimit të atmosferës së ndejave familjare pranë
vatrës, kur vëlla e motër bisedojnë në mes vete dhe kureshtja e tyre fëmijërore
i bën të interesohen për gjërat dhe dukuritë që ndodhin rreth tyre. Bardhi e
pyet motrën, a thua pse në pranverë çohet toka në disa vende. Që të dy
përgjigjen e kërkojnë nga gjyshja, e cila gjithmonë është e gatshme t’u japë
informacionin e duhur. Vjersha reflekton atmosferën e lumturisë familjare dhe
gëzimin e fëmijëve.
Drita e Bardhi, me t’madh shend, N”
prehër t’gjyshes shpejt zunë vend.
Gjyshja i merr në prehër fëmijët për t’u shpjeguar se
toka në pranverë çohet, meqë atë e dëmton një shtazë e quajtur urith, e dëmshme
për bujqësinë. Kureshtja e fëmijëve bëhet shkas që gjyshja t’ua rrëfejë
gojëdhënën për urithin. Ideja e vjershës
është që fëmijët jo vetëm të mësojnë për urithin si shtazë dëmtare, por të mësojnë të jenë njerëz të mirë dhe
pasurinë ta fitojnë me nder e jo duke ua marrë të tjerëve me dhunë e mashtrime.
Rrëfimi poetik nuk fillon me historinë apo ngjarjen e
metamorfozimit të njeriut lakmitar, por me prezantimin e familjes së dy
vëllezërve lakmitarë. Rrëfimi ngjason me stilin këngës epike. Familja e
lakmitarëve është e pasur dhe zotëron të gjitha të mirat:
Dy vëllezër motit rronin Me gjithë
t’mirat që dëshronin- Kishin toka edhe shtëpi| Kishin vreshta, bagëti, kishin
ara e livadh Një zabel e kishin t’madh
Edhe përmendeshin gjithkund Si shpi e pasur n’ katund.
Megjithatë, atyre nuk u mjafton pasuria e fituar me
mashtrime e grabitje:
“Por edhe pse ishin t’ pasur, s’e
ndienin veten të kënaqur” (......)
Kurrë këta të pamëshirë Me mall
t’huajin s’ishin ngirë.
Rrëfimi vazhdon me shqiptimin e tipareve negative të
këtyre personazheve, duke paralajmëruar edhe fatin e keq që i pret nga lakmia e
tepruar. Më tutje rrëfimi vazhdon për familjen e vogël dhe të varfër fqinje. I
zoti i shtëpisë e fitonte kafshatën e bukës me punë të ndershme, por fati e
kishte dashur që ai të vdiste duke e lënë gruan me një djalë të vogël. Vdekjen
e fshatarit poeti e trajton në stilin e baladës popullore:
Qau gruaja dhe fëmija për të qau miqësia.
Mbasandej, si e varruan, Gruaja me djalin shkuan
Të jetojnë te prind’t e saj, Se s’
kish tjetër kush t’ i mbajë.
Me vargje të zgjedhura, të ngjashme me vargjet e këngëve
popullore rrëfehet për dredhitë që i sajojnë dy vëllezërit e pasur për ta marrë
pasurinë e fqinjit.
Sipas gojëdhënës popullore kontesti lidhet me megjën e
fqinjit. Dy vëllezërit lakmitarë merren vesh ta hapin një gropë në megjën e
fqinjit dhe të hyjë njëri nga ata në të e pastaj t’i thërrasin pleqtë e në
prani të tyre ta pyesin tokën se e kujt është. Ashtu edhe veprojnë. Në prani të
pleqve e pyesin tokën e kujt është toka, lakmitari përgjigjet se është e tij.
Kur shkon vëllai për ta nxjerrë vëllanë nga gropa e sheh se ai ishte bërë
urith, ndërsa ky shndërrohet në qokth. Gojëdhëna përfundon këtu.
Poeti e zgjeron dhe modifikon gojëdhënën me elemente të
realitetit jetësor, për t’ia përshtatur botës emocionale të fëmijëve, me qëllim
që ata të mos mbeten të zhgënjyer pas përfundimit të vjershës. Sipas poetit,
vëllezërit lakmitarë e shfrytëzojnë për një kohë gjatë tokën e fqinjit, i cili
kishte vdekur i ri, duke i gënjyer fshatarët se e kanë blerë nga ai. Kur rritet
djali i fshatarit, shkon në fshat për ta kërkuar pasurinë e babait të vet, të
cilën e shfrytëzonin fqinjët lakmitarë. Ai kërkon nga kryeplaku i fshatit që
t’i kthehet toka e uzurpuar. Vëllezërit lakmitarë vendosin që njëri vëlla të futet në tokë, për t’i
mashtruar pleqtë. Kur shkojnë pleqtë ta pyesin tokën, ajo nuk përgjigjet, nuk
flet. Lakmitari shndërrohet në urith, vëllai tjetër vdes nga mërzia, ndërsa
djali i pronarit e merr tokën e vet.
Mesazhi i kësaj poezie
është të mos teprohet me lakmi se lakmia e tepërt sjell fatkeqësi, ndërsa drejtësia mund të
vijë, qoftë edhe vonë. Pronarit i kthehet pasuria, pas një kohe bukur të gjatë.
Vjersha ka përfundimin sikurse të përrallës, ku pas shumë peripecive heroi del
triumfues dhe shpërblehet, ndërsa kundërshtarët keqbërës dënohen. Në përrallë
keqbërësit zakonisht dënohen nga njeriu, përkatësisht mbreti, ndërsa në
gojëdhënë dënohen nga Zoti. Vjersha
përfundon me komentin që i bëhet
veseve të këqija të lakmitarit dhe fundit të keq që e pret atë:
Gjyshja përrallën e mbaroi mandej
këto fjalë i shtoi “Kurrë nuk ngihet lakmitari, sa më shumë gjithnjë
dësh’ron; për të gjëja, malli, ari janë idhujt që adhuron. Kur lakmia s’e lë
t’qetë, T’huajën, lakmon ta ketë; Gropën tjerëve ua bën, Por në të sharron ai vetë.
Subjekti i vjershës “Kush punon ha”
ngjason me kallëzimin gojor me të
njëjtin titull. Në kallëzim trajtohet përtacia dhe pasojat e saj. Sipas kallëzimit gojor një vajzë kishte
arritur në moshë të pjekur pa u martuar, për arsye se ishte përtace. Rastis të
vijë një mik i babait të saj për ta kërkuar për nuse për të birin. Babai i saj
i tregon se e bija ishte përtace. Miku i thotë t’ia lërë atij këtë punë, se ajo
do të bëhet punëtore. Martohet vajza, në ditët e para punon fare pak. Aq sa
punonte aq edhe ia ndante bukën i zoti i shtëpisë. Nusja e pa që nuk mund të
hajë pa punuar dhe u bë e vyeshme. Një ditë, kur babai shkon ta vizitojë ajo i
del përpara dhe i thotë t’i marrë ca drurë për t’i bartur se nuk do t’i japin
bukë pa punuar.
Vjersha ka një hyrje me strukturë të modifikuar të
kallëzimit gojor, por edhe të këngëve popullore epike. Hyrja paraqet një tablo
të jetës reale të një familjeje me dy djem dhe një vajzë. Duket se familja
ishte e lumtur, sepse i ati kishte arritur t’i martojë të dy djemtë, por
lumturinë e prishte vonesa e martesës së vajzës përtace. Në hyrje
marrim informacion për familjen, por jo për kohën dhe vendin, sepse
ngjarja mund të ndodhë në çdo vend e në çdo kohë, ashtu si në kallëzimin
popullor apo në përrallë, prandaj edhe autori nuk e përcakton kohën dhe vendin
ku zhvillohet veprimi.
Jetonte njëherë, (i dashur prej
t’gjithve) Një fshatar i urtë Baba i tre fëmijëve. I kishte martuar dy djem
si luana me dy nuse t’ reja t’ bukura si zana. Porse çka, e bija, n’ derë i
kishte mbetur, se kish një ves t’ keq- të punojë nuk donte, ndonëse
e shëndoshë dhe gjë se pengonte.
Për të bërë përshkrimin e djemve dhe të nuseve poeti e vë
në funksion figurën e krahasimit, nëpërmjet të cilës cilësohen personazhet e vjershës. Djemtë janë të bukur
e të shkathtë si dy luana, ndërsa nuset të bukura e skofiare si zana,
figurë kjo shumë njohur e mitologjisë shqiptare, e cila i ndihmonte trimat e këngëve kreshnike, por
edhe i ndëshkonte kur nuk i përfillnin rregullat e sjelljes të përcaktuara nga
ajo.
Pakënaqësinë e familjes me gjendjen e vajzës përtace të
pamartuar poeti e trajton me një varg metaforik nga frazeologjia popullore: “N’
derë i kishte mbetur”,vajza. Rrëfimi vazhdon duke paraqitur
përpjekjet e kota të nënës për ta edukuar vajzën si dhe brengën e babait për
vajzën kryeneçe me at ves të keq përtacie. Poeti e zgjat rrëfimin me vargje të
bukura e të rimuara, për të dhënë një pasqyrë të pakënaqësisë të krijuar në
familje. Këtë gjendje e ndryshon ardhja e një mysafiri. Gjithnjë në stilin e
kallëzimit popullor, në vargjet që pasojnë, poeti e prezanton mikpritjen
shqiptare, të njohur dhe shumë të çmuar në traditën tonë.
Por, një ditë prej ditësh erdh n’at
fshat një plak,| te babai i çupës, si mik i
ra n’ konak. Ishin shokë të
vjetër| Nga mosha e rinisë. Kjo vizitë e g’zoi fort t’zotin e shtëpisë,
Prandaj u mundua Mikut t’ i bëj nderë- Qengjin më të mirë, Për darkë shkoi
ta therë.
Rrëfimi vazhdon me bisedën në mes mikut dhe të zotit të
shtëpisë. Miku i tregon atij se kishte ardhur t’ia kërkojë të bijën për ta
fejuar për djalin e vet. I zoti i
shtëpisë i tregon mikut për vesin e keq të përtacisë që kishte vajza. Vargjet
reflektojnë sinqeritetin dhe brengën e të zotit të shtëpisë. Ai nuk do ta
mashtrojë mikun, pavarësisht se kishte dëshirë ta martonte të bijën. Më tutje,
vargjet sugjerojnë se sinqeriteti duhet të mbizotërojë mbi interesin personal.
Poeti synon që këto vargje poetike të shërbejnë si mësim jetësor për fëmijët,
se e vërteta gjithmonë duhet të thuhet troç, pa u hamendur, në të kundërtën
pasojat do të vijnë më vonë.
Më mirë e vërteta I duhej treguar,
Se më vonë me mikun T’ mbetej i turp’ruar.
I befasuar me sinqeritetin dhe burrërinë e babait të
vajzës, miku i thotë:
“Prore faqebardhë o mik qofsh në
jetë! Je treguar burrë Dhe mik i sinqertë.
Rrëfimi vazhdon në veten e tretë me pasqyrimin e fejesës
dhe të martesës së vajzës. Pas përfundimit të dasmës, i zoti i shtëpisë vendos
që nuses mos t’ia imponojë punën. Ai i sugjeron gruas dhe djalit ta lënë nusen
të lirë, që ajo vetë të vendosë se si do
të veprojë:
Të shihnin njëherë Reja ç’ do t’
vepronte- do t’ rrinte duarkryq Apo do t’ punonte.
Sikurse edhe në vjershat e tjera edhe në këtë vjershë
shohim rrjedhën e jetës familjare ku secili anëtar jep kontributin e vet.
Nëna tha se heret kishte mjelur
gjënë kishte pjekur bukët, bulmet kishte zënë. Dy djemtë e mëdhenj kishin
lëvruar arën dhe pas tyre, i treti, kishte hedhur farën. Reja e parë
oborrin e kishte pastruar, kurse reja e dytë drunj kishte shkurtuar. Kjo
nusja e re sall kishte ndrequr shtratin dhomën e kish fshirë dhe gjer
n’gjysmë hajatin.
Atë ditë vjehrri i
ndan nuses fare pak ushqim, sepse kontributi i saj ishte i vogël. Të nesërmen
nusja e hidhëruar nuk punon fare, vjehrri përsëri i ndan edhe më pak ushqim.
Nga zemrimi,nusja S’ fjeti as një
orë. Për inat, t’ nesërmen, S’preku punë me dorë. E, këtë herë, dhe plaku,
darka kur ia mb’rrini, Inat për
inat, si dha as gjeth purrini.
Hidhërimi nuk do t’ i zgjatë shumë nuses, ajo detyrohet
t’i përvishet punës:
Përtacja e dikurshme e kuptoi më në
fund, se asgjë në jetë s’ fitohet pa mund. Më nga ajo ditë, Të punojë s’
përtonte, Prandaj në familje Secili e
donte.
Vjersha ka përfundim të lumtur, sepse tematika e saj
është e frymëzuar nga kallëzimi popullor. Krijimet e këtij zhanri, zakonisht
kanë përfundim të lumtur. Në kallëzime personazhet mund të kenë vese të këqija
apo mund të bëjnë veprime të gabuara, por veprimet e këqija apo gabimet mund të
përmirësohen, derisa në gojëdhënë gabimet e personazheve sjellin pasoja fatale.
Poeti e zgjodhi këtë tematikë për t’u sugjeruar fëmijëve se veset e këqija mund
dhe duhet të eliminohen. Vjersha përçon mesazhin se veset e këqija sjellin
pasoja, ndërsa eliminimi i tyre ndikon në lumturinë e individit dhe të
familjes.
***
Vjershat e vëllimit
Vjeti gazmuer, të cilat Anton Çetta i ka lënë në dorëshkrim,
duket se disa nga ato i ka botuar në revistat e gjysmës së dytë të shekullit
njëzetë, mirëpo nuk e ka parë të arsyeshme t’i botojë në një vëllim të veçantë.
Këtë e konstatojmë sepse dy nga poezitë e këtij dorëshkrimi i gjejmë të botuara
në librin Antologji e poezisë shqipe për fëmijë, përgatitur nga poeti i
mirënjohur i poezisë për fëmijë dhe
studiuesi i letërsisë Agim Deva, të botuar në vitin 1978. Në këtë antologji
kanë hyrë poezitë Bora e parë dhe Marsi, të cilat janë të
shkruara në gegërisht.
Vëllimi përmban shtatëmbëdhjetë vjersha. Për dallim nga
poezitë e librit Në prehër të gjyshes, poezitë e vëllimit Vjeti
gazmuer janë të frymëzuara nga jeta e përditshme e fëmijëve, nga jeta e
rëndomtë në përgjithësi, nga dukuritë natyrore, loja e fëmijëve etj. Këtë e
shohim nga titujt e vjershave dhe nga subjekti i trajtuar. Vjershat kryesisht u
kushtohen stinëve të vitit, sidomos dimrit dhe borës, dordolecit, lojërave të
fëmijëve gjatë stinës së dimrit, muajve të vitit, gjërave dhe objekteve të
ndryshme etj.
Gjatë përshkrimit të lojës dhe veprimeve së fëmijëve,
dominon toni optimist. Vjersha Bora e Parë karakterizohet me
përshkrimin e bukur të natyrës gjatë rënies së borës së parë. Në vjershë
hetohet kontrasti në mes të natyrës së qetë dhe dinamizmit të fëmijëve. Natyra
përshkruhet e qetë dhe e bardhë në çdo anë, në përshkrimin e natyrës edhe vargu
i vjershës ka një ritëm të qetë:
Bie bora flokë- flokë Në Qetësi
Mbi pullaze dhe në tokë Pa u ndi.
Veprimet e fëmijëve janë plot gjallëri dhe ritmi i vargut
është më dinamik:
Oh! Sa t’gëzueshëm f’mija ngasin Me
shpejti; Përmbi bor’ me sajna rrshasin O me ski. Disa tjerë me topa bore Po
luftojnë.
Vjersha përfundon me një këshillë humane për fëmijët, që
t’i ndihmojnë zogjtë me ushqim, meqë gjatë dimrit hasin në vështirësi:
Gjithë fëmijt janë të gëzim shënd e
verë. Vetëm zogjtë janë të trishtuem E të mjerë Pse ushqimin për ta gjetë
Hjekin v’shtirë T’i ndihmojmë pra zogjtë e shkretë O fmijë t’mirë!
Në vjershën Loja me topa bore me fjalor të
zgjedhur poetik paraqitet loja e fëmijëve, e organizuar si një “luftë” në mes
dy grupeve kundërshtare. Vjersha sugjeron se për të arritur qëllimin duhet të
bëhet organizimi i mirë. Ka një
simbolikë në këtë vjershë, kur thuhet:
Bardhyli bërtitte ”Mbrojeni
kufinin Mos me lshue truellin Kemi ba betimin”.(...) pastaj Rrept me topa bore Rrijshin t’u përleshë,
Thue se trima t’çartun n’mejdan jan’ t’u ndeshë.
Këto vargje na kujtojnë këngët epike të trimërisë kur
trimat betoheshin për mbrojtjen e atdheut, ndërsa heronjtë e këngës
karakterizohen me epitetin trim i çartun.
Vjersha Zogjtë në dimën është shkruar me
frymë dhe ndjenja lirike. Vargjet e para fillojnë në formë pyetëse dhe
brengosëse për zogjtë që s’po duken në natyrë, nëpër lisa e nëpër ara: Ku
janë zogjtë që nuk po shihen Grumbuj si përpara? Kangt e tyne pse s’po
ndihen Nëpër pyje e nëpër ara?
Përgjigjja është se:
Por tash dimni asht ndër ne Era e
bora s’dijnë m’u ndalë Çdo zog strukun në fole Jashtë në t’ftoftë s’guxon me
dalë.
Vazhdon rrëfimi lirik për zogjtë dhe jetën e tyre që e
kalojnë të strukur në fole, ndërsa kur dalin të kërkojnë ushqim atë e gjejnë me
vështirësi. Prandaj edhe këshilla e urtë e poetit për fëmijët sikurse edhe në
vjershën Bora e parë:
T’u ndihmojm’ pra pa kursim Tash në
dimën zogjve t’mjerë. Kang’t e tyne me t’madh g’zim Do t’i ndëgjojm’ n’ pranverë.
Është kjo një këshillë e thënë me fjalor të zgjedhur.
Fëmijëve u sugjerohet që t’i duan zogjtë, dashurinë e tyre ta shprehin duke i
ushqyer ata, ndërsa në pranverë do të shpërblehen me cicërimën e tyre të
këndshme. Vjershat që i kushtohen stinëve të vitit kryesisht karakterizohen me
përshkrime të bukura dhe me sugjerime për fëmijët që të jenë humanë me veprimet
e tyre.
Vjershat e vëllimit Vjeti gazmuer, siç u theksua
edhe më parë, përgjithësisht lidhen me jetën
e përditshme të fëmijëve dhe me gjërat dhe dukuritë e jetës së
përditshme. Një vjershë, bie fjala është
e shkruar për trenin, një tjetër për postierin, pastaj një tjetër për kthimin e
fëmijëve në shkollë pas gjysmë vjetorit
të parë etj. Të gjitha vjershat janë të shkruara me një gjuhë të zgjedhur
artistike, e cila jo vetëm që ka një ndikim në pasurimin e botës shpirtërore,
por edhe në formimin e tyre edukativ.
PËRFUNDIM
Poezitë “Në prehër të gjyshes” janë të frymëzuara
nga letërsia gojore, sidomos nga gojëdhëna kallëzimi, përralla dhe zhanret tjera, por poeti ka punuar në pasurimin e sistemit të figuracionit dhe në përsosjen e
senzibilitetit poetik me personazhe dhe gjuhë të pasur artistike dhe figura
stilistike, të cilat janë më afër botës dhe mentalitetit të fëmijës. Ato
lexohen lehtë dhe me kënaqësi, nxisin imagjinatën dhe ndikojnë në formimin
estetik, moral dhe edukativ. Nga poezitë
fëmijët mësojnë për jetesën e mëhershme në bashkësitë familjare patriarkale,
për organizimin e jetës dhe ndarjen e punëve në familje etj.
Struktura e rrëfimit ngjason me strukturën e këngëve
epike, përrallës, kallëzimit, gojëdhënës etj. Rrëfimi në përgjithësi bëhet në
veten e tretë, përshkrimi i veprimit të personazheve dhe i ndodhive bëhet me
figura stilistike të zgjedhura dhe me tablo të pasura artistike si: personifikimi, krahasimi, metafora. Dialogu
në disa nga vjershat është i theksuar e dinamik .
Poezitë e vëllimit Vjeti gazmuer janë të
frymëzuara nga jeta e përditshme e fëmijëve, nga jeta e rëndomtë në
përgjithësi, nga dukuritë natyrore, loja e fëmijëve etj. Këtë e shohim nga
titujt e vjershave dhe nga subjekti i trajtuar. Vjershat kryesisht u kushtohen
stinëve të vitit, sidomos dimrit dhe borës, dordolecit, lojërave të fëmijëve
gjatë stinës së dimrit, muajve të vitit, gjërave dhe objekteve të ndryshme etj.
Një ndër qëllimet e poetit ishte që ta vërë theksin në
funksionin edukativ të poezisë, ky funksion
konsiston në qëllimin që te fëmija të ngulitet bindja se veset e këqija
sjellin pasoja. Eliminimi i tyre i bën ata të jenë të lumtur, por edhe të
tjerët të jenë të lumtur me ta. Fëmijët marrin mesazhin që të jenë të
sjellshëm, ta duan njëri tjetrin, të respektojnë mendimin e tjetrit, të evitojnë veset e
këqija, të mos të marrin vendime të pamenduara, ta çmojnë punën, ta evitojnë
grykësinë dhe dëshirën për përvetësimin e pasurisë së huaj.
BURIMET DHE LITERATURA
Çetta, Anton
, Në prehër të gjyshes, botim i katërt, Rilindja, Prishtinë, 2010.
Çetta,
Anton, Krijime poetike për fëmijë, Vëllimi I, Instituti Albanologjik,
Prishtinë, 2020.
Çetta, Anton
, Në prehër të gjyshes, ETMMK, Prishtinë 2004, parathënie e Shefqet
Rizës.
Bettelheim,
Bruno , The uses of enchantment, The meaninng and Importance of Fairy Tales,
Copyraight, by Bruno Bettelheim, 1975,1976.
Berisha,
Anton, Përkime poetike, Rilindja, Prishtinë, 1978.
Berisha,
Yrjet, Anton Çetta, Në prehër të gjyshes , në Anton Çetta figurë poliedrike e kulturës shqiptare, Instituti
Albanologjik, 2011, i njëjti punim u ribotua në librin: Anton Çetta, Të
tjerët për veprën e Anton Çettës, Vëllimi i XI, Instituti Albanologjik,
Prishtinë, 2020.
Bishqemi,
Astrit, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko, 2004.
Deva, Agim,
Antologji e poezisë shqipe për fëmijë, Enti i teksteve dhe i mjeteve
mësimore, Prishtinë, 1978.
Gega – Musa,
Leontina, Përkimet e letërsisë gojore me poezinë e shkruar për fëmijë,
Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2004.
Lüthi, Max, Evropska Narodna Bajka, Beograd,
1976.
Lüthi, Max, Aspekti
Märchen i predanja, Polja, Novi Sad,1987.
Mustafa,
Myzafere, Përralla shqiptare – poetika dhe mitikja, Instituti
Albanologjik, Prishtinë, 2003.
Mustafa,
Myzafere, Proza gojore-teksti dhe konteksti, Instituti Albanologjik,
Prishtinë, 2005.