E premte, 26.04.2024, 10:11 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (XI)

E marte, 09.12.2008, 02:36 PM


Partia ime është Kosova

Është e vërtetë se për më shumë se 15 vite, pra që nga krijimi i saj, Fehmiu do të jetë anëtar i Lëvizjes Popullore të  Kosovës. Njëri ndër më të devotshmit dhe nga më autoritarët. Ndërsa pjesën e parë, devotshmërinë, e ka bërë me vetëdije,  tjetra, autoriteti ishte pa dashjen e tij. Sidoqoftë, ai ishte në strukturat drejtuese të të gjithë Organizatës që nga  prill i vitit 1985 dhe deri në marsin e vitit 1998, kur u largua nga Gjermania.

Pas saj, fillon për të dhe për Xhevën një jetë tjetër politike. Ose më saktë, ata veprojnë politikisht, të papërfshirë në  jetën politike të ndonjë Organizate. Mbajti lidhje deri në momentin e fundit me shokët e Organizatës, por pa qenë pjesë  drejtuese e saj dhe këtë e bën me vetëdije.

Në Mbledhjen e VI të Përgjithshme të LPK-së, dega jashtë vendit, në fillimin e majit të vitit 1998, ai propozohet për të  qenë përsëri anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Mirëpo ai kishte sjellë një mesazh për të gjithë. Duke e quajtur veten  pjesë e jetës politike, ai nuk mund t'i lejonte vetes që njëkohësisht të ishte në strukturat drejtuese të një Organizate,  megjithëse kjo ishte ajo ku ai kishte milituar. Për një arsye të thjeshtë: tash e tutje, deri në çlirimin e vendit, partia  e tij do të jetë Kosova. Bën kështu shkëputjen nga ajo që ishte pjesë e tij, për të sendërtuar atë që kishte synuar  gjithnjë kjo Organizatë. Bëhet pjesë e vazhdimit të vizionit të saj, pa qenë brenda radhëve. Bëhet misionar i ideve që  kishte mbartur ajo, por kësaj radhe si luftëtar.

Këtë e kërkonte dhe nga të tjerët. Ai nuk kishte dy kute: njërin për vete dhe tjetrin për të tjerët. Nëse mendonte se kuti  që kishte zgjedhur vetëdijshëm ishte më i sakti dhe më i kohës për Kosovën, atëherë ai përcaktohej kështu edhe për të  tjerët.

Në Kosovë kishte disa linja që nuk mendonin kështu. Lëvizjet legale politike ishin mësuar të shihnin politikën si pjesë e  jetës së përditshme, të zakonshme, edhe kur tashmë ajo nuk ishte e zakonshme, por e jashtëzakonshme. Në kahun tjetër ishte  edhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e cila kishte krijuar, sidomos në Llap, disa njësi të armatosura, dhe  dëshironte të ruante, edhe në radhët e luftës, strukturën e saj politike. Më 1 shkurt 1998, LKÇK, i drejtohet Shtabit  Qendror të UÇK-së, me thirrje për bashkëbisedim, me anë të të cilit duhej të vendosej forma e bashkëpunimit mes dy palëve.  Duke ruajtur strukturën e saj politike.

Në dukjen e parë është një kërkesë e arsyeshme. Mirëpo nuk është logjike. Një njeri i autorizuar nga LKÇK-ja drejton një  kopje të kësaj thirrjeje edhe tek Lladrovcët, me qëllim që ta përcjellin më tej. Disa ditë më pas, në drejtimin e shokëve  që veprojnë në Drenicë, niset ky faks:

“Të dashur shokë, për këtë letër (është fjala për "Thirrjen për bashkëbisedim”) e kam njoftuar edhe "Kapuçin”. Dhe i kam  dhënë mendimin tim lidhur me kërkesat e tyre për bashkëveprim, pa u shkrirë në UÇK. Mendoj se është punë jo e pastër nga  individë të caktuar të hierarkisë së LKÇK-së dhe propozoj të kihet rezervë ndaj këtij "propozimi”. Ne na duhet Bashkimi e  jo "Bashkëveprimi e bashkëbisedimi”. Ju përshëndes përzemërsisht, "Veshi”.

Në maj të vitit 1998 u zhvilluan takime mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe të LKÇK-së. Nga njëra anë ishte Fehmi Lladrovci, në  anën tjetër shoku i tij i burgut, i dënuar në të njëjtin proces gjyqësor politik, Sabit Gashi. Të dy njihen prej kohësh,  kanë qenë në të njëjtën organizatë, tani janë ballas. Çfarë do të bëhet: do të ketë në luftë dy struktura, njëra madhore e  tjetra minore; do të ketë partizim dhe ndarje; do të ketë një vijë në mes, e cila mund të ndajë edhe shokët e dikurshëm?

Është e vështirë të thuhet tashmë se cili tjetër do të kishte mundur të merrte përsipër barrën e bashkimit mes dy  strukturave, të cilat, aq sa mund të kishin ngjashmëri, aq ishin edhe të ndryshme, e herë pas here edhe të kundërta. Figura  që është ballas me drejtuesit e LKÇK-së është një njeri i njohur, tepër i besuar, me fjalë të sigurtë, me ndjenjën e  sakrificës dhe që i duhet besuar. Ky është njëri ndër shkaqet madhore të këtij bashkimi në luftë. Sepse është ecur përmes  besimit, përmes shembullit e jo nëpër fjalët pa fund. Sepse ai do të mund të sillte shembullin e madh të tij: nuk do të  ketë parti politike në radhët e luftës. Do të ketë drejtim politik, Drejtori Politike, por jo partizim të luftës. Ai ishte  shembulli, mjaftonte vetëm të ndiqte këtë shembull. Në Drenoc, ai qëndroi dy ditë dhe dy netë duke biseduar me drejtuesit e  strukturave të LKÇK-së, dhe ishte një nga bisedat vendimtare që rreshtuan përfundimisht këtë organizëm politik, pa asnjë  parakusht, nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm.

Kjo ishte mes shokësh të hershëm, mes njerëzve që e kishin njohur njëri-tjetrin në momente të vështira. Çfarë do të ndodhte  me ata që kishin pasur ose nuk kishin pasur vetëm pak të përbashkëta?

Fehmiut, luftës, i duheshin të gjithë, jo një pjesë, edhe nëse ajo ishte struktura më themelore e luftës.

Tregon Sami Lushtaku:

"Ka qenë një takim i fshatit me partitë politike. Ishte baca Fehë, kam qenë unë, Nuredin Lushtaku e shokë të tjerë. U ulëm  sipas zakonit, rreth e rrotull dhomës dhe fjalën e mori kryetari i LDK-së, Idriz Rreci më duket ka qenë. Na përshendeti. Ai  po flet për organizimin e partive politike, kontributin, rolin e tyre.

Kur ai ka krye, baca Fehë i ka thënë:

"Idriz Rreci, kam respekt për ty, por kurrë nuk e kam besue se do të thyhesh, se do të përkulesh. Ju në vend me i ndihmue  ushtarët e UÇK-së, me na afrue bukë, municion, me hapë kanale e pozicione bashkë me ne, ju bani mbledhje, bani metingje,  bëni punë të partisë. A e dini se sot është luftë dhe se njerëzit duhet të bëjnë të gjitha për luftën?”

Njerëzit ishin të gjithë në mbështetje të UÇK-së.

Baca Fehë nuk është çue në këmbë, ishte ulur afër Xhevës, ishte i veshur ushtarak. Ka heshtë pak dhe ka shtue:

"Me gjithë respektin, edhe pse të kam pasë mësues, prej sodit, nëse vazhdon kështu me partitë politike, nuk do të kem  respekt. Leri marritë dhe kush do me e kapë pushkën, le të vijë me ne. Nuk ka parti politike tash. Tash kemi të gjithë një  parti: Kosovën". Njerëzit filluan me e përkrahë idenë e bacës Fehë. Ai i thoshte faktet dhe nuk i linte hapësirë askujt.  Fjalët i kishte të sakta”.

Njeriu që u tërhoq i fundit nga “Shkaba 1” ose rrëfimi i momentit të përjetësisë së një dite epike

Shefqet Morina është burrë i gjatë, zakonisht flet ngadalë dhe gjithçka tek ai tregon se ka pasur në jetë dhimbje të mëdha.  I janë vrarë në luftë katër pjesëtarë të familjes së tij dhe çdo gjë ka qenë tragjike. Ka pasur fatin e hidhur të varrosë  të afërmit e tij, por edhe të vërejë se, disa ditë pas, forcat serbe i zhvarrosën dhe trupat e tyre ende nuk dihej se ku  ishin. Kishte lënë shumë gjëra në mes për të kërkuar ku i kishte të afërmit e tij të vrarë, megjithatë kurrë nuk kishte  përjetuar një dhimbje si ajo e 22 shtatorit. Unë e takova një natë të vonët, biseduam për atë çka ishte më thelbësore dhe  pjesë nga ai rrëfim po sjell më poshtë, duke qenë i bindur se kjo ishte e vërteta e saktë e rënies së Fehmiut, Xhevës,  Fatimes dhe Shefqet Zekës. Njeriu tjetër që mund të më tregonte, ishte Asllan Faslia, por ai nuk është më. U vra në luftë.  Shefqet Morina është i vetmi nga ata që mbetën në fund. Është dëshmia e vetme dhe plotësisht besnike.

Është një tregim i thënë mes dhimbjes dhe nëse ndonjëherë ka shkëputje, kjo është e kuptueshme.

Ja pjesë nga rrëfimi i Shefqet Morinës:

“Fehmi Lladrovcin vonë e kam njohë, por zërin ia kisha dëgjuar. Mundem me folë për të prej 22 marsit, kur jam pranue në  UÇK. Fehmiun e kam takue për herë në parë në Abri. Prej asaj date e deri më 22 shtator mund të flas për të. Nuk e di  saktësisht se cila datë ka qenë, por aty e kam pa Fehmiun, aty e kam pa edhe Xhevën. Pas asaj, u formua pika “Shkaba”, këtu  në Shkabë, jam angazhue në radhët e ushtrisë dhe atëherë kemi pasë biseda, mësime, ushtrime se si luftohet, janë bërë  strategjitë për luftë, stërvitje ushtarake të llojllojshme; jemi nisë për në Shqipëri me marrë armë, 2 mijë vetë kemi qenë  nga Drenica, më shumë se 200 vetë nga brigada jonë, por kemi rënë në pritë në kufi, në Junik, një kilometër pa hyrë në  zonë.

Një natë përpara, më 21 shtator, deri në 12 të natës kam qenë në pikë, si roje dhe në orën gjashtë të mëngjesit ka ardhë  lajmi se serbët po mësyjnë. Ashtu si kam qenë, me teshat qe kam qenë kam shkue në pikë, sa me shpejt që kam mundur. Sa kam  arritë aty, një pjesë e shokëve kishte dalë në pikat e caktuara. Serbët kishin fillue me dalë edhe ata. Unë kam pasë  mitraloz të rëndë, vendin e kam ditë se ku e kisha, nuk kisha se çfarë pritsha. Kam shkue në vendin tim. Aty jam takue me  Fehmi Lladrovcin, me Xhevë Lladrovcin, me shokët e tjerë, aty prapë kemi bisedue, komandanti na ka tregue se çfarë  strategjie do të përdorim, si do të lëviznim, na thotë se duhet të ndërrohen pozicionet pas gjuajtjeve, të mos gjuajmë  gjithnjë prej një vendi, që të mos na diktojë armiku ku ishim dhe të gjuan në atë vend. Kemi pritë, shkitë atëherë filluan  me dalë prej objektit, tek miniera ku ishin, filuan me lëvizë drejt pikave tona. Ne ishim duke u përgatitë për luftë, duke  mbledhë armatimin. Baca Fehë u merrte vesh me radiolidhje me pikat e tjera. U lajmëroshin shokët në pika, thonin se jemi në  gjendje të mirë, se vetëm po i presim kur të dalin dhe të na afrohen.

I kemi pritë forcat serbe se po na dalin vetëm nga një pikë, ishim dy vetë dhe e vëzhgonim atë pikë, kur papritmas dolën  prej prapa. Dolën nga njëra anë, por edhe nga tjetra. Atëherë Fehmiu i ka pa me dylbitë e vendosura në snajperkën e tij.  Fehmiu na tha që të presim derisa të afrohen. Kemi pritë në heshtje. Kanë ardhë në vijë ajrore 100 deri 150 metra. Ishim në  një stom, disa ishin me armët e lehta, unë që kisha mitralozin. Atyre komandant Fehmiu u tërhoqi vërejtjen që të mos  qëllojnë pa e degjuar pushkën e tij dhe pa i dëgjuar armët e rënda. U tha që të shohim nëse kemi sukses, atëherë të  qëllojmë të gjithë. Ishim dhjetë ushtarë në atë vend, të tjerët ishin në pjesë të tjera.

Para se me fillue lufta i ka thënë Sabit Lladrovcit “Edhe faret në delshi, kurrë mos i dorëzoni armët”. Kurse ne të tjerëve  na tha: “Burra, ja vdekje, ja liri, ditë më të lumtur se sot kurrë nuk kemi pasur”.

Kur ka krisë snajperka e tij, ishte pushka e parë e asaj dite, e kemi parë ushtarin serb tuj u rrëzue, kishte qenë mbi  tank, deri 10 metra larg prej tankut e ka qitë jashtë. Atëherë kemi fillue të gjithë. Ka krisë prej tana anëve. Ishte grup  i madh i ushtarëve serbë dhe kur të gjuaje, nuk të shkonte plumbi huq. Ka filluar nga shtatë, shtatë e 15 minuta dhe nuk e  kemi ndalë deri pas orës 10 paradite. Rreth tri orë vetëm është gjuajtur. Këmbë serbi nuk ka mundë me lëvizë tri orë  rresht. Vetëm rrinin snajperët e tyre dhe ata me mortaja.

E para në pikën tonë, është qëllue Fatime Hetemi. Kishte automatik. Ishte në pozicion. Edhe ajo ka luftue shumë. Për tre  orë nuk e ka ndalë luftën. Fatimja ka qenë në pozicion, ka qëndruar aty dhe nuk ka luajtë. Gjuante gjithnjë. Mirëpo edhe  serbët sulmonin, na hetuan se ku jemi, gjuanin snajperistët dhe minahedhësit. Ata hetonin. Na gjuanin sa lëviznim. Fatimja  nuk lëvizte. Ia kemi hequr vërejtjen. Gjuante gjithnjë nga një vend. Serbët e kishin hetuar se ku ishte. Kishte bombardime  të jashtëzakonshme. Edhe sot shihet se çfarë bombardimesh ka pasë.

Fatimja u çonte të qëllonte gjithnjë nga i njëjti vend. Fehmiu ia hoqi vërejtjen i pari. I tha të bënte kujdes. Edhe Xheva  ia hoqi vërejtjen, edhe unë. U bënë tre e më shumë orë luftë. Ishte një pjesë, në të djathtën tonë, që duhej përcjellë.  Baca Fehë më tha të dal në një pozicion tjetër dhe t’u them shokëve se çfarë duhet mbrojtur.

Kur jam kthye, Fatimen e kishte kapë plumbi. E kishte kapë në ballë, por ishte ende gjallë. Jemi mërzitë shumë. Fehmiu na  thoshte të mos e lëshojmë veten, se është luftë dhe nuk dihet kush vritet, nuk duhet të lëshojmë luftën. Ai dhe Xheva e  kishin Fatimen si bijën e tyre.

Kemi provue me e nxjerrë prej pozicionit, me i dhanë ndihmë. Ishte e pamundur, kemi tentuar tre herë me e heqë diku pas,  nuk na lejonte armiku, ishin vetëm snajperët serbë, se ushtarët e zakonshëm ishin në tanke dhe autoblinda. Plumbi, si  thashë, e kishte marrë në ballë, kishte granatime të vazhdueshme, të hatashme, gjithçka ishte ba zi. Kurrgja nuk na bënin  bombardimet, se na bënte tymi, pluhuri që ngrihej mbi ne, me tu duk se nuk kishte diell.

Zhurma ishte e tmerrshme, duhej me folë për afër, se nuk u dëgjoshim. Ka ardhë Asllan Faslia, kishte ardhë prej pjesës  tjetër, e kishte parë Fatimen se ishte vra dhe ka ardhë tek ne. Beteja ka qenë e ashpër, kanë fillue me u thye radhët, disa  njerëz e kanë lëshuar vendin. Na tregoi Asllani se ishte vra Shefqet Zeka, na tregoi se nuk kishin mundur të përballojnë  luftimet dhe ishte lënë pika.

Kemi pirë vetëm nga një cigare duhan dhe prapë kemi fillue. Eshtë bërë vetëm ndërrimi i ushtarëve në pikë. Kishim mbetë  disa shokë. U hap fronti shumë për ne. Ku ishin ushtarët në anë të djathtë, që u larguan, aty na dolën shkitë.

Në pjesën ku ishim ne, na dolën shkitë. Në pjesën në Gradime, na dolën shkitë tek pika tjetër. Thirri Fehmiu në radiolidhje  në pikën tjetër, a jeni të gatshëm, nëse jeni gjuani dhe mos prisni. Janë përgjigjë vetëm një herë, pastaj nuk janë  përgjigjë më. Ku nuk kishte luftime aty na dolën shkitë, krejt para i kemi pasë dhe gjithandej. I kishim përballë dhe në  tre anë ishim të rrethuar. Aq sa ishim. Në fund mbetëm katër vetë që luftonim, Fehmiu, Xheva, Asllan Faslia e unë, dhe  Fatimja e plagosur. Na erdhën shkitë deri në 10 metër, ishim të shpërndarë, në katër pozicione, bomba na ra në mes, por për  fat nuk plasi. Kur na erdhi bomba tek këmbët, e ditëm se shkitë ishin shumë afër dhe kemi kemi fillue edhe ne me bomba  dore. Serbët u tërhoqën dhe shkuan prapë në pozicionet e tyre. Me i përballue mundnim, por me i thye nuk mundnim. Kishte  shkue ora me 11 e më shumë, bombat i kishim afër, gjuanim prapë dhe disa herë i kemi tërheqë vetëm me bomba. Dolën ku  kishin qenë në fillim, nëpër livadhe. Mirëpo ishin shumë dhe bombardonin gjithë kohën.

Unë kam qenë në pjesën e dhjetë, Feha, Xheva dhe Asllani ishin në pjesën e Gradimes. Asllani shkonte herë pas here edhe në  ato pozicione ku kishin qenë shokët që u larguan.

Serbët ishin më poshtë. Ishin bërë thuaj katër orë që baca Fehë qëllonte me snajperkë dhe nuk e çonte kush kryet. Dëgjuam  se baca Fehë kërkonte një ndërrim të shkurtër në pozicionin e tij sa për të pirë një cigare. Ishte i lodhur. Lëvizën  Asllani, shkon në vendin e tij dhe merr snajperkën, derisa ata të hynin në pozicion. Fehmiu u mat të futet dhe duke hyrë  aty, prej autoblindës ku ishte një snajper serb, është qëlluar mbi të dhe njëkohësisht mbi Xhevën. Kur e kam pa bacën Fehë,  ai ishte ulë në tokë dhe Xheva kishte filluar të ulej pranë tij. Ishin plagosur të dy, Asllani është ruajtë, i kam pa që  janë plague. Kur e ka kapë plumbi i parë nga pas bacën Fehë, e kam pa se i ka lëvizur xhupi para. Eshtë çue prej plumbit.

U dukshin plumbat kur binin, se ishin plumba të mëdhenj. Teshat i lëvizën kur e rroku plumbi i parë. Asllani ishte pas një  guri, i kam pa që janë goditur. Nuk e di kur e ka rrokë plumbi i dytë. E kemi tërheqë bacën Fehë dhe kemi marrë prapë  pozicionin. Xheva mbeti e shtrime, e kam ndihmue të tërhiqet dhe është afruar me Fehmiun. Nuk kam pasë kurrë dhimbje më të  madhe. Nuk më është dhimbë vetja. Ishte një gjendje që nuk e kisha menduar kurrë. Xheva e plagosur, Fehmiu i plagosur, ai  nuk lëvizte, Fatimja e plagosur, thuajse në momentet e fundit. Xheva, ashtu e plagosur, vazhdoi të gjuajë. Mori snajperkën  e Fehmiut, por arma ishte e rëndë, ajo nuk kishte edhe aq forcë, atëherë mori kallashin. Serbët u afruan shumë, nuk ishin  as dhjetë metra, tërhiqeshim e gjuanim. Fehmiu nuk i kishte mbyllur sytë, Fatimja e plagosur, Xheva e plagosur. U munduam  me i mbyllë plagën Xhevës, me pjesë të rrobave tona; nuk kishim mundësi të shkonim ku e kishim lënë ndihmën e parë. Nuk  kishim as se si të bënim tërheqjen e tyre.

Nga ora 12 e gjysmë baca Fehë ka mbyllë sytë, Fatimja po ashtu. Xheva ishte e plagosur. Vazhdonte të qëllonte. Me Asllan  Faslinë ishim aty. Deshëm me e tërheqë Xhevën, as shans nuk kemi pasë, i thamë disa herë, nuk dëgjonte, derisa na është  drejtue me armë. Xheva na ka thënë, edhe duke na drejtuar armën, tërhiquni, unë jam këtu në vend të Fehës, shkoni. Fehmiu,  pak pa i mbyllë sytë na ka thanë edhe ai, tërhiquni.

I jemi lutur shumë Xhevës të vinte me ne, Asllani dhe unë, i thamë se nuk shkojmë pa të. E uli pushkën Xheva në një moment  dhe na tha se dilni ju poshtë, t’ju shoh të gjallë, kur t’ju shoh se keni dalë, po ua jap fjalën se do të vij edhe unë.  Shkoni ju njëherë.

Asllani doli i pari. Xheva tha se unë po e mbroj nga e djathta, ti mbroje nga e majta, dhe po e mbrojmë derisa të dalë  poshtë. Nuk ishte as pesë metra, lëshoheshe dhe dilje. Kur iku ai, Xheva më tha: “Dil Shefqet edhe ti, shko, më tha, se  trupi im dhe jeta ime, veç trupit dhe jetës së Fehmi Lladrovcit nuk njeh gjë tjetër. Ia kam dhanë fjalën, ia kam dhanë  besën se vdekje e jetë i kemi bashkë". Atëherë nuk kishte mbetë gjë tjetër. Fillova me iu afrue. Asllani më thirri: “Dilni  se u zutë, se jeni shumë afër”. Mora kallashin dhe u përpoqa me dalë. Plasi një bombë sipër nesh dhe forca e saj më hodhi  jashtë.

Pasi ka dalë Asllan Faslia, i kemi pasë edhe dy-tre minuta luftë bashkë me Xhevën, me e mbrojtë derisa të dalë. Në anën e  djathtë ka dalë Asllani, ka vazhdue lufta edhe dy-tre minuta, derisa i kemi tërheqë. Kanë qenë mbi ne, pak me ra dhe binin  mbi ne. Kur i dëgjova fjalët e Xhevës, e pashë bindjen e saj se çfarë ishte. Në realitet filloi, i nxori armët e veta,  revolen e vet dhe u përqaf me Fehmiun, e vuri krahun e vet nën kryet e Fehmiut, më tha edhe një herë se veç vdekja, pas  Fehmiut nuk ka asgjë tjetër. I kam dhanë me dalë, pasi kam dalë në strom, shkitë dolën në livadhe, ka ra granata, pastaj  një rafallë e gjatë, fuqia e shpërthimit më ka nxjerrë jashtë dhe kam ra në kaçube. Kallashin e kisha të lidhur, kam mbetë  aty, derisa ka ardhë Asllan Faslia, më ka pre rrypin e kallashit dhe më ka ndihmue derisa kemi ra poshtë. Pas kësaj luftime  të tjera nuk ka pasë, as nuk ka gjuajtë kush dhe asgjë tjetër.

Unë: A keni menduar gjatë luftimeve se duhet të tërhiqeni, se e keni bërë deytrën duke luftuar katër orë me radhë?

Shefqet Morina:

Baca Fehë nuk ka pasë mendimin se duhet me u tërheqë, as nuk e ka diskutuar se do të tërhiqemi. Nëse do të ishte lënë lufta  herët, njerëzit ende nuk ishin larguar, do të kishte pasë humbje të mëdha në popull. Ai vetëm pyeste: “A kemi municion”?  Ishte municioni në krah të djathtë, pyeste vetëm “a kemi”. Pas plagosjes së Fatimes, shokët që ishin në pikë me ne, shkuan  në një vend tjetër. Pas pesë minutash, kur i kemi thirrë me na dalë në ndihmë, nuk ishin. Kur jam kthye, më ka pyetë baca  Fehë “a është dikush aty, prej ushtarëve?” I thashë se nuk ishte askush. Nuk kishte kush të na afronte municion. Por, me u  tërheqë, as mendja nuk i ka shkue.

Kur u çue në këmbë, me pushue pak e me ndezë cigaren, atëherë e rroku plumbi. Sapo e ndezi.

Ne na u sos duhani që kishim, e la në gur duhanin që kishte me vete dhe na tha pini duhan sa të doni. Cigaren e kemi mbajtë  në gojë, pinim duhan e gjuanim. Gjoksoren mbrojtëse dhe automatin e Xhevës, kallashin e Fatimes, i kam edhe sot e kësaj  dite. I gjetëm pas luftës. Gjoksorja e saj ka shenjat e granatës që i ka rënë.

Kemi pasë luftime, edhe më vonë kemi pasë luftime, gjithëfarë rastesh kemi parë, por dhimbje më të madhe nuk kemi pasë. Nuk  ka hall më të madh kur e sheh shokun të vdesë, kur e sheh komandantin tënd të plagosur dhe nuk i jep dot asnjë lloj ndihme.

I ka mbuluar shembja e dheut. Prej bombardimeve, dheu ka rënë mbi ta. “Zola” që kemi pasë nuk ka punue. E provoi Fehmiu,  por nuk ka ndezë. Pas luftës, në vendin ku janë mbuluar, është gjetë radiolidhja, cigaret, shkrepësja, granatat. Pushkën  dhe automatikun Xheva i ka afrue pranë vetes”.

Nuk kishte pasur kohë të çlodhej. Kishte në duar një snajper 12.5 mm dhe qëllonte sa herë që dikush tentonte të afrohej më  shumë se sa e kishte lejuar. Ishte i qetë dhe ndjehej po ashtu i lehtësuar. Ishin bërë më shumë se pesë orë luftë dhe  tashti banorët e asaj zone duhej të ishin larguar, duke u ruajtur nga mizoria serbe.

Ai e uli për një moment grykën e snajperit dhe i drejtohet Asllan Faslisë: “Eja këtu ku jam unë. Mos i lër të çojnë kokë.  Unë po pushoj pak... vetëm pak, sa të pi një cigare”. Arma ishte e rëndë, koha ishte e gjatë.

Dhe u ngrit të mbështeste shpatullat pas “Kodrës së Qëndresës”. Ishte i lodhur dhe ndoshta i pihej pak ujë. Ngjyrat e dheut  ishin në rrobat e tij dhe në fijet e mjekrës i kishte mbetur po ashtu një fije bari. Ai gjithë jetën kishte qëndruar i  mbështetur pas dheut të tij, i lidhur tej për tej me të, dhe kështu si duket, do të ishte edhe çasti i fundit i tij. Bëri  të largohet, ishin vetëm dy a tre metra deri aty ku ai mendonte se mund të pushonte krejt pak, qoftë edhe dy-tre minuta.  Kishte bërë shumë rrugë deri atëherë. Ndoshta më shumë se sa ishte menduar.

Ishte një kohë e gjatë që mjetet e blinduara nuk lëviznin as para e as pas. Ushtarët serbë, të strukur pas hekurave, kishin  nxjerrë pushkët snajperë, minahedhësit dhe prisnin.

Në ecjen e tij u godit. Ishte një goditje, siç do të thoshin, vertikale, dhe një rënie po e tillë. Nuk ra, u ul ngadalë dhe  i tha lehtë Xhevës: “Shotë, më duket se më vranë”. Ajo vetë ishte e plagosur, por nuk i tha asgjë.

Ai mbylli sytë duke ndjerë njërën dorë të saj nën kokën e tij dhe tjetrën tek zemra. Nuk dëgjoi krisma të tjera... Askush  nuk e di se cili ishte plumbi i fundit që mori Xhevën dhe nga erdhi ai. Jo më kot ajo kishte nxjerrë revolen e saj,  automatikun dhe i kishte vënë pranë saj. Jo më kot... Askush nuk e di, megjithatë të gjithë janë të bindur se kështu do të  ndodhte.

“Edhe sikur tridhjetë kilometra larg të vritej Fehmiu ose Xheva, tjetri do të vinte nga larg të jepte jetën me të”, më tha  një natë të vonët Ramiz Lladrovci dhe unë e dija mirëfilli se kishte qenë pikërisht kështu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora