E marte, 04.10.2022, 03:44 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Vlerat amerikane nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e regjimit komunist të enver hoxhës!

E merkure, 08.12.2021, 10:32 PM


VLERAT AMERIKANE NUK KANË ASGJË TË PËRBASHKËT ME VLERAT E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS!

Nga Frank Shkreli

Vetëm 3-4 ditë nga shkrimi im për këtë çështje --Shpërthen’ Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je ambasadorja ime! | Gazeta Telegraf– se kombi shqiptar ka nevojë për pajtim dhe jo për përçarje nga përpjekjet e kujdo qoftë – po radhis disa zhvillime më të fundit të lidhura me temën e atij shkrimi. Ai shkrim u frymëzua, fatkeqësisht, nga postimi në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku shqiptarëve ju urohej e ashtuquajtuara “Dita e Çlirimit të Shqipërisë” -- një devijim arrogant, deri më sot i pashpjeguar, zyrtarisht, se pse u bë një gjë e tillë – ndryshe nga qëndrimi zyrtar historik amerikan që deri tani ka njohur zyrtarisht 28 nëntorin 1912, si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë -- dita kur urohet, zyrtarisht, festa kombëtare e shqiptarëve. Z. Ruben Avxhiu, editor i gazetës Illyria në Nju Jork, shkruan në një artikull të ditëve të fundit se nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane në Tiranë uron 29 Nentorin si “Ditën e Çlirimit” të Shqipërisë. Edhe nëse kjo është e vërtetë, ky fakt nuk ndryshon asgjë. Fakti mbetet se kjo datë shënon një ditë që shumica e shqiptarëve e konsiderojnë si një ditë të themelimit të diktaturës më të egër komuniste në Evropë dhe të shtypjeve më brutale kundër një pjese të madhe të popullësisë shqiptare që nuk është pajtuar kurrë me atë ideologji të huaj sllavo-aziatike.  Ajo që është edhe më e keqe, është kjo heshtja arrogante nga ana e ambasadës ndaj reagimeve të shumëta kundër deklaratës së saj për “29 Nentorin” – një arrogancë që nuk është në natyrën amerikane të transparencës -- për të mos reaguar ndaj shqetësimeve legjitime nga taksapaguesit amerikanë, e të tjerë.

Heshtja arrogante e ambasadës amerikane në Tiranë, ndaj një shqetësimi si ky, nuk është një vlerë amerikane. Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antony Blinken, në fjalimin e parë drejtuar stafit të Departmentit të Shtetit me 21 Janar, 2021, ka thenë se do të “bëjmë më të mirën për popullin amerikan, duke bërë një politikë të jashtme”, që ndër të tjera, “nderon dhe respekton vlerat”, amerikane. Heshtja e juaj arrogante në lidhje me këtë çeshtje nuk është më e mira që po bëni, Zonja Kim. Edhe nëqoftse kritikët janë të gabuar në pretendimet në lidhje me këtë çeshtje, atëherë na thoni, jeni të gabjar, nuk është ashtu siç thoni ju. Kështu qëndron situata.  Si shtetas amerikanë që jemi, YOU ARE LETTING US DOWN! Be transparent!

Edhe nëqoftse se nuk është hera e parë që Ambasada bën një urim të tillë, reagimet kanë qenë shumë të ashpra kundër kësaj deklarate fatzezë nga një institucion amerikan, siç është Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila mbi të gjitha duhet të kujdeset dhe të mbrojë interesat e shqiptaro-amerikanëve në atë vend dhe të mos i ofendojë dhe të mos tallet me plagët e tyre, ende të hapura, shkaktuar nga diktatura komuniste “çlirimtare”, atyre dhe familjeve. Në fund të fundit, edhe shqiptaro-amerikanët – shumë prej të cilëve e kanë pësuar keq nga komunizmi -- paguajnë taksa federale që financojnë rrogën e ambasadores dhe të stafit të ambasadës amerikane në Tiranë.  Ajo deklaratë është ende në faqen facebook të ambasadës.   Unë nuk besoj në konspiracione, por ky urim me rastin e 29 Nentorit si, “Dita e Çlirimit” të Shqipërisë përkon me përpjekje të shumta, për disa vite e deri në ditë e fundit—përfshirë përpjekje në nivelet më të larta të qeverisë shqiptare – për të promovuar të “mirat” e regjimit komunist. Këtyre zërave, përveç ambasadës amerikane në Tiranë, për glorifikimin e një të kaluare që nuk meriton glorifikim, por dënim, ditët e fundit, i janë bashkuar edhe disa gazetarë, anëtarë të parlamentit shqiptar, madje dhe disa historianë të njohur.

Në një konferencë të ditëve të fundit në Tiranë, e titulluar, “Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja”, një historian e njohur u shpreh se, Enver Hoxha, “Udhëhoqi Shqipërinë për 45 vjet, me të mirat dhe të këqijat”.  “Figura e Enver Hoxhës nuk mund të shihet vetëm zi”, ishin disa prej deklaratave që u dëgjuan në atë konferencë. Me këtë lloj justifikimi, duhet që tu thoni edhe hebrenjve se Hitleri nuk duhet shikuar “bardhë e zi”, por duhet gjykuar, “për të mirat dhe për të këqiat”. Transmetojani një vlerësim të tillë historik hebrenjve, të nderuar historianë shqiptarë, për të parë se si do reagonin ata. U lutemi, na kurseni prej “demistifikimit” të historisë komuniste shqiptare.  Më së pari, të nderuar historian të Tiranës zyrtare, ju duhet të demistifikoni veten, që ta dimë se kush, vërtetë, ini ju, pasi shumë prej jush jeni autorë të asaj atë historie të rrejshme dhe sot pas 30 vjet të shembjes së komunizimit zyrtar, ju të njëjtit historianë doni ta interpetoni atë, ose madje edhe ta ndryshoni.  Në një rast tjetër që flet shumë për faktin se sa larg është Shqipëria në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste, megjithëse është anëtare e NATO-s, në “përpjekjet” e saja për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare -- Zv.Presidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s e dhe Kryetarja e Komisionit parlamentar të Shqipërisë për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli ndodhej në Uashington javën që kaloi, ku mori pjesë në punimet e Forumit Transatlantik të Asamblesë.  E pyetur nga Zëri i Amerikës së ç’mendonte për një anëtar të Partisë Socialiste të Shqipërisë në parlament i cili zgjodhi tu uronte 29 Nentorin anëtarëve të Komisionit të Sigurisë me një fotografi të Enver Hoxhës dhe nëse është normale për një deputet të shumicës që qeveris vendin të bëjë një veprim të tillë kur trashëgimia e hidhur e komunizmit ka ngjallur kaq shumë dhimbje në Shqipëri, për shumë njerëz.  Zonja Kodheli refuzoi t’i përgjigjej drejt-për-drejt pyetjes së Zërit të Amerikës, duke u sjellur rreth e rrotullë, pa thenë asgjë.

Ndërkohë që as Partia Socialiste, as Kryeministri Rama nuk kanë kërkuar ndjesë për atë akt të deputetit të tyre, unë as nuk mund ta marr me mend një përfaqsuese (në Asamblenë Parlamentare të NATO-s) të sillej në këtë mënyrë, sikur të ishte një përfaqsuese polake, çeke, hungareze, lituaneze ose estoneze, apo cilit do vend tjetër ish-komunist, që të refuzonte të përgjigjej drejt për drejt një pyetjeje si kjo, mbi dukuritë e komunizmit në vendin e tyre, siç po ndodhë në Shqipëri. Shyqyr që përfaqsuesit shqiptarë në NATO nuk kanë gjë në dorë se po të kishin do të deformonin edhe kulturën, natyrën dhe misionin demokratik, anti-komunist të NATO-s, në bazë të të cilave është themeluar aleanca perëndimore. Zonja Kodheli nuk iu përgjigj as pyetjes se pse është bosh karrigia e ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan për 8 vjet tani, duke anashkaluar të përgjigjej, ndërsa foli për pritjen e Ramës në vizitën e tij të fundit atje. Frank Shkreli: 30-vjetorin e mardhënieve Shqipëri-Vatikan, karrigia e ambasadorit fuqiplot Shqipërisë pranë Selisë Shenjtë është ende bosh, prej 8 vitesh | Gazeta Telegraf

Ndërkaq -- të shqetësuar rreth këtyre fenomeneve ose dukurive pro-komuniste si këto të këtyre ditëve në Shqipëri, por jo vetëm, përfshir Shtetet e Bashkuara, ku grupe ekstreme majtiste pro-komuniste çojnë krye, nga koha në kohë, për të provokuar dhe për të testuar ujërat, si të thuash – një grup kongesmenësh republikanë, në fund të javës që kaloi, njoftuan se kanë përpiluar një projekt-ligj për mësimin e historisë dhe të krimeve të komunizmit në shkollat amerikane.  Unë jam përpjekur gjatë viteve të reflektoj interesimin, në Amerikë, për viktimat e komunizmit, për krimet dhe për historinë falimentuese të regjimeve komuniste, në përgjithësi. Frank Shkreli: Ndërkohë Shtetet e Bashkuara Amerikës kujtohen viktimat e komunizmit, Shqipëri glorifikohet regjimi i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf

Deri tani, janë rreth 15 shtete të Amerikës që, në lidhje me këtë çeshtje, kanë miratuar ose janë në proces të miratimit të ligjeve për kujtimin e viktimave të komunizmit dhe për mësimin e historisë së komunizmit botëror në shkollat amerikane. Por duket se Kongresi, në nivel kombëtar, ka vendosur të bëjë diçka ligjërisht për të edukuar brezin e ri mbi krimet e komunizmit, një pjesë e madhe e të cilëve, sipas sondazheve, shprehen se nuk dinë asgjë ose shumë pak për komunizmin dhe aq më pak për krimet e regjimeve të kësaj ideologjie, anë e mbanë botës.

“Studentët amerikanë duhet të mësojnë për gulaget sovjetike… ku Stalini, qëllimisht, shkaktoi vdekjen e 3.5 milionë ukrainasve nepërmjet urisë”, tha të premtën që kaloi, Kongresisti republikan i shtetit Teksas, Z. Dan Cranshaw, në një konferencë për shtypin para ndërtesës së Kongresit në Washington, ku njoftuan pprojektligjin e ri.  “Nxënësit duhet të mësojnë për Revolucionin Kulturor të Mao Tse Tungut që shkaktoi vdekjen e dhjetëra miliona kinezëve. Ata duhet të mësojnë edhe për skllavërinë moderne që po ndodhë tani në krahinat e Kinës ku jetojnë uguirët myslimanë”, nënvijoi kongresisti i shtetit Teksas.  Kongresisti republikan nga Teksasi deklaroi se qëllimi i këtij projektligji është, “Të sigurojmë që komunizmi të mbetet në koshin e plehërave të historisë, aty ku e ka vendin”, një thënje kjo e ish-Presidentit Ronald Reagan.

Ndërsa, Presidenti i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, Z. Andrew Bremberg, i pranishëm në konferencën për shtypin dhe mbështetës i këtij projektligji tha me këtë rast se, “Shumica e të rinjve dhe të rejave amerikanë, thjesht, nuk e njohin historinë e regjimeve komuniste.” Ndërsa Kongresistja republikane, Maria Salazar e shtetit Florida, prindërit e të cilës janë arratisur nga Kuba komuniste, tha gjatë të njëjtës konferencë shtypi se, “E vetmja barazi që ofron komunizmi”, shtoi ajo, “është që të gjithë të jenë të barabart  në varfëri, të barbart në uri, të barbart në shtypje dhe mërgim.

Ne që jetojmë këtu në Amerikë e dimë se qeveria federale nuk ka shumë influencë në sistemin publik të edukimit, pasi kryesisht, kontrollohet nga shtetet individuale dhe qeveritë vendore, andaj qeveria federale nuk ka të drejtë tu urdhëroj shkollave se çfarë programi mësimor duhet të përdorin. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e bordeve vendore të shkollave publike, që votohen nga qytetarët e zonës.  Por, ky projektligj, i cili deri tani ka siguruar mbështjen e 60 kongresistëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjen dhe njohurinë për krimet e komunizmit duke promovuar programe dhe materiale edukative për shkollat amerikane nepërmjet Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të komunizmit, fonde që do të përdoren nga sistemet arsimore të jurisdikcioneve vendore dhe shtetërore – me objektivin për të edukuar nxënësit dhe studentët amerikanë të shkollave të mesme, mbi krimet e komunizmit dhe të regjimeve të tjera totalitare.

https://www.facebook.com/victimsofcommunism/videos/171772828259511/?t=5  --Elida Dakoli nga Durrësi – pjesë e Projektit të Dëshmisë e Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington.

Duke pasur parasysh nismën e Kongresit amerikan për miratimin e një projektligji përt ë mësuar në shkolla historinë dhe krimet e komunizmit, po u drejtohem ju ligjvenës të Kuvendit të Shqipërisë, ju historianë e historiane shqiptare, ju gazetarë e akademikë shqiptarë, ju klasë politike e të dy partive kryesore të atij vendi, në “pozitë dhe opozitë”.   Nëqoftse jeni të sinqertë me pretendimet e juaja mbi vlerat e përbashkëta me perëndimin, e sidomos me Amerikën, atëherë duhet të jeni të vetdijshëm edhe për të këqiat që i ka sjell komunizmi atij vendi dhe botës në përgjithësi.  Dhe si rrjedhim të bëni diçka për të ndërgjegjësuar shqiptarët, e sidomos brezin e ri të shqiptarëve, rreth krimeve të komunizmit.

Pse nuk dëgjojmë nga ju thirrje për zbuluar të vërtetat e historisë së komunizmit – siç po bëjnë ligjvensit amerikanë, të cilët, megjithëse Amerika nuk është qeverisur kurrë nga komunizmi, madje edhe tre dekada nga shembja e Murit të Berlinit e shohin komunizmin së një rrezik real dhe aktual për të gjitha shoqëritë, përfshir Shtetet e Bashkuara.  Ndryshimi i madh midis jush dhe këtyre legjislatorëve këtu në Shtetet e Bashkuara është fakti se elementë të ndryshëm të kësaj shoqërie këtu në Amerikë, kur e shohin rrezikun, përpiqen t’i dalin përpara, ta parandalojnë. Ju nga ana tjetër që përfaqësoni Shqipërinë, një vend që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi enverist, më i egri në Evropë -- mendoni -- duke filluar që nga Kryeministri, partitë politike të gjitha ngjyrave e deri tek parlamenti, shkollat, universitetet e deri tek akademia, historianët, e tjerë – se komunizmi i Enver Hoxhës nuk ishte aq i keq, se kishte të “mira e të këqia”, siç shprehen disa.

Ndryshe nga ju në Shqipëri, ligjvenësit amerikanë janë të vetdijshëm për të këqiat e komunizmit. Bazuar në histori, ata e shohin rrezikun dhe njohin krimet e komunizmit, ndërsa me këtë projkektligj ata po përpiqen të bëjnë diçka që brezat e ardhëshëm amerikanë dhe rinia e sotme e Amerikës të mësojë të vërtetën mbi këtë ideologji çnjerzore dhe për krimet që ka bërë kundër njerëzimit. Ky është dallimi i madh midis amerikanëve dhe ju shqiptarëve post-komunistë.  Vlerat tona perëndimore nuk janë vlerat e juaja sepse po të ishte ashtu, ndryshe do të flisnit mbi historinë dhe krimet e komunizmit të Enver Hoxhës dhe atij ndërkombëtar, në përgjithësi, dhe ndryshe do vepronit. Megjithëse kanë kaluar tri dekada nga shembja e Murit të Berlinit, ju ligjvensit e Shqipërisë “demokratike”, deri më sot nuk e kini provuar – as me fjalë as me vepra se, vërtetë, jeni serioz të pranoni vlerat tona perëndimore, duke u distancuar nga e kaluara dhe krimet e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. Komunizmi është në kundërshtim të plotë me lirinë dhe demokracinë amerikane, thanë kongresistët amerikanë duke paraqitur projektligjin në fjalë! Vlerat amerikane nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, as me nostalagjikët e regjimit të tij, as me ditën e “çlirimit” për disa e të robërimit për të tjerët.  Nëqoftse dëshironi të jetoni në një Shqipëri demokratike, është detyrë, obligim dhe përgjegjësi e juaja që të mësoni brezin e ri mbi rreziqet e komunizmit, ashtu siç po bëjnë këta kongresistë amerikanë! Por, më së pari nevojitet që Shqipëria të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe të dënojë krimet e regjimit komunist, duke u shkëputur njëherë e mirë nga trashëgimia enveriste. Vetëm atëherë, ndoshta mund të flasim për, “Vlera të përbashkëta” midis dy popujve tanë, vlera për të cilat do duhej të luftohej “krah për krah”!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora