Mendime
Gjekë Gjonaj: Trieshjanët në Australi, të lidhur me vendlindjen
E enjte, 04.11.2021, 08:32 PM
Trieshjanët në Australi, të lidhur me vendlindjen edhe pse i ndanë largësia
Nga
Gjekë Gjonaj
Trieshjanët
në Australi, të njohur edhe si
shqiptaro-australian, janë pak
familje të cilat mund të
numërohen me gishtat e të dy duarve
me më pak se 40 anëtarë, sipas pohimeve të tyre. Ata filluan të shpërngulen
në Australi nga fillimi i viteve 1960.
Trieshjani i parë i regjistruar, i vendosur në Australi, ishte Pjetër
Nikollaj, ( i njohur në
komunitet me emrin Tushi i Prëlë Nicit)
nga fshati Muzheçk. Ai me familjen e
tij u përcaktua të jetojë në qytetin
Sidnej, ku edhe qëndroi përgjithmonë. Fillimet e
këtij mërgimtari në këtë vend të
largët ishin të vështira, sepse atje ndjehej si një person i huaj. Në rrafshin shoqëror ai e identifikonte
veten me bashkësitë në vendlindjen e tij, familjen, fshatin, krahinën dhe kombin, kurse në rrafshin mendor unin e vet e demonstronte si individ, i ndarë
nga secili individ tjetër. Këto ndjenja
emocionale dhe nevoja që t’u ndihmojë
familjarëve në vendlindje të cilët i
kishte lënë në një varfëri të skajshme, pa kurrfarë perspektive për të ardhmen,
e motivuan atë që t’i
tërheqë ata në Sidnej. Të përkujdeset për ta dhe t’u gjejë punën.
Me shumicën e anëtarëve të kësaj familjeje të ndershme në moshën e fëmijërisë shoqëroheshim shpesh. Dhe, pasi ata u larguan nga Muzheçku dhe u shpërngulën në Australi , e pyeta babin
se ku është vendi ku ata shkuan.
Ai më dha këto përgjigje : “ Në fund të botës”, “ Në njërin prej vendeve më të mira të botës” , ” Si
në përrallë”. Më pas duke e ndihmuar
njëri-tjetrin mbërritën edhe emigrantë
të tjerë . Në këtë mënyrë e prekën tokën
australiane edhe një numër i vogël trieshjanësh nga vëllazëria Nikollaj, Gjokaj, Gjolaj,
Cacaj dhe Dedivanaj. Të gjithë ata shkuan në Australi si emigrantë ekonomikë, si punëtorë për të
shfrytëzuar mundësitë më të mira për jetesë dhe punë. Ata në
këtë vend ushtruan profesione që i përkasin kryesisht punës fizike, kurse
numri i atyre me arsimim të lartë që ushtrojnë profesionet e veta
është tepër i pakët, për të mos thënë mungon fare.
Sot trieshjanët në Australi janë integruar në jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin
status juridik si të gjitha pakicat
tjera etnike që jetojnë dhe punojnë atje. Nuk kanë heqë dorë nga shtetësia e dyfishtë. Përmes integrimit në bashkësitë
shoqërore e ndiejnë veten “
australianë”, por në asnjë moment si
individ nuk e kanë ndërprerë e shkëputur
lidhjen me vendlindjen e tyre.
Gjithnjë mbajnë lidhje simbolike, të
pastër emocionale për vendin e origjinës
të baballarëve të tyre. Disa nga ata i kanë riparuar shtëpitë e vjetra ku kanë lindur e ca të tjerë kanë ndërtuar shtëpitë e reja
në Tuz.
Nikollë
Nikollaj në bisedë telefonike më tha se
lidhjet e tyre emocionale me vendlindjen e tyre janë të forta. “ Prej
se më
ka shkelur këmba në tokën e Australisë
asnjëherë nuk e kam harruar fshatin tim të lindjes, Trieshin e
Malësinë. Të rralla kanë qenë netët që
nuk e kam ëndërruar atë vend të bukur me ajër të pastër, me ato bukuri të
mrekullueshme natyrore e me njerëz të mirë e fisnikë. Sa herë që vij atje zemra
më ngopet, më bëhet mal, e shpirti më
kënaqet”, shprehet me shumë mall e emocion Nikolla. Njëjtë
më rrëfeu në telefon edhe
bashkëfshatari i tij dhe ish-nxënësi im Zef Gjolaj. “ Shoku arsimtar, m’u
drejtua sikur më thoshte në shkollë, të
falënderoj nga zemra që të ka ra
ndërmend për ne, sepse na ke gëzuar shumë , shumë... Edhe pse jemi larg jush, ne jemi të lidhur
ngushtë me vendlindjen. Mundohemi
të ruajmë traditën, gjuhën, doket e
zakonet tona. Në familjet tona flitet shqip. Të gjitha festat, Vitin e Ri,
Pashkët, Krishtlindjet dhe Zojën e Trieshit
i kremtojnë njësoj apo ngjashëm
sikur kemi qenë në vendlindje.
Edhe ritet mortore, dasmat dhe ditëlindjet mundohemi t’i organizojmë
në pajtim me traditën tonë të lashtë, pohon me krenari Zefi.
Për
fat të mirë edhe brezi i tyre kryesisht
është edukuar në frymën e traditës së
malësorëve. Shembull konkret është Tomë
Nikollaj, të cilin spontanisht e
njoha para pak vitesh në hotelin “
Oazis” në Tuz. E fliste gjuhën shqipe sikur të kishte lindur në Triesh, e jo në
Australi. Përveç kësaj më tha se është këngëtar dhe u bie tri instrumenteve
popullore : çiftelisë, lahutës dhe
fyellit. “ Unë si këngëtar dhe rapsod i ri kam kënduar në
tubime të ndryshme të komunitetit tonë në Sidnej. Në të gjitha ato vende ku kam kënduar, në
ndeja, festa, ditëlindje, dasma, kremte
kombëtare e kudo tjetër jam munduar të këndoj me shpirt dhe të përcjell tek
rinia dhe popullata jonë dashurinë ndaj
instrumenteve tona popullore dhe
ndaj këngëve të bukura shqipe”,
thekson Toma.
Trieshjanët
në Sidnej të Australisë , përveçse mundohen të ruajnë vlerat
tona tradicionale përmes
aktiviteteve të ndryshme të herëpashershme kulturore , fetare e kombëtare e kanë provuar veten edhe në fushën sportit.
Ata në vitin 1981 themeluan me kontribute të veta financiare Klubin e Futbollit ” Besa”, të cilin disa vite e drejtoi me sukses Gjelosh Nikollaj. “Në këtë skuadër të vogël
sportive të ngjizur në Sidnej
përveç lojtarëve nga Trieshi ishin të përfshirë edhe futbollistë
nga komunitete të tjera etnike. Organizimi i saj perfekt në të gjitha
aspektet një vit u finalizua me vendin e
parë në ligën ku garoi”, thotë ish-futbollisti i
këtij klubi”, Gjokë Gjolaj, shoku im i shkollës në Triesh. i cili tani jeton në Detroit , nëSHBA.
Këta
mërgimtarë trieshjanë në Australi,
përveç lidhjeve të gjakut dhe lidhjeve emocionale që kanë për vendlindjen, i bashkon edhe dhimbja dhe
respekti për njëri-tjetrin.