Mendime
Enver Bytyçi: Bëhuni bashkë, nëse e doni Kosovën shtet sovran dhe të pavarur!
E shtune, 16.10.2021, 06:55 PM
Bëhuni bashkë, nëse e doni Kosovën shtet sovran dhe të pavarur!
Nga
Enver Bytyçi
Dy
aksionet e policisë së Kosovës në veri të vendit janë edhe akte politike të
shtetit dhe institucioneve të saj. Vendosja e rendit, sovranitetit dhe
kontrollit në të gjithë territorin është e drejtë dhe detyrë themelore për çdo
qeveri dhe qeverisje. Qeveritë e mëparshme të dominuara nga Partia Demokratike
dhe Hashim Thaçi, por dhe me pjesmarrjen e Lidhjes Demokratike të Isa Mustafës,
nuk mundën ose nuk deshën që ta shtrijnë kontrollin dhe sovranitetin e tyre në
veri të Mitrovicës.
Arsyet
nuk i interesojnë askujt për këto qëndrime të dëmshme për shtetin dhe
shtetësinë të qeverive para Kurtit. Por impakti dhe dhe dëmi që është shkaktuar
është i jashtëzakonshëm. Serbia përfitoi kohë të mjaftueshme të kontrollonte në
gjithçka e për gjithçka veriun e Kosovës. Politikanë dhe intelektualë të shumtë
deri në pesimizëm e kanë konstatuar këtë fakt. Disa të paktë ranë në panik dhe
rekomanduan si zgjidhje ndarjen e Kosovës. Të tjerë ishin të dyzuar, nëse
Kosova do të kishte kapacitete për të shtrirë sundimin e sovranitetit të vet në
çdo metër katëror të sipërfaqes së vendit.
Dy
aksionet politike dhe policore të qeverisë së zotit Kurti kanë rikthyer këtë
diskutim dhe kanë dhënë shpresa për mirë. Për mendimin tim ato dy aksione kanë
krijuar kushtet dhe lehtësuar rrethanat që shteti i Kosovës të jetë unik në çdo
pjesë të vendit.
Kontrolli
i veriut të vendit është kusht i domozdoshëm për të parandaluar krijimin e
asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe ndarjen e saj, qëllime këto krejt
të pastra të Beogradit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Aksionet e
Policisë në veri u adresuan me mençuri, sepse ishin të justifikuara për
objektin që patën në fokus. Këto aksione, sidomos ai për reciprocitetin e targave,
ishin të suksesshme dhe profesionale, gjë që rriti kredencialet e shtetësisë
për vendin.
Aksionet
në fjalë nxorën fytyrën e vërtetë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili
edhe me ndihmën e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit u proklamua si lider i
stabilitetit, paqes e sigurisë në rajon. Kur Beogradi mobilizon ushtri dhe
armatos serbët e veriut, siç u pa edhe dje, atëherë bota demokratike mban
shënime tjera nga ato që janë premtuar. Prandaj dhe diplomacia amerikane me
ndihmën e asaj gjermane po bëhen gjithnjë e më imponuese, madje duket se po
shkon drejt natyrës diplomatike të përdorur kundër Milosheviçit. Mbështetja e
aksionit të djeshëm nga SHBA, KFOR-i, NATO dhe ambasadori gjerman në Prishtinë
është fitore e jashtëzakonshme e diplomacisë së Kosovës. Edhe pjesmarrja ditën
e premte e zonjës Osmane në funksionin e presidentes së vendit në Mbledhjen e
Këshillit të Sigurimit, është shprehje e afirmimit të shtetësisë së Kosovës.
Për
këto arsye duhet të mendojmë se qeveria e Kosovës bën mirë që merret me luftën
kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, bën mirë që vendos reciprocitet
me Serbinë dhe do të bënte punën e duhur nëse do të ushtronte pushtetin e saj
edhe në sektorët ekonomikë e financiarë në lidhje me furnizimin me energji
elektrike, me ujë dhe me pagësen e detyrimeve për taksat dhe tatimet e Kosovës
ne veri të saj. Këto janë akte jo të lehta për shkak të trashëgimisë që kanë
lënë qeveritë e kaluara. Por duhen mbledh taksat, duhet paguar energjia dhe uji
që konsumohet. Duhen gjetur rrugë, mundësi e mënyra nga më të butat deri te
përdorimi i forcës proporcionale për zbatimin e ligjit në veri të Mitrovicës.
Të drejtat e serbëve nuk mund të shkojnë pa limit në dëm të të drejtave të
qytetarëve të tjerë të vendit. Ky do të ishte diskriminim.
Por
le të supozojmë se shteti, institucionet, qeveria, policia, forcat speciale dhe
të gjitha strukturat e sigurisë, financave, kontrollit etj do të angazhohen
seriozisht për të vënë kontroll në veri të vendit. Cili do të duhet të jetë
qëndrimi i opozitës, medies, analisto, edhe atyre manipulatorë në këtë rast? Do
të duhet vetëm mbështetje! Mbështetja nuk jepet thjesht me solidarizim, por
edhe me këshilla, me pjesmarrje, me inkurajimin e zbatimit të ligjit, me
elaborimin teorik e parimor të së drejtës shtetërore e kështu me radhë.
Nëse
do të ketë politikanë dhe analistë që përpiqen të gjejnë një qime ne liqen,
atëherë do të thotë se këta politikanë, akademikë, analistë, gazetarë e medie
janë të paguar nga Beogradi me qëllim që të përkrahin "të drejtën serbe në
veriun e Kosovës"! Dua ta them me plot gojën: Kjo është tradhti për
interesat dhe sovranitetin e Kosovës. Qeveria dhe institucionet kanë e do të
kenë nevojë për mbështetjen dhe përkrahjen e të gjithë instrumenteve politikë,
të medies, të shoqërisë civile dhe të qytetarëve të Kosovës. Nëse ndodh kjo,
inkurajohet qeveria, policia dhe institucionet e tjera të shtetit pëe të
rikthyer plotësisht sovranitetin shtetëror në Kosovë.
Në
këto përpjekje nuk ka asgjë anti-kushtetuese dhe anti-ligjore. Kushtetutën e
kanë votuar edhe deputetët e minoritetit serb.
Prandaj nuk ka e nuk mund të ketë mëdyshje në këtë pikë. Ndryshe
ndihëmohet Aleksandër Vuçiq dhe Serbia për të forcuar sovranitetin serb në veri
të Kosovës. Kjo do t'i kushtojë asaj ndarjen e menjëhershme ose të mëvonëshme
përmes Asosacionit.
Opozita,
media dhe gjithkush duhet t'i kërkojë qeverisë, parlamentit, presidentes,
policisë, forcave të sigurisë të vendosin sovranitetin sa më parë dhe me sa më
pak kosto politike e me mençuri në veri të Mitrovicës. Kjo është detyra
imediate për Kosovën! Nëse kemi një qeveri me vullnet të mirë në këtë drejtim,
ndihëmojeni atë që ta bëjë detyrën, madje me urtësi, mençuri dhe
profesionalizëm politik, policor, administrativ, kushtetues e ligjor!