Mendime
Eshref Ymeri: “Demokracia dhjetoriste” brenda shinave të Ramiz Alisë
E merkure, 13.10.2021, 06:00 PM
“Demokracia dhjetoriste” brenda shinave të Ramiz Alisë
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Ka shumë të drejtë intelektuali i
njohur Mentor Serjani për gjithçka që shkruan në analizën e vet, me titull “Kishim nevojë për demokraci, por humbëm
virtytet”, të botuar në numrin e
sotëm (10 tetor 2021) të Portalit “Fjala
e Lirë”. Në atë analizë ai shpërthen me trishtim:
“Demokracia nuk erdhi nga poshtë, nga populli,
por nga lart, nga individët”.
Sigurisht, demokracia në Shqipëri duhej të vinte nga poshtë, pas
atij terrori dhe sundimit të egër të diktaturës së përbindshme të
kryekriminelit Enver Hoxha, të cilën populli e pati hequr mbi kurriz për gati
gjysmë shekulli. Por një gjë e tillë ishte e pamundur. Sepse ajo diktaturë kriminale, me atë kryekriminel në krye, e
pati depersonalizuar popullin në
maksimum, e pati zhveshur tërësisht nga
dinjiteti personal, ia pati shuar krejtësisht aftësitë vetorganizuese, duke e
shndërruar në një robot në shërbim të shportës së karavidheve, të mbyllura
brenda Bllokut famëkeq që mbrohej nga bajonetat e Gardës së Republikës.
Në këto kushte, ishte kotashpresë ta mendoje se demokracia mund të
vinte nga poshtë. Prandaj ajo erdhi nga lart, duke ndjekur piketat që pati
vendosur krimineli Ramiz Alia në dy fjalimet e veta, të mbajtura në mbledhjet e Byrosë Politike të
nëntorit 1989 dhe të 13 dhjetorit 1990. Ideja themelore që shprehte ai
kriminel, përmblidhet në rreshtat në vijim:
“… brenda dy-tre legjislaturave,
do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do
të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe
po e përgatisim Vetë.Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do të jetë e Jona. Kurrë
nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë.E ardhmja e
fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme...”.
Duke pasur parasysh pikërisht këto
orientime të kriminelit Ramiz Alia, lëvizjen e dhjetorit 1990 dhe ngjarjet që
pasuan pas saj, në analizat e mia i kam vlerësuar dhe vazhdoj t’i vlerësoj si
demoshëmti dhjetoriste. Nisur nga fakti se ç’individë u katapultuan në pushtet
pas demoshëmtisë dhjetoriste, e cila, në përputhje me piketat e vendosura nga
krimineli Ramiz Alia, s’ishte gjë tjetër, veçse zëvendësim i pushtetit të
komunistëve veteranë me pushtetin e neokomunistëve, populli duhej të kishte
reaguar nëpërmjet votës, për të mos lejuar që ligjin ta bënin pasardhësit e
nomenklaturës komuniste. Por, për arsyet që u parashtruan më lart, populli, i
robotizuar në maksimum në diktaturë, iu përshtat plotësisht neodiktaturës, çka
do të thotë se varfëria dhe vuajtjet e shkaktuara prej saj gjatë diktaturës,
qenë bërë pjesë e pandarë e formatit të tij shpirtëror, me gjurmë të thella në
vetëdijen e tij, pra, edhe në kushtet e neodiktaturës. Që lexuesit e nderuar të
binden plotësisht se varfëria, me pasojat e saj të dhimbshme, qe rrënjosur në
formatin shpirtëror të popullit tonë, le të sjellin në kujtesë deklaratat
publike të atyre dy grave (të cilat nuk e meritojnë t’i quash zonja), militante
të partisë socialiste në Berat dhe në Vlorë. Ajo beratasja, duke iu drejtuar
Fatos Nanos dhe Ilir Metës, deklaroi:
“Ne nuk duam as ujë, as drita, vetëm ju të dy të shkon i mirë
me njëri-tjetrin”.
Kurse ajo vlonjatja lëshoi një deklaratë
edhe më të fortë:
“Edhe pa bukë të mbetem, për partinë socialiste do të votoj”.
Këto dy deklarata dëshmojnë më së miri
se militantizmi partiak majtist është aq i verbër, saqë, në raport me
mirëqenien, parapëlqen vuajtjen, varfërinë.
Duke pasur parasysh që elektorati i
majtë përbën shumicën në radhët e popullit tonë, dy deklaratat e mësipërme, kohë
pas kohe më sjellin në kujtesë dy personalitete të njohura të kulturës ruse,
shkrimtarin Fjodor Dostojevski (1818-1881) dhe shkrimtarin dhe publicistin Ivan
Shmelov (1873-1950).
Në librin me titull “Ditari i një shkrimtari”, të botuar në
vitin 1873, Dostojevski shkruan:
“Mendoj se kërkesa më
kryesore, më rrënjësore e shpirtit të popullit rus, është kërkesa për vuajtje,
për një vuajtje të përhershme dhe të pashuar, kudo dhe në çdo gjë...Në vuajtje populli
rus sikur gjen kënaqësi”.
Në veprën që
titullohet “Dielli i të vdekurve”, të
botuar për herë të parë në Paris në vitin 1923, Ivan Shmelovi shkruan:
“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf
prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet...”.
Intelektuali Mentor Serjani i flak
tutje ne neveri petët e lakrorit neokomunist me mbulojë socialiste. Ai shkruan:
“Shqiptarët i diskreditoi klasa e tyre politike. Çdo gjë
është e krimbur, që nga Partitë, nga lart deri poshtë. Që nga administrata, që
nga lart deri poshtë… Pa futur në burg që nga luanët e mëdhenj e deri tek
çakejtë e dhelprat, ky vend do vuajë shumë”.
Duhet të
jemi të vetëdijshëm se burgosja që përmend intelektuali Mentor Serjani është
një utopi e kulluar. Sepse agallarët e politikës i kanë kopsitur punët për
bukuri, duke gëzuar edhe mbështetjen e brukselizmit Një burgosje e tillë mund
të bëhej fakt i kryer sikur demokracia të ringjallej nga poshtë, në mënyrë që
të kryhej një përmbysje a la francaise,
si ajo e vitit 1789. Por kjo është një ëndër në diell. Megjithatë, sikur
populli të kishte sadopak aftësi vetorganizuese, kastën politike që e ka
krimbur vendin fund e krye, mund ta hiqte qafe fare kollaj: ditën e zgjedhjeve
politike askush të mos shkonte të votonte dhe kryeoligarkët e politikës do të
shporreshin nga skena politike si me frymën e shenjtë. Po hajde t’u mbushësh
mendjen militantëve partiakë të mos shkojnë të votojnë! Rama e njeh mirë
psikologjinë e militantëve socialistë, prandaj edhe e ka shndërruarr vendin në
domenin e vet.
San Diego Kaliforni
10 tetor 2021