Kulturë
Albert Habazaj: Albert Zholi - “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”
E diele, 22.08.2021, 08:27 PM
Shkrimtari dhe
gazetari Albert Zholi nderohet me
titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”
Flasin
Luftar Paja, Jorgo Papingji, Alida Hisku, Prof.dr. Bardhosh Gaçe, Prof.dr. Ago
Nezha, Dr. Neki Dredha etj
Nga
Albert Habazaj
Ditën e
shtunë, në Bibliotekën e Universitetit “Ismail
Qemali” Vlorë, u zhvillua ceremonia e dekorimit të veprimtarit, shkrimtarit dhe
publicistit Albert Zholi me titullin “Personalitet i Shquar i
Qarkut Vlorë”. Në këtë takim mbresëlënës mirrnin pjesë anëtarë të Shoqatës
“Labëria” - “Nderi i Kombit” dega Vlorë, shkrimtarë, artistë, poetë,
intelektualë të të gjitha fushave. Dhe pse ishte një ditë kur njerëzit janë me
pushime, interesimi për këtë aktivitet ishte i madh. Vlen për të përmendur se
nga Tirana kishin ardhur “Artisti i Popullit” Luftar Paja, poeti i
shquar Jorgo Papingji etj. Këngëtarja e madhe Alida Hisku erdhi enkas nga
Gjermania dhe solli një atmosferë ndryshe në këtë aktivitet specific
nderimtarie.
Aktivitetin e hapi
kryetari Shoqatës “Labëria” Vlorë z. Ahmet Demaj. Në fjalën e tij ai i
bëri një përmbledhje veprimtarisë publicistike dhe letrare të shkrimtarit
dhe publicistit Albert Zholi që në fillimet e tij. Demaj theksoi se, në mënyrë
të veçantë, Albert Zholi ka spikatur në gazetën “Labëria” dhe gazetën
“Telegraf”. Intervistat e shumta e kanë indetifikuar atë si një gazetar të
veçantë. Ai vlerësoi punën e palodhur të Zholit si
kryeredaktor për mëse 13 vjet i gazetës “Labëria” dhe autor i rreth 100
reportazheve, vëzhgimeve, intervistave me personalitete të këtij Qarku. Ai u
ndal në veçanti tek vlerësimet që i janë bërë Zholit nga persoanlitete të artit
dhe kulturës si Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Ismail dhe Helena Kadare,
Margarita Xhepa, Luftar Paja, Reshat Arbana, Tinka Kurti, etj.
Pas
tij e mori fjalën Prof. Bardhosh Gaçe:
Veçoj intervistat e tij në “Telegraf”
Ai
nënvizoi së pari rolin e Zholit si gazetar dhe krijues në emigracion.
Sipas Gaçes, të krijosh apo të jesh gazetar në emigracion është një sfidë,
është një punë heroike. Alberti është jo vetëm një gazetar qëmtues por edhe një
shkrimtar që ka sjellë figura të rralla të artit në monografi të ndryshme,
theksoi ai. Më pas foli për rolin e tij si gazetar në gazetën “Labëria” dhe në
shumë organe të tjera të shtypit, ku Zholi ka punuar me përgjegjësi dhe
përkushtim. Shkrimet e tij në gazetën “Labëria” dhe “Telegraf” kanë lënë gjurmë
te lexuesi. Dh pse salla ishte e mbushur në këtë aktivitet, vlen për të
theksuar qetësia dhe dëgjueshmëria me vëmendje e diskutantëve. Për të
sjellë më qartë atmosferën, po përcjellim shkurt për lexuesin disa nga
diskutimet:
Luftar Paja “Artist i Popullit”
Albertin
e kam njohur 26 vite më parë në Athinë, në emigracion. Duhet të dini se ai
krijoi Shoqatën e parë shqiptare në Greqi Shoqatën “Vëllazërimi” ku ishte
kryetar për disa vjet. Ishte miku i mirë i Aristidh Kolës, arvanitasit të
shquar që na mbështeti në ato momente të vështira të emigracionit masiv. Si
atje, në Athinë, edhe në Tiranë, Alberti ishte dhe është në çdo
aktivitet. Atje organizonte shqiptarët në mërgim, i ndihmonte, ishte zëri i
tyre. Ngrinte zërin ndaj padrejtësive që u bësheshin emigrantëve. Edhe në
Tiranë është kudo ku ka aktivitete kulturore-artistike, madje shumë prej
tyre i organizon dhe moderon vetë. Unë i besova monografinë time që ai e
realizoi me sukses dhe i jam mirënjohës. Alberti punon me shpirt, i ndihmon të
gjithë dhe pa shpërblim. Për çdo aktivitet, ne thërrasim Bertin. Urime miku im!
Albert Habazaj, studiues, poet
Mund
të flas shumë për veprimtarinë e mikut tonë, por sot do ndalem në disa
specifika të krijimtarisë së tij. Së pari, unë do të veçoj skicat letrare të
Bert Zholit. Skica plot musht. Të rrëqethin gjatë leximit, sepse autori zotëron
magjinë e fjalës së bukur letrare për përshkrimin artistik të realitetit. Ai
njeh dhe vlerëson ekonominë e fjalës, lakonizmin në të shkruar. Ai ka
botuar ca skica të veçanta si të Nonda Bulkës e ato kanë një ndërtim specifik
që të rrëmbejnë. Njëherazi mund të them se Zholi është intervistuesi më i
veçantë në gazetarinë shqiptare. Intervistat e tij në gazetën “Telegraf” me të
gjithë, shkrimtarët, poetët, aktorët, regjisorët, akademikët, këngëtarët,
kompozitorët, instrumentistët apo me intelektualë në shumë fusha e bëjnë atë të
veçantë… Një rol të madh Berti ka dhe në gazetën “Labëria”, që tashmë e
ka bërë gazetën më të lexuar periodike dhe më tej, sepse është zëri i shkruar i
Labërisë… Idealizmi i tij human është një virtyt model për bashkëkohësit dhe
brezat që i ngrihen Shqipërisë.
Jorgo Papingji, poet
Dhe
pse në këtë situatë të vështirë, nuk mund të mos vija për mikun tim Albert
Zholi. E kam mik se është gazetar serioz, i përpiktë, nuk luan apo
tjetërson mendimin. Nuk bën lajme për bujë por mbi të vërtetën. I heshtur,
korrekt gjithmonë takohemi dhe flasim për letërsinë dhe gazetarinë. Miqtë e mi
e çmojnë për sinqeritetin dhe vërtetësinë e shkrimeve të tij. Sot po shoh një
aktivitet ndryshe, një aktivitet shpirtëror, pa stisje, pa sforcime por me
fjalë zemre. Shoh intelektualë që flasin me zemër për atë ç’kanë njohur te
Berti. Ai flet pak me fjalë, por shumë me penë. Tek thjeshtësia gjen virtytin e
tij më të lartë….
Dr. Neki Dredha, mjek, poet
Një
vlerësim i tillë i takon Albert Zholit dhe ne ndihemi krenarë për punën e tij.
E lexoj vazhdimisht në gazetat “Labëria” dhe “Telegraf” dhe aty gjej gjithë
Shqipërinë time. Alberti është aktiv, i respektueshëm, korrekt, fjalëpak dhe
shkruan me përgjegjësi. Puna e tij flet vetë dhe nuk duan koment. Urime!
Alida Hisku, këngëtare e mirënjohur
Erdha
sot nga Gjermania për mikun tonë Albert Zholi. Kam rreth 24 vjet që e njoh
gazetarin e mirë Albert Zholi dhe e them me plot gojën se ai është miku im më i
mirë mes gazetarëve. Kurrë nuk deformon fjalën. Kurrë nuk flet për veten. Sa
herë i kërkojmë ndihmë nuk përton. Në gazetari shpesh herë me ne, këngëtaret
luhet me fjalën. Vihen tituj bombastik të shkëputura nga konteksti, por që nuk
përbëjnë thelbin e fjalisë. Shumë herë titujt në gazeta nuk paraqesin fjalën
tonë por dëshirën e gazetarit. Zholi nuk luan me fugurën e artistit por e ruan
personalitetin e tij. Ndaj intervistat me të bëhen shumë të bukura dhe ne i
besojmë verbërisht penës së tij. Tani dua të këndoj me të gjithë ju, në këtë
ditë të shënuar të mikut tim këngën time “Vajzat e fshatit tim” (Ja merr
këngës)
***Më
pas folën shumë pjesëmarrës, ku një urim i veçantë erdhi nga përfaqësuesit e
Shoqatës “Shqipëria” me qendër në Athinë. Në fund të takimit, kryetari i
Shoqatës Kulturore Atdhetar “Labëria” - “Nderi i Kombit” prof.dr. Ago Nezha foli për rolin e Albert Zholit si
kryeredaktor i gazetës “Labëria” që solli një frymë të re. Unë Bertin në një
nga librat e mi e kam quajtur “Maratonomaku i letërsisë”. Por ai dhe në
gazetari është po ashtu një maratonomak. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të
lexoj motivacionin e dekorimit:
Z. Albert Z. ZHOLI
i
jepet titulli:
“Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë”
Për kontribut të veçantë si publicist, shkrimtar,
skenarist në pasqyrimin e jetës historike kulturore dhe artistike të Vlorës dhe
Labërisë dhe figurave të Qarkut, në shtypin bashkëkohor shqiptar. Për promovim
të letrarëve të rinj brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryetari Ervis Moçka.
Në
fund të takimit kaq mbresëlënës Albert Zholi theksoi:
Falënderoj
tre shoqatat propozuese të nderimit tim: shoqatën “Labëria”, shoqatën “Ismail
Qemali” dhe shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” që vlerësuan
punën time duke e adresuar te drejtuesit e Qarkut Vlorë. Vlerësimi im është dhe
vlerësimi juaj, pasi asnjë punë nuk bëhet vetëm. Pa miq e shokë çdo gjë është
shterpë. Falënderoj gjithë miqtë që ishin pjesëmarrës, të cilët lanë pushimet
për të marrë pjesë në këtë veprimtari kaq të çmuar për mua dhe pse qarkullimi
dhe temperatura nga zjarret në Vlorë është i madh. Falënderoj familjen time që
më lë hapësirat për të kryer veprimtari në interes të Shoqatës apo personaliteteve
të ndryshme. Falënderoj gazetën “Telegraf" që më ka dhënë hapësirat
për një aktivitet të gjerë publicistik si gazeta e vetme që ka hapësirën
më të madhe për letërsinë. Falënderoj gjithë anëtarët e Shoqatës “Labëria” që
ma kënë besuar gazetën “Labëria” për 13 vjet. Ju uroj të gjithëve, mbarësi dhe
mirësi…
Botime nga Albert ZHOLI:
1-
Ikja e madhe (Publicistikë)
2-
Vite emigracioni - tregime
3-
Endrrat e mërgimit - publicistikë
4-
Kush e “vrau” Amerikën - publicistikë
5-
Vajza misterioze - tregime
6-
Yjet në Folk Univers - publicistiko - letrar
7-
Iraku midis Babilonisë dhe qytetërimit - (publicistikë)
8-
Hiret e një bjondine - tregime
9- I
fundit i komunizmit utopik - publicistikë
10-
Me zemër pranë Shqipërisë - publicistikë
11-
Luftar Paja, aktor i madh komik (Monografi)
12-
Sekretet e ish - gazetarëve të RTSH
13-
Kush e vrau dashurinë - roman
14-
Sekretet e ish - gazetarëve të RTSH - vëll II
15-
Kiço Mustaqi Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve -monografi
16-
Mesazhe dashurie (publicitiko - letrar)
17-
Një ditë për dashurinë (publicistiko - letrar)
18-
Puthje dashurie (publicistiko - letrar)
19-
Hase Manaj, në udhët e jetës (Monografi)
20-
Kujtim Gjonaj dhe magjia e filmit (Monografi)
21-
Reshat Arbana "Artist i Popullit" - monografi
22-
Anita Bitri - Nje meteor ne qiellin e kenges shqiptare - Monografi
Letër e Ismail dhe Helena Kadare dërguar
autorit nga Parisi, pas leximit të librit të tij “Ikja e
Madhe”
Paris,
7 shkurt 1998
I
nderuari zoti Albert,
Lexova
me një frymë librin tuaj "Ikja e madhe" dhe
dua t’ju uroj nga zemra për këtë punë të mrekullueshme
që keni bërë, lidhur me ikjen, jetën dhe peripecitë
e panumërta të emigrantëve tanë në Greqi. Bravo,
me të vërtetë bravo!
Libri
është shkruar me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të
gjallë, me gjuhë të rrjedhëshme dhe mbi të gjitha, me një
ndjeshmëri të rrallë. Për të gjithë ne shqiptarët, kudo
që gjendemi, ai është një tabllo tronditëse e dramës së
dhimbshme të shkuljes së shqiptarëve nga trojet e tyre,
pas rënies së komunizmit.
Për
të gjitha këto, libri juaj, të shkon drejt e në zemër. Ju keni ditur ta
përshkruani çdo gjë duke mbledhur një informacion të dendur, realist dhe
tejet emocionues. Dhe ajo që është për t’u lavdëruar, është se ju, me këtë
libër, keni dhënë një mesazh shprese për të gjithë ata që kanë lënë
atdheun në kërkim një jete më të mirë, dhe që mendojnë seriozisht se një
ditë do të kthehen atje, e do të punojnë për ta ringritur këtë
atdhe të rënë në baltë.
Edhe
njëherë urime
Ju
përshëndesim
Ismail dhe Helena Kadare
***
Kanë thënë për Albert Zholin:
Albert
Zholi është kudo ku ka aktivitete, ku ka aktorë, poetë, shkrimtarë, promovime,
redaktime, përkujtime, regjisorë, art, kulturë dhe i pasqyron ato me nivel të
lartë dhe pa asnjë shpërblim. I thjeshtë, i dashur komunikues, real në të
shkruar dhe i saktë në komunikim. Krenohemi që e kemi mik dhe i jemi
mirënjohës.
Margarita Xhepa "Nderi i Kombit"
Alberti
është nga ata shkrimtarë dhe publicistë që mendohet shumë kur shkruan dhe lë
gjurmë në shkrimet e tij. Mbi të gjitha ai është një krijues patriot i madh,
aktivist i shkëlqyer ndër të rrallët në Shqipëri që ka lartësuar emrin e
emigrantëve në Greqi për mëse 7 vjet.
Luftar Paja, "Artist i Popullit"
Krijimtaria
e Albertit është mbresëlënëse. Pena e tij është e kujdesshme. Figurat e
personazheve në librat e tij i ka gdhendur me vërtetësi, thjeshtësi, realizëm
dhe besueshmëri.
Reshat
Arbana "Nderi Kombit"
-Albert
Zholi edhe kur bën analiza edhe kur zhvillon intrevista, i bën në mënyrë
poetike.
Xhevahir Spahiu
Albert
Zholi shkruan me një penë të ëmbël dhe të qetë, sikur valëzon. Ai hyn në
shpirtin e personazhit dhe e zbërthen atë duke na e prurë pranë të gjallë dhe
të freskët.
Dritëro Agolli
Alberti
shkruan me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë të
rrjedhëshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë.
Helena Kadare
Krijimtaria
juaj të ngërthen. Lexova një ngjarje prekëse nga jeta e emigrantëve shqiptarë
në Greqi i cili shquhet si për realizëm, si për humanizëm të ndërsjelltë. Të
tilla tregime rrëfejnë cilësitë e larta morale të njerëzve të thjeshtë. Suksese
në rrugën e bukur e të vështirë të tregimit të shkurtër.
Naum Prifti
Përshëndetje
të veçanta, i dashur Berti! I lexova menjëherë me kureshtje kolegu
skicat dhe tregimet e tua, dhe përjetova kënaqësi të papritur. Nuk e tepëroj se
s'më shkon në këtë moshë -duhet të jesh krenar për prozën tënde! Njëherësh më
kujtuan skicat e Migjenit - parahyrje për tregimet e fuqishme dhe aq të hijshme
të tij. Nëpër prozën tënde lëvizin dramat njerëzore të ditës, një pikëllim
tragjik që është edhe më tronditës kur njerëzit e shprehin me sy pa e thënë
plotësisht me gojë! Portretet njerëzore, kryesisht në mërgimin e arratisur janë
ulërima njeriu në hall, të ngjashme me ujvarat që rrjedhin në fund humnere pa u
dukur! Bota njerëzore e rënë përmbys që pena e hollë e ngrë më këmbë për ta
shikuar të gjithë!...Megjithatë nuk mungon lirizmi që përballë mjerimit bën
kontrastet e pikturave dritë - hije të Rembrandit!. Meriton fjalë të mira po
ashtu për gjuhën e kursyer, disi fisnike në zgjedhjen e motiveve. Mbi të
gjitha, tregimet - skica kanë në shumë prej tyre një frymë fisnike Shqipërie,
shqetësim fisnik të një biri të saj me penë të hollë në dorë... Përgëzimet më
të mira!
Agim Shehu
Vlerësime për Albert
Zholin:
-Personalitet
i Shquar i Shoqatës “Polifonia Shqiptare” - 2010;
-Personalitet
i Shquar i Labërisë nga Shoqata Labëria "Nderi i Kombit" - 2016;
-
Titullin “Ambasador i Paqes” - 2018;
-“Qytetar
Nderi i Tepelenës” - 2019;
-Gazetari
i vitit i Kulturës nga Instituti "Cinemania Mania e Kinemasë" - 2019;
-
Nderi i Shoqatës “Përmeti” - 2020;
-Nderi
i Shoqatës "Vëllezërit Frashëri" Përmet - 2020;
- Gazetari
i vitit i Kulturës nga Shoqata "Jehona Shqiptare" - 2020;
-Personalitet
i Shquar i Qarkut Vlorë - Gusht 2021