Kulturë
Prend Buzhala: Tri përmasat e një poezie
E diele, 15.08.2021, 01:38 PM
TRI PËRMASAT E NJË
POEZIE
(Brahim
Avdyli: "Aureolat e dritës", poezi, SHB “Meshari”, Prishtinë 2021)
Nga
Prend Ndue BUZHALA
Edhe ky vëllim poetik, që vjen pas librave “Arena e dhembjeve” (2017) dhe “Muzat e vargjeve” (2020), ndër
preokupimet kryesore ka dramën jetësore, ndonëse kësaj radhe, po e vështrojmë
në tri përmasa që i ngërthen kjo lirikë: në atë të përmasës me fjalën, në atë
të rendit të figurave të dritës dhe shpirtit dhe në atë të shtresimeve
dramatike të identitetit të qenies sonë nacionale.
Ç ‘është vepra e një poeti?
Salman Rushdie do të përgjigjet: "Vepra e një poeti… për të emëruar të
paemërtueshmen, për të na i vënë në dukje mashtrimet, për të mbajtur anë a
qëndrimin ndaj diçkasë, për t'i vënë në lëvizje argumentet, për t'i dhënë
trajtë botës dhe për ta ndaluar atë të shkojë për të fjetur."
Jeta është fjala që duhet të shkruhet. Jeta së
bashku me shqiptimin poetik të Fjalës. Me dendurinë e saj të thënies. E thënia
e tillë, është një dhuratë që i jepet ligjërimit, leximit. Poeti është ai që shikon
e kundron në brendinë e realitetit e jetës dhe përsiat brenda zemrës së
gjërave.
Zaten, Brahim Avdyli dallohet për thënien e
qartë, për vargun e ngjeshur me pak fjalë. Së këndejmi, kjo shkurtësi e vargut
lexohet me gjallërinë që e përshkon dhe me komunikimin e pëlqyeshëm që e
karakterizon.
Libri "Aureolat
e dritës" është i ndarë në pesë cikle: "Parapikturë e dhembjes", "Shtegtimet e fjalës", "Aureolat e dritës së pashuar", "Rreshka e dhembjeve të mia" dhe "Fjalorët e (pa)kuptimësisë". Po ashtu, në fillim e në
fund ka edhe dy cikle, para e pas: "Si
fillim", ku përfshihet poezia "Parafjala",
dhe "Një fjalë e pafund",
ku bën pjesë poezia "Edhe pak
shpresë".
1. Metapoezia: parafjala ose sinteza e
preokupimeve krijuese
Ndonëse
ligjërimet e tij autori i përfton dhe i organizon e sistemon nëpërmes zërit të
unit të tij poetik, megjithatë, ky zë herëve të tjera shpërnderohet, duke dalë
nga korniza subjektive, dhe duke e thurë distancën objektive me lëndon poetike
(motivet e temat për lashtësinë e qenies dhe për shtresimet e identitetit tonë
nacional). Skenat dhe imazhet, “nëpër
vargjet e pakëputura”, të thurura nëpër cikle e poezi në trajtë poemash,
ndjekin njëra-tjetrën, ndjekin gjurmët e ndërgjegjes krijuese e të qenies sonë
nëpër kohë, të mbizotëruara nga nocionet (poetike-refleksive). E pra, poeti
arrin ta drejtojë zërin tij kah vetja, aq sa edhe kah Tjetri, kah kohët dhe kah
lënda e nduarnduartë poetike. Poeti, prandaj, na thotë që në fillim të vargjeve të tij:
Do
ta gjeni
nëpër
vargjet e pakëputura
epokën
tuaj
e
nuk e kanë përjetuar
paraprakisht
të gjithë
siç
është
e
siç duhet të jetë.
Te
poezia “Parafjala”, ku përfshihen
këto vargje, poeti thur sintezën e këtyre preokupimeve, që i shënjuam më lart.
Kësisoj,
vjen edhe zëri dramatik që i ligjëron vetes dhe i drejtohet vetes dhe lexuesit:
Brenda
këtyre
kopertinave
parashtrohet
jeta
mendoj
se
fragmentet
e
mendimeve të pa shpresë
i
përpin dhembja...
Pulsimi
mes këtyre përqasjeve, brendësi-jashtësi, domethënë: uni lirik- koha, tjetri,
lexuesi, e bën këtë poezi më të gjallë, më të ndërliqshëm, më të thellë. Një
ton bashkëbisedimi që vrujon nëpër
vargje, krijon një ndërlidhje e siguri më të plotë të thënies lirike. Ky ton
kuvendues dëshiron ta kërkojë e ta gjejë vendin, në të cilin mund të flitet për
vetveten ashtu sikundër flet edhe për qenien kolektive, apo për historinë,
ashtu sikundër ligjëron edhe për kohën e sotme me shqetësimet, hallet, plagët e
vomet e saj.
Poeti
është i gatshëm të ligjërojë për këto dhembje, për t’ua hequr maskën mistifikimeve të saj, dhe ndan me lexuesit
dyshimet e tij.
Dyshimet
që na janë njerëzore, dhe jo vetëm racionale e reflektuese, ato duan ta hedhin
tutje velin e spekulimit ligjërues.
Luftë
e pa fund
në
tërë qenien tonë
të
krijimit
e
përlindjes
është
zinxhiri i kohës!...
Dhe
përpjekja e tillë, për ta parë këtë “zinxhir
kohe” si një tërësi të pashkëputshme, nuk reshtet deri në fund të librit.
Edhe
ato hapësira të humbura, apo ato hallka të shkëputura nga ky zinxhir i shpirtit
dhe qenies sonë, poeti i mbushullon me artefaktet gjuhësore e arkeo-historike
nëpër kohë, deri te prerja e sotme sinkronike.
E
Thëna jam
e
le të pëshpëritin A Thina
Shqipet
tona
në
dy botërat,
prej
trurit të kohës
e
zemrën e madhe
të
periudhave
e
krijoj të tërën
me
mendimet
e
shtresuara në gjurmë!...
Mirëpo,
poeti është i ndërgjegjshëm për realitetin artistik, i cili ndryshon nga ai që
na rrethin sot e nëpër kohë:
E
di se lirika
këndohet
edhe
përmes ditëve
e
vendeve,
bredh
midis
fjalëve tuaja
e
ndalem
nëpër
enigmat e mija.
Më
tutje do të lexojmë jo vetëm toponinimë e djeshme e të sotme shqiptare, por
edhe atë të vend-krijimeve, ditët dhe vendet (toponimi zvicerane, ku jeton
poeti).
Këto
reagime nga jashtë, vijnë e shndërrohen në art poetik, duke u identifikuar me
të tjerët (“bredh/ midis fjalëve tuaja”) dhe depërtimit personal në
thellësitë e reflektimit poetik (“e ndalem/ nëpër enigmat e mija.”)
2.
Fjala: ose përmasa e parë e poezisë
Së
këndejmi, poeti zbret te ciklet “Parapikturë
e dhembjes” dhe “Shtegtimet e fjalës”,
të cilave u shkojnë në përplotësim tematiko-artistik edhe ciklet “Fjalorët e (pa)kuptimësisë” dhe “Një fjalë e pafund” e që ne e
përkufizuam që në fillim si përmasë e fjalës. Edhe rendi i leksemave poetike
(fjalë, shtegtim i fjalës, fjalor, kuptim e pakuptimësi, e pathëna, sistemi i
fjalës, sentencat, diskursi, fjalorët, kënga) të shoqërim me epitetizimet e karakterizimet
lirike (bie fjala, siç janë sintagmat lirike-figurative “Sentencat e provave” apo “Diskursi
i ecjeve”); thurin një përmasë të tërë të kësaj poezie. Poeti e ndien
gjuhën poetike mbi atë të zakonshmen, e ndien dhe e kupton fuqinë dhe energjinë
e saj kur rrezaton shumë ide dhe përsiatje, dhe arrin ta dhurojë kënaqësinë
fisnike nga bota e këtyre ndjesive dhe përsiatjeve. Ai e ka kohën e hapësirën e
vet në natën e brengave, në përsiatjet buzë liqenit, apo në shoqërimin me
dhembjen e enigmat e fatit. Është ajo hapësirë kur ai i shndërron vargjet e tij intime në përsiatje
për publikun. Herën tjetër ai e pranon që zihet ngushtë me fjalën:
Jam
zënë ngushtë
në
theqafjet
e
këngëtimit
e
në pikëçuditëset
e
befta
të
enigmave!...
Poeti
përplaset me botën e tij të brendshme, por nga këto përplasje lind arti poetik,
ndryshe nga jeta e përditshme, ku grindja mes njerëzve prodhon vetëm retorikë,
siç do të shprehej një poet. Leksemat këngë dhe këngëtim, vijnë
si sinonime të fjalës poetike, të krijimit poetik. Gjithsesi që arti poetik pikësynon shkallën
më të lartë të thënies. Vjen me mendimet e formuluara në thellësi, në gjerësi e
në lartësi. Percy Bysshe Shelley do të thoshte: “Poezia heq velin nga bukuria e fshehur e botës dhe i bën objektet e
njohura të jenë sikur të mos ishin të njohura". Të fshehurën, të
panjohurën, enigmën, ai e vjel nëpërmes komunikimit me to;
A
janë
mjegulla
në sy
frymëmarrja
e pëlcitur
Çudi,
fjalët
e pathëna
tresin
në hapësirë
Ai
udhëton me barkën e tij me velat e figurave letrare, porse aty për aty e krijon
motin e mirë të poezisë, për ta ulur atë vel dhe për ta shpalosur bukurinë e
paanë të hapësirave të përjetimit. Korniza e jashtme e krijimeve ngërthen, pra,
historitë personale, ngërthen kërkimin e vetvetes, posaçërisht atë lidhje me
kujtimet, me betejat, me jetën.
Ciklet
na vijnë si kapituj të saktë, dhe, së bashku me librat tjerë poetikë, sikur e
thurin një roman të jetës në vargje. Janë libra që bartin, si ind i
pashkëputshëm, përvojat e autorit.
Bartin përvoja të vlefshme e të paçmueshme të jetës njerëzore. Është ai vetë
protagonisti që rend e rend që nga “dhembjet
e fëmijërisë” e deri te “kthetrat elektronike”.
Ndryshe, poeti e kundron fjalën në kompleksitetin e saj, apo, siç thotë ai, kundrimet
vijnë, siç është “Sistemi i fjalës”,
me lëvizjet e saj, me gnoseologjinë e saj në fenomenologjinë e realitetit:
forma
lëviz nëpër mileniume
për
të shpjeguar
pse
është krijuar
Njeriu.
Dhe
vargjet na vijnë qartësisht të lexueshme nga bota e tillë, ku gjërat nuk shihen
qartë, për t’i kuptuar më mirë.
Tani
kjo
që keni në duar
është
formë e përsiatjes
Kur
kaq shumë këmbëngulje e interesime krijuese ka poeti me fjalën, a nuk është kjo
një dëshmi se ai merret me pasion me gjuhën dhe me thellësitë e enigmat e saj? E,
Fjala e Duhur, është ajo e gjetura, aq e thjeshtë dhe aq qartë e komunikueshme.
Fjala që bart një kumt kohësh a një mesazh për të sotmen.
Shkrimi, gjithsesi, është punë e vështirë. I ndërgjegjshëm
që kjo vështirësi kërkon edhe vetminë krijuese, në liqe, në mesnatë apo diku
tjetër, për t’i ikur demonit të jetës, sado që ai demon bredh si hije
shqetësimi nëpër vargje. E, po qe se e lejon që
jeta me realitetin e saj të trishtë, të të përpijë, atëherë edhe vargjet
të përmbysin. Por jo! Poeti nuk e lejon një gjendje të tillë, për faktin se ai
ngrihet për ta përjetuar e ndërtuar jetën. Gjithsesi edhe qenien e kombit,
kohën, historinë.
3.
Rendi i figurave në përmasën e dytë: ose alternativa e dritës dhe shpirtësisë
Përpos
Fjalës, ky rend figurash çliruese ndjek aureolën e dritës. Sado që titulli “Aureolë drite” sugjeron
njërën përmasë, atë të aureolës (shkëlqimit të të madhërishmes), megjithatë,
kjo lirikë shkon më tutje, duke i zgjeruar rrathët interesimit krijues, dhe
duke i shënjuar edhe hapësirat e vazhdimësisë së zërit të tij poetik. Kodet tjera metaforike
bartin mallkimin e një jete demoniake, një përleshje të gjithmonshme e së mirës
me të keqen:
ku
demoni përplasej
t`ia
zë vendin
dritës
së Krijuesit!...
Nuk
është e habitshme përse Brahim Avdyli mëqaket që ta çlirojë realitetin e tillë
të zymtë nëpërmes vargut poetik. Nëse “katër elementet” (sipas Filozofisë së lashtë
antike, zjarri, dheu, ajri dhe ujët, një pikëpamje për përbërjen e gjithësisë),
i referohen edhe krijimit të qenies, atëherë, ekziston edhe një përmasë tjetër
“përtej materies” që gjërat i kthen në dritë:
Qenia
e gjallë
të
katër elementet
i
kthen në aureolë
e
të pestin
nuk
e zënë
grushtat
e viteve
sepse
materia
përceptohet
vetëm
me ato
që
i zë vështrimi,
prapavija
mbetet
e
pakapshme-
enigmë
e përjetshme!
Kësisoj,
rendin e kryefigurës së aureolës e plotësojnë leksemat: dritë, vizëllim,
ditë, pasdite etj., deri te nocioni poetik-refleksiv shpirt. Shpirti
ka imazhet e dritës, ashtu sikundër me dritën personifikohet edhe hyjnorja, mu
si te librat e shenjtë, ku kjo dritë asnjëherë nuk ndryshon, as nuk pakësohet, “as nuk venitet dhe as nuk prishet
asnjëherë.” Pothuajse, edhe në të gjitha mitet antike, spikatet lufta e dritës
kundër errësirës, lufta e së mirës kundër së keqes, lufta e mirësisë kundër
ligësisë, më në fund, sipas kësaj mendësie mitike, ekziston lufta e perëndive
të mira kundër shpirtrave të ligë. Edhe te kjo poezi drita i kundërqëndron
errësirës:
Po
të mos ishte
drita
në
të gjitha shtresat
errësira
do
të na përpinte
të
gjitha gjërat
e
nuk do të shkrihej
asnjë
materie.
Krijuesi
nuk resht së kërkuari anën shpirtërore të fenomeneve, gjallimit dhe
trashëgimisë. Ky kërkim shfaq idealin poetik (do të thoshim: edhe lasgushian)
të poetit: shpirtësia është vetë drita; është vetë shenjtëria e jetës dhe e
qenies; është forca e padukshme që shfaqet e dallueshme në ekzistencën e
njeriut. Mu si te vargu i Xhemaludin Rumit: "Hapni
dritaren e zemrës suaj dhe lëreni shpirtin të flasë", Brahim Avdyli i
lë të ligjërojë në kaq përmasa dritën si një shpirt që shëron, që lumturon, që
lulëzon:
papritur
ia
shkrepin
në
hapësirë
dënesjes
së pafund-
vija
e hollë është
e
dridhen
regëtimat
e shpirtit!...
E,
kur e lë të ligjërojë lirshëm shpirti ngjizet me jetën, zbret në rrathët e
prozës së vrazhdë të jetës dhe përjeton e ndien dhembjet tona, zemëratën tonë:
Edhe
dy-tre rreshta
sa
për fund
të
kësaj dhembje
(...)
e
nuk mund të themi
se
po ndahemi
pa
këngë,
fundi
merret si fillim
e
çdo fillim
e
ka nga një fund-
ofshamë
shpirti!...
krahas
shpirtit, vijnë gjendet a situatat shpirtërore të shënjuara me flakën dhe
zjarrin, zjarr i brendshëm, që shpërthen në hove e që pikësynon ringjalljen e
shpirtit të brendshëm.
Një
ditë
do
të plasë
zemra
e trishtë
kur
shpirti vlon
Ndodh
që ky zjarr i brendshëm të na shuhet. Porse poeti është gjithnjë në kërkim të
ndezjes së kësaj flake. Madje, kund e kund, kur kjo shpirtësi arrin sferat më
të larta të qenies, hap një portë të re, portat e mirësisë e të shenjtërisë, të
të vërtetës dhe bukurisë hyjnore, aq sa e shtyn poetin të reflektojë:
E
si mundet
të
shkruhej shpirti
kur
nuk është
tabelë
e shkrimit,
shkëlqen
nga jashtë
me
aureolat e ngrohta
e
ndjenjat ia dikton
zemrës
sonë!
Këto
poezi e shquajnë edhe anën tjetër të dritës, siç është një polarizim ekstremesh.
Dritë e errësirë janë dy gjëra a dy realitete diametralisht të kundërta. E
shquan këtë antagonizëm të përhershëm, ashtu si gjithmonë, që na dalin dy
elemente të një tërësie, si një luftë e përhershme midis dy botëve të kundërta.
4.
Përmasa e tretë: ose shtresimet dramatike të individit, identitetit e të qenies
sonë
Poema
“Aureola e dritës apo fantazma e
errësirës” na shpie te përmasa e tretë e kësaj poezie: te ajo e shtresimeve dramatike të identitetit të qenies sonë nacionale. Zaten, i tërë cikli “Aureolat e dritës së pashuar”, ashtu
sikundër edhe e tërë poema “Aureola e
dritës apo fantazma e errësirës”, thuret mbi sfondin mitik, të lashtë,
ilirik, arbëror e shqiptar, deri te koha jonë.
këto
dy festa
janë
kaherë
kështu,
me njëra tjetrën,
Shën
Kolli dhe Shën Gjergji
mijëra
fluturime
nëpër
fraza të fjalëve i bëjnë,
(...)
ndryshe
ia
kthejnë njëra tjetrës
peshojat
e zotave
Duke
e spikatur këtë mendësi, si personifikim të rrënjëve të lashta dhe të
shtresëzimeve të qenies sonë; gjithsesi që aty është përvijuar edhe “prapavija
e sindromave” (siç shprehet folësi lirik i kësaj poeme, për të shënjuar
mungesat e boshllëqet e vetvetes që na kanë përcjellë si fantazma. Si fantazma
që personifikojnë gjendet tona psiko-historike e psiko-sociale, me kalendarin “e
falsifikuar të psherëtimave”, duke shtrydhur mitet e rrejshme:
Lazar
Jezusi e Juda
zgjohen
të çmendur
Aluzionet
historike që kanë të bëjnë me vjedhjen e shtrembërimin, vijnë përmes një bote
sllave. Shkarjet tona nuk kishin të ndalur, deri në vetëharrim. Punën më
shkatërrimtare e bënin vetë tempujt fetarë të fqinjëve, aty ku “shenjtëria u
bë djallëzi/ e djallëziau bë shenjtëri”.
Çdo
gjë sillej
rreth
shpërfilljes sonë
që
të mos e njohim
origjinën,
Porse
zgjimi ndodhi vonë dhe ishte i trandshëm:
Dikur
e gjetëm
nëpër
fjalorë të begative
kur
zbriste
nëpër
vite të dhembjes
Festa
e cila “Çdo gjuhë drite/ e dërgonte të flasë me fëmijët/ sepse ishin të
pastër”, ka vetëm një gjuhë, atë të dhuratës së buzëqeshjes, anekënd
rruzullimit.
Kjo
poemë përbëhet nga njëzet njësi poetike, të ndarë me numra. Pothuajse, ajo
sintetizon në mënyrë poetike edhe qëndrimet e bindjet e poetit të shprehura
nëpër sa e sa shkrime me tematikë të ngjashme për lashtësinë tonë, për burimet
e qenies sonë. Zhvillohet si një polemikë e akuzë kundër krejt qarqeve të
jashtme, duke përfunduar dhembshëm:
Jemi
të shkelur
në
të gjitha anët
e
të përbuzur me derrat,
të
urrejtur
deri
në kupë të qiellit
ani
pse
detyrimisht
jemi
gjeneza
e
dhembjes suaj!...
e
çfarë të bëjë poeti kundër kaq e kaq mohimesh nga jashtë, përveçse ta këndojë
lavdishëm e dhembshëm këtë të kaluar të rrënjëve tona. Poeti sikur e përfill, atë thënien e një
patriarku të lashtë kinez: “Kthehuni tek
rrënja dhe do të gjeni kuptimin.” Janë stuhitë e shekujve që kanë goditur
qenien tonë.
Sido
që të jetë, poeti i drejtohet kohës sonë në ecjet tona, që të mendojmë e dimë
se ku kemi qenë keqas e ku mirë. Ai e di se forca e një peme qëndron tek
rrënjët, ashtu sikundër edhe forca e një kombi qëndron tek rrënjët e tij
trashëgimore (historike, atdhetare, shpirtërore).
Është
ai qortimi për të mos harruar se nga kemi ardhur. Dhe ky rikthim përbën rrugën
më të vështirë, pikërisht për shkak të kaq mohimeve të dhembshme.
Në
përqasje me përmasat tjera të kësaj poezie, që i përvijuam në fillim, atëherë
patjetër që akti i rinjohjes, akti etik i qenies dhe akti krijues, e
vetëmohues, do të hedhin rrënjë në shumë anë e në shumë drejtime, dhe do të
selitin hapësira të reja të lulëzimit. E ardhmja gjendet në amëzën e të
shkuarës.
E,
po qe se e dimë se kush kemi qenë, si kemi shtegtuar deri këtu dhe kah duhet të
mësyjmë, subjekti lirik do të dëshironte të na thoshte se nuk ka forcë për të
na ndaluar të mësyjmë andej ku shkojmë. Përmasa e tillë shënjon edhe një tashme
të mbarsur me revoltë, si te tërësia poetike “E vërteta e shekujve”.
Djalli
modern
është
i përbërë
prej
pjesëve të imta të atomeve,
por
mos harroni
se
po jetoni në botën e rrejshme
Ballafaqimet
e tilla të tematizuara artistikisht, i
hasim edhe te shumë krijime tjera.
Është
si ajo përballja përpara së keqes dhe ligësisë. Figurativisht: si ka një
përballja mes ujit dhe shkëmbit, që e këndojnë shumë poetë. Poeti nuk ka si ta
gjejë atë hapësirën e pajtimit midis mohimit dhe bjerrjes së vlerave njerëzore
e nacionale dhe ruajtjes e ringjalljes së tyre, midis shqetësimeve dhe gjendjes
së rëndë:
në oborr shqetësimesh
duke i përlotur
orët e gjata të pritjes
pa buk e pa çelës...
Shqetësimet
nuk njohin frikën, por shfaqin revoltën. revoltën për t'u përballur me tragjedinë,
mohimin a dhembjen, sado të hidhura të jenë këto përplasje. Bota e shqetësuar e
folësit lirik është mbutojë e shpirtit, është kujdesi për gjërat e çmuara,
është hapi që të çon kah ecja përpara. Është shenja e një hapësire të ngarkuar
me situata psiko-sociale e ekzistenciale, me situata mohimesh po edhe
denigrimesh.
I
shqetësuar jam
me
rrugicat e mia
bërtas
nëpër skaje
edhe
me vetveten,
nuk
e di
shpesh
herë
çka
më del prej gojës
nëpër
dhembje,
bota
dhe unë
nuk
kuptohemi
krejtësisht!
E,
shqetësimi i tillë, që, për shkak të moskuptimit, të shpie në monologët
pëlcitës; shqetësim që shfaq vlerën më të çmueshme të vetive njerëzore, për
shkak të brengës për gjithçka të mirë e për njerëzit e mirë. Kjo do të thotë që
edhe jeta jonë merr kuptim më të plotë, sepse aty do të mbillet fara e së
mitrës aty do të mbëltohen rrënjët e së ardhmes së ndritur. Një spiritualist i
njohur i Lindjes, thotë: "Forma më e
dhembshur e dhurimit të vetvetes, bëhet pa asnjë mendim ose pritje të
shpërblimit, dhe bazohet në shqetësime të sinqerta për të tjerët. Sfida sot
është të bindni njerëzit për vlerën e së vërtetës, ndershmërisë, dhembshurisë
dhe shqetësimit për të tjerët." (Dalai Lama).
Binjake
me shqetësimet, është revolta poetike, që shpërthen kundër secilës tirani dhe
kundër secilës shtypje.
Një
mendimtar thotë: "Edhe një krimb
kthehet kundër këmbës që e shtyp atë." Shtypja nis me mohim e qenies
kombëtare dhe përfundon në asimilim e pushtim të plotë:
Çka
kemi për të thënë
në
këtë shkrim të revoltës-
Tregu
i Ri
ishte
zgjuar jermisht
vidhte
pa pushim
jetën
plot vuajtje
nën
çadrat e huaja,
e
një Mal pat mbetur
tërësisht
i Zi
nëpër
shkrepat e dhembjes
nga
vrasjet
e
dhunimet sllave
pa
ndenjën e lirisë!...
(Poezia
"Pranvera e viteve")
Vetë
Albert Kamy (Albert Camus) e thotë: "Arti
dhe revolta do të vdesin vetëm me njeriun e fundit." Pikërisht pse në
këtë botë ndeshen errësira me dritën, siç e pamë te përmasa e dytë e kësaj
poezie. Tashmë përballja ka dalë në sipërfaqe te përmasa e tretë, me shënjime
referenciale të dukshme, konkrete.
E
kur folësi lirik shpërfaq tërë mizorinë e armiqve, me referencat konkrete, ai
arrin të depërtojë përtej një reference të tillë, me një penelatë lirike:
buzëqeshja
na është ngrirë
në
fjalët e bjerra
të
dhembjes!
5.
Poezia e mendimit: devocioni krijues i fjalës
Brahim
Avdyli, pothuajse, nga lirika në lirikë, shfaqet poet i mendimit. Përvojat
jetësore dhe shpirtërore, krijuese dhe ekzistenciale, ai i ndërthur me ato të
përsiatjeve lirike, një si devocion lirik. Në fakt, autori pleks meditimin me
soditjen, me kundrimin, domethënë, me atmosferën e ndotur kohore, politike,
shoqërore, shpesh edhe armiqësore. Menditimi dhe poeti janë një:
mendimet
tuaja
janë
urat midis shekujve
pa
të cilat
asgjë
nuk do të ishte
mu
kështu
në
glob
Duket
sikur te fundi i këtij ferri jemi ne vetë me përbuzjen tonë ndaj të ligave që
na rrethojnë! Me frikën e ankthin për pasigurinë tonë... Kjo kohë, pra, na
ballafaqon edhe me stigmatizimet që kemi ngritur për njerëzit e goditur. Nuk
janë njerëzit e tillë të goditur si dënim i perëndisë, siç mendojnë indusët e
mençur për gjoja shpirtin e fëlliqur që ka ekzistuar më përpara në një jetë dhe
bartet tek jetët tjera: është edhe përbuzja jonë që vjen nëpërmes indiferencës
shoqërore ndaj qenieve të tilla.
Buzëqeshja
është
e tharrë
mbi
buzë
e
drejta
mezi
lëvizë
nga
barra e shekujve
ajo
fatin
para
syve
e
ka të ngrirë
në
pikëpyetje!
Krimet
nuk
duhet kërkuar në Kosovë
por
nëpër Serbi
dhelprat
e Shumadisë
e
ujqërit e bardhë të Siberisë
atje
e kanë jatakun,
Vetmia
shpesh na del si një kryetemë e kryefigurë e kësaj poezie, tek i ngërthen në
vete shprehjen filozofike dhe metaforike të poetit, në një si përballje me
sfidat e jetës. E te kjo sfidë ai e sintetizon rebelimin vetjak, të heshtur,
përvëlimtar, gjithsesi për ta shprehur edhe madhështinë e qenies poetike, me
mesazhin dhe forcën e mendimit, në gërshetim me dhembjen, melankolinë e
atdhedashurinë, me ndrydhjet e heshtjet e pashqiptuara. E lexojmë edhe thënien
e papajtueshmërisë, ashtu si shfaqet e madhërishmja, si kategori estetike.
Është
ai devocion krijues i mendimeve nëpër vargje që na shpërfaqet si një ditar
spiritual i reagimit të situatave kohore, personale e nacionale.
e
krijoj të tërën
me
mendimet
e
shtresuara në gjurmë!...
Përpos
prirjes për kundrime e përsiatje të brendshme, peti ka prirjen që këlto t’i
zhvendosë edhe jashtë vetvetes, d.m.th. Në një situatë njerëzore, nacionale,
historike apo aktuale, herë me struktura të ngjeshura narrative-poetike, e
herë-herë me asociacione ironike të fatit njerëzor e personal. Porse shoesh e
shpesh ky devocion krijues-meditativ i fjalës, plekset me energjinë
vetëflijuese që dhuron dritë, me pasionet e gjakimet e kërkimeve të të
madhërishmes:
të
eksplodoni
në
miliona thërrmija të imta,
të
jepni shpirt
pas
secilit mendim
nëpër
vite,
por
mos harroni
se
po jetoni në botën e rrejshme
e
jeni vetëm
flluskë
e energjive!
Meditimet
e çojnë kah shënjimi i së keqes, së ligës. Sipas shkrimeve biblike dhe sipas
përfytyrimeve mitologjike, vepra të Demonit janë grindjet, pasiguria, sëmundjet
mentale, histeria, psikopatia, si dhe të këqijat e të ligat e të gjitha të
këqijave.
Djalli
modern
është
i përbërë
prej
pjesëve të imta të atomeve,
por
mos harroni
se
po jetoni në botën e rrejshme
e
jeni vetëm
flluskë
e energjive!
Thuhet
se Hyji e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij, kurse njeriu e krijoi
djallin sipas pamjes së tij; se njeriu u krijua nga balta, kurse gjarpri nga
zjarri. Atëbotë njeriu, së bashku me demonët, kaluan dhe u përbiruan nëpër zjarr
e nëpër ujë. E, shkrimtari di ta zbresë
, këtë raport të lashtë bibliko-mitik, në truallin e raporteve njerëzore, në
truallin e bashkërendimit të elementeve krejt heterogjene të përvojave
historike, mitologjike e shoqërore. Kjo zbritje, e kuptuar si art letrar, ndodh
edhe në rrafshin e paraqitjes së ëndrrave e të fanitjeve, të vetëdijeve të
nduarnduarta e të rrjedhave të ndërdijes. Në ato punkte të rrëfyestores
prozaike e të suazave psikologjike, do të humbin e do të zhduken edhe suazat e
racionales, aty ku kjo poetikë e “zbritjes” do të përshkohet nga
fantazmagoritë, nga arketipet e nga obsesionet tjera njerëzore të çoroditura...
Mandej
vjen teksti,
vjen
katarsisi i publikut.
ia
vlon mendimet
nëpër
batica e zbatica
nëpër
ngitje
e
zbritje,
provat
na
dëshmojnë
kalkulimet
e fatit!
Poeti
nuk i reshtet vuajtjes krijuese, as asaj të ekzistencës, vetëm e vetëm ta
prodhojë e japë njerëzoren, artin, të bukurën në jetë e në art. Ta dhurojë
kanëqsëinë e krijimit artistik. Ka kënaqësi që janë të bukura (kënaqësia e
artit, e jetës, e miqësisë, e dashurisë, e rrethit familjar... ), që e
fisnikërojnë jetën tonë, por ka dhe kënaqësi të dëmshme. Hedonistët e sotëm e
paguajnë haraçin e kënaqësive të veta shumëfish... posi kënaqësia e drogës që
krijon vartësi, një pleksje e fortë në mes kënaqësisë dhe vuajtjes së pafund...
dhe këta të fundit poeti i godet shpesh e shpesh me penën e tij.
Sigurisht
që njeriu bën gjithçka t'i ikën vuajtjes... Por edhe secila vuajtje, thuhet,
nuk është e keqe. Edhe tek vuajtjet ka fisnikëri, ka vuajtje që na forcojnë, që
na ndihmojnë në shpëtimin tonë... Vuajtja e gjatë nëpër burgje, a nuk ishte një
dritë shpëtimi për të arritur tek liria?! Njerëzit tanë, vërtet, kanë përjetuar
vuajtje të mëdha, të pafund, humbjen e të dashurve në luftë... Prandaj, nëse
njeriu bart mbi vete kryqet e jetës (vuajtjeve biblike), ato i bart që nga e
keqja e madhe të shpëtojmë dhe që e keqja e madhe TASH të mos përsëritet...
Atëherë
e
kuptoja mirë
njërën
anë të përpëlitjeve
kthinave
pa dritë
të
burgjeve serbo-sllave
në
vitet më të rënda
të
shekullit martir,
me
qasjet e pa numëruara
të
vuajtjes së madhe
nën
shtrigën kohë!...
Dhe,
filozofët (e teologët), kanë të drejtë: ata që mësyjnë të grabisin sa më shumë
kënaqësi (mbi kurrizin e tjetrit), nuk fiton asgjë tjetër, përveçse vuajtjeve
pa fund pa shpresë; ai që heq dorë nga kënaqësitë e tilla, fiton kënaqësi dhe
gëzime të pafund.
Poeti
bëhet dëshmitar në kohë. Dëshmitar me jetën e me veprën e tij. Është një
dyshues te e përditshmja, posi ai Shën Toma i Biblës; gjakues i së bukurës,
posi Platoni te Simposioni, i drejton shumë pyetje kohës dhe jetës, posi
filozofët modernë, e shprish historinë posi dekonstruksionistët e sotëm
postmodernë, dhe i risemantizon mitet posi letërsia moderne e shekullit XX. I
drejtohet Absolutit dhe Universit. Këtë gjë ia detyron aspekti shumëpërmasor i
artit, ndërlikueshmëria e krijimit.
5.
Në dalje
Fillimi i librit nis me “Parafjalë”, me zanafillën poetike të këngëtimit dhe përfundon me
një shenjëzim pas-ciklor: “Një fjalë e
pafund”, e që shënjon një cikël të gjithmonshëm të përsëritjeve, fundit të
një fillimi e fillimit të një fundi... pambarimisht. Është shpresa ajo që
mbetet në fund, pas kaq e kaq dhembjesh, mohimesh, tradhtish, katrahurash,
përplasjesh, tragjedish:
çdo njeri që vjen e shkon
e ruan
për ditët e dritës së vet!...
Ka shpresë, thotë poeti në fund, sepse lëvizjet e
ndërrimeve epokale shoqërore nisin me një akt nacional ( e njerëzor) të
shpresës.
Korrik
2021