E enjte, 28.03.2024, 08:11 PM (GMT)

Kulturë

Anastas Kostandini: Një portret real e ikonik i Skënderbeut nga Belini me rrezatim hyjnor

E diele, 27.06.2021, 06:00 PM


Një portret real e ikonik i Skënderbeut nga Belini me rrezatim hyjnor

Letër e Mjeshtrit Anastas Kostandini, Taso, për Z. Fotaq Andrea

Përshëndetje i dashur Fotaq!

Studimin tuaj të gjatë dhe fort të dendur me informacione dhe fakte e lexova disa herë. Jeni kuturisur me zotësi në labirinthe të mugëta të historisë mbi Kryeheroin tonë kombëtar. Është  nga ana juaj një analizë e gjithanëshme e trajtimit të tablosë, për të cilën është kushtuar me të drejtë gjithë ai studim, që më në fund ka dhe përfundimin tuaj të sigurt jo vetëm për autorësine e pikturës, por dhe për zanafillën e Ikonografisë Skënderbejane.

Jam impresionuar nga bukuria e fortë e fytyrës në profil të Skënderbeut të pikturuar nga i madhi piktor venecian Gentile Bellini, jeta e të cilit përkon me bashkëkohësinë e Skënderbeut, kur duket se piktori i ri në moshë, por edhe fort i njohur për epokën, na sjell portretin real të të madhit Skënderbe.

Në dy portretet që më dërgove (Belinin dhe Altisimon) për të krahësuar natyralitetin piktural, vë re së pari, vitet e largëta të realizimit të tyre nga njëri te tjetri. Skënderbeu i Belinit shfaqet qartë si vepër e këtij vizatuesi virtuoz, që rëfehet po aq fuqishëm edhe në vizatimin kushtuar Epirotit Petro Bua Spada. Qartësia e të lexuarit të së vërtetës në raport direkt me natyrën është këtu marrëdhënia me të cilën Belini krijon artin e lartë. Kjo shfaqet edhe në të tjera vizatime, studime dhe skicime të tij, që më bëjnë të mendoj për shtegun përmes të cilit ai i ushqen me jetë pikturat e veta, gjë që shprehet shumë qartë edhe tek portreti i tij për Skënderbeun.

Ajo që së pari më bëri përshtypje te ky portret është ngjyra e kuqe si rubin dhe e shkrifët porsi  flaka e zjarrit teksa përdridhet në reflekset dhe ondulimet e veta. Gjithë fytyra bie e qetësohet mbi një sfond të zi e të errët si llahtari i epokës kur Orienti po tmerronte Perëndimin e krishterë. Ky raport kryesor ngjyror nuk duket aq natyralist se sa simbolik dhe prag pikëpamjeje në të vështruarit e modelit prej vetë piktorit Gentile.

Së pari, ai ka pikturuar një përfaqësues legjendar të rezistencës së krishterë nën simbolikën e flamurit Arbëror , flamur i dalë prej dy perandorive të krishtera . Ndjehet shumë afër shija e helmet dhe tragjike e rënies së Kostandinopojës dhe simbolit të lartë të saj, kishës së Shën Sofisë.

Tipar origjinal i penelit të Bellinit duket se është  teknika e sfumaturës, që me sa duket, kishte filluar të çonte pikturën në pikën kulmore të Rilindjes së lartë italiane.

Pikërisht, te ky portret shonim se si pasqyrohet koloristika dhe si  modelohet forma prej ngjyrave përbërëse dhe të kursyera. Vetëm mjeshtëria e jashtëzakonëshme e vëzhguesit për të arritur cilësitë e portretit në fjalë e krijon gjithë atë mister me shumë pak ngjyra. Brenda dy raporteve kryesore ngjyrore ka dhe një tjetër ngjyrë pa të cilën piktura, apo portreti nuk do ishte asgjë, dhe për më tepër nuk do ishte pikturë. Fjala është për të bardhën e nënkësulës me të kuqen alle, që ndan fytyrën. Po kështu, është edhe mjekra, përgjithësisht e bardhë, kur e krahason me portretin e piktorit Altisimo, që qëndrojnë shumë larg njëra-tjetrës: ajo e Belinit është mjekër e shkrifët, “e mëndafshtë”, siç e ke cilësuar ti, dhe ajo e Altisimos, është mjekër si e shtëllungët.

Vërehet dukshëm se drita është e orientuar nga lart, si të ishte një rreze dërguar nga Zoti, që rigjallëron në mënyrë graduale dhe përhapet ëmbël mbi tiparet fort të bukura dhe mrekullisht të proporcionuara. Ato tipare të kujtojnë bukurinë e heronjve klasikë në profilin e hijshëm të skulpturave antike greko-romake, ku raporti mes tipareve rritet fuqishëm prej ondulimeve gati abstrakte të mjekrës, që pjesërisht ndriçohet prej rrezes së dritës. Ky moment me kujton paksa edhe portretin e Moisiut të realizuar një shekull më vonë prej Mikelanxhelos.

Është e vërtetë që "Shpesh idetë shkojnë më përpara se të dhënat konkrete, dokumentare apo eksperimentale." Por, te portreti i Belinit, së pari, është pohuar ideja kryesore e identitetit të fuqishëm të Skënderbeut, shkruar në mënyrë domethënëse “SCANDER BECO”, dhe së dyti, portreti shfaq të dhëna po aq të fuqishme ikonike – të dhëna këto esenciale dhe karakterizuese ku shpaloset pastër tipologjia e plotë e figurës përmes ballit, hundës, syrit dhe buzës. Këto tipare nuk janë vetëm dokumentare, por dhe të trajtuara në unitet të plotë me cilësitë e tjera që nuk ka si t’i rrokë syri i lirë. Pra, shfaqet këtu real e i vërtetë një portret sa karakterial, po aq dhe simbolik.

Përgjithësisht, për shkak të dimensionit familjar e në format gati miniaturesk, portreti i Skënderbeut të Belinit karakterizohet edhe nga një ekspresivitet dukshëm më i madh e superior prej atij tjetrit, të mëvonëshmit, realizuar nga Altisimo. Peneli është më i lirshëm dhe i pikturuar me një frymë, si të thuash, me elemente të hershme të impresionizmit. Drita, e organizuar me një platformë dramaturgjike, si në një skenë teatrore, përqendrohet në zonat e shprehjes së lart, ku detaji më ekspresiv, më impresionues, veç tërësisë së ballancuar, është syri i Skënderbeut. Po të krahasohet ky detaj me syrin e portretit tjetër (të Altisimos) shohim se ai është shumë më i qartë në shprehjen dhe paraqitjen e anës dramatike, dhe vështrimi i shfaqur në këtë mënyrë pasqyron qetësi shpirtërore, duke e lartësuar personazhin historik dhe glorioz. Ky tipar i syrit, që i bie të jetë i djathti nënkupton sigurisht krahun e djathtë të kryetrimit, në sensin që, megjithëqë është një portret – kokë, prej tij mund të imagjinojmë fare lehtë edhe shtatin e lartë të Skënderbeut. Prerjet konvencionale që kanë gjinitë e pikturës, nuk janë kufizime të shprehjes tërësore të subjekteve. Kjo është arsyeja që portreti si gjini, prej shumë mjeshtërve dhe studiuesve është quajtur si "gjinia më e lartë dhe më e vështirë e shprehjes pikturale."

Mizansena e teatrit psikologjik në fytyrën e Skënderbeut ka aktorët e vet. Ata janë tiparet, si syri i qashtër dhe profond, hunda me kurriz të lehtë që përfundon hijshëm në harkimin e vet, balli i gjerë e fort i ndriçuar së brendshmi dhe së jashtmi. Prerja e këtij balli prej kësulës gjak të kuqe duket sikur, veç të tjerash, forcon dramatikisht dritën ballore edhe për efekt kontrasti, por edhe nxeh, si në një furrë zjarri, mendimin e trazuar se tash kësula nuk është thjesht një rrobë apo një veshje indiferente.

Pjesa temporale mes ballit dhe veshit, ndryshe prej portretit tjetër të Altisimos, ndahet me një shkallëzim dritë - hije. Pikërisht, kjo zonë e portretit bën dallimin esencial mes dy këtyre shprehjeve. Nën-temporalja vazhdon me zikomatikun, që i bie të jetë në qendër të portretit.  Krahasimi i vazhdueshëm mes portreteve në këtë rast është dukshëm i ndryshëm dhe tregon "origjinalin" prej "jo origjinalit", dmth : atij që është bërë ndoshta drejtpërsëdrejti me penel në një kohë më të shkurtër. Ose pastaj, mund të ketë ndodhur që portreti të jetë pikturuar indirekt, pra, jo drejtpërdrejt nga natyra. Veçse, kategorikisht jo nga fantazia apo nga kujtesa vizive. Me siguri që në këtë rast, duhet detyrimisht të jetë përdorur një vizatim, një skicim i bërë prej mjeshtrit drejtpërdrejt nga natyra, kur vetë Skënderbeu ka pozuar për disa çaste gjatë vizitës së tij në Venedik.

Tiparet e tjera shfaqen gjysmë të fshehura, si veshi, deri diku buza, nofulla e poshtme, që nënkuptohet poshtë ondulimeve si rrëke ujrash të furishme të mustaqeve dhe mjekrës që humbet poshtë, në misterin trupor. Tjetër zonë me rëndësi, por e padukshme për shkak të errësirës, është edhe pjesa e oksipitalit, ku përfundon kësula e kuqe e mbikrehës.

Shkallëzimi jashtëzakonisht mjeshtëror i dritës në këtë portret bëhet sipas një principi jo thjesht luminoz, por dhe për arsye konstruktive, që përcaktojnë veçorinë individuale. Pra, nëse drita është përkthyer në ngjyrë, po ajo, pra drita, përkthehet bukur edhe në formë. Portreti ndriçohet në mes të kuadrit dhe humbet rreth e rrotull në të katër brinjët e kuadrit. Kështu, portreti nënvizon një vizion universal si një vegim të vetë globit tokësor mes hapësirës jo materiale.

Ky portret që ka krijuar Belini, mendoj se ështe zanafilla e gjithë shprehjeve të mëvonëshme dhe të panumurta rreth figurës së Skënderbeut. Nuk ka dyshim që portretet e tjera janë gjithashtu shumë mjeshtërore por, na duhet të nënvizojmë, se rrjedhin prej një origjinali të vetëm, pra, prej kësaj pikture në format të vogël që i atribuohet me të drejtë  Gentile Belinit madhështor pas një studimi të plotë të dy autorëve Andrea dhe Muka. Të gjitha portretet dhe figuralet e tjera skënderbejane, përfshirë këtu edhe portretin krahasues të Altisimos, kanë, kush më shumë e kush më pak embrionin ikonografik të pikturës gentiliane.

Tek portreti i Altisimos ndjehet një afërsi e madhe imituese kundrejt këtij origjinali të Belinit, por edhe portreteve të mëparshme të Skënderbeut. Ndjehet gjithashtu edhe njëfarë korigjimi piktural, madje më i kujdesshëm në përkryerjen formale të dritës, formës, proporcioneve dhe rafinimit të detajeve. Megjithëkëto, portreti i Altisimos , ndjehet që është më i ftohtë dhe më zyrtar, ndoshta dhe në formatin e zgjedhur. Ky portret që ndodhet në Galerinë e famshme Uffici, duhet të jetë një porosi dhe veneracion ndaj kujtimit të Skënderbeut, vdekur kohë më parë kur Altisimo realizoi portretin e tij. Pra, unë e besoj atë që ju thoni për zbulimin e fytyrës së vërtetë të Kalorësit dhe Atletit të Krishtërimit. Shkrimi juaj pasionant është i freskët dhe plot dituri e vëzhgime të shumta. Është mjaft terheqës dhe ndikues në rendjen e madhe të Shqiptarëve për të ringritur nga hiri historinë në faqen më të lavdishme të tyre, epokën Skënderbejane, epokë që përjetësisht do të quhet shtylla vertebrore e kombit tonë.

Opinioni im mund të jetë i kufizuar, apo një shprehje e nuhatjes time artistike dhe patriotike. Përmes zbulimit tuaj mbi këtë ikonë të qyteterimit europian, jam thellësisht i frymëzuar nga një zjarr i ri i dijes, që më vjen si dhuratë prej larg dhe po aq afër. Vjen prej gjenialitetit të penës tënde, i dashur Fotaq. Për këtë, të falënderoj nga zemra.

Edhe unë jam një kronikan artistik mbi figurën skënderbejane. Vazhdoj të punoj përditë me mendje, penel dhe daltë ksilografie, që të them dicka  nga pozitat e kohëve që jetojmë mbi temën e madhe identitare dhe shumë aktuale, temën skënderbejane.

Të përqafoj, i dashur Fotaq. Të uroj familjarisht shëndet dhe pasion jetëdhenes. Ti tash ke endur gobelinën magjike të shqiptarëve aty, mu në zemër të Europës sonë.

Taso.

Pogradec, 15 qershor 20215

________

1000 falënderime nga zemra, i dashur Taso

Nga Fotaq Andrea

E falënderojmë publikisht nga zemra mikun tonë të dashur Anastas Kostandini (Taso), Mjeshtrin piktor poradecar që di aq bukur të pikturojë edhe me fjalë, po aq mirë sa me penel, duke i bërë portretit të Skënderbeut të Belinit një analizë të përkryer, të thellë, plot argumente bindëse, të nxjerra qoftë nga përvoja e tij e gjatë dhe e pasur si piktor i përplotë, që i ka rrahur me sukses të gjitha gjinitë e pikturës, qoftë nga erudicioni i tij i gjerë e i thellë, që e njeh historinë e pikturës - klasike dhe moderne - me themel dhe që e ka ushtruar MJESHTËRISHT artin e pikturës, me dhjetëra vepra të shitura anë e mbanë Europës e botës, në ekspozitat e shumta që ka hapur për dekada me radhë.

Taso është po ashtu i njohur si bashkautor i mozaikut “Shqipëria”, realizuar mbi fasadën e Muzeut Kombëtar Historik.

Është Njeriu artist (me Nj të madhe), Njeriu i penelit sa të ëmbël aq edhe të zhërvjelltë e të harmonishëm, me kompozime të fuqishme të temave të mëdha historike të popullit tonë, por edhe me tablo romantike, realiste, ekspresioniste e impresioniste, ku shfaqet herë-herë edhe një abstraksion lirik e gjeometrik, me forcë shprehëse, me përthyerje të befta të linjave e ravijëzimeve të pafunda që fshehin e mbartin në vetvete sensibilitet të lartë artistik, e mbi të gjitha thjeshtësi, përkorë karakteri dhe shumë shumë dashuri njerëzore.

Anastas Kostandini, Furia skënderbejane, vaj, 1968.

Që 14 vjeç, kur gjyshja i dhuroi një seri bojërash, Taso rrëmben penelin dhe realizon tablo për një sulm të furishëm të Skënderbeut mbi osmanët, duke e vendosur në qendër Kryeheroin shqiptar me veladon shpalosur ere, si në flamur që prin drejt fitoresh dhe me krahun e fuqishëm të Heroit që dërrmon hordhinë pushtuese. Eshtë sërish po aq i ri në moshë kur Taso realizon edhe bocetin e parë me portretin e Skënderbeut, Kryepersonazhit të tij  artistik që nuk do t’i ndahet një çast për mbi 60 vjet me radhë, që nga fundi i viteve ’60 e deri sot, duke krijuar një fond të pasur me rreth 100 vepra e ilustrime artistike për figurën e Skënderbeut.

Fjala e tij, kompetenca e tij e fuqishme për zbërthimin psikologjik e artistik të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut është për ne një  fjalë e artë, një stoli më shumë që i shtohet analizës sonë për portretin real e autentik të Skënderbeut nga i Madhi Gjeni i Artit të Rilindjes Europiane Gentile Bellinit.

Edhe një herë faleminderit Taso, miku im i hershëm e i shtrenjtë.

Fotaq

Strasbourg, 27 qershor 2021

Anastas Kostandini, bocet i Skënderbeut, në fillim të viteve 1970



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora