E premte, 26.04.2024, 03:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Timo Mërkuri: Drita që e shndërron njeriun në dritë

E premte, 25.06.2021, 09:00 PM


DRITA QË E SHNDËRRON NJERIUN NË DRITË

Mbi romanin “Nëna e Dritës” të Anton Nikë Berishës

Nga Timo Mërkuri

I-Të shkruash një roman për Nënën Tereze, së pari: duhet ta kesh shpirtin plot dritë gjer në skajet e tij më të thella. Së dyti: librin duhet ta shkruash vetëm me germa drite. Në këtë nismë duhet pasur parasysh se edhe drita është disa llojesh, ndaj duhet të dimë të zgjedhim atë ashtu siç zgjedhim bojën për penën. Shkencëtarët shpjegojnë se drita e diellit është disa formash dhe vjen drejt nesh në formën e valëve, madje ato (valët) “udhëtojnë” në formë rrethore, pikërisht si valët që krijohen në një pellg nga rënia e një guri. Ne hamendësojmë se ato vijnë vetëm drejt nesh dhe pak vrasim mendjen të shohim dhe të kuptojmë se ato shkojnë me të njëjtin intensitet edhe në kahun e kundërt. Ajo që dua të theksoj këtu është fakti se kjo valë dritë bie mbi ne në mënyrë të drejtpërdrejtë, të fortë, verbuese, madje duke prurë me vete nxehtësinë. Ndërkohë një pjesë e dritës diellore bie e shpërndahet mbi objekte dhe reflektimi i saj drejt nesh, si dritë e tërthortë, na mundëson që t’i shohim ato në dimensionet dhe ngjyrat e tyre. Ekziston dhe drita qiellore, një dritë e ëmbël dhe e ngrohtë, që ndonëse ajri është pa ngjyrë, ta paraqet qiellin në një të kaltër të ëmbël.

Gjithsesi kjo dritë me origjinë zjarri diellor, nuk “harron” të mbartë drejt nesh ngjyrën e kuqe në të verdhë dhe rrezikun e nxehtësisë të origjinës së saj. Kjo është një dritë që të ndrin, por edhe të djeg dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se jetëgjatësia e saj matet me epoka mijëravjeçare.

Ka dhe një dritë tjetër në këtë botë, që nuk të vjen në formë valësh rrethore apo një drejtimshe, një dritë që nuk e sheh, por më së shumti e ndjen, si atë vetë ashtu edhe ngrohtësinë e saj. Kjo është drita që buron nga shpirti i njeriut të mirë, me të cilën mund të ndriçojë dhe të shfaqë në radhë të parë veten e tij para njerëzisë dhe kohës. Kjo dritë, që më së shumti shfaqet në shkëlqimin e syve është shumë jetëshkurtër, vazhdon vetëm një jetë njeriu për secilin burim njerëzor. Me këtë dritë mund të shprehësh një dashuri të sinqertë duke e bërë të lumtur një vajzë, të shkruash një poezi të bukur apo të bësh një vepër humane për dikë ose për disa njerëz, një heroizëm apo një vetëflijim.

II-Shkencëtarët na kanë shpjeguar dritën e diellit dhe drita të tjera të ngjashme, kanë folur dhe shkruar edhe për dritën e shpirtit njerëzor, por ata s’kanë mundur të flasin,  kuptojnë dhe shpjegojnë “dritën e dritave”, atë dritë për të cilën flet në romanin e tij “Nëna e Dritës” shkrimtari Anton Nikë Berisha. Kjo dritë ka mbetur pa u shpjeguar nga shkencëtarët “ateistë” dhe praktikicenë për arsyen e thjeshtë se burimi i saj është mbi shkencën. Kjo është drita që buron prej Hyjit dhe që depërton në çdo qelizë të qenies së njeriut duke e shndërruar atë vetë në dritë. Kjo dritë shihet vetëm një herë,  pikërisht kur vetë Hyji të fton të bëhesh “dritë e dritës” së tij: “Në një çast, nga trupi i saj (Zojës), zuri të rrjedhë një dritë, që shkonte e shumohej dhe shndërrohej në ujëvarë shkëlqyese; përhapej gjithandej sa e tërë kisha u shndërrua në dritë (f. 68) Ishte një ngrohtësi që më depërtonte thellë në qenie dhe më përtërinte” kujton takimin e parë me këtë dritë “Gonxhja” fëmijë. Kjo është drita që nuk shuhet...:“Derisa të jem në botë, do të jem drita e botës”, Gjn 9, 5 (f. 142).

Duhet thënë se kjo është drita që, ndryshe nga gjithë dritat e tjera, pranohet nga njeriu i zgjedhur prej Hyjit (“Ti duhet të bëhesh flije e Krishtit!” më tha zëri me butësi. f. 69) me vullnetin e tij të lirë, përthithet prej tij në çdo orë dhe ditë të jetës dhe kryesorja është se vetë njeriu shndërrohet në dritë, pjesë e kësaj drite. “Ti e di se dashuria më ka kryqëzuar. Dua që edhe ti të jesh pjesë e dritës sime!” tha zëri dhe heshti.(f. 71) kujton vajza Gonxhe  ftesën e Hyjit në kishën e Leticës dhe autori citon kujtimet e saj; Krishti u flijua për t’u ngjallur nga Ati, për t’u shndërruar në dritë që do t’u prijë njerëzve. Kështu i flijuar në kryq, Ai u bë dritë e drita e shpëtimi ynë. Dhe kësaj drite dhe kësaj fuqie që na shëlbon, ne duhet t’ia hapim zemrën. ( f. 36) dhe : I krishteri me pagëzim bashkohet me dritën e Hyjit, ndërsa me kungim pasurohet me Shpirtin e Shenjtë (f. 37).

Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se kjo dritë nuk vjen te njeriu si drita e diellit, në formë valësh rrethore apo të drejtpërdrejta dhe nuk përbëhet nga spektër ngjyrash. “Spektri” i saj është dashuria dhe besimi  ndaj Hyjit dhe këto  mbjellin shpresën te njerëzit që e kanë humbur atë.

Shtojmë faktin se njeriu, duke u bërë dritë, pjesë e kësaj drite sheh qartazi të vërtetën e jetës dhe e ndriçon këtë të vërtetë edhe për të tjerët, sepse: “Në dritën dhe në dashurinë time do t’i kuptosh gjërat më plotnisht; do të jesh e lumtur [...] Këtë gjë ua dhuron Hyji vetëm atyre që flijohen për hirin e tij e për të mirën e njeriut.” (f. 70) Kjo dritë të mundëson të shohësh shpresën  edhe në erësirën e mjerimit, të gjesh gëzimin në vuajtjen për të tjerët, sepse: ”Vetëm duke qenë pjesë e kësaj drite sheh e ndjen se “vuajtjet e tjetrit janë njëherit edhe vuajtjet e tua; mjerimi i tij të bën që edhe ti të jesh i mjerë” (f. 134) dhe mëson çuditërisht se: “Përbuzja që i bën tjetrit [...] nuk bartet tek ai; i përket atij që e bën. E njëjta gjë ndodh edhe me urrejtjen: ai që e urren tjetrin, në të vërtetë e urren veten: Të dyja (përbuzja dhe urrejtja) janë ndjenja e ndjenjat nuk janë sende që barten, mbesin aty ku lindin (f. 134).

Kjo dritë e Hyjit ka vetëm dashuri dhe “dashuri” në të gjitha gjuhët do të thotë të japësh dhe jo të marrësh. S’ka rëndësi se sa jep, rëndësi ka të japësh me dashuri të madhe: - “Fëmija ynë për tre ditë nuk e ka ngrënë pjesën e vet të sheqerit; e ka mbledhur në këtë tas dhe e ka sjellë për fëmijët e tu!” (f. 258).

-“Nënë, unë jam lypës dhe sot gjithë ditën kam bashkuar vetëm 29 paisa. Dua t’i jap ty!… Desha të kesh edhe diçka nga unë”. (f. 259)

-“Nënë, një ditë më parë jemi martuar dhe kemi hequr dorë nga kremtja e martesës për t’i kursyer të hollat për njerëzit e tu të varfër! Ato të holla ju kemi sjellë.” (fq.261)

-“Nëna ime, të dua përtej masës dhe po t’i dërgoj të hollëzat e mia për të varfrit e tu. Këto kam e këto po t’i nis. Të kisha pasur më shumë, do t’i kisha nisur të gjitha!” (f. 262).

Mbi të gjitha, kjo nuk është një dritë që fiket e ndizet sipas dëshirës   së njeriut si dritat e shtëpisë. Kush bëhet “dritë e dritës”, shkon pas dritës dhe në atë botë ulet në krah të Atit: “Pastaj vëreja se vrundujt e ndriçimit ngjiteshin përpjetë [...] dhe njësoheshin me dritën e yjve.

Duke e vështruar atë ndriçim u nisa mbas tij. Në atë çast ndjeva një ngrohtësí shpirti, një lehtësim frymëmarrjeje dhe një prehje të thellë, të pafund, si në Shtëpinë e Atit. (f. 295)

III-Të shkruash një libër për Nënën Tereza duhet ta njohësh Biblën në tërësi dhe fjalën e Krishtit në veçanti, ashtu siç e njihte dhe e zbatonte ajo, e cila i ishte falur asaj fjale me trup e shpirt. Referimet që bën autori nga literatura kishtare, mbështetja dhe përafëria e fjalëve dhe e veprimeve të Nënës Tereze me ato të shenjtorëve dhe Krishtit, dëshmojnë që autori është njohës i mirë, jo vetëm i teksteve të Nënës Tereze, por dhe i Biblës dhe i literaturës kishtare, ku gjen mbështetje çdo mendim dhe veprim i saj. Jo vetëm që autori i njeh këto tekste dhe literatura, por kur është e nevojshme ai shkruan në stilin e tyre, në stilin e librave apo të shkrimeve të shenjta, duke e “shndërruar” vetë romanin në një libër, pjesë të literaturës kishtare.

Të lexosh këtë roman, të duket se lexon pjesë të Biblës apo së paku një nga Ungjijtë në një variant të ri, aq shumë ngrohtësi, dashuri e teologji mbartin. Lexoni ju lutem kapitullin e parë të romanit: “Dita që nuk donte të mbaronte”, shihni të shkruarin plot dashuri dhe përvujtëri, tipike e shkrimeve të Apostujve dhe ju siguroj se do t’ju “lindë” mendimi që ky kapitull mund të jetë “riprodhimi” i ndonjë letre origjinale të Nënës Tereze ose një fragment shkrimi i një Apostulli. Hamëndësimi sado i largët në dukje, ka diçka të vërtetë: Nëna Tereze kishte stilin e të shkruarit si një Apostull i Ri, ndërkohë që mund të themi se Anton Nikë Berisha e ka studiuar dhe e ka përvetësuar pasurinë leksikore, teologjike kishtare dhe stilin e Shkrimeve të Shenjta sa që ky libër mund të “hyjë” lehtësisht në fondin e librave kishtarë i barabartë me vepra të tjera. Nuk duket asgjëkund se shkruan Anton Nikë Berisha, të duket se je duke dëgjuar vetë Nënën Tereze që flet për jetën e saj.

Meqenëse erdhëm të kjo pikë, vlen të themi se stili i të shkruarit të romanit ka edhe një tipar të veçantë: gjithë romani “zhvillohet” brenda kapitullit “Dita që nuk donte të mbaronte”, të cilin duke hyrë në mes e ndan në dy pjesë, pjesa e parë dhe pjesa e XXVI, e cila është dhe mbyllja e romanit. Romani është i shkruar në vetën e parë, është Nëna Terezë që “rrëfen” dhe jo Anton Nikë Berisha që “krijon”, duke qenë në këtë mënyrë në një shkallë sipërore i besueshëm dhe tërheqës.

IV- Është interesant fakti se ky roman “flet” i gjithi shqip, ndërkohë që dihet se Nëna Terezë vetëm në Shqipëri nuk jetoi apo punoi, madje në vizitën e saj të parë iu refuzua nga shteti monist kërkesa e saj për të hapur një “shtëpi të vobektësh”. Është tjetër gjë lehtësirat që i krijoi  shteti i ri demokratik në vizitën e dytë të saj.

Për romanin “Nëna e dritës” është e natyrshme që të shkruajmë dhe të themi se: është një roman i shkruar me dashuri, madje me shumë dashuri, gjë që na tregon se edhe vetë autori “ka marrë dritë nga drita e Hyjit”, së paku për të shkruar këtë libër. Mirëpo, duhet shtuar se edhe portreti i Nënës Tereze, fjalët e saj, mendimet e saj, besa në veprimet dhe këmbëngulja e saj, bien erë Shqipërie.

Qysh në krye romani nis me një vizitë te dajat, por fjala “dajë” është sinonim i shprehjes “dashuri e dhembshuri për fëmijët” . Fjala dajë është më e butë dhe më e ngrohtë se fjala xhaxha. Te dajat fëmija loz e qesh, ndërsa te xhaxhai rri urtë dhe dëgjon. Dajat të afrojnë ngrohtësi e dashuri të dukshme, xhaxhai të afron përvojë jete.

Nëna Tereze u rrit në një familje katolike në ambiente katolike dhe ne menjëherë kujtojmë qëndresën e popullsisë katolike për të mos braktisur besimin e krishterë, pavarësisht masakrave që armiqtë kryen mbi këtë popullsi. Vajza Gonxhe u rrit me tregimin për Shtjefnin e Gjonit në Stubëll, të cilin ushtarët turq e masakruan ‘Trupin, trupin do ta shkallmojmë, do t’i presim këmbët, duart, kokën; do t’i nxjerrim sytë, gjithçka që është e jotja dhe e trupit tënd; gjithçka do ta zhbëjmë; nuk do të të mbesë asnjë copë për bé e rr’fé!’

‘Trupin tim, po, po jo dhe shpirtin tim.. Ai është i paprekshëm dhe i pavdekshëm, siç është i paprekshëm dhe i pavdekshëm hiri i Hyjit. Unë një herë ia kam falë Atij shpirtin dhe ai i përket vetëm Atij.’ (f. 60). Këto rrëfime qëndrese bese e besimi ishin në fakt shkolla e vërtetë e Gonxhes së vogël, mësimet e së cilës i erdhi rasti t’i vejë në jetë në vende të largëta dhe në kushte ekstreme, edhe për ‘të, si femër.

Më lejoni t’ju argumentoj me përshkrimin në Kreun XVIII (f. 204) :

ndërsa punonte me më të varfrit e më të varfërve në rrugët e Kalkutës, një buzëmbrëmje, në anë të rrugës Nëna Tereze dëgjoi një rënkim.

U afrua dhe: “Buzë një grumbulli mbeturinash vërejta një diçka që ishte truçuar si copë mishi e hedhur. Iu afrova edhe më shumë. Bleni i flokëve, që i kishte rënë anash, si një litar i ferrit, më dha të kuptoj se ishte grua. Dëneste në heshtje [...] U përkula në gjunjë për t’ia parë fytyrën dhe nuk u besova syvet: po e hanin krymbat. “O Hyj i gjithëpushtetshëm!” klitha dhe i mbylla sytë [...] Pastaj i lëshova duart poshtë dhe [...] u dhashë hapave si plumb pushke, u turravrapa.[...] Nuk e di sa ngarenda ashtu e pastaj nga mbrenda ndjeva një zë: “Ai trup është i Krishtit!”, “Krishtin e hanë krymbat, jo gruan!”. U ndala sikur dikush të m’i kishte prerë këmbët [...] mblodha fuqinë e trupit [...] si i mbledh pikat e ujit kur ke etje dhe u ktheva te gruaja [...] Iu afrova. E ngrita pak dhe zura t’ia pastroja krymbat. As vetë nuk e kuptoja se si në ato çaste ato insekte, që lëviznin pa ndalur, nuk më dukeshin të ndyrë, të neveritshëm. Ia hoqa një nga një e pastaj e ngarkova në shpinë...”(f. 204).

Nuk e di pse leximi i kësaj pjese më solli ndërmend ngjarjen e Shën Pjetrit: Roma po digjej dhe Neroni lëshoi mbi të krishterët bashkë me ushtrinë edhe akuzën e zjarrvënies.

Shokët e këshilluan Shën Pjetrin që të largohej nga Roma, së paku të shpëtonte ai me qëllim që të ringrinte Kishën e krishterë pas masakrës. Ndërsa po ecte me nxitim rrugëve që të nxirrnin nga qyteti në flakë, Shën Pjetri sheh përballë Jezu Krishtin që po nxitonte drejt Romës. I habitur, por dhe i tmerruar, i del përpara dhe e pyet: Quo vadis, domne (Ku shkon, Zoti im).

-Po shkoj të kryqëzohem përsëri, se ti e braktise popullin tim - iu përgjigj Jezu Krishti duke nxituar hapin.

Befas Shën Pjetrit iu kujtua se e kishte mohuar (tradhtuar në fakt) tri herë Krishtin ditën që e arrestuan. Kjo do të ishte e katërta dhe më e rënda. Ndaj i tmerruar më shumë se ç’do linte pas se sa ç’mund ta gjente përpara, u kthye drejt Romës, ku e priti [...] kryqëzimi. Kokëposhtë. Nënës Tereze nuk i doli Jezu Krishti përpara tek ajo grua të cilën e hanin krimbat, asaj i foli Hyji dhe i tha: “Në atë trup gruaje është Biri i Hyjit; nuk mund ta mohosh dashurinë e tij. Atij ia ke dhënë besën që do të bësh gjithçka për të.” Ishte “besa” që kishte dhënë, ajo që e ktheu te gruaja fatkeqe.

Po të studiosh portretin e Nënës Tereze janë të dukshme në të “vijat”, “ngjyrat” dhe shprehjet e frazeologjitë shqipe që ajo i ka marrë me vete nga vendorigjina. Shprehje të tilla si: “Sado që ngula këmbë të mësoja diçka për të, çile gur gojën” (f. 267), “Nuk thuhet rastësisht: e keqja nuk rri asnjëherë vetëm”, “Shtëpia nuk mund të futej në thes, sikur fshiheshin rastet nëpër spitale” (f. 272), “fluturakja” (avioni) ...(f. 277), “Dy atllarë në një mullar nuk lidhen” thotë urtia”. “Thashë , sa për t’ua hequr dushkun fjalëve” (f. 288), “Hapja e një shtëpie për të sëmurët nga AIDS-i në një qytet, nënkuptonte ta bësh zjarrin e dukshëm ose të luash me flakë” (f.. 273)..

V-Bota e gjitha e di që Nëna Tereze është shqiptare.

Këtë dëshmi, përmes një rrëfimi poetik të ngritur, e përforcon edhe ky roman i Anton Nikë Berishës.

Madje ky roman, pikërisht në këtë kohë që vendi ynë kërkon të hyjë në strehën e përbashkët evropiane i kujton kësaj Evrope se Shqipëria është vendi i origjinës së Nënës Tereze; është populli i saj ai që vazhdon të qëndrojë jashtë kësaj shtëpie, në një kohë që ajo, sa qe gjallë hapi kudo në kryeqytetet evropiane dhe të gjithë botës  shtëpitë e të vobektëve, duke u dhënë strehim, shpresë e jetë të mjerëve dhe të sëmurëve të tyre, pa dallim feje, ngjyre e race.

Sarandë, qershor 2021



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora