E hene, 20.09.2021, 02:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamdi Thaçi: Medaljonët e Lirisë

E merkure, 23.06.2021, 08:02 PM


MEDALJONËT E LIRISË

(Bedri TAHIRI, FLAKADANËT E LIRISË 6”, ArtClub “Rifat Kuka”j, Prishtinë, 2021)

Nga Hamdi THAÇI

Në radhën e krijimtarisë se tij të bujshme, prof. Bedri Tahiri këto ditë e ka përfunduar edhe veprën e tij të 45-të, titulluar “Flakadanët e lirisë 6”. Ky autor ka një stil të veçantë të shkrimit të librave të historisë. Kjo e veçantë në veprat e tij, është, sepse ato janë të pajisura me burime të shumta, arkivore historike dhe burimeve gojore nga thesari popullor, i cili është burim i pashtershëm.

Shfrytëzimi i burimeve gojore është një detyrë e rëndë për studiuesit, por është edhe shumë e rëndësishme, kur dihet se rrethanat historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, shumë ngjarje dhe figura historike nuk janë ruajtur në dokumente të shkruara. Ato të dhëna që nuk u ruajtën të shkruara, janë ruajtur në kujtesën e popullit. Shfrytëzimi i këtyre burimeve nga thesari popullor është i një rëndësie të veçantë, ngase burimet gojore janë njëri nga tri burimet themelore, mbi të cilët mbështetet historia.

Prof. Bedri Tahiri, sikur një bletë e vyer, jo vetëm për këtë libër, ka mbledhur nektarin e faktografisë historike dhe ka ndriçuar të kaluarën e shumë personaliteteve të historisë sonë kombëtare, duke mbledhur të dhënat historike nga goja e popullit. Gjuha e rrjedhshme e autorit që përdoret në shkrimet e tij, është një gjuhë që krijon një harmoni midis tekstit dhe lexuesit, duke krijuar kështu një shije të veçantë për të njohur historinë e heronjve të kombit tonë.

Është interesant se në librat e historisë të këtij autori nuk ka personazhe, ata janë të gjithë protagonistë. Kjo na bënë që librat e tillë t`i lexojmë, jo vetëm me shije, por edhe me interesim të madh, sepse në çdo faqe e në çdo kapitull mësojmë diçka të re e interesante.

Profesor Bedriu, pa përtesë dhe pa u lodhur fare hynë në oqeanin e madh të kujtesës popullore, ku edhe ringjallë emrat dhe personalitetet e historisë, të cilët nga rrethanat historike nëpër të cilat kaloi populli ynë, gati se i kishte mbuluar harresa. Ta themi kushtimisht, zbulimet e tij, janë përplot spektakle, të cilat nuk janë as imagjinare e as të improvizuara, por janë historike, pra janë ngjarje dhe personalitete reale, njerëz të sakrificës, që flijohen për liri e për atdhe me këngë në gojë.

Autori, edhe në këto raste, me një mjeshtri të rrallë historiografie, heronjtë e vet i zhvesh me kujdes nga miti e hiperbolizimet, që shpesh, nga goja e popullit, nga rapsodët e tregimtarët, u mveshën cilësi të jashtëzakonshme e hiperbolizuese, jo nga mosdija, por nga dëshira për t’i bërë ata më të dashur e madhështorë. Edhe në këto raste duhet një kujdes i shtuar i historishkruesit, që ta ruaj identitetin esencial të ngjarjeve dhe personaliteteve, duke ua ruajtur meritat dhe të bëmat, ku zakonisht përfundojnë me flijim, ose nëse shpëtojnë, ata përfundojnë gjithmonë me nder. Autori,  Bedri Tahiri, si mjeshtër i penës dhe si besnik i faktografisë historike, këtë e arrin me shumë sukses.

Në serinë e “Flakadanëve të lirisë”, prof. Bedriu, ka zgjedhur një stil që sa vjen e shtohet, rritë kontributin e tij për historiografinë kombëtare, duke lidhur ngjarjet e historisë të periudhave më të vjetra, më saktësisht nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX, respektivisht ngjarjet e Luftës Çlirimtare (1989-1999). Kjo kronologji e pashkëputshme historike tregon qartë përpjekjet tona të vazhdueshme për liri e pavarësi, me synim të një ribashkimi kombëtar.

Është interesant se në familjet shqiptare është një traditë që është përcjellë me shekuj, ku trimëria trashëgohet dhe përcillet brez pas brezi. Trimëria si virtyt njerëzor e patriotik është e lindur, por edhe e kultivuar. Kështu prof. Bedriu, sikur është zbuluesi i parë, ose së paku ishte i pari që në veprat e tij ka zbatuar këtë formë të shkrimit, ku ka lidhur traditën familjare, përmes personaliteteve historike që i përkasin të njëjtës familje, në periudha të ndryshme historike, madje të dy, tre e më shumë brezave.

“Flakadanët e lirisë 6” autori fillon më historinë e Ahmet Adem-Strofcit, trimit që me “sëpatë mbrojti nderin e shqiptarisë”. Është interesant se autori i këtyre historive, për lexuesin ofron edhe të dhëna gjeografike. Kjo është një plotësim interesant i të dhënave, ngase këta e heronj e kanë vendlindjen dhe trungun e tyre familjar. Pastaj,  është edhe krahina më e gjerë e fshatit prej nga rrjedhin ata, ku krahas familjes, fshatit dhe krahinës, i bëjnë nder atdheut, në përgjithësi.

Kështu fillon autori penartë me Ahmet Ademin, i cili e mbanë edhe mbiemrin Strofci, prej nga e kishte prejardhjen. Strofci, fshat në shpatet lindore të Qyqavicës, është vend i burrërisë, i trimërisë, i besës, i mikpritjes e i flijimeve atdhetare. Edhe të Ahmet Strofci autori i gjen të gjitha këto virtyte njerëzore e kombëtare, të cilat e radhisin në vargun e gjatë të heronjve të kombit, historia e të cilit është ruajtur në thesarin e popullit, por prof. Bedriu i ngritë përmendoren në libër, për të mos u harruar kurrë.

Autori, sikur nuk dëshiron t`i mbetet borxh asgjë lexuesit, shpjegon në detaje edhe etimologjinë e emrit të fshatit Strofc, por edhe të Artakollit, i cili nuk mund të ishte ndryshe, përveçse ngjashëm me dy krahinat që është ngjitur me to, Drenicën dhe Shalën. Si në ato, edhe në Artakoll ka “trima si zana”, që bëjnë “deken si me le”. I tillë ishte edhe Ahmet Adem Strofci,  heroi binjak me Ahmet Delinë e Prekazit, që i del zot familjes se fqinjit, në stilin ”që nuk des për ketë kojshi, tybe s`des as për robët e mi”. Me sëpatë mbron nderin e familjes shqiptare, dhe flijohet si hero homerik, traditë mijëravjeçare e kombit tonë. Ahmeti , siç thotë populli, ua la “këmbën e hairit” djemve, nipave e stërnipave, të cilët duke ndjekur shembullin e tij,  kurrë nuk do të ligështohen para vështirësive në shërbim të atdheut.

Autori duke lidhur veprimtarinë patriotike të trungut familjar të Ahmet Adem Strofcit, arrin deri të lufta e fundit që shqiptarët, nën udhëheqjen e Adem Jasharit, e bënë kundër Serbisë. Në këtë luftë, e cila u kurorëzua me çlirimin e Kosovës nga Serbia, ishin radhitur edhe: Sokol Ademi, Ekrem Ademi, Bekim Ademi, Agron Ademi dhe Burim Ademi, të gjithë këta nga trungu stoik i Ahmet Ademit. Kështu autori me një punë titanike nxjerr në dritë, por të mos i lënë në mëshirën e harresës, historitë e katër brezave të familjes se Ahmet Adem Strofcit.

“Flakadanët e lirisë 6” nuk përfundojnë me historinë e kësaj familje heroike. Autori vazhdon të gjurmojë e të shkruaj edhe për Flakadanët tjerë, gjithnjë duke pasur kujdes t`i lidh cepat e historisë dhe brezat, nga koha më e vjetër deri të Lufta Çlirimtare 1998-1999.

Në vargun e Flakadanëve autori na ofron histori krenare dhe njëherit të dhembshme për trimin Fazli Çabra, një trim që flijohet në mënyrë homerike. Mirëpo, të mos harrojmë, derisa prof. Bedri Tahiri e gjurmoi dhe e ndriçoi historinë e këtij luftëtari, gati e kishte mbuluar harresa. Fazliu, bashkëluftëtar i Kamer Loshit, i Azem Galicës etj. kishte shkëlqyar me gjakun e kuq që derdhi në tokën arbërore. Prof. Bedriu është ai që vërtetoi se “gjaku nuk bëhet ujë”, sepse heroin e nxori “nga vdekja e sigurt “ dhe e stolisi në librin e historisë “Kamer e Murat Loshi”.

Heroi i radhës që skalitet në pavdekësi nga pena e profesor Bedriut është edhe Nezir Rrahman Zasella (1885-1945). Odisejada luftarake e këtij trimi është e gjatë, më e gjatë se një jetë njeriu, kur i mendon gjithë ato luftëra e beteja që mori pjesë ky burrë. Neziri ishte bashkëluftëtar i Isa Boletinit, i Hasan Prishtinës,  në kryengritjen e vitit 1912, bashkëluftëtar i Azem Galicës, i Shaban Polluzhës etj. Luftoi kundër Turqisë, kundër Serbisë se Parë e të Dytë, kundër kralit serb, kundër Bullgarisë e Austro-Hungarisë e përsëri kundër Serbisë e Jugosllavisë. Sikur i ati, ishte trim edhe i biri, Dibran Nezir Zasella. Pra, vazhdon tradita patriotike edhe pas vdekjes se Nezirit më 1945.

Rifat Banjska është heroi i radhës në “Flakadanët e lirisë 6”. Rifati, trim i betejave të pareshtura, ku për komandant e kishte Azem Galicën e më vonë edhe Shaban Polluzhën. Vetë fakti se ishte bashkëluftëtar besnik i këtyre dy ikonave të luftës çlirimtare, flet për heroizmin e tij, i cili kulmon në aksionin e vrasjes së naçallnikut serb të Mitrovicës nga heroina Shotë Galica, ku luajti një rol vendimtar.

Një histori në vete paraqet edhe Familja Prekazi në Mitrovicë, rrënjë e degë e Ahmet Delisë. Këtu autori nja jep trungun gjenealogjik të kësaj familjeje, pinjojtë e së cilës u dalluan në burrëri, trimëri, besë, luftë e punë, gjithkund duke shkëlqye në punët e mira në shërbim të atdheut. Hys Prekazi, bashkëluftëtar i Isa Boletinit, i Azem Galicës  dhe i heronjve tjerë të  prirë nga këta, si Ibrahim Prekazi, luftëtar, Et-hem Prekazi, nënprefekt në Drenicë e Mitrovicë, Ehat Prekazi patriot e intelektual i dalluar. Nga kjo histori brezash të familjes Prekazi, po thuaj se për një shekull nuk ka mbet ngjarje e rëndësishme në historinë kombëtare ku Prekazët e Mitrovicës nuk dhanë kontributin e vet të çmuar.

Autori vazhdon me luftëtarin e lirisë e burrin e kuvendeve,  Hasan Jasharin e Likocit, i cili si Oso Kuka i Vraninës, nuk u largua nga vatrat stërgjyshore, derisa u përjetësua në Altarin e Lirisë!

Mirëpo, pena e stërholluar e shkrimtarit studiues Bedri Tahiri, me një përkushtim të pashoq, portretizon dëshmorët e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kurorëzuan përpjekjet tona shekullore, duke e sjellë Lirinë e Pavarësinë e Kosovës. Kësaj radhe autori është ndalur tek disa nga emrat më të shquar të kësaj plejade.

Kështu, lexuesi do të mësojë  për Adem Ramadan Ademin e Galicës, ushtar i UÇK-së, i vrarë në Rrasë të Zogut, gjaku i të cilit shkriu gurët e kufirit të mallkuar vëllandarës, duke stolisur më tutje librin e vet me margaritarin e Luftës Çlirimtare, përsëri nga Prekazi, komandantin Ilaz Kodra, anëtar i Grupit të Prekazit, në krye me Adem Jasharin, pra me njërin nga themeltarët e UÇK-së, i cili flijohet pas 10 vjet luftërash e betejash. Luftëtar që nuk e gjejmë as në legjendat homerike, fuqia e të cilit matet me një ushtri. Ky është vet historia.

Vijnë pas tij edhe Shukri Avdullah Qorri, rënë në Rrasë të Zogut, Ismail Beqir Loshi, i vrarë në Mitrovicë, dhe Jetullah Rifat Gashi-“Komandant Drenica”, i cili i dha jetë Rrasës së Kosharës, për çka edhe bashkëluftëtarët e quajtën Komandant JETA, të gjithë trima që kishin lindur për pushkë, për luftë, për liri, të cilës ia falen jetën.

Bedri Tahiri i bëri emra në librat e historisë këta dëshmorë të kombit, ashtu siç ata me gjakun e tyre e shkruan historinë e Atdheut.

Lavdi për jetë e mot dëshmorëve të kombit, Medalionëve të Lirisë!

Prishtinë, 19 shkurt 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora