Faleminderit
Ibrahim Kabili: Për mësuesin, studiuesin dhe intelektualin e mirnjohur, Fran Cara
E merkure, 02.06.2021, 07:47 PM
Për mësuesin, studiuesin dhe intelektualin e mirnjohur, Fran Cara
Nga
Ibrahim Kabili
Për të shkruar disa radhë për
mësuesin, kolegun, publicistin dhe poetin Cara më kishin ngacmuar disa artikuj
letrar, shkencor, pedagogjikë dhe shkrime të tjera të botuara gjatë viteve kur
ai punonte në arsim dhe në pozicione të tjera pune. Ajo që më forcoi bindjen,
më motivoi më shumë, dhe më obligoi të bëj diçka qe vetë Frani. Qe kontakti i
parë me të në shkollën tonë, dhe puna plot përkushtim e profesionalizëm e tij
në lëndën e gjuhë-letërsisë. Mbresat e përshtypjet për të lanë gjurmë tek
kolegët, nxënësit dhe komuniteti, pavarësisht, kohës së shkurtër te ne. Lanë
gjurmë dhe tek unë. Kjo më "detyroi" të ritakohem me të në lokalinë e
tij në "Misto Mame", lokal që administrohet nga Viktori, më,
17.05.2021 dhe të bëj një bisedë të gjatë e shumë miqësore... Herë pas here
biseda ndërpritej nga ecejaket e ndërhyrjet e disa kolegëve e dashamirësve të
tij me të cilët ka punuar apo patur kontakte me to, në vite. Kjo e bënte më
interesante dhe e plotësonte edhe më shumë veprimtarinë e tij.
Fran Zef Cara lindi në Dom të Pukës
më, 17.06.1951 në një familje të madhe, mjaft të njohur, dhe me tradita
patriotike dhe atdhetare. Babai i tij u kujdes për arsimimin e fëmijëve. Frani
që në fëmijëri kishte prirje për shkollë, dije dhe arsimim, e fatmirësisht kjo
nuk po i ndahet dhe kësaj dite kur ai është në pension... Arsimin 7-vjeçar
Frani e mbaroi në vitin 1965 ,në vendlindje me nota shumë të mira dhe fletë
nderi. Ai kujton ne nostalgji e respekt maksimal mësuesin e klasës së parë Ndue
Kol Zefi, mësues i përkushtuar dhe "zanatçi" i një klasi të lartë,
mësuesin Dedë Shkurti dhe drejtorin e spikatur në Pukë ,Mark Zef Jaku.
Shkollën e mesme e filloi në vitin
1967 në gjimnazin "Migjeni" në Pukë, dhe e përfundon në në vitin 1971
me nota shumë të mira. Duke u kthyer në kohë, ai shton: -Gjimnazi
"Migjeni" qe një shkollë e konsoliduar me një staf pedagogjik shumë të
përgatitur dhe tepër të përkushtuar. Kam mbresa që nuk fshihen nga memoria ime
për gjithë stafin e shkollës. Mësues, si: Ismet Bala, autor i disa librave dhe
botimeve; Zyhdi Heqimi, Qemal Pema, Fatmir Mborja, Dhimitër Pasko etj. kanë
lënë gjurmë dhe i bëjnë nder kësaj shkolle.
Arsimin e lartë e fillon në vitin
1971 në UT, në Fakultetin e Histori-Filologjisë në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe
e mbaron në vitin 1975.
-"Ne që vinim nga gjimnazi e
kishim më të lehtë shkollimin pasi kishim një bazë të fuqishme, dijet e marra
atje. Shtuar këtu edhe stafin e pedagogëve e arritjet e tyre, ne arritëm të
mirarsimoheshim e të përgatiteshim bukur, për të dalë në jetë e kontribuar më
tej në arsimimin e brezave. Kujtoj me respekt stafin e pedagogëve; Ali Xhiku,
Mënyr Reso, Zihni Sako, Anastas Dodi, Jorgji Dokcani, Drita Siliqi, Dhurata
Xoxe, etj. Rezultate, arritje, nostalgji dhe kujtimet më të bukura në fakultet
e për të, përfundon Frani.
Pas mbarimit të arsimit të lartë
Frani emërohet mësues gjuhë -letërsie në shkollën 8- vjeçare, në fshatin e tij
të lindjes, Gjegjan. Emërimi në punë në vendlindje qe një ngjarje e shënuar për
Franin. Duke kujtuar këtë periudhë ai thotë: -"U emërova në fshatin tim të
lindjes. Erdha me energji dhe forca të reja. Ndjeja një kënaqësi të madhe kur
jepja mësim në shkollën kur dikur isha nxënës. Më pritën shumë mirë kolektivi
mësues-nxënës dhe komuniteti. Brenda muajit shtator të këtij viti aty u hap
edhe shkolla e mesme e mbrëmjes në degën agronomi, ku unë dhashë lëndën time të
gjuhë-letërsisë. Në këtë shkollë kujtoj punën plot pasion dhe shumë kompetente
të drejtorëve të afirmuar Pavli Zëri, Aleksandra Pasko, Pashk Ceka, dhe të
mësuesve të përkushtuar Ndue Gjini, Lizë Përmarkaj, Emil Papadhopulli, Ndue
Papa, Ndukë Frrok Prendi, Pjetër Frrok Zefi, Kolë Mark Kola, Pashk Kola"
etj. Një plejadë mësuesish e drejtuesish që bënë shumë për arsimin, dhe i dhanë
gjithçka atij. E padyshim në mesin e tyre, qe edhe Frani. Për punën e tij plot
profesionalizëm e përkushtim, ish-përgjegjësi i Seksionit të Arsimit të
rrethit Pukë zoti Pashk Leka do shprehej: "Gjatë këtyre viteve e shohim si
mësues mes nxënësve në mësim, e në veprimtari kulturore dhe artistike, në
grupin folklorik dhe teatror të shtëpisë së kulturës, në veprimtari sportive e
spartakiada të tilla në shkallë rrethi, ku dallohej edhe si futbollist dhe
pingpongist". Dhe më tej shton: -Për këto arsye, Komiteti Ekzekutiv i
Këshillit Popullor të rrethit e emëron përgjegjës të Shtëpisë së Kulturës në
Gjegjan, ku u dallua për një frymë të re civilizuese qytetare në të gjitha
veprimtaritë kulturore dhe artistike duke zënë vende të para në shkallë rrethi,
por njëkohësisht duke dhënë mësim si i jashtëm në Shkollën e Mesme Bujqësore.
Në këto vite si mësues dhe përgjegjës i shtëpisë së kulturës me punë të palodhur,
i përkushtuar dhe vullnetmadh krijoi profilin e një njeriu që meriton respektin
e padiskutueshëm të nxënësve, kolegëve dhe të komunitetit, duke i hapur kështu
rrugë karrierës si specialist dhe drejtues në arsim e kulturë në rrethin e
Pukës".
Duke vlerësuar maksimalisht punën e
tij, instancat e arsimit dhe jo vetëm e emërojnë Franin drejtor të shkollës
8-të vjeçare Qafë-Mali. Punoi me përkushtim si drejtor shkolle në vitet
1981-1984 dhe pati shumë rezultate në punë. Duke sjellë në kujtesë ato vite
Frani, shton: -" Si drejtues shkolle pata mbështetjen e kolektivit
pedagogjik dhe patëm shumë arritje. Dy qenë më kryesoret; sigurimi i
frekuentimit e detyrimit shkollor dhe krijimi i kushteve e rritja e cilësisë në
proçesin mësimor edukativ. Shkolla falë punës së mësuesve të përkushtuar, si
Musë Preçi, Davë Preçi, Ndrecë Paluka, Lumturi Leka, Riza Leka, Ndue Tota,
Nikollë Preng Gjoka dhe gjithashtu edhe punës dhe përkushtimit tim si drejtues,
shkolla u bë model në shkallë rrethi. Mua si drejtor më vlerësuan për punën e
bërë dhe më dërguar për specializim pasuniversitar për psikologji dhe
pedagogji. Specializimin pasuniversitar e bëra me pedagogët dhe akademikët e
mirënjohur, si: Hamit Beqja, Bedri Dedja, Pëllumb Gaçe, Aleko Qendro, Bekim
Çomo, Kolë Tahiri. Në përfundim të specializimit u vlerësova me notën
maksimale. E nuk mund të ndodhte ndryshe, kur specializimin e udhëhiqnin
korifejtë e arsimit e shkencës. Unë isha i motivuar dhe i vendosur që, jo
thjesht të studioja e të merrja provimet, por që të formohesha si duhet si
mësues e specialist e t'ia shpërbleja me punë të kualifikuar rrethit tim"
- përfundon Frani.
Në udhëtimin e tij profesional,
Franin e shohim mjaft të vlerësuar në Shkollën e Mesme Fushë-Arrëz. Fillon punë
në këtë shkollë në profilin e tij, në vitin 1985 deri në vitin 1989.
Vlerësimet për të në këtë shkollë
janë të shumta nga eprorët, kolegët, nxënësit, komuniteti dhe instancat
shtetërore. Frani kujton rezultatet dhe punën e shkëlqyer në këtë
shkollë, punën e drejtuesve dhe mësuesve të shkollës së mesme. Ajo që të bën
përshtypje të madhe është dokumentimi i gjithë veptimtarisë dhe ruajtja me
shumë kujdes e saj nga Frani. Një dokumentacion për t'u pasur zili! Frani ka
një merak, ai duke qenë modest, tepër i përgatitur, metodist shumë i mirë dhe mjaft
human, kërkon me ngulm të pasqyrohet puna e kolektivit, pas tij vjen individi.
Në këtë shkollë, sqaron Frani:- drejtorët Ismet Bala, Muharrem Nezir Cufaj,
Tomë Curri mbeten ikona të drejtimit të arsimit. Shquheshin edhe mësuesit
Gjovalin Pjetri, Bujar Metohu, Tonin Maxhuni, Tomë Meshkurti, Skënder Skendo,
Donika Skendo, Ilir Burhani, Lekë Ndoci, Hazbi Tërbuni, Rrok Nikolli, Zef
Ndreca, Pashke Pjetri, Ndue Binaku, Martin Ndoj etj. Ajo që i ka mbetur në
kujtesë Franit, është matura e vitit 1989, të cilët dolën me notë mesatare mbi
8 në shkollën e lartë në lëndën e letërsisë. Kolegu i Franit, Tonin Maxhuni,
pohon: "Shkoja te Frani për të përfituar për metodat e mësimdhënies dhe
komunikimit me nxënësit. Mësues Frani e fillonte orën ndryshe nga ne mësuesit e
tjerë. Çdo orë mësimi e fillonte me një detaj interesant që i motivonte
nxënësit për gjithë orën, e veçanërisht për temën e re. Ai e kthente orën e
mësimit në një spektakël. Gjithmonë, o do të recitonte, o do të fuste një
muzikë, o do të kërcente, kështu që nxënësit përfshiheshin maksimalisht në orën
e mësimit. Parësore ishte mendimi dhe debati i lirë i nxënësve, veçanërisht për
autorët dhe pjesët letrare". Me konsiderata shumë të larta vlerësuese
shprehet edhe ish-mësuesi dhe ish- drejtori i tij Ismet Bala, ku citon:
"Unë isha mësuesi i tij në gjimnaz, e më pas Frani u bë kolegu im, por mbi
të gjitha mësuesi i vajzës sime, e cila çdo ditë në shtëpi më befasonte dhe
"bezdiste" duke më folur për orën e letërsisë dhe mësues
Franin". Vlerësimet për mësues Franin kulmojnë me dekorimin e tij me:
Urdhërin "Naim Frashëri" i klasit të tretë, nga Presidiumi i Kuvendit
Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më 1998 me këtë
mitivacion: "Eshtë dalluar për punë të palodhur e arritje në proçesin
mësimor-edukativ dhe për përgatitje ideopedagogjike e metodike".
Nga viti 1989 deri më 1 shtator 1991,
Frani emërotet inspektor në Seksionin e Arsimit të rrethit Pukë. Detyra e re
i'a shtoi edhe më shumë vlerat si specialist, metodist dhe njeri i
mirëshkolluar dhe komunikues me eprorët dhe vartësit. Për këtë periudhë ai
shprehet: "E mora me shumë dëshirë dhe u përkushtova në detyrën e re
e cila qe me shumë përgjegjësi. Shef i Seksionit qe Prengë Pisja, qe shumë i
suksesshëm dhe më jetëgjati në detyrë, në Pukë. Pas tij erdhi Isa Islami, një
drejtues korrekt dhe i përkushtuar. Kontrollet e mia më shumë qenë kontroll
ndihme e bashkëpunimi se sa kontrolle pedante e penalizuese. Kjo gjë vuhet re
në konkluzionet e kontrolleve, të cilat në vend të vërejtjeve, kishte rekomanfime
metodike, psikopedagogjike dhe shkencore për përmirësimin e punës
edukativo-mësimore.
Nga 16 gushti 1991 deri më 1 tetor
1998, Frani punoi si mësues në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Pukë. Për këtë
periudhë mësues Frani shprehet:-"Puna ime si mësues në këtë shkollë është
pjesa më e arrirë e karrierës profesionale dhe e jetës sime. Ai kujton me tepër
konsideratë ish drejtorët e shkollës Bardh Alia, Beqir Haliti dhe Xhemal
Struga, si edhe mësuesit Ndokë Seferi, Mark Vata, Leze Vata, Nazmije Tafilaku,
Pashkë Brozi, Sabah Djaloshi, Aleksandër Lelçaj, Bujar Mehaj, Angjelin Gjinaj
etj. Shkolla pati mjaft rezultate. Matura e vitit 1995 dhe ajo e vitit 1999,
është vështirë të përsëriten më në atë shkollë. Në letërsi bënim orë letrare,
konkursin me titullin: "Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë",
konkurse tematike" etj. Të gjitha këto mësues Frani i ka të dokumentuara
me foto, vidio, përshtypje të nxënësve, të kolegëve, diskutime tetrare, punë me
shkrim, që mësuesi i ruan me shumë fanatizëm edhe sot pas shumë vitesh".
Një dokumentacion të tillë vështirë ta gjesh diku?! Në përfundim për këtë
shkollë Frani shprehet: "Fjalët e mia nuk kanë vlerë, ju lutem, sa të keni
mundësi shihni çfar ju kam vënë përpara. Ato flasin më qartë dhe më mirë se sa
unë. "Dekorata", më e madhe e imja është vlerësimi që më kanë bërë
nxënësit e mi". Dhe vërtet në kujtimet e nxënësve ndër të tjera për
Franin, shkruhej: mësues i talentuar, kërkues dhe i rreptë ndaj vetes, logjik e
dashamirës ndaj nxënësve, me energji të pashtershme...".
Në vijim Frani, largohet me banim
nga Puka dhe vendoset në Tiranë... Vjen në Tiranë por nuk gjen punë në arsim...
Këtu fillon dhe kalvari i gjatë i ecejakeve pranë instancave të arsimit në
Tiranë, për punë...Mbeti shumë vite pa punë...plot16 vite. Zhgënjim i madh për
Të... Dërgon letra në institucione, shkruan artikuj kritik në shtyp. Me
konkurim arrin të emërohet si mësues provizor në Shkollën e Mesme të Bashkuar
Zall-Bastar, më, 16 janar 2015. Këtu pata fatin të njihem e të dhe të
krijoj përshtypjet më të mira për Të. Ai punonte shumë me nxënësit dhe shpejt
fitoi besimin e tyre. Megjithëse pak kohë qëndroi në këtë shkollë, ai shprehet:
"Kam përshtypjet më të mira për nxënësit, kolegët dhe komunitetin. Qe
shkollë e konsoliduar, me rregull e disiplinë, qe zonë shumë arsimdashëse dhe
me njerëz të mirë". Nga shtatori 2015 deri 5 qersh 2016 punon si mësues i
gjuhë-letërsisë në Shkollën e Mesme në Shëngjergj. Në përfundim të karrierës në
arsim atje, Frani shton: "Largohem me përshtypjet më të mira për kolektivin,
nxënësit, dhe komunitetin arsimdashës të Shëngjergjit. Ruaj komunikimin me to
edhe pas pensionimit".
Gjatë karrierës së gjatë në arsim,
në pozicione të ndryshme, Frani ka patur një krijimtari të pasur dhe ka shkruar
e botuar artikuj të ndryshëm dhe me vlera në organe të ndryshme shtypi, si:
shkrime publicistike dhe artikuj shkencor e metodik në gazetat, si :
"Zëri i popullit", "Mësuesi", "Gazetën
Shqiptare", apo gazetat lokale, si: "Puka", "Mirdita",
"Përpjekja" etj. Po kështu ai ka botuar dhe mjaft shkrime metodike,
kumtesa, punime shkencore psiko-pedagogjike dhe i ka botuar në revista
kulturore dhe shkencore, si "Puka dhe shkolla", "Poeti i
Kabashit", "Fjalë dhe shprehje" etj. Për të gjitha këto ka marrë
vlerësimin e kritikës dhe të specialistëve më në zë të kohës, si Hamit Beqja
etj, pasi shkrimet e tij janë trajtuar me një kulturë e profesionalizëm të
lartë. Kohët e fundit si bashkëautor, kanë në dorë një botim enciklopedik
për Pukën dhe Mirditën, një projekt i madh ky dhe me vlera të larta shkencore.
Frani ka bërë një punë të madhe dhe voluminoze, si; redaktor, korektor,
konsulent, recenzent në shumë libra e botime. Po kështu Frani ka të botuara
shumë artikuj me tema me karakter shkencor për autorë të letërsisë shqipe . Për
portrete mësuesish, studime dialektologjike, studime etnokultutore,
psiko-pedagogjike etj. Siç shihet krijimtaria e tij është e gjerë dhe e
larmishme, për t'u patur zili dhe për t'u marrë si model nga gjeneratat
pasardhëse. Megjithatë ka mbi 23 vjet i larguar nga vendlindja, ai mban lidhje
të forta, çdo gjë e lidh me të, dhe në shërbim të saj. Intelektualë të
tillë si Frani i bëjnë nder vendlindjes dhe vendit.
...Megjithëse për pak ditë Frani
mbush 70-vjetorin e lindjes, ai është shumë energjik, punon shumë dhe çliron
vetëm energji pozitive... I urojmë jetë të gjatë e krijimtari të suksesshme!
Për mësuesin dhe intelektualin Fran Cara, flasin faktet dhe puna.
IBRAHIM KABILI
Tiranë, më
19.05.2021