E premte, 26.04.2024, 03:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Intervista e shkrimtarit Q. Q.

E hene, 31.05.2021, 04:14 PM


INTERVISTA E SHKRIMTARIT Q. Q.

Tregim* nga Vangjush Saro

Aty nga ora 11.00 e paradites, shkrimtari Q. Q. ishte duke ecur me kokën lart në atë çfarë kishte mbetur nga “Rruga e Dibrës”. Ai po drejtohej për nga Televizioni Eks 2 Plus 1.

Bënte vapë; zhurmat e makinave dhe zërat e kalimtarëve e bënin edhe më të rëndë zagushinë. Pas një copë here, shkrimtari Q. Q. u gjend përpara Televizionit Eks 2 Plus 1. Ai shtyu me kujdes derën e jashtme dhe po shikonte përreth si ndonjë fajtor. Pastaj e gjeti rojen, i buzëqeshi atij, tregoi ftesën dhe, më në fund, bëri tutje.

Shkrimtari Q.Q. nuk njihej në kryeqytet. Në fakt, ai sapo kishte botuar nja dy libra, ashtu me të keq. Ishte pikërisht atmosfera e ftohtë në të cilën po kalonte edhe botimi i librit të tij të dytë, që e detyroi atë të lëvizte pak. Një nga pronarët e televizionit, ishte i afërt i gruas së tij. Ajo i kishte folur të afërtit në lidhje me librin e burrit të saj; aksionisti i televizionit Eks 2 Plus 1 kishte komunikuar me Shefin e Departamentit të Kulturës; ky i fundit i kishte sugjeruar njërës prej “moderatoreve” t’i bënte një ftesë për intervistë shkrimtarit; dhe ja, Q. Q. gjendej tani përpara gazetares në fjalë, një vajzë plot hire dhe e veshur si për krevat.

Në studio, ndodheshin pak njerëz. Shkrimtari Q. Q., i cili kishte me vete kartën e identitetit, disa kopje të librit të tij të dytë dhe një tufë me lule, po priste plot durim dhe i shpërqendruar disi nga emocionet. Për më keq, moderatorja nuk po mundte të kapte si duhej situatën. Në fillim, ajo e kishte pyetur dy herë se kush ishte ai. Emri i tij nuk i kumboi asgjë në vesh. Por sapo tjetri përmendi bashkëpronarin e televizionit, gazetarja e bëri lidhjen sakaq. Megjithatë, ajo sërish dukej pak konfuze. Nuk po e përcaktonte dot tematikën e bisedës; pastaj, vështrimi gjoja i rëndë i shkrimtarit i dukej si një gjë komike, mënyra se si i mbante librat e tij në sqetull, edhe më për të qeshur.

Dikush tha se regjistrimi do të bëhej pas nja 15 minutash. Ngase dera ishte ende gjysmë e hapur, nga studioja matanë vinin shtjella-shtjella fjalët e një kënge që thoshte pak a shumë: “Merre merre merre, merre po ta dhanë, por nuk mundesh ti, jo jo jo...” Ta këpuste shpirtin ajo këngë dhe “lirika” e saj.

Gazetarja i tha grimiorit ta ndreqte pak shkrimtarin, të cilit një fytyrë i shkonte dhe një tjetër i vinte. Pastaj zuri të merrej me tualetin e vet, kohë gjatë së cilës i telefononte pareshtur i dashuri.  Ajo i thoshte atij me butësi: “O Taku, jom në punë, lale.” Kurse regjisorit: “Jena gati?” Dhe prapë të dashurit: “Jom në punë, o trangull. Folim më vonë.”

Në një moment, vajza pa lulet që mbante në dorë shkrimtari me porosi Q. Q. dhe e pyeti me një fytyrë ku e ku më të lulëzuar nëse ia kishte sjellë asaj.

-Jo jo, - nxitoi të sqarohej ai. - Unë mendova se në përfundim të intervistës, ju apo dikush tjetër këtu mund të m’i dhuronte mua... Si ta them... A mund të fillojmë?

Gazetarja shkëmbeu një vështrim me regjisorin.

-Leji ato aty... Lulet, pra mo. Po mirë, edhe librat. Njonin mbaje n’dorë. Mbyllni derën, lale!

Kamera e parë dha shenjën. Moderatorja vuri sakaq maskën.

-Të nderuar shikues, - buzëqeshi ajo - në këtë emision do të flasim për letërsinë, si shprehje e vlerave që derivojnë në shpirtërat njerëzorë... Ë? Lene hyrjen, lale, - ia bëri me dorë regjisorit - e bojm’ i her’ tjetër... Por ne kemi sot këtu autorin e librit për fëmijë “Dhelpra, qeni, gjeli, qengji, gomari, ketri, ujku, macja, bleta, pjergulla, kajsia, retë e bardha dhe flutura krahëshkruar”. Atëherë, pra, - u kthye ajo nga Q. Q., duke u treguar ndërkohë kamerave këmbë vërtet shumë të bukura - ju kini trokitur tashmë në vetëdijen e të vegjëlve me mesazhet tuaja. Apo jo?... Teleshikuesit e Eks 2 Plus 1 janë shumë të interesuar të dinë motivet që ju çuan te ky libër.

Shkrimtari i sajuar Q. Q. qërroi zërin dhe ia nisi me pak emocion:

-Unë jamë autori i librit “Ujku, qeni, gomari…” Jo! Unë jamë autori i librit “Gomari, ujku, qeni…” Jo! Prapë. Unë ju përgëzojë për emisionin… Libri im është një libër që vjen si një, si një... Prapë. Pse unë e titullova atë “Qeni, gjeli, gomari…” Jo! “Gjeli, gomari, ujku…” Jo! “Dhelpra, macja, ujku…” Jo! Po mirë, pse dhelpra është dinake, do të thoni ju? Jo! Prapë...

-Zoti Q. Q., - ndërhyri moderatorja, duke e parë që i ftuari ishte pak i hutuar - si e konceptoni ju komunikimin me lexuesit? Ju kini një kod letrar tuajin, sigurisht...

-Kod?! Patjetër! - tha shkrimtari, duke parë ndërkaq tavanin. - Po sigurisht; sepse libri im “Ujku, qeni, gomari…” Jo. Prapë. “Dhelpra, ujku, qengji...” Jo jo! Por libri imë...

Vajza më kot i bënte shenja që ta lexonte titullin në libër; ai e kishte në dorë atë. Por tjetri po mbytej nga emocionet. Ndoshta e kishte fjalorin të bllokuar për momentin; ose aq e kishte gajden; ndoshta vajza po e tralliste më keq me hiret dhe aromën e saj... Ajo vazhdonte të zbulonte edhe më shumë pjesët e zbuluara e, ndërkaq, fliste sikur të ishte duke udhëtuar për në Hënë:

-Letërsia është një planet që rezaton, apo jo? Bota e fjalës e mbështjell subjektin njeri. Pra, ju...

-Pra, unë... Libri imë... Subjekti i këtij libri... Subjekti i librit “Dhelpra, gjeli, ketri…” Jo! Prapë. “Ujku, qengji, ketri, macja…” Jo! Jo dhe jo!…”

Edhe pse herën e fundit kishte arritur të bënte bashkë katër nga kafshët e kafazuara në listën që, fundja, ishte titulli i librit të tij, shkrimtari i pafat Q. Q. nuk po mundte dot të dilte nga ai dreq çarku... Ndërkaq, gazetarja bëri një pauzë, gjatë së cilës shkëmbeu disa mendime me regjisorin, që gjithsesi e kuptonte, jemi në ekran lale, disa gjona shkojn’ mirë, disa jo... O Taku, iu kthye pastaj edhe njëherë të dashurit, po ça t’i fol o lale, jom tu regjistru... Ikë tani! Iiikë!

Ajo e kishte ngritur zërin kaq shumë dhe njëri nga tingujt kishte goditur kaq fort, saqë shkrimtari Q. Q., në pështjellim të plotë, pothuaj i trembur, u ngrit të ikte me të vërtetë. Moderatorja e zuri për krahu. Jo ju, zoti Q.Q. S’po flisja për ju. Pra, vazhdoi ajo duke i shkelur syrin regjisorit, o Zot, ishte si një shegë e përflakur, e shkalafitur, pra libri juaj ndjek disa kordinata... Apo jo?

-Kordinata?! Patjetërë, ky libër, libri imë “Ketri, macja, ujku qengji, dhelpra...” Jo. “Qengji, ujku, dhelpra, macja...” Jo! “Ujku, qengji, dhia, jo, dhelpra, ketri...”

-Vizioni juaj në këtë libër - ndërhyri sërish moderatorja - është, le të themi diametrik...

-Diametrik, po. Qengji, ujku, macja...

Cërr celulari, për të dhjetën herë. Qeni, ketri, zogu...

“Takuuu! Më çmene sot, laleee!” Krejt papritur, vajza u ngrit dhe doli përjashta furtunë, por duke mos harruar t’i bënte shenja kameramanit të fokusohej te kopertina e librit. Celularin sa nuk po e kafshonte. Shkrimtari Q. Q., i cili mbeti atje si lloz, mori librat dhe i vuri nën sqetull. Ai kishte nevojë për pak pushim. Megjithatë, duke shkuar pas moderatores, nuk i doli nga mendja t’i thoshte, sa me fjalë, me shenja: “Po lulet?...”

Dikush duhej t’ia jepte atij lulet. Ç’është kështu! I kishin mbetur në dorë... Nga dera e sapohapur, një reze dielli kishte hyrë brenda sa për të projektuar grimcat e panumërta të pluhurit. Kurse matanë dëgjohej ende ajo kënga që thoshte pak a shumë: “Merre merre merre, merre po ta dhanë, por nuk mundesh ti, jo jo jo...”

Sa bukur! Po shkonte dreka...

………………………………………………………………

*Tregimi ripostohet (fragmentarisht) në kuadrin e 1 Qershorit, për të ndihmuar sadopak lexuesit, prindërit, edukatorët, por edhe “specialistët”, mediet pse jo, që t’i shmangen (gjithnjë sadopak) grafomanisë dhe banalitetit. Lexim të mbarë!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora