Editorial
Nikoleta Kovaçi: Nesër kur të votoni, mos harroni të kujtoni...
E shtune, 24.04.2021, 11:48 PM
Nesër kur të votoni, mos harroni të kujtoni...
Nga
Nikoleta Kovaçi
...Samuelin,
djalin 10 vjeç, që e mori ambulanca zvarrë në rrugë, teksa priste me ditë mes
shpresës për nji jetë ma t`mirë e ikjes nga nji vend që rrënohej çdo sekond!
Samueli asht djali që mbaj unë foto profili!
E
vranë, e përqeshën e mrapa i shkuen edhe n`shpi t`atit! Pos të gjithave, thanë:
E blemë... Samueli u ba fajtor për atë aksident; su mjaftoi jeta e tij, i
deshën edhe fajësinë! Ashtu siç fajësohen gjithmonë të pamundunit, po jo
engjëjt; Samueli ishte Engjëll!
Na e pamë ç`a ndodhi!
...Klodin,
djalin çapkën! Vetëm 25 vjeç! Që e mori plumbi i policit pse theu orën e
karantinës për një paketë cigare! Masanej vajtje-ardhjet e shtetit në shpinë e
tij bashkë me kamera e live, pension e emen rruge, peme me emnin e tij e famë
po me shtirjen e frikshme të mëshirës e të keqardhjes ndaj babës së tij!
Na e dimë ç’a ndodhi!
....Arjanin
që u braktis nantokë për së gjalli, u la vetëm dhe i vetëm për orë e orë e
orë...Masanej e banë hero, masanej i shkuan në shpi me kamera live, po ende
s`ia kanë nxjerr ekspertizën se sa kohë priti shpirti i tij ndihmë nga mbitoka,
sa priti mendja e tij zjarrfikëset pa tuba uji, pa efektivë, pa shpirt; sa
priti polici e prokurori; ku e para kishte hall maskash-zhele që mbulojnë
mllefin mjeran të pasanikëve kriminalë të globit që kanë marrë peng njerëzimin,
ndërsa të dytët kishin frikë se iu tymosej kostumi dopiopetë!
Na e kuptojmë ç`a
ndodhi!
...Arditin,
djalin 17 vjeç që mbeti në plehrat e Sharrës! Që ishte punësu i padeklaruem, që
askush se pa teksa makineria monstër e futi brenda vetes, ndërsa nana e vet e
priste në shpi! Që edhe mas dekës tij, prapë uzurpuesit e jetës në këtë vend,
refuzuan ta pranojnë e aq ma pak ta deklarojnë! Arditi ishte djali i një
polici! Punonte se i ati s`ia blinte dot librat për maturë, as rrobat, as
çantën e shpinës. Sepse i ati-polic nuk ishte trafikant droge, as pazarexhi
hashashi, as ruajtës i parcelave të hashashit, as ngarkues i gomoneve, skafeve
dhe avioneve, ndaj Arditi doli të punonte vetë...
Na e besojmë atë që
ndodhi...!
...Indritin,
djalin që e vranë killerat për një fjalë goje, e vranë parellinjtë se
kondicioneri nuk ishte montu si duhet! Te parellinjtë killera dhe anasjelltas,
punëtorët janë skllevër, e nëse munden me folë edhe vriten... Policia,
prokuroria dhe gjykata qëndruan në anën e vrasësit... sepse Indriti ishte vetëm
se një djalë që punonte për njën rrogë qesharake dhe me ato lekë mbante edhe
familjen!
Na jena shumica si
Indriti...
...Marion,
djalin që u vra për gjak në mes të Tiranës! Që u vra nga hasmi i babës së tij,
ndonëse Mario kishte qenë fare i mitur kur i ati kishte vra! Madje ishte rrit
larg babës, se nana e Marios ishte nda prej tij, e prapë Mario u vra, u vra
sepse u ba viktimë jo vetëm e mendësisë burracake të atyne që e deshën
hakmarrjen e paligjshme e t`pabazueme kërrkund, po edhe të mashtrimit të
përbotshëm të kryeministrit që në Shqipni jeta asht e sigurt. Mario, nëse
kryeministri i tij nuk do të rrente Suedinë sot ishte gjallë dhe në jetën e tij
të thjeshtë e qytetare...
Na e kena provu edhe
k`të...
...Marvin,
djalin ekselent, atë që baba e nana e tij por edhe Shqipnia e priste me padurim
të diplomonte, po nuk e lanë gansterrët; e vranë pse tentoi të shuante një
sherr. Gangsterrët ishin parellinj, me ta s`kishte dhe s`ka lojë; duhet të
vrasin këdo që iu del përpara! Sepse baballarët e tyne e blejnë policinë,
prokurorinë, gjykatën, shtetin, dreqin e t`birin e tij!
Na jena dëshmitarë të
qindra rasteve Marv...
...Jak
Prengën, djalin që u rrëmbye, u vra dhe u zhduk nga banda mafioze! Të gjithë e
pamë, të gjithë e dimë, askush nuk flet! Sepse vrasësit janë si shteti, sepse
vrasësit e tij janë me shtetin, sepse vrasësit e tij janë shteti! Jaku nuk u
gjend sod e asaj dite, po as vrasësit dhe zhdukësit e tij, sepse kta të fundit
janë garanti reciprok i pushtetit, sepse autorët nuk mund t`i gjurmojë policia
e hashashit, as e gjobave për rrip, as dordolecët që rrahin gra e fëmijë
rrugëve, as policët hajna e shërbëtorë; ata i kapin vetëm policët trima, që
shumë prej tyne u çuen për ndjekje penale se s`pranuan të bashkëpunojnë me
bandat e hashashit! Fëmijët e Jakut s`kanë varr për babën e tyne, ndërsa
vrasësit kanë miliona e milarda dollarë, kanë resorte dhe vila e llogari kudo
nëpër botë!
Na jena kronikanë të
kësaj masakre...
...Vlonjatët
e zhdukun pa gjurmë, edhe ata që i nxori bregu, edhe ata që u quajtën
peshkatarë, edhe ata që u quajntën me probleme depresioni dhe u mbytën...
Kujtoni dhjetëra djem nanash që janë vra për hashash, për pazare, për tradhëti
grupesh e dorëzime tek rivalët... Janë djemtë e dikujt, burrat dhe vëllezërit e
dikujt!
Na do dëshmojmë një ditë
...Të
pamundunit, ata që s`i blejnë dot ilaçet e monstrës covid, që iu vdesin
njerëzit spitaleve pa e ditë se ç`a iu ndodhi, që nga psikopatia e menaxhimit
të situatës nëpër pavione njerëzit hidheshin nga lartësitë, që varroseshin të
braktisun e nën armët e policisë, që s`paguajnë dot infermierin apo mjekun e
familjes me 3 mijë lekë për një serum, edhe kur duhen 2-3 në ditë...etj...
Na e dimë si ndodhi...
...Fëmijët,
ata që nuk e kanë mundësinë të ngjiten podiumesh, të marrin mikrofonin, të
ekzaltojnë turma e simpatizanë partish, por presin me padurim të kenë një
çokollatë, një palë atlete të reja, e një telefon si të atij fëmijës që e ka
babën me post... Votoni nesër për ta... sepse edhe Zoti asht vetëm me ta....
Na
dimë dhe duhet të besojmë; vota asht vendim, vendimi asht dinjitet, dinjiteti
asht liri e liria asht Frymë...