E premte, 26.04.2024, 09:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Musine Kokalari: Ferexhea - Këngë varfërie - Përballë pushtuesit

E enjte, 27.11.2008, 03:27 AM


Musine Kokalari
Lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan pa gjyq vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.

 

Ferexhea…

 

Brënda në shtëpi… atje ku i ka hije një vajze të mirë… atje e mbrujtur me udhëzimet e verbëta të prindërve… atje ku zvarrisesha si unë dhe shoqet e mia prej zakoneve të mykura. Ja një shpirt i shtypur dhe i vdekur së gjalli.

Ditët e njëllojta njëra me tjetrën, kalonin me shpejtësi. Një nga një na i shkëputte koha motrat nga gjiri familjar. Unë e vetme, krejt e vetme… e zonja e punës, krahu i djathtë i mëmës, e rritur pa ardhur koha, i kthehesha shtëpisë. Gjatësia e trupit i shtrënguan më të mbëdhejtë të mendonin sa më parë për mbulesë…

Nuk vonoi dita, arriti ajo kohë kur unë e pashë vehten t’ime të mbërthyer, të burgosur dhe kur dilja jashtë… në rrugë. Me dhëmbje e vesha fundin e ferexhesë që ma kishte pregatitur nënua, me gjishtre të pa sigurta lidha mbulesën mbasi kisha vënë peçen e rëndë në fytyrë…

Në këtë gjendje, gjysmë e shahtisur, gjysmë e pa ditur zbrita shkallët e shtëpisë dhe në këtë mënyrë dolla jashtë, në krahun e mëmës për tek një kushërirë… M’u penguan këmbët nëpër gurë, duart nuk dinja t’i mbaja nga mbrenda, nga sytë as që shikonja dhe njëkohësisht isha e detyruar të dënonja përsa më pëshpëritte ndënë buzë… javash çapet, mos i hidh të mbëdha… duart brenda se të duket mishtë… ule kokën… mos ecë si e shahtisur.

Disa heë kur e ndjenja se më zihej fryma, fshehura e ngrija cepin e peçes dhe shikonja nga pak. Pa pandehur pashë një nga shoqet e mia dhe në kohën kur me gjisht zura t’a tregonja dhe duke qeshur të thoshje se ajo ishte. Shësh-t ma bëri kjo që kisha në krahë… Kallogre më thotë, më nxive faqen, çbën kështu… mos bën me gisht, mos folë, mos i zbardh dhëmbët, turp nga bota… dhe unë e turpëruar nuk fola më se ashtu më urdhëronte ajo që kisha në krah.

Arritëm në shtëpin e caktuar, disa filluan të qeshin kur më panë të mbuluar dhe të tjerat t’i thoshin mëmës… U… u e ç’qe kjo që bëre, vajzën e ke foshnjë. E pse u vjase që tani, shoqet e saja janë akoma nëpër udhë… por ajo kish vendosur as njeri të mos dëgjonte mbasi nuk më quante të vogël duke qënë se në moshën t’ime ajo vetë ishte martuar…

Ja ferexhea e peçea… ajo që na rruante nderin në kohën t’onë, ajo që na pengonte mos shikimin e fytyrës s’onë prej burrave… ajo ne na ndalonte dritën jetëdhënëse. Ajo më mbajti krejt brenda dhe të vetëmuar, ndonëse më vonë u mësova prej asaj veshjeje dhe nuk e kisha për gjë që të më bënte përshtypje.

Ferexhea ishte një mërzi e madhe, një burg i dytë dhe ajo më shtrëngoi të mos ndjenja as kënaqësinë e ditëve të kaluara me kushërira… nuk venja tek ato… dhe ato as vinin tek mua…

Ajo më mbajti thellë në shtëpi, më varrosi në ditët më të bukura, më grabiti disa vjetë lirije se shkakun e kishte gjatësia e trupit… dhe unë viktimë e saj…

 

Këngë varfërie

 

Ja unë…

 

U linda një ditë, u ndodha pa dashur në këtë tokë. Çela sytë për herën e parë në kasollen e vogël, shikova, por asgjë nuk kupëtova… ishte vetëm qenia t’ime.

U rrita dal-nga-dalë, u bëra një foshnjë e vogëlë. Gëzonja për çdo gjë që kisha për rreth, qeshnja për sendet e të tjerëve, më dukeshin si të mijat… ishte moskuptimi.

U lëkunda në djep prej një dore të zbetë, u kapita në gjumë prej një zëri t’ëmbël. Fjalë të bukura dhe plot dhëmbje… ishte fryma e dashurisë.

Fola fjalët e para, i shqypëtova përgjysëm. Qeshnë me mua dhe kënaqej ajo që më lëkundte… ishte shpresa e nënës. Fillova e qanja, kur ndenja dhembje; më dilnin lotët si çurgë kur vritesha…. gjat s’pushonja… ishte fillimi i dëshpërimit.

Hodha çapin e parë, më dridheshin këmbët. U pengova prej gjërave që gjenja përpara por, përsëri u ngrita… ishte guximi i parë.

U rrita më tepër, qumështi i nënës nuk më mjaftonte, buka e zezë nuk më pëlqente… ishte varfëria e padukur.

Rendja jashtë, shikova diellin e ndritur, renda pas fluturave dhe me këmbën e paditur shkela mizat e dheut… ishte trimëria e ime.

U mërzita vetëm, dhe një ditë u rrethova prej shokësh të moshës s’ime. Qeshmë, kënduam dhe mësova shumë fjalë që nuk i dinja. Kaluan kohë dhe një ditë nuk u muarmë vesh. U rahmë midis nesh. U shtri në tokë m’i dobti, nënëqeshi m’i forti… ishte shoqëria e parë.

Më shpunë në shkollë, më dhanë një pllakë përpara dhe, mëso më thanë. Dëgjova zërin e msonjsit, habitesha. Mendova me vehte si lum ay që është i madh dhe i di të gjitha… ishte padituria e ime.

Kështu u rrita në varfëri, kështu kalova fëmijërinë t’ime me mundimet e nënës. Un nuk i dinja, akoma, nuk e kisha kupëtuarë barrën e rëndë të jetës.

Fillova më vonë rrugën e mbarësis, më lanë në duart të njerëzve “të ditur” dhe ata më edukuan, më shpunë në rrugën e drejtë…

 

Përballë pushtuesit

 

Më kujtohet që udhëtoja me tren. Ishte një kolonel dhe tre oficerë të rinj. Unë kisha zënë një cep dhe nuk ndjehesha mirë. Dëgjoja, thoshte koloneli:

 

- Ne kemi derdhur miliona në Shqipëri, prandaj na takon ta kemi këtë vend të egër e të prapambetur që imperua t'onë ta qytetërojë.

 

- Po, - u hodh një oficer i ri. Atje ka karoca që i bien borisë. Gratë dalin mbuluar. Ka injorancë.

 

- Është vend i prapambetur, - tha i treti.

 

- Njerëz të egër dhe të ftohtë. Nuk e kuptojnë të mirën që ju kemi bërë. Nuk të afrohen.

 

- Kanë patur nevojë për këtë pushtim,- tha i katërti.

 

- Ashtu është e drejta – shtoi koloneli.

 

- Ne po kryejmë një mision historik dhe duhet ta çojmë gjer në fund.

 

Si mbaruam muhabetin, njëri ofroi karamele. M'u drejtua mua. I thashë faleminderit. Jam e sëmurë.

 

Oficeri i ri kishte qitro. Do t'ju jepte shokëve. I thotë koloneli: mbaji se atje ku shkon (po vinin në Shqipëri) nuk ka.

 

- Ja, - tha oficeri, - zonjushës që është e sëmurë do t'ia fal një qitro.

 

I thashë faleminderit. Zoti kolonel thotë mirë, në vendin tonë nuk ka qitro.

 

Ata erdhën e mbenë.

 

- Ju, ju, jeni, jeni shqiptare?

 

- Po, - i thashë, - unë jam shqiptare.

 

- Po ne fualmë pak – po është e vërtetë që janë derdhur miliona në Shqipëri?

 

- Atë se dimë. Atë e dini ju kujt ja keni dhënë. Milionat në janë derdhur në xhepin e të mëdhenjve, s'i ka marrë populli.

 

- Po ne kemi një mision historik, të qytetërojmë Shqipërinë.

 

- Ne nuk ju kemi thirrur. Ju erdhët me armë. Ne ju pritëm me armë. Na pushtuat.

 

- Ne do ta civilizojmë vendin, - thanë ata.

 

- As këtë s'ja kemi kërkuar që me anën e pushtimit të na civilizoni. Ne të rinjtë po mësojmë dhe po ne do t'a civilizonim vendin t'onë që ju e pushtuat.

 

Dhjetor 1941



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora