E diele, 28.04.2024, 10:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhenc Bezhi: Cikël poetik

E enjte, 27.11.2008, 02:24 AM


Xhenc Bezhi
XHENC BEZHI  

 

Lindur me 15.11.1961 në Gjakovë.

Shkollen e mesme në “Hysni Zajmi” Gjakovë dhe pastaj diplomon  Gjuhë dhe letersi në shkollen e lartë pedagogjike “Bajram Curri”në Gjakovë. Ka punuar në arsim, dhe organizonte  aktivitete të ndryshme kulturore pranë SH.L.P dhe amaterizmit në qytetin e Gjakovës nëpërmes trupes   së Teatrit amator “Emin Duraku”.

Me shkrime merret prej shkolles së mesme, ka botue nëpër shtypin periodik të asaj kohe dhe në revisten lokale letrare “Shtigje”të klubit letrarë “Gjon Nikoll Kazazi në Gjakovë. Prej vitit 1992 pa deshiren e tij migron në Austri ku jeton  edhe sot.

 

 

FYELL  I  RINISË

 

Janë këto pak vargje

të dalura

nga rruga

nga ara

nga shkolla

nga lëvrimi i diturisë

nga errësira e shtrydhur në dritë

nga disa vrima

në rripin e babës së pa epur

të dalura

kokrrat e thara të djersës

nën plisin prej reve të vrugtë rrufegoditur

të dalura nga të pa dalurat.

 

Gjakovë Prill 1982.

 

KOSOVË

 

Thellë pas mesnate

unë gjumtreturi yt

përkundi me mall kujtesën

për një jetë të tretur

për një djep rreze ylberi

për një derë të hapur

në kopshtin me lule

për një varr të qet`e 

në parkun e lirisë

unë, një pikë;

nga gjaku i yt i tretur

unë plaga jote

 

Salzburg, 15 08 1993  

 

KRUSHKU I  MERGUAR, SHKRUM SHPIRTI

 

Athua kullat mbulua i ka bari?

athua motrat digjen nga malli?

athua nënat presin  të ngrata?

athua dita ndryshon nga nata?

 

Të fala Kosovë të çojmë nga mërgimi

jeta larg teje s`na sjellë pikë gëzimi

ditët e gjata netët pa gjumë

shpirti nga malli po behët shkrumb

 

Si tufë e trembur  në vende tjera

pa diell,pa lule na vjen pranvera

ku stinë e vite shkojnë pa vënë re

un femiu i yt përjetë,o Mëmëdhe

 

Kur te vij dita jep kushtrim

Jam i  gatshëm për rreshtim

mos ju njohtë as guri i varrit

kush s`vjen te vdes për dhe të t`parit.

 

Salzburg  10.05.1994.

 

MALLË

 

Sy të iu shikoj nuk kam

shoh vetëm sytë e juaj;

të pa tharë

o motër madhe, o mëmë

jetoni në mua ,pa mua

unë në dysh i ndarë

i vetmuar me shumë shokë

kalorësit e shekullit te ri

pa kalë.

 

Salzburg, 07 08 1994

 

MASAKRES SË  TIVARIT

 

Tivar a u ngope gjak

Tivar a të patëm hak

Shpella ,deti  a u ngopën

koka ,trupa e gjymtyrë

Rrugët në gjak a tu lanë

nga katërmijë e njëqind shqiptarë

në besë rob të nxënë ?

 

Gjakovë, Shtatorë 1992

 

NATA E PURGATORVE

 

Te lutem nënë

mos ndez qira për ne sonte

te mërguar jemi,por të vdekur jo.

Vdekjen kurrë se deshe

E qirinj gjithmonë të vdekurve u ndeze.

Ti i deshe djepat nënë;

në Evropë ninulla shqipe u këndohen nipave tu.

Lutu ne këtë natë

për të vdekurit

e këndo për ata që duan të jetojnë.

Lutu edhe për djemtë tu të shpërndarë,

e na mallko nënë

po nuk erdhëm ne dasmën e parë.

Edhe ne si ti

e urrejmë mërgimin

në gjumë e zgjuar

e ëndërrojmë bashkimin.

 

Salzburg 1994

 

NË PRITJE

 

Çdo agim të prita

në pjesën time

të qiellit e të tokës

i armatosur me durim

trupova Golgotën

gjanë e gjatë

në stacione të prita

çdo ditë çdo natë

e ti ngjalë e plagosur

binarëve të luftëpaqes

rrëshqet me mund

ti gëzosh ata

që të presin në fund

 

Salzburg  10.09 1994

 

NË SALZBURG

 

Kur   rrugët  me prenë në besë

e  ujit, e rrebeshi

zi fut më bëri

hekurat e rrugës

ma vranë shtatin

deri në tkurrjen e jetës

qe me përplasi

në zemër të Alpeve

përball një kalaje

ku gjeta

“mrizin e zanave”

dhe Shpatën e Gjergjit

me majë jo kah osmanlinjtë

por kah Karpatet

rrinte vrik.

 

Salzburg 03. 08 .1994

 

PREMIERË

 

Në teatrin e Evropës

tragjedia në skenë, Kosova

Ballkani në rrezik.

 

Regjisori

sjell hellin

pjek mish të njomë

të kënaq ambiciet

e Zonjës plakë.

 

Aktorët

interpretojnë vdekjen

në token e ndezur flakë

 

Statistët

i ranë honorarit

 

Spektatorët

i fryjnë zjarrit

sipas skenarit të plakur.

 

Salzburg 11 .11 .1998

 

TRENI  SHTEGTAR

 

Natën,ditën

në çdo stinë

treni bartë shtegtar,

të ndjekur,te rrahur

fajtor se janë shqiptar.

Në perëndim

gjeten “parajsën” që ua premtuan

refugjat, të huaj i pagëzuan.

me vete morën,

vetëm shpresën e kthimit

atje lanë çdo gjë

në mëshirën e shkatërrimit.

 

Salzburg 1998

 

BURRË  MALCIE

 

Në telat e lahutës sate

njoha:

kongresin e Berlinit

lidhjen e Prizrenit,

zana, shtojzovalle

 

Në këngën tënde Homerjane

kalores Azije

e  sllav te uritur

dogjën , vranë , vjedhën marshuan;

në Deçiq Dedën, Tringën,

e  në Vraninë Oson takuan

 

Salzburg  10 shtator 1994

 

ÇKA JEMI ?

 

Ishim burim i ujëvarave tua,

sot, argat krahu të meteropoleve të huaja.

Ishim shkëmbinjë më rrënjët në lashtësi,

sot, guralec pa votër pa shtëpi.

Ishim njomësia e fushave pa mbarim,

sot, rrefugjat të botës në kalim.

Ishim  ardhmërija e jote e rritur në gjak,

sot, hije që bredhin pa cak.

Ishim dyreku që e mbanë çatinë,

sot, zogjë që shtegëtojmë në çdo stinë.

 

Rrugën që ke nisur

Kosovë të qoftë e mbarë

në gëzimet dhe hidhërimet tua

do të jemi krushq të parë.

 

Salzburg 30.06.1994.

 

NOSTALGJI

 

Sillem rreth vet vetës

trupi mbetët

hapat ikin

çdo ditë

të njëjtave rrugica sillem

eci, eci

e nuk ndalem së kërkuari

rrugën time të humbur

 

Salzburg  15. 07. 1994

 

" ZOTËRI "

 

Nata i nxënë  te uritur

agu të mërdhirë

fëmijët e baballarëve

dëshmor

E ti?

me bark mendon

me bark

kundërmon.

 

Me togfjalësh të demoduar

e ndërgjegje te korruptuar

rahati nuk gjënë

ne shtratin ministror.

 

Kam frikë

se  me ketë qeveri

smund të bie në dashuri.

 

Salzburg, gusht 2007

 

JETA JONË

 

Adam

Ti e hëngre mollën

Ne na u mpin dhembët

Skëterre

Na u bë jeta

Atdheu toke e coptuar

Ndërtojmë ditën

Natën na shkatërrohen

Urat , kalatë

Ëndrrat

As pagan

As pasardhës majmunesh

As pa, as me zot

As gomarin kush kullot

 

Salzburg 18. 04. 07

 

TE KTHYERIT

 

Opinga teke

copa rrobash

një kësulë të bardhë

e sandale fëmijësh

pash ne at fillim vere

në dheun e grumbulluar në Meje

 

Si në Tivar,

duarthatit tanë

te tretur

pre e pjellës se keqe

 

Po ku vidhën

të vdekurit more

ku mërgojnë

kufomat

 

Në ditë festa

ne qeta te vogla

na i kthejnë

ti varrosim

bashkë me shpresat

e humbura për ta.

 

Salzburg 07.05.07

 

BREZNI GJAKU

 

Çdo faqe

Se paku një luftë

Çdo pëllëmbe

Plage e Varre

Çdo brez

Marrëmalasit

dalzotësit e vete

Oh sa

Luftëlinda

Nëmalinda

U pagëzuan

Jetimët rriteshin

E rriten e jetimëve te tyre

Se pritshin

Si te paret, si te fundit

Lindjet e vdekjet

Njësoj i kishin

 

Veç shtypësit

e çizmet ndërroheshin.

 

O Bjeshke te Nemuna

si populli im

 pritsha çmallkimin tuaj.

 

Salzburg 16.04 2007

 

LAMSH

 

Syri se sheh

As lotin, as mallin

Veshi s’dëgjon

As te mirat

As hallin.

 

Rrokulliset bota

Lëmshi fije s’ka

Zo(t)ri të vënë kushte

Derri (s)të bëhet vëlla

 

I shtrëngoj grushtet

Që kërcasin në shtrëngim

Te godas kokëkrisura

Gjer në vetëdijesim

 

E ëndrrat për të ardhmen

Me te përditshmen nuk pajtohen

E unë zgjoj kujtimet e pa fjetura

Agime të zbardhohen.

 

Salzburg, 31.04.2007

 

NJË PRILL

 

Sa her gënjente

i rritej hunda pinokut

e ju,

iu rritet:

mendja, barku,

pasuria ,oreksi

e nxihet faqja.

Po hunda s`ju rritet,

politikanet e shekullit tanë;

për shumë mot festa !!

 

1. prill 2008, Salzburg

 

NYJE

 

krah meje ecë,

dorën ma mban.

Në shikimin tënd

dashurin,

në buzagazin tënd

gëzimin,

në hapin tënd

vonesën

shohë;

në belbëzimet tua

përpjekjen,

te ma thuash një fjalë

prita me vite.

 

Mars 2008 Salzburg

 

PA UDHËSI

 

Kuçedra

zaptoi krojet

buzët u shkrumbuan

 

era vajgur e pishë

ne muret e dhomës

siluetat lozin

 

Me gishtat e vulës

bëme princa

 

E ne;

mbetëm lypsa

te dritës,te ujit,  të dijës

 

një gisht tjetër na treguan,

dragoit tanë;

skthen ne prralle

 

Më 09 12 2007 Salzburg

 

PLOGËSHTI

 

Kur heshtja flet

ortekë mbi kokë

Medicina e sëmur

 

Dora e huaj

Sme kruan

ku me kruhet.

 

Cjapi ruan kopshtin

nën hijen e ferrës sime

Varfërohen shpresat

 

MOS QYTETI IM

 

mos e ushqe

mjekrën

me pluhur Sahare

se harron gjuhen

harron emrin

dhe gjakun

Jakova ime.

 

Me lindje

    përdredhë Perçen 

   me perëndim kokën

 si nusja

ne vitin e parë te martesës.

 

MRIZI I DEMOKRACISË

 

Ndër mrize ka freski

mblidhen e blegërojnë  bagëti

mrizimi  është demokraci

 

mblidhen çakaj në atë anë

në kërcënim krehin dhëmbë

 

premtimet mbeten te varura

nen diell te premtuar

varfëria korret dhimbshëm

lëvizin epitafet në ar praruar

 

Në darkë e fundit

ogiçe të qethur e lyer

çakajtë gojën plot lesh

e bythës suaj të shqyer

 

Salzburg 05.10.2oo6

 

PLAKUT

 

Ditët e gjata

vitet e shkurta

në pleqëri.

 

Fajtor,

i penduar,

për të pa bërat

në rini.

 

Kur thonë:

s’po plakësh,

mos u bën lodër,

 

e fundit të del;

o gropë o kodër

 

Salzburg 19. 04. 2008



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora