E shtune, 27.04.2024, 06:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Rrustemaj: Intervistë me poetin, prozatorin dhe publicistin Arif Molliqi

E diele, 23.11.2008, 01:49 PM


Halil Rrustemaj - Arif Molliqi
Letërsia jashtë vendit nuk është pjesë periferike e letërsisë shqipe

 

Intervistë me poetin, prozatorin dhe publicistin Arif Molliqi ,

bisedës i priu : Halil Rrustemaj

 

                 Me poetin dhe shkrimtarin Arif Molliqi u takuam në Panairin e librit në Frankfurt, ku Kosova për herë të parë mori pjesë si shtet, në të cilin u prezantua edhe romani i  tij “Gruaja e vizatuar nudo”, botim i Shtëpisë Botuese “Faik Konica “ (2008). Me krijuesin që jeton dhe vepron në mërgim ( Hamburg)  biseduam për shumëçka, por temë boshte e bisedës ishte arti, kultura, poezia, publicistika...

 

                Rrustemaj :  Z.Molliqi, çfarë do të thotë prezantimi i romanit tuaj në një panair ndërkombätar si ky, veqanërisht kësaj here kur Kosova prezantohet si shtet ?

 

                Molliqi:  Panairi i sivjemë gjithsesi për ne ka diçka të veçantë; prezantohemi nën ombrellën; Republika e Kosovës. Por, për mua s´është hera e parë që një libër imi merr pjesë në Panairin e Frankfurtit. Megjithatë, sa herë që kthehem këtu dhe shoh  një krijim timin ndiej diçka të afërt, sikur dikush ka ardhur nga Kosova, gjegjësisht nga Lluka dhe bisedojmë për gjithçka të re atje. Thënë ndryshe, thellësisht ndjehem mirë kur shoh librat e mia në panair, por ndjehem keq kur krijimet e autorëve që janë në mërgim kalojnë aq heshtas atje në kryeqytet, sikur këta autorë të mos u takojnë  përbërjes së krijuesve shqiptarë.

 

                Rrustemaj: Në stendat e panairit është edhe romani juaj “Gruaja e vizatuar nudo” që është botuar këto ditë, nga titulli duket mjaft provokues ! ?

 

                Molliqi: Në romanin e ri „ Gruaja e vizatuar nudo“, jam munduar t´i sfidoj format e ngurta dhe tradicionaliste të të shkruarit sepse, në prozë ky sfidim lejohet pasi romani është një zhanër i pakryer. Jam munduar që vëmendjen e lexuesit ta mbajë të përqendruar brenda rrëfimit, përkatësisht brenda atyre ngjarjeve që u ndodhin personazheve nëpër kohën që duket mjaft absurde.

                Sado që rrëfimi në këte roman duket autobiografik, unë jam munduar të shpalos paradokset e dhimbshme të të dy kohëve, dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme që vijnë si të qëllimta në këte kohë. Besoj se ky roman do të lexohet dhe do t´u pëlqejë të gjitha gjeneratave.

 

                Rrustemaj: Përveç si poet, jeni edhe prozator (tri romane të botuara), jeni marrë edhe me publicistikë, jetoni dhe veproni  në mërgim, do të ishte me interes të mësonim, cila nga këto zhanre ka prioritet në krijimtarinë tuaj ?

 

                Molliqi:  Poezia është mbretëresha e artit që ka muzën poetike, që ka lojën metaforike, ka butësinë dhe ashpërsinë brenda vetes. Andaj brenda kësaj lufte unë shumë më  guximshëm mund të përplasem, mund t´u përballoj dhembjeve që shkaktojnë plagët e çdo vargu. Proza është një botë tjetër, në përplasjen e parë më e rëndë, plot pengesa që herë-herë është vështirë të kalohet. Sado që në poezi  thellësisht futem brenda saj, ta njoh botën e ndjesive të mia karshi botës që më rrethon, në prozë rrëfimi dhe ligjërimi ecën si në vrapim me pengesa që nëse merr n´thua dhe bie, e ke më vështirë të ngrihesh.

 

          

Arif Molliqi
      Rrustemaj: Kam dëgjuar se, artistët në përgjithësi dhe poetët në veçanti, janë njerëz të ndjeshëm nga natyra ... ?

 

                Molliqi: Kështu thonë dhe kjo duhet të jetë një dhunti e lindur. Një elitë që i vrojton gjërat që na rrethojnë krejt ndryshe. Mirëpo, kjo “elitë” më shumë është e imagjinuar sepse në përgjithësi ndjeshmëria  është tek të gjithë njerëzit por ajo varët si shfaqet. Poetet atë e shfaqin përmes vargut andaj edhe ekspozohen më shumë. Këtu nuk dua të ngatërroj ndjeshmërinë e shpërfillur, e keqpërdorur nga disa që thonë se poezia është lojë me fjalë...

 

                Rrustemaj: Cila është lidhshmëria ndërmjet mërgimit dhe artit, poezisë dhe prozës ?

 

                Molliqi:  Mund të them se mërgimi për krijuesit e përkushtuar nuk është pengesë, por progres. Kontakti ynë me vende, kulturë, gjuhë të ndryshme e njohje me personalitetet letrare-artistike, së paku të jep mundësinë e të krahasuarit. Krijuesi emigrant, veç nostalgjisë së përhershme që ka për Atdheun, mendoj se në distancë e me qetësi e shikon me sy më realisht botën që e rrethon ( jasht baladës dhe mitit), aq sa, emocionalisht  Atdheun e përjetojnë ndryshe të  tjerët. Tjetra, letërsia që zhvillohet jashtë, nuk duhet konsideruar si periferike, por pjesë integrale e letërsisë shqipe. E di, mërgimi është një shtegtim i rëndë, por në kohën tonë marramendëse me plot përplasje, më gjithfarë krizash, veçimi i “shkrimtarit emigrant” nga ama, krijon dilema dhe paqartësi. Shpesh ky veçim keqkuptohet ose keqinterpretohet, por a s´është dilemë kur kthehesh në vendlindje dhe dëgjon kur të thonë; “ Ja ky gjermani(?!)” Kurse këtu në Gjermani gjithmonë të konsiderojnë si një të huaj. Tjetra, kundërvënia dhe injorimi i krijuesve emigrantë nga Shoqata e Shkrimtarëve, apo, PEN Clubi i Kosovës, që nuk interesohen për krijuesit që jetojnë jashtë atdheut, është e pakuptimtë. Një shembull nga kjo “pakuptimtësi”; nëse kërkon të botosh ose promovosh ndonjë vepër qoftë poetike apo në prozë në Prishtinë , mund ta bësh vetëm nëse i paguan organizatorët, referuesit, kritikët, sallën e... Dhe, këto përplasje me “elitën kulturore” të Prishtinës, deshëm apo s´deshëm në poezinë dhe prozën e krijuesve mërgimtarë, përveç që mbushen me ngjyra atdhedashurie ( shpesh folklorike), brenda tyre ka plot zymtësi dhe nervozizëm.

 

                Rrustemaj: Kjo do të thotë se përballeni me vështirësi, madje edhe me zhgënjim kur botoni, promovoni, edhe kur pritni që poezinë ose prozën e tuaj ta vlerësojë dikush ?

 

                Molliqi: Po, unë ju thash, vlerësimi se shkruajmë mirë apo keq nuk ndodhë. Sipas asaj që lexoj çdo ditë, në Kosovë dhe diasporë të gjithë poetët dhe romansierët shqiptarë shkruajnë vetëm “mirë”, së paku  kështu i vlerëson “kritika” e paguar nga vetë autori.  Në mjedisin tonë, mjedis ky që gjithçka është në dorë të klaneve nga kryeqyteti, arti dhe kultura nuk çmohen si vlera të mirëfillta krijuese, por “vlerësohen” në raporte miqësie, jaranie, në raport ; “ euro dhe dollari ”. Edhe botimet, edhe vlerësimet, edhe shpërblimet rregullohen ose kurdisen brenda këtij klani, brenda një rrethi të caktuar diku nëpër kafe ose nëpër zyra të ministrive me  dyer të mbyllura. Merrni me mend, gati pas dhjetë vitesh çlirimi , askujt nuk ju kujtua t´i vlerësojë krijuesit e diasporës me ndonjë antologji...

Më mirë e lëmë këte temë sepse nuk po ndjehem mirë....

 

                Rrustemaj: Po ku është Arif Molliqi në botën e madhe të letrave shqipe?

 

                Molliqi: He. Ku ndodhemi ?! Jam aty ku ka arritur fjala ime, ku është poezia e ime dhe proza ime. E, në këtë hapësirë nuk e di sa kam mundur të zë vend. Gjer ku jam shtrirë.

 

                Rrustemaj: A ju kanë kritikuar për ndonjë vepër poetike apo roman?

 

                Molliqi: Do të isha i lumtur dhe kam dëshirë të më kritikojnë sepse vetëm ashtu do të mund t´a korrigjoja veten në poezi apo prozë. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Po them fatkeqësisht sepse kam dëshirë të ma thonë atë që unë nuk e kam kuptuar tek vetvetja. Ndoshta jam i vockël të merren kritikët tanë të “mirëfilltë” me mua.

 

                Rrustemaj: Po, shkrime-kritika pozitive a ka pasur ?

 

                Molliqi:  Si ta them. Kur ulem të shkruaj mendoj se do të bëj diçka të mirë. Me mendimin e tillë edhe e përfundoj librin. Kur libri botohet, ai s’është më imi. Libri kalon te lexuesi, ose te kritikët. Fatbardhësisht asnjë vepër letrare imja, qoftë me poezi, prozë apo publicistikë nuk ka kaluar pa ndonjë shkrim-vlerësim, pa ndonjë gjykim. Në përgjithësi tonet vlerësuese kanë qenë pozitive... Gjykimet nuk kanë qenë të rënda. Tek e fundit, ky është mjedisi ynë intelektual dhe kulturor që e thash më përpara dhe mos ta përsërisë.

 

                Rrustemaj: Dhe, sipas kësaj tek ne gjithçka që shkruhet i plotëson kriteret e një vepre të mirë. A ka edhe krijime që nuk i plotësojnë kriteret e mirëfilltë të një romani apo poezie?

 

                Molliqi: Për mendimin tim nëse themi se gjithçka që shkruajmë është letërsi e mirë, gabojmë rëndë. Por, këtu pa e bërë gjykimin e letërsisë, të së mirës dhe të së keqes, po e parafrazoj një mendim të Bodlerit (e kam lexuar diku): ”Njeriu është i lirë të bëjë edhe keq” Pra, edhe letërsia është e pafundme dhe aty ka gjithçka. Gjithçka. Mendoj se as tregu nuk është barometri që e matë cilësinë e një libri. Kohëve të fundit shpesh ka libër që është shitur shumë, po nuk ka pasur vlera. Pse ndodh kështu? Lexuesi i rëndomtë kërkon vepra të lehta me tema sensacionale, çudira, skandale seksi, letërsi policore. Por nuk është kjo masa që tregon letërsinë e vërtetë cilësore. Këtu mund edhe të gabohem.

 

                Rrustemaj: A duhet të ketë censurë në letërsi?

 

                Molliqi: Po ! Por ju lutem, jo censurë ideologjike. Për mendimin tim, letërsia ka nevojë për censurë profesioniste në vlera letrare dhe artistike.

 

                Rrustemaj: Për fund si gjithmonë, çfarë jeni duke shkruar, dhe kur shkruani më së shumti?

 

                Molliqi: Gjithçka dhe çdo ditë, por asgjë nuk e kam përfunduar. Vetëm kur libri gjendet në duart e lexuesit, vetë atëherë them se e kam përfunduar dhe nuk qaj kokën për të. Le ta mundojnë kokën të tjerët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora