E diele, 28.04.2024, 04:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Për darkë me ''Vëllain e madh''

E enjte, 27.11.2008, 01:10 AM


Bahri Myftari

 

Djaj të lumtur

 

PËR   DARKË  ME   “VËLLAIN  E  MADH”

 

            Kishte vite që e thërrisnin “vëllai i madh” dhe kjo vazhdoi  gjatë tërë dekadës së fundit të jetës së tij. Nuk dihej nëse i pëlqente apo jo ky epitet, veçse, po të mos i kish pëlqyer, kurrkush nuk do të guxonte ta mendonte e jo më ta shprehte atë.            “Vëllai i madh” ishte ndër njerëzit më me pushtet në vend, për të mos thënë se ishte i plotfuqishmi. Edhe ftesa për darkë, domosdo, i ishte bërë me dijeninë e tij.

            “Ftesë nga “vëllai i madh”, ftesë nga ai, nga ai!” po belbëzonte Artan Veshi në ecejaket e veta. Veç ftesës, atij i erdhi edhe një shënim prej kryetarit të komunës ku i kërkohej të merrte edhe violinën me vete. Të merrte edhe violinën?! Punonjësi që mbulonte kulturën në tërë atë krahinë, pati mbetur i ve dy muaj më parë. Të merrte edhe violinën?! Dorina, nusja e tij, ende nuk i kishte mbushur dy muaj që ishte ndarë nga kjo jetë...Ishte një vdekje që ai, Artan Veshi, nuk po e përballonte dot.  Një vdekje që i mori Dorinën pas gjashtë muajsh martesë.

            - Vetëm gjashtë muaj... dhe ajo iku, iku më shpejt se yjet, - psherëtiu ai.

            E rrëmbeu leucemia. Nuk do ta harronte kurrë pamjen si dhe qysh e gjeti të shoqen në dhomën e shtrimit në spital.. Dori, si zakonisht prej lodhjes, për të përcjellë më rehat një emision televiziv, pati vënë dy jastëkë mbas shpine. Ishte një pamje që ende kishte mbetur e fiksuar në mendjen e tij. Ndonëse, fillimisht tronditej së tepërmi, largimi apo harrimi i kësaj pamjeje do të qe një vdekje e dytë. Atij i ishte kthyer në nevojë ajo lloj dhimbjeje. Kujtimet, edhe kur janë të tilla: tronditëse, tragjike, prapëseprapë janë më të mira e më të vlefshme se asgjëja!

            Shoqja e saj e dhomës, që ishte e zonja e televizorit, i kishte thënë atëherë:

            - E çuditshme, Dori e kishte pikë të dobët televizorin! Kalonte orë të tëra me të. “Më merr dhimbjet, thoshte, më humbet mendjen.” E kisha vendosur që, sa të dilja nga spitali, t’ia bëja dhuratë.

            Këtë dobësi të Dorit ndaj televizorit e dinte edhe Artan Veshi. Ajo ishte vajzë nga qyteti. I ati, një nëpunës i lartë lokal, kishte mundur të shtinte në dorë një autorizim dhe, kështu, familja e tij i gëzohej prej vitesh televizorit. Kur ajo u martua me Artan Veshin dhe shkoi të jetonte në krahinë, televizori në shtëpi, madje edhe nëpër institucionet përkatëse ishte luks, për të mos thënë krejt i pamundur.

            Artan Veshi u përpoq me shpirt për t’ia plotësuar të shoqes këtë dëshirë, por  ishte një gjë që s’bëhej. Nëse do t’i bindej rregullit të autorizimit, jashtë të cilit ai nuk kishte mundësi të dilte, në atë prefekturë me afro 70-80 mijë banorë, i binte që t’ia plotësonte dëshirën Dorit pas  afro 15 vitesh. Mirëpo, ajo vdiq... kështu ajo nuk kishte më nevojë për atë aparat të magjishëm... Vetvetiu Artan Veshit i vajtën sytë te violina. E kishte instrument të zemrës, veç, për sa kohë që jetonte me vdekjen, me dhimbjen e shkaktuar prej saj, ai... nuk e kish kapur me dorë...

            - Sot duhet marrë, po,  s’ka si bëhet ndryshe! – kështu tha e kështu bëri.

            Darka do të shtrohej te shtëpia e kryetarit të komunës, sipër, në të dalë të zonës, aty ky zinte fill pylli i madh, në të cilin “vëllai i madh” për gjatë tërë ditës, herë në pritje e herë në sulm, kishte bërë një gjueti për së mbari. Dy derra të egër  me një peshë që do t’i shtrëngonte kockat një toge me ushtarë, ishin hedhur, të bërë shoshë prej plumbave, në karrocerinë e makinës, një “zisi” ushtarak.

            Mirëpo, në mbrëmje, kur ende nuk ishin kthyer lëshuesit, që kryesisht ishin ushtarë e fshatarë të zonës, të cilët me zhurmat që sajonin, me imitime të kuisjeve dhe të të lehurave,  bënin që kafshët e egra jo vetëm të dilnin  nga strofkat e tyre, por të merrnin për nga shtegu i preferuar, pra, kur ata ishin duke ardhur, moti u prish, tamam si me urdhër. Ishte vjeshtë e parë me mot të thatë e pak të ftohtë, që u kthye në një dimër të vërtetë. Bubullimat në qiell dukej sikur po shkulnin gurët e malit dhe, më pas, vetëtimat dukej sikur gjuanin sa majtas aq edhe djathtas. Dy lumenjtë, që qarkonin krahinën, kërcyen një bojë njeriu mbi vete. E vetmja urë, një pasarelë , që mbahej me kavo çeliku, u shkul prej vendit sikur të ishte qepur me fije peri.

            Nuk ke për t’u kthyer në kryeqytet, s’është mot për të marrë rrugë, - e këshilluan “vëllain e madh”. Dhe, ai u bind. Gjë e rrallë për ata që e njihnin karakterin e tij, por, kur luhej me jetën, edhe ai respektonte urtësinë. Një kompani ushtarësh, nuk u kuptua se si e qysh mbërriti deri në mal, megjithëse shenjat e saj binin qartazi në sy rreth shtëpisë së kryekomunarit. Kur Artan Veshi hyri në dhomën e pritjes, “vëllai i madh”, që jepte e merrte me nja dhjetë bura rreth e qark tavolinës, u ngrit e bëri drejt tij. Njërën dorë e vuri mbi sup të Artan Veshit dhe me tjetrën i mori plot gëzim instrumentin, violinën.

            Si për çudi të tjerëve, doli në krye të tyre dhe u bëri me dorë që të heshtnin. Lëvizjet që bënte, kapja e harkut dhe mirëvendosja e violinës, të linin të kuptoje se ai kishte njohuri për këtë instrument. Sakaq, provoi dy –tri akorde dhe, po aq lehtësisht, filloi të luante fillimin e një melodie të njohur. E la me kaq dhe tha:

            - Të mos isha marrë me politikë, do të isha bërë mësues i shkëlqyer muzike.

            - Mjerë nxënësit! – foli dikush si nën zë.

            Të gjithë ia dhanë gazit. Edhe vetë ai po qeshte më fort se të tjerët. Këtë gjendje gazmore e pati thuajse gjatë gjithë darkës. Këndoi, këndoi edhe së bashku me të tjerët. Luajti në violinë dhe kërkoi të vlerësohej....

            - Notën,  ma vër notën...- iu drejtua Artan Veshit.

            - Nota ?! Mirë... mirë.... – ia ktheu ai.

            “Vëllait të madh” nuk i pëlqeu vlerësimi, edhe pse Artanit i thërriste profesor. Këtë humor e këtë gëzim, që duhej të kishte si burim edhe gjuetinë e mbarë, e prishi vetëm në dy raste:

            Së pari, kur kryekomunari kërkoi një urë në vend të asaj pasarele, që siç tha ai, “nuk dihej se ku do t’i kenë rënë kockat”.

            Vëllai i madh , pasi e pa me qortim, i tha:

            - Po nuk qau fëmija, nuk i jep të pijë e ëma.

            Kryekomunarit iu desh të pohonte se nuk ishte hera e parë... se punën e urës ia kishte zënë më gojë  dhjetëra herë.

            Rasti i dytë që “vëllai i madh” e prishi humorin ishte kur Artan Veshi, tepër i shpenguar, i tha:

            - Një vit rresht jam përpjekur të shtie në dorë një autorizim për televizor... fillimisht e doja për familjen se ashtu e kisha hallin... por, nejse, sot e kërkoj për shtëpinë e kulturës, ku mblidhen të rinj e të reja, ku...

            Nuk e mbaroi fjalën se “vëllai i madh” e ndërpreu. I vështroi të gjithë të pranishmit me një habi të tillë, a thua se po i kërkohej ndonjë copë qiell!...

           - Vëllai im, - iu drejtua tavolinës, - është oficer madhor, është gjeneral, dhe s’ka më tepër se dy javë që e futi atë dreq në shtëpi. Por mos u ngutni, shumë shpejt keni për t’ia parë sherrin asaj arke djalli...!

            - Të paktën të na kishte premtuar... – i tha të nesërmen Artan Veshi kryekomunarit.

            - Për çfarë e ke fjalën?

            - Për televizorin...

            - Çudi! – e ndërpreu kryetari i komunës, - jemi mësuar keq, na është kthyer gënjeshtra në nevojë, në mënyrë jetese... d.m.th. .. të na premtonte, të na... pastaj... ai e quajti “arka e djallit”.

            - Kështu që, sakrifica nuk është kurrgjë para interesave të mëdha, - e shtyu më tej Artan Veshi.

            Kryekomunari vështroi përqark, sikur zëri që sapo u dëgjua të ishte fshehur aty diku. Muaj më pas kërkesën e Artan Veshit e plotësoi kryekomunari. Ai nuk i foli asgjë, nuk i tregoi për përpjekjet, për pengesat që i dolën.

            - Rëndësi nuk kanë përpjekjet që ke  bërë, - i tha ai. – Rëndësi ka dëshira jote e kahershme, Artan, dëshirë që të lidh me dashurinë, me Dorin, me ...

            Më vonë u mësua si e qysh u  sigurua ai autorizim final. Kryekomunari i ishte qepur keqas “vëllait të madh”. Ishte një rast i veçantë, madje një rast thuajse i sajuar mjeshtërisht nga kryetari i komunës, kur ai po fliste se gjahu i preferuar, ai i derrave në pyllin e zakontë të gjuetisë, do të ishte ku e ku më i mbarë. Sipas tij, kope derrash, vënë në rresht si skuadra ushtarësh, i bien pyllit kryq e tërthor, krejt lirshëm e, domosdo, patën nisur edhe zullume ndaj arave të mbjella me misër, por ai vetë, kryekomunari, na paskësh bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh.

            “Vëllai i madh”, i ndërkryer dhe i ngacmuar në pasionin e vet, i kishte mbetur në mend figura e sapo dëgjuar ”kope derrash, vënë në rresht si skuadra ushtarësh”. E përsëriti me dhjetëra herë këtë shprehje, me teatralitet dhe dramacitet, a thua se po ligjëronte vargjet e famshme të Shekspirit: Të jesh a të mos jesh!

            ... Lajmi për mbërritjen e televizorit u përhap rrufeshëm dhe me gëzim. Kjo hare, ky interesim i Artan Veshit i solli në kujtesë kohën e elektrifikimit të zonës.                      

            - Natyrisht, jo e njëjta gjë, - nënqeshi ai.

            Këtë radhë ishte rinia më e interesuar. Të rinjtë, përfundimisht, do të shpëtonin prej mundimeve, lodhjeve e fyerjeve, që, për të parë një ndeshje sportive apo një spektakël, u duhej të ngjiteshin e dhe të bridhnin dy- tri herë në javë rrugëve të lodhshme të qytetit; qoftë verë, apo edhe mesi i dimrit.

            Nuk voni shumë e erdhi edhe tekniku. Televizori do të instalohej në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës. Për gjatë orëve të punës, të rinj e fëmijë mbushnin sallën, ngjisheshin pas dyerve dhe vareshin pas dritareve të saj. Të gjithë prisnin lëshimin e sinjalit. Një pasdite të tërë hëngri sistemimi i antenës. Artan Veshit, që thellë-thellë vlerësonte ardhjen e televizorit të parë, iu kujtuan  fjalët që  i pat thënë kreyekomunari: “Këtë e bëj për dashurinë tënde!”  dhe pastaj, me fytyrën tërë gaz, belbëzoi:

            - Kjo do t’u shërbejë të gjitha dashurive.

            Ndërsa ishte duke u marrë me një koncert që do ta drejtonte me violinën e vet, erdhi çasti i shumëpritur. Tekniku i bëri shenjë Artanit. Ky komandoi sallën e mbushur përplot. Menjëherë u vendos qetësia. Dy këngëtare të mirënjohura, të shoqëruara prej tingujve të ëmbël të violinës, ia nisën një kënge dashurie. Sakaq tekniku takoi aparatin.. Pamje malesh, fushash, qytetesh, fillimisht të çrregullta, dolën në ekran. Dalëngadalë ato u normalizuan duke u shoqëruar me muzikë të rëndë funebre.

            - Po ç’ne kjo muzikë?! Çfarë, si? Ç’të ketë ndodhur? – ishin fjalët e Artan Veshit të nxjerra nga kjo e papritur.

            Tekniku s’po guxonte të fliste me kurrkënd. Ndërroi stacion. Asnjë gjë. E përsëriti dhe, po ato pamje, po ajo muzikë... Tanimë edhe të pranishmit u mbërthyen prej habisë. Të gjithë ishin në mëdyshje... Artan Veshi zbriti nga skena. Iu afrua tekniku. Heshtje, ankth! Ndërkohë në ekran u shfaq folësja kryesore e lajmeve. Tekniku e njihte mirë. Ajo ishte veshur krejt me të zeza. Veshur me të zeza!... Tekniku nuk shkoi më tej. Folësja dha lajmin tragjik se në orët e para të ditës së re kishte vdekur udhëheqësi i madh! Kishte vdekur “vëllai i madh”. Salla u ngjeth, ngriu...

            ... Më shumë se një javë, orë pa orë, në televizorin e ri shfaqeshin pamje të trishtuara, muzikë e trishtuar dhe njerëz që lebetiteshin, ulërinin, qanin.

            - Dhe ju, Artan, qani? – e pyeti kryetari i komunës.

            - Burrat lotojnë, - ia ktheu ai, -... dhe kur loton, mund edhe të meditosh.

            - Sepse kam një bindje: në kësi rastesh, kur njerëzit qajnë, ulërijnë, lebetiten, kujtojnë të vetët, apo...?

            Artan Veshi nuk u përgjigj, por vetëm vuri buzën në gaz   ...Edhe sot e kësaj ditë, mbas kaq vitesh nga ajo vdekje, nëse Artan Veshit  i bën atë pyetje, ai përsëri do të vërë buzën në gaz.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora