Mendime
Florim Zeqa: Fitore me përgjegjësi të lartë historike!
E enjte, 18.02.2021, 06:34 PM
Fitore me përgjegjësi të lartë historike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Meqenëse
është adresimi im i parë publik pas zgjedhjeve, duke e respektuar në përpikmëri
vullnetin e sovranit, shfrytëzoj nga rasti t'ua urojë fitoren të gjithë
votuesve dhe mbështetësve të LVV-së, por njëkohësisht edhe t'i përgëzojë të
gjithë qytetarët e vendit dhe mërgimtarët për sjelljen dinjitoze dhe nivelin e
lartë demokratik.
Edhe
përkundër gjuhës së ashpër dhe përçarëse të liderëve partiak gjatë fushatës
zgjedhore, qytetarët e Kosovës treguan maturi, kulturë të lartë dhe sjellje
civilizuese, por mbi të gjitha treguan nivel të lartë demokratik, i cili duhet
t'u shërbejë si shëmbull të gjitha vendeve të rajonit.
Vota
për ndryshim e qytetarëve të vendit, për më tepër se votë për LVV-në, ishte
votë plebishitare për ndëshkimin e qeverisjes së keqe 14 vjeçare, ishte votë
për ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Të
lodhur nga pasojat e keq-qeverisjes; korrupsioni dhe krimi i organizuar,
denigrimi social, nga pabarazia, nepotizmi dhe dukuritë e shumta negative që
prodhojë ndër vite dhe dekada klasa e dështuar politike, kësaj radhe qytetarët
vendosën symbyllur për ndryshime, pa e pasur të njohur se çfarë do t'u sjellë e
ardhmja!
Partia
fituese e zgjedhjeve dhe lidershipi i saj, me votën e qytetarëve janë ngarkuar
me me një barrë të rëndë dhe përgegjësi të lartë historike.
Kur
e themë këtë e kam parasysh faktin se, kësaj radhe vota e qytetarëve për
LVV-në, nuk erdhi si produkt i dëshirës dhe besimit, por i akumulimit të
pakënaqësive dhe padrejtësive të mëdha, si produkt i mungesës së zhvillimit
ekonomik dhe izolimit të gjatë ndërkombëtar të vendit tonë.
Mbi
të gjitha, vota e qytetarëve për LVV-në, erdhi produkt i dështimit të
qeverisjeve të deritanishme, përkatësisht i dështimit të partive që qeverisën
me vendin në mbajtjen e premtimeve elektorale dhe i dështimit të tyre në
përmbushjen e kërkesave të qytetarëve.
Marrja
e votës së qytetarëve nën premtim është pak më tepër se obligim, është borxh
nga i cili nuk do të lirohen lehtë dhe shpejtë qeveritarët e rinjë.
Për
këtë arsye qeveria e re e dalë nga vullneti i sovranit më 14 Shkurt 2021 duhet
të jetë shumë e kujdesshme në trajtimin e politikave sociale, përkatësisht në
ruajtjen e barazisë qytetare, ngase qytetarët nuk do të durojnë më dhe as nuk
presin më aq gjatë sikur kanë pritur deri më tani.
Qytetarët
rezultatet e para i presin në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht të trajtimit të
barabartë para ligjit, presin përmirësim të sistemit shëndetësor, arsimor dhe ekonomik të vendit.
Qytetarët
presin avancim të politikës së jashtme, gjegjësisht konsolidim të shtetit në
arenën ndërkombëtare, njohje të reja për shtetin e Kosovës dhe liberalizim të
vizave brenda këtij viti.
Jemi
të vetëdijshëm se qeveria në ardhje nuk e ka shkopin magjik për zgjidhjen e të
gjitha problemeve të akumulura, por çdo vonesë dhe neglizhencë në trajtimin e
problemeve të sipërcekura do ta ketë kundërpërgjigjen e qytetarëve dhe forcave
opozitare.
Megjithatë
sfida më e rëndë e qeverisë në ardhje është përballja me bashkësinë
ndërkombëtare, gjegjësisht përballja në dialog me Serbinë, për shkak se
bashkësia ndërkombëtare është e vendosur që sa më parë ta përmbyllë konflikitin
qindra vjeçar shqiptaro-serb, gjegjësisht kapitullin e gjatë 10 vjeçar të
bisedimeve dhe hapjen e një kapitulli të ri të normalizimit të marrëdhënjeve i
cili duhet të rezultoj me njohje reciproke.
Çdo
tendencë e ikjes nga premtimet e qytetarëve dhe nga obligimet ndërkombëtare që
ka marrë Kosova nga qeverisjet e kaluara do të jetë me rreziqe të paparashikuara
për vendin.
Mbrojtja
e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit janë detyrë e qeverisë së
re dhe çdo deputeti. Ju priftë e mbara në misionin historik!
15.02.2021