Speciale
Izet Duraku: Dëshmorët e Luftës së Lumës
E merkure, 10.02.2021, 10:00 PM
Dëshmorët e Luftës së
Lumës, nëntor 1912
Lufta
e Lumës
Një
nga faqet më të lavdishme që bënë shqiptarët!
Nga
Izet Duraku
Ndonëse
ekziston një listë e dëshmorëve të kësaj lufte, madje një pjesë e tyre janë
shpallur si të tillë, lista e plotë e tyre ende nuk është hartuar. Nuk është
hartuar gjithashtu as lista rrëqethëse e humbjeve njerëzore shkaktuar nga
masakrat e ushtrisë serbe më 1913, për të cilat janë shprehur të tmerruar
publicistë shumë të njohur të kohës, si Leon Trocki, Leo Freundlich, Dimitrie
Tucoviq, etj.
Në
vetëdijen e popullit nuk ka pasur asnjëherë mëdyshje për pranimin e humbjeve.
Edhe pas shumë vitesh nuk u deformua kurrë thelbi i ngjarjeve. Pushtuesit serbë
gjithnjë u emërtuan prej kësaj vetëdije të kthjellët si ndër pushtuesit më
mizorë, krimet e të cilëve ashtu të papërfytyrueshme dhe çnjerzore do të ishte
e vështirë për t’i treguar plotësisht.
Por
regjimi që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore në aleancë me botën komuniste
sllave, nuk kishte shumë dëshirë të fliste për konfliktet me serbët. Nuk donte
të fliste as për Pavarësinë e Shqipërisë. Në një radiogram urgjent për
sekretarin politik të qarkut të Kukësit, Abaz Shehun, më 20 Nëntor 1946 nga
Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare, Pandi Kristo, urdhëronte prerë
duke mos lënë vend për hamendje: “Dita e 28 Nëntorit duhet të festohet pak”
Në
kushtet e bashkëpunimit të ngushtë me serbët në periudhën 44-’48, të përmendje
luftën e Lumës dhe të rënët e saj ishte një herezi, që vazhdoi edhe gjatë
periudhës së miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1952, teksti i Historisë
së Popullit Shqiptar, iu nënshtrua recensioneve, vërejtjeve dhe shqyrtimeve të
hollësishme të Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, e cila këmbënguli
që në tekst të futej krahas ekzistencës së shovinizmit të fqinjëve edhe
ekzistenca e shovinizmit shqiptar ndaj sllavëve. Nga pushtetarë të ndryshëm, në
disa relacione të kohës, populli i Lumës karakterizohej si shovinist. Në këtë frymë, Seit Bushati, instruktor i
KQPPSh-s nënvizonte në relacionin e tij të janarit të vitit 1952 se “ në disa
krahina të Kukësit, si në lokalitetin e qendrës ka shovinizëm. Thonë: Nuk bëhet
mik shqau, gjithmonë jemi vra me to, etj. Urrejtja nuk është për regjimin, por
edhe për popullin.”
Vetëm
pas 50-vjetorit të Pavarësisë, kur regjimi ishte vetëpërjashtuar nga kampi
socialist, pati një rikthim për të vlerësuar figurat kombëtare dhe me këtë
rast, ndonëse jo në atë nivel që e meritonin, u nderuan me dekorata dhe
mirënjohje edhe një sërë figurash nga rrethi i Kukësit.
Në
këtë vijë në vitet 1963-1969 u shkruan historikët e fshatrave ku u bënë
përpjekje për të veçuar kontributin e luftëtarëve të shquar që dhanë jetën për
liri dhe pavarësi. Por edhe më vonë, paranoja e regjimit ndaj serbëve nuk u
hoq. Kjo frikë bënte që edhe në tekstet e njohura të epikës historike që lidhen
me Luftën e Lumës, fjala serb të zëvendësohet me fjalën e papërcaktuar hasmi.
Luma e hasmi po lufton…ka hy hasmi në Prizren, etj, etj.
Në
kushtet, kur vetëm në vetëdijën popullore u ruajt e paprekur kujtimi për
ngjarjen duhej të mblidheshin dëshmi të plota rreth përmasve të saj duke
përfshirë edhe të rënët, siç janë mbledhur një pjesë prej tyre falë kujdesit të
studjuesve të pasionuar. Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit u shtua më tëpër vëmëndja shtetërore dhe kësaj periudhe i përkasin
nxitja për të përgatitur edhe dokumentimin e qëndresës ndaj pushtimit serb.
Përmasat
e betejës së Lumës në të gjitha fazat e shtrirjes së saj kohore prej 9 nëntorit
– 6 dhjetor 1912, duke përfshirë përplasjet, ndeshjet spontane e të
organizuara, pritat, përleshjet dhe luftimet masive e të përgjakshme, nuk mund
të kuptohen pa numrin e martirëve të vrarë në zjarrin e luftës. Duhet të
falenderohen të gjithë ata që ndihmuan në përpilimin e dokumentacionit të
nevojshëm historik për shpalljen dëshmorë të të rënëve të kësaj beteje.
Në
vitin 1984 Nazif Dokle ka botuar broshurën “Dëshmorët e rrethit të Kukësit me
të dhëna sintetike për 140 dëshmorë prej të cilëve 20 të
rënë
kundër pushtuesve serb e turq. Ndërsa në vitin 1987 u shpallën edhe 71 dëshmorë
prej të cilëve 69 të rënë kundër serbëve. Tre vjet më vonë ai ribotoi
broshurën e sipërpërmendur me
211dëshmorë të Kukësit dhe Hasit prej të
cilëve 89 i përkasin paraçlirimit, ku shumica janë të rënë kundër serbve. Nuk
duhet harruar as kontributi i Naim Manit në librin “Jehona e Topojanit, etj.
Veçanërisht
këtu dua të përmend kontributin e dr Shefqet Hoxhës dhe të mësuesit të ndjerë
Xhafer Kovaçi që ndër të tjera ka botuar listën e vetme të banorëve të
Përbregut të masakruar nga serbët më 1913. Mbështetur në të dhëna dokumentare
dhe në dëshmitarë okularë, Dr.Shefqet Hoxha në veprën e tij “Luma në luftrat
për liri” ka përcaktuar 118 dëshmorë të kësaj beteje, 81 prej të cilëve të
identifikuar me emër dhe me vendin e rënies. Ndërsa Xhafer Kovaçi përmes
monografisë së tij “Tërthorja” i shton këtij numri edhe 34 dëshmorë të tjerë
midis të cilëve edhe 28 të identifikur me emër dhe vendrënie kryesisht nga
Morini dhe Bardhoci.
Numri
i përgjithshëm shkon kështu në 152 dëshmorë që përfshijnë hapësirën ku u
zhvilluan luftimet prej Morini deri në Reç të Dibrës.
Megjithatë,
në këtë gjeografi të rënësh mungojnë fshatrat që mbetën përtej kufirit politik,
të caktuar nga fuqitë e mëdha në vitin 1913. Në këtë kumtesë nuk përfshihet
asnjë e dhënë rreth të rënëve të fshatrave Vërmicë, Shkozë, Dobrusht, Zhurë,
Vlashnje, Postlisht, etj, që u ekspozuan të parat ndaj vërshimit të ushtrisë
pushtuese dhe që kishin një potencial të konsiderueshëm njerzor e luftarak.
Kërkimet e mëvonshme do ta shtojnë numrin e dëshmorëve në përgjithësi dhe do ta
plotësojnë më mirë listën e të identifikuarve edhe me të rënë të tjerë
veçanërisht në Tejdrine, por edhe në Rrafshë të Lumës.
Mësuesi
i pasionuar Xhaferr Kovaçi në monografinë e tij “Tërthorja”, botuar në vitin
2006 është ndalur gjerësisht në masakrat e vitit 1913, në Tërthore, për të
cilat kontributi i tij ka një rol të dorës së parë dhe, sigurisht, do t’i
referohen gjithnjë studiuesit e mëvonshëm. Nga 23 të pushkatuarit në breg të
Drinit nga fshati Morin, Xhaferr Kovaçi identifikon 8 prej tyre, si dhe e
pasuron listën e të rënëve edhe me tre të tjerë të varrosur në Qafën e Zhurit.
Atij i takon merita edhe për identifikimin e 8 të rënëve të tjerë nga fshati
Gjegjan në përpjekjet tek Uki i Vjerrë dhe ura e Gjegjanit.
Ndërkohë
edhe në veprën “Luma në luftrat për liri” ekzistojnë dëshmi të hershme, që
tregojnë se stuhitë e kohës, duke u shtresuar njëra mbi tjetrën, kanë shuar
pjesën më të madhe të emrave të të rënëve në këtë betejë. Në vitin 1972 dy
dëshmitarë nga Brekia, Zaim Dafku dhe Vesel Dafku shprehen: “Prej qafës së
Dules e deri në kodër të Dushkes mbi Prizren janë vrarë 30 e ca vetë prej Bajrakut
të Topojanit. Ndër këta kanë qenë edhe Bajraktari Zaim Hamza, Hamdi Aqifi
(Breki) dhe Abaz Abdullah Dafku”. Pra nga beteja e Qafës së Dules mbeten të
paidentifikuar më shumë se 27 të rënë të tjerë.
Ndërsa
një dëshmitar më i hershëm Sali Faslia nga Mëhola në vitin 1959, i cili
përshkruan hollësisht përpjekjet në breg të Shejës, tek Boka e Kuqe, dëshmon se
andej lumit të Lumës, në Tërthore, qenë vrarë Bajram Ramadani, Përbreg dhe 14
bardhocas. Ai thekson se në Përbreg ishin treguar trima Sulo Agushi, Veli
Agushi, Maliq Mehmeti, Adem Kamberi, etj.
Nisur
nga këto të dhëna të pjesshme mund të ndërtohet dhe harta e përpjekjeve më të
përgjakshme, ku vendin e parë sigurisht e ze Qafa e Dules me 37 të rënët e saj,
10 prej tyre të identifikuar.
Varret
atje në Qafë, kanë mbetur ashtu siç i ndërtuan të parët. Atyre u takoi barra e
rëndë të luftonin dhe të hapnin shumë varre.
Madje u shuan edhe dhjetra familje. Varret atje në Qafë të Duhles dhe
kudo ku janë presin që dikush prej pasardhësve të kujtohet më së fundmi për t’i
rregulluar siç e meritojnë martirët. Më shumë së sa nderojmë të kaluarën,
kështu shpëtojmë shpirtin tonë.
Në
fshatin Bresanë të Opojës më 4 nëntor 2012, pikërisht 100 vjet më vonë, u ngrit
një memorial në nderim të të vrarëve nga ushtria serbe. Shembulli i Bresanës në
Opojë nxit që pllaka të tilla përkujtimore të
vihen në çdo fshat të Opojës dhe të Lumës. Në aktivitetin që u zhvillua
në Bresanë, studiuesi Sadik Mehmeti konstatoi me dhimbje dëmet e mëdha që i
janë shkaktuar kujtesës kolektive të shqiptarëve prej pushtimit një shekullor
serb. Mjaft njerëz në vitet e pushtimit por edhe më vonë druheshin të flisnin
për ngjarjen e kobshme të ndodhur në Livadhin e Kasës. Sigurisht, nën pushtim
kujtesa, mund të shuhet më lehtë për shkak të dhunës, por edhe në liri kjo
kujtesë mund të dëmtohet, në rast se nuk ekziston klima e favorshme për
freskimin e saj.
Nisur
nga lista e të rënëve është e udhës të kujtohemi se krahas varreve, pllakave
përkujtimore, përmendoreve, të rënët duhet të dekorohen me ndonje urdhër a
medalje. Kjo natyrisht nuk do të kushtonte aq shumë, por fare pak vëmendje ndaj
gjakut të tyre të derdhur, që ata të mos mbeten kokrra të papërfillshme rëre.
https://www.facebook.com/izet.duraku