Mendime
Enver Bytyçi: Pse Berisha nuk mundi të shkojë në Strasburg për të mbrojtur UÇK-në?
E diele, 24.01.2021, 06:00 PM
Pse Berisha nuk mundi të shkojë në Strasburg për të mbrojtur UÇK-në?
Nga
Enver Bytyçi
Si
sot dhjete vite më parë, më 24 janar 2011, në Strasburg të Francës u mblodh
Këshilli i Europës për të shqyrtuar atë që quhej "Raporti i senatorit
zviceran dhe anëtarit të Asamblesë së Këshillit të Europës, Dick Marty",
me akuzat e tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku bënin pjesë edhe akuza
për vrasjen e serbëve dhe transplantimin e organeve të tyre.
Në
atë raport ishte folur jo vetëm për veprimtarinë e UÇK-së në territorin e
Kosovës, por edhe në atë të Shqipërisë. Shtëpia e Verdhë në fshatin Gur Bardhë
të Burrelit u bë mit i kësaj fabule të sajuar qëllimisht që t'i vihej në ndihmë
Serbisë për t'u rehabilituar për krimet kundër njerëzimit dhe masakrat e
panumërta të saj kundër shqiptarëve në Kosovë.
Në
atë mbledhje ishte përgatitur të shkonte gjithashtu kryeministri i Shqipërisë,
Sali Berisha. Gati një muaj më parë ai kishte ngarkuar një grup pune për të
bërë ekspertizën e zhvillimit të ngjarjeve dhe të shpifjeve të Dick Marty-it.
Në atë ekspertizë ishte dhënë përgjigje gati e shteruar për sa diskutohej në
Këshillin e Europës dhe argumentet e zotit Berisha do të shërbenin si ndihmë e
jashtëzakonshme për të qartësuar të vërtetën e shtrembëruar nga një senator
zviceran i shërbyer me dosjet e Prokurorit Special të Serbisë.
Pavarësisht
përgatitjeve, pavarësisht publikimit të lajmit se kryeministri i Shqipërisë do
të shkonte për këtë qëllim në Strasburg, Berisha nuk mundi të marrë pjesë në
atë mbledhje. Shkak u bënë ngjarjet e tri ditëve të mëparshme, ato të 21
janarit. Me ose pa qëllim, për karriken e Edi Ramës ndodhën ngjarjet e asaj
dite të sulmit ndaj kryeministrisë dhe kreu i ekzekutivit shqiptar nuk mundi të
realizojë një mision kombëtar në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës.
Kosova,
duke mos qenë anëtare e KE-së, nuk mund të dërgonte përfaqësuesit e saj në
Mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Europës. Për pasojë shqiptarët mbetën të
papërfaqësuar në atë mbledhje. Mospërfaqësimi dhe mungesa e kryeministrit të
Shqipërisë aty i dha mundësi Dick Marty-it dhe palës serbe që iluzionin e
krimeve të pabëra të UÇK-së ta shisnin si të vertetë të pamohueshme. Për pasojë
vendimet e asaj dite ishin tragjike për Kosovën. Ato vendime çuan në ngritjen e
Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë me prokurorë dhe gjykatës të huaj. Për
pasojë sot kemi këtë situatë të pa dëshirueshme, kur disa drejtues të shtabit
të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjenden në qelitë e kësaj
gjykate. Sigurisht që kjo situatë është edhe pasojë e mosfunksionimit të
qëllimshëm të drejtësisë në Kosovë.
Nuk
është çeshtja te katër apo katërmbëdhjetë eksponentë të luftës në Kosovë, të
cilët gjenden ose mund të shkojnë në qelitë e Hagës. Fjala është te fakti se
raporti I Dick Marty-it u përdor për të diskredituar luftën e drejtë çlirimtare
të Kosovës. Shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit dhe të tjerëve duhet parë si
obligim i tyre për ta pastruar Kosovën dhe luftën e saj nga diskreditimi i pa
përligjur dhe absurd i Serbisë. Ndërsa përgjegjësia që do të dalë nga ky proces
do të provojë ka mundësi që të akuzuarit të lirohen nga akuzat për krime
kundëer serbëve, por jo edhe kundër shqiptarëve!