Mendime
Adil Fetahu: Jeta shkruan romane, drama
E hene, 18.01.2021, 02:00 PM
JETA SHKRUAN ROMANE, DRAMA…
Ibrahim
Kadriu: PENGU (roman , mbështetur në ngjarje të vërteta; botoi ShB “PENA”,
Prizren, 2020)
Nga
Adil FETAHU
Jeta është e pa
parashikueshme. Është herë e ndritëshme, herë e errët; herë e ëmbël, herë e
hidhur, herë e lumtur, herë e trisht.
Nuk e di njeriu se çka sjell momenti i ardhshëm, lere më se çka sjell
tërë jeta. Gjithçka mund të ndryshojë në një moment. Për diken jeta është
romansë, për tjetrin është dramë, tragjedi, ferr. Ngjarjet tragjike që zakonisht “ndodhin” në libra ose
në filma, kryeprotagonistit të romanit “Pengu”, Azem Behlulit, i kanë ndodhur
realisht në jetë. Për tragjedinë e atij njeriu, shkrimtari ynë Ibrahim Kadriu ka shkrua roman historik, mbështetur në
ngjarje të vërteta, të mësuara nga historianët dhe të rrëfyera nga vet
kryepersonazhi.
Fabula e romanit “Pengu”
është kjo: i ati i Azemit, Jetish Behluli nga Budakova e Prizrenit, ishte një
kaçak i njohur i lëvizjes kaçake, bashkëluftëtar me Ilaz Reçakun, i njohur si
Çorr Ilazi, e me shumë të tjrerë, të
cilët luftonin kundër pushtuesit dhe tiranisë së regjimimit okupues serb. Regjimi serb bënte terror e represalje dhe ndërmori aksion të gjërë për çarmatosjen
e shqiptarëve. Shumë shqiptarë nuk pranuan t’i dorëzonin armët, por kishin
vendosur ta luftonin atë regjim dhe për këtë dolën maleve e formuan çeta
kaçakësh. Numri i kaçakçve arriti në më se 10 mijë veta, dhe u shndërrua në një
lëvizje politike me program dhe kërkesa për çlirim prej Serbisë. Për të shuar
lëvizjen kaçake, pushteti serb, përveç luftës kundër tyre drejtpërdrejt, bënte
represalje dhe torturonte familjarët dhe
të afërmit tjerë të kaçakëve, por edhe
tërë popullsinë që përkrahte lëvizjen kaçake, në mënyrë që t’i detyronte ata të
dorëzoheshin. Torturat ishin nga më të ndryshmet e më të brutale, me
vrasje, burgosje dhe internim të
familjarëve, djegëje të shtëpive dhe
konfiskim të pasurisë. Vetëm në janar dhe shkurt të vitit 1919, ushtria,
xhandarmëria dhe serbët lokal të armatosur, kishin vrarë 6.040 veta dhe djegur
3.873 shtëpi (Noel Malkolm: “Kosova –
një histori e shkurtër”,fq.284). Në janar të vitit 1919, autoritetet serbe,
krahas trysnisë dhe represaljeve tjera, kishin shpallur një proklamatë për
amnistinë e kaçakëve që do të dorëzoheshin deri më 20 mars, me kërcënimin se
pas atij afati, gratë dhe fëmijët e kaçakëve do t’i arrestonin dhe internonin
në qytetet e Serbisë.
Azem Behlulin, së bashku me
nënën e tij (Bahtije), motrën (Kadë) dhe
shumë gra, fëmijë e burra
shqiptarë nga Kosova e Maqedonia,
i kishin marrë peng ushtria bullgare gjatë Luftës së Parë Botërore, ua
kishin plaçkitur e djegur shtëpitë dhe këta i kishin
dërguar në kamp në qytetin e Zajeçarit.
Pas dorëzimit të ushtrisë bullgare, ushtria franceze i kishte liruar të
marrurit peng, të cilët ishin këthyer këmbë në Kosovë e në Maqedoni, nëpër mot
të ftohtë, të lodhur e të uritur dhe me veshmbathje të dobët, duke pushuar
natën e ndezuir zjarre për t’u nxe. Azemi thotë se pas një viti qëndrimi në
kamp, për herë të parë ishte ngi bukë misri e fasule me mish të terur në një
shtëpi shqiptari kur kishin arritur në Gjilan.
Pasiqë xhandarmëria serbe ia
kishin plaçkitë dhe djegur shtëpinë në Budakovë, i ati i Azemit (Jetishi)
kishte blerë shtëpi dhe tokë në Medvec të Lipjanit, por si kaçak që ishte nuk
guxonte të rrinte në shtëpi të vet,
kështu që Azemi edhepse ishte këthyer nga internimi (dhjetor 1918), nuk e
kishte takuar të atin asnjëherë. Që fatkeqësia të bëhej edhe më e madhe, e ëma
e Azemit kishte vdekur pak kohë pas këthimit nga internimi, ashtu që Azemi dhe
motra (Kada) kishin mbetur jetimë, për të cilët kujdeseshin fqinjtë. Pas
tre-katër muaj qëndrimi në Medvec, tash ushtria serbe që ishte kthyer pas
përfundimit të Luftës së Madhe, i kishte marrë përsëri dhe internuar në Nish, ku
kishin qëndruar një vit. Pas një viti
qëndrimi në Nish, të marrunit peng i kthejnë në Kosovë e Maqedoni. Shtëpinë në
Medvec ua kishin djegur, prandaj Azemin dhe motrën e tij i vendosin në një
familje të atij fshati, me shpresë se do të kthehej iati për t’i takuar, e që
xhandarmëria ta zente kaçakun e rrezikshëm. Pas tre muajve të qëndrimit në
Medvec, përsëri i marrin Azemin e Kadën dhe përmes Prishtinës e Shkupit i çojnë
dhe vendosin në një shtëpi për fëmijët jetimë në Kragujevc. Para se t’i
regjistronin në shkollë fillore, një vit duhej ta mësonin gjuhën serbe. Aty e
kryejnë shkollën fillore dhe Azemi vazhdon Shkollën e Mesme Teknike Ushtarake.
I ati i Azemit në ndërkohë kishte dalë
në Shqipëri, ishte martuar dhe kishin bërë edhe fëmijë tjerë, ndërsa me letra
kërkonte nga organet e Serbisë t’ia lejonin fëmijët të shkonin në Shqipëri, por
nuk ia lejuan. Pas kryerjes së shkollës së mesme, Azemi e kryen edhe shërbimin
ushtarak, dhe pastaj punësohet në Beogradit. Në kohën e Informbyrosë Azemi
ishte dënuar dhe kishte mbajtur 6 vjet burgim në Golli Otok (1948 - 1954).
Gjatë rrëfimit kur i kujtonte Azemi ato vuajtje, prekej aq shumë sa që humbej
në mendime dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte bisedën me gazetarin që
zhvillonte intervistën! Pas lirimit nga burgu, ishte kthyer në Beograd, ishte
punësuar dhe martuar me një serbe nga Prizreni, me të cilën kishin dy
djem. Motra e Azemit (Kada) punonte si
shitëse në një ndërmarrje tregtare në Beograd. Kështu, Azemi ishte stabilizuar,
kishte krijuar familje dhe tash jetonte në lagjen më elite në Beogradin e Ri.
Por, me qenë se ishte internuar si fëmi i vogël dhe kishte jetuar në rrethet ku
flitej vetëm gjuha serbe, Azemi e kishte harruar shqipen krejtësisht, ndërsa
për vete thoshte se e ndjen veten shqiptar dhe
i vjen keq që si shqiptar nuk e di shqipen.
Për rastin e Azem Behlulit,
gazetari Bekim Përroi kishte dëgjuar nga një historian, prandaj kishte vendosur
të shkonte në Beograd për të biseduar e mësuar më shumë dhe për të botuar një
fejton për biografinë interesante të Azemit. Gjatë udhëtimit me tren, prej
Fushëkosove për Beograd, në të njëjtën kupe ishte edhe boksieri Lirik Dashi, i
cili po shkonte për në Zagreb, ku duhej të boksonte në një ndeshje. Udhëtimet e
shqiptarëve me tren nëpër Jugosllavi gjithherë kanë qenë të përcjellura nga
spiunët e sigurimit serbë. Në kupenë ku ishin Bekimi dhe Liriku, kishte hyrë
një trashalluk serb, ishte mbështetur pranë dritares dhe bëhej sikur po flente,
herë-herë duke gërhatë e përjargur. Këta të dy bisedonin mes vete për tema të ndryshme,
ndër të tjera edhe për padrejtësitë, diskriminimin dhe vuajtjet që po
përjetonin shqiptarët nga regjimi serb. Trashalluqi që ishte lindur e rritur në
Kosovë, e dinte mirë shqipen, por edhe e kishte inçizuar bisedën e tyre me
mikrofon të fshehur brenda sakos së tij dhe para se të arrinin në Beograd iu
tregon patrullës së policisë për bisedën e “separatistëve dhe terroristëve”
shqiptarë, të cilët policia i ndalë dhe maltreton tërë natën, e të nesërmën i
lirojnë. Boksieri vazhdon rrugën për Zagreb, ndërsa gazetari vendoset në
Hotelin “Prag” në Beograd. Në
restorantin e hotelit, kamarierja e bukur Zdenka, perveç se i shërben me
mirësjellje gazetarit, i falë një buzëqeshje të lezetshme. Gjatë pushimit në
dhomën e hotelit, gazetari dëgjon sirenën e ndihmës së shpejtë, avitet pranë
dritares, e shtynë perdën për të parë se çka po ndodhte. Kamarierën dikush e
kishte therrë me thikë. Policia që ishte në vendin e ngjarjes e vërejnë
tërheqjen e perdës së dritares ku ishte gazetari Bekim. E pyesin recepcionistin
e hotelit, kush ishte në atë dhomë. Kur marrin vesh se aty ishte një shqiptar,
dyshimi për plagosjen e kamarieres binte mbi Bekimin. E marrin në polici,
zhvillojnë hetimet, i bëjnë një fotoportret dhe shkojnë në spital ia tregojnë
foton kamarieres së plagosur, por ajo tregon bindshëm se ky nuk ishte
atentatori, veç një trashalluk me mjekër
të gjatë e të zezë. Bekimin e lirojnë dhe ky vazhdon qëndrimin në të njëjtin
hotel dhe takimet me Azemin në Beogradin e Ri, për të përfunduar intervistën.
Boksieri (Liriku) ishte kthyer të nesërmën për ta takuar Bekimin në hotel dhe i
tregon se si i kishte ndodhur kur referi serb pa nevojë i kishte numëruar dy
herë gjatë ndeshjes, në mënyrë që fitorën t’ia jepte boksierit serb, e ky i
nervozuar e godet dhe nokauton vet referin, prandaj e kishin diskualifikuar dhe
dënuar me ndalim të boksit përjetë. Edhe gazetari i tregon boksierit ngjarjen
që i kishte ndodhur dhe që për atë shkak, atë ditë nuk kishte mund të shkonte
për të biseduar me personazhin për të cilin kishte ardhur në Beograd. Gazetari
kishte shkuar në spital e kishte vizituar kamarierën e plagosur dhe e kishte
falënderuar për deklaratën e saj të sinqertë. Prej asaj vizite, marrëdhëniet
midis Bekimit dhe Zdenkës ishin gjithnjë më të afërta, sa që pas dhjetë ditëve
që Bekimi ishte kthyer në Prishtinë, Zdenka, që ishte studente e turizmit, i kishte ardhur Bekimit në shtëpi dhe ishte mirëpritur nga
tërë familja.
Gjatë tri ditëve që Bekimi
kishte zhvlluar bisedën me Azem Behlulin, tri herë të marrur peng, e që e treta
ishte e vërteta e humbjes së tij për
tërë jetën, kishte mësuar për vuajtjet jo vetëm të Azemit, por edhe të shumicës
së shqiptarëve nën regjimet e ndryshme që ishin ndërruar në Kosovë. Gjatë
rrëfimit të tij, Azemi shpeshherë ia përsëriste gazetarit fjalinë: “E more çun,
unë kaherë e ka kuptuar se sa vështirë është të jesh shqiptar”! Natyrisht,
Bekimi si gazetar i informuar mirë, e kishte njohtuar Azemin edhe me
padrejtësitë, diskriminimin dhe presionin që regjimi aktual serb i bënte kundër
shqiptarëve.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu,
që deri më tash ka botuar mbi 60 vepra të zhanreve të ndryshme letrare, sikur
është specializuar për shkrimin e romaneve historike. Nga tridhjetë romane të
botuara deri më tani, nja 11 sish janë
romane me tematikë historike, për personalitete dhe ngjarje të ndryshme të
vërteta. Sipas përmbajtjës, në tituj të romaneve historike mund të përfshihen
romanet: “Qerrja e dritës”; “Çuni i kohës së Lekës” “Pjella e dreçit”;
“Kapërcimi i ujit të madh”; “Misioni rus”; “Njeriu me pelerinë”; “Të vdekurit e
gjallë”; “Varri i shitur në Damask”;
“Ata dy të burgjeve”; “Lotë Vaku”; “Pengu”.
Përmes rrëfmimesh dhe
argumentesh të ngjarjeve dhe të
personaliteteve historike, autori ka mbarështruar artistikisht drama jetësore,
duke lidhur fatin e individëve me fatin kolektiv të popullit. Me romanet e tij
historike, shtrirë në kohë dhe hapësirë, në ngjarje e personazhe, autori
sjell në mbamendje historinë e popullit
tonë.
Romani “Pengu”,
përveçse është histori e vërtetë, ashtu si është i punuar me mjeshtri
artistike, përmes personazhit kryesor (Azemi), por edhe të personazheve
dytësorë: gazetarit (Bekimi), boksierit
(Liriku), kamarierës (Zdenka),- është një ndërthurje e mirë
edhe psiko-sociale, me përjetime emotive dhe estetike. Gjysma e romanit është
histori e vërtetë për vuajtjet dhe jetën e kryepersonazhit, ndërsa gjysma
tjetër është prodhim i fantazisë së autorit, gjithnjë duke e ruajtur primatin e
aspektit historik të vuajtjes së individëve dhe të tërë popullit shqiptar nën
okupimin serb.
Lexuesi i rëndomtë, i
ngarkuar me marrëdhëniet historike dhe aktuale
shqiptaro-serbe, do të mund të vërente si të tepruar dhe joreal
shtjellimin e raporteve të krijuara aq shpejt dhe aq të afërta midis gazetarit
(Bekim Përroit) dhe kamarieres serbe (Zdenka Protiq), por këtë autori e ka bërë
me mjeshtri, për të thyer monotoninë e zymtësisë historike, së cilës ia ka
kushtuar pjesën kryesore të romanit.
Me veprat e tij të shumta,
disa të ribotuara nga disa herë dhe të
përkthyera në gjuhë të hueja, me vlerësimet dhe çmimet e shumta letrare që ka
marrë, Ibrahim Kadriu edhe për së gjalli i ka siguruar vetes prestigjin e
krijuesit të afirmuar në letërsinë shqipe dhe afirmimit të saj në hapësira
ndërkombëtare.