E hene, 17.05.2021, 08:47 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Vjosa Osmani në përballje me Miroslav Lajçak!

E premte, 15.01.2021, 11:59 AM


Vjosa Osmani në përballje me Miroslav Lajçak!

Nga Enver Bytyçi

Miroslav Lajçak është deklaruar se ai në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë ndan të njëjtin qëndrim si dhe pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Deklarata e tij se "Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën", dëshmon se Lajçak nuk është në këtë dialog si përfaqësues real i Bashkimit Europian, aq më pak i 23 vendeve kryesore të tij të cilat e njohin shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, por është dhe mbetet përfaqëesues i interesave serbe dhe ruse në këtë dialog.

Me qëllim që të mos kishim asnjë dilemë në këtë aksiomë, do të ishte mirë që Brukseli dhe Borrel ta linin të lirë zotin Lajçak, që ai të ulej në krah të Aleksandër Vuçiç në bisedimet me palën kosovare dhe kësisoj të dihej se i ngarkuari i BE-së për të dialoguar është zyrtarisht palë me vrasësit e shqiptarëve!

Dialogjet me ndërjetësim janë gjithmonë të sukseshme, nëse ndërmjetësuesi mban balancën, barazpeshën dhe ekuilibrin midis palëve, duke mos heq dorë nga e drejta humane dhe ndërkombëtare. Kjo do të thotë gjithashtu që  ndërmjetësuesit të mbajnë parasysh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, në të cilin thuhet se "Pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutën 1244"! Por dy ndërmjetësuesit e fundit të BE-së mbajtën e mbajnë anën e Serbisë kundër Kosovës në dialogun që zhvillohet tash e 11 vite. Frederica Mogherini dhe Miroslav Lajçak nuk janë modeli i baroneshës Ashton. Të dy këta kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë interesat e Serbisë e të pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, por jo edhe interesat e 23 vendeve anëtare, të cilat e kanë njohur shtetësinë e saj.

Të njohësh shtetësinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës, për pasojë të respektosh institucionet e saj, është alfa dhe omega e ndërmjetësimit në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo vjen edhe si detyrim i njohjes së vendimit të GJND-së. Ndaj dhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, reagoi me argumente për njëanshmërinë dhe pamaturinë e përfaqësuesit të Borrel në dialog, sllovakut Miroslav Lajçak. Zonja Osmani u shpreh se "Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”.

Nëse pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat përbëjnë diku te 10-12 përqind të popullsisë së Europës, përcaktojnë qëndrimin e atyre vendeve që shprehin vullnetin e 90 për qind të kësaj popullsie, atëherë në rajonin e Ballkanit Perendimor do të mbillet furtunë. Nëse këto vende imponohen në politikat e jashtme të Bashkimit Europian dhe diktojnë gjithashtu axhendën e liberalizimit të vizave me Kosovën, atëherë Bashkimi Europian duket se shkon drejt mosekzistencës së saj. Vendimmarrja në BE vjen përmes konsensusit. Por kjo nuk do të thotë që Bashkimi Europian të shndërrohet në një klub, ku secili vend mbron interesat nacionale dhe aleancat e vjetra të tij!

Megjithatë duhet shkuar përtej kësaj formule, bazuar në faktin që 5 shtetet kundër Kosovës ndikojnë dhe përcaktojnë politikat europiane për Kosovën. Eshtë i njohur fakti se ka gjithashtu vende të tjera që bëjnë një lojë të dyfishtë, edhe pse ato e kanë njohur shtetësinë e saj. Franca p.sh është kategorikisht kundër liberalizimit të vizave me Kosovën. Në kushtet kur të gjitha vendet e tjera të Europës, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, i kanë të liberalizuara vizat dhe lëvizin lirshëm në vendet e Shengenit, bllokimi i këtij procesi për Kosovën nuk ka arsye të lidhet me problemet e politikave të brendshme franceze. Atëherë duhet besuar se vendimi i Emmanuel Macron për të bllokuar liberalizimin e vizave me Kosovën dhe për ta izoluar atë ka të bëjë me strategjinë serbo-ruse të diktatit për të imponuar një zgjidhje si ajo që predikon Lajçak në dialogun midis dy vendeve në konflikt. Ky vendim nuk e ndihëmon zgjidhjen e konfliktit, përkundrazi i jep kurajo Serbisë që të këmbngulë në kërkesat e saj të padrejta për rivendikime territoriale në Kosovë. Një korajo të tillë beogradit ia jep edhe "i paanshmi" në dialog, Miroslav Lajçak!

Deklarata e Vjosa Osmanit është dobiprurëse, sepse jep mesazhin që Lajçak, Macron, Vuçiç e të tjerë bashkëpunëtorë të tij, nuk do të gjejnë partnerë në Prishtinë, të cilët do të pranonin zgjidhje sipas oreksit serb të Serbisë së Madhe. Në kohët e sotme edhe votat e shqiptarëve për subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit do të duhet të adresohen te ata politikanë që kanë dëshmuar se nuk bëhen bashkëpunëtorë të Beogradit për të realizuar projektet e tij në Kosovë. Kosova më 14 shkurt 2021 ka shansin që të dëshmojë pozicionin e saj kundër kompromisaxhinjve me Aleksandër Vuçiç për ndryshimin e kufijve e ndarjen e Kosovës, ose kundër krijimit të një shteti serb brenda shtetit të Kosovës.

Idetë dhe presionet sipas të cilave "Statuskuoja është më e dëmshme për Kosovën sesa zgjidhja e konfliktit në interes të Serbisë", të cilat skicohen në Beograd dhe hidhen në Prishtinë e në Tiranë, janë ide disfatiste. Kompromisi më Serbinë është aty edhe pas dhjetë vitesh, bie fjala, ndërsa zgjidhja e drejtë dhe e ndershme pa prekur territorin dhe shtetësinë e Kosovës është në prag të derës, nëse autoritetet në Prishtinë qëndrojnë të vendosur dhe stoikë në të drejtën e vet të pamohueshme. Vjosa Osmani është simbol i stoicizmit, së paku deri më sot! Këtë e dëshmoi edhe në reagimin daj Lajçak, reagim i cili nuk mund të qortohet as nga vetë ky përfaqësues pro-serb në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora