| E premte, 15.01.2021, 11:59 AM |
Vjosa Osmani në përballje me Miroslav Lajçak!
Nga
Enver Bytyçi
Miroslav
Lajçak është deklaruar se ai në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë ndan të
njëjtin qëndrim si dhe pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur
shtetësinë e Kosovës. Deklarata e tij se "Gjithçka që është e pranueshme
për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur
Kosovën", dëshmon se Lajçak nuk është në këtë dialog si përfaqësues real i
Bashkimit Europian, aq më pak i 23 vendeve kryesore të tij të cilat e njohin
shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, por është dhe mbetet përfaqëesues i
interesave serbe dhe ruse në këtë dialog.
Me
qëllim që të mos kishim asnjë dilemë në këtë aksiomë, do të ishte mirë që
Brukseli dhe Borrel ta linin të lirë zotin Lajçak, që ai të ulej në krah të
Aleksandër Vuçiç në bisedimet me palën kosovare dhe kësisoj të dihej se i
ngarkuari i BE-së për të dialoguar është zyrtarisht palë me vrasësit e
shqiptarëve!
Dialogjet
me ndërjetësim janë gjithmonë të sukseshme, nëse ndërmjetësuesi mban balancën,
barazpeshën dhe ekuilibrin midis palëve, duke mos heq dorë nga e drejta humane
dhe ndërkombëtare. Kjo do të thotë gjithashtu që ndërmjetësuesit të mbajnë parasysh vendimin e
Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, në të cilin thuhet se
"Pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me
rezolutën 1244"! Por dy ndërmjetësuesit e fundit të BE-së mbajtën e mbajnë
anën e Serbisë kundër Kosovës në dialogun që zhvillohet tash e 11 vite.
Frederica Mogherini dhe Miroslav Lajçak nuk janë modeli i baroneshës Ashton. Të
dy këta kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë interesat e Serbisë e të pesë
shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, por jo edhe interesat e 23 vendeve
anëtare, të cilat e kanë njohur shtetësinë e saj.
Të
njohësh shtetësinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës, për
pasojë të respektosh institucionet e saj, është alfa dhe omega e ndërmjetësimit
në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo vjen edhe si detyrim i njohjes së vendimit të
GJND-së. Ndaj dhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, reagoi me argumente për
njëanshmërinë dhe pamaturinë e përfaqësuesit të Borrel në dialog, sllovakut
Miroslav Lajçak. Zonja Osmani u shpreh se "Përveç që është për keqardhje,
është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare
të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe
kërkesat e Serbisë”.
Nëse
pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat përbëjnë diku te 10-12 përqind të
popullsisë së Europës, përcaktojnë qëndrimin e atyre vendeve që shprehin
vullnetin e 90 për qind të kësaj popullsie, atëherë në rajonin e Ballkanit
Perendimor do të mbillet furtunë. Nëse këto vende imponohen në politikat e
jashtme të Bashkimit Europian dhe diktojnë gjithashtu axhendën e liberalizimit
të vizave me Kosovën, atëherë Bashkimi Europian duket se shkon drejt
mosekzistencës së saj. Vendimmarrja në BE vjen përmes konsensusit. Por kjo nuk
do të thotë që Bashkimi Europian të shndërrohet në një klub, ku secili vend
mbron interesat nacionale dhe aleancat e vjetra të tij!
Megjithatë
duhet shkuar përtej kësaj formule, bazuar në faktin që 5 shtetet kundër Kosovës
ndikojnë dhe përcaktojnë politikat europiane për Kosovën. Eshtë i njohur fakti
se ka gjithashtu vende të tjera që bëjnë një lojë të dyfishtë, edhe pse ato e
kanë njohur shtetësinë e saj. Franca p.sh është kategorikisht kundër
liberalizimit të vizave me Kosovën. Në kushtet kur të gjitha vendet e tjera të
Europës, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, i kanë të liberalizuara vizat dhe
lëvizin lirshëm në vendet e Shengenit, bllokimi i këtij procesi për Kosovën nuk
ka arsye të lidhet me problemet e politikave të brendshme franceze. Atëherë
duhet besuar se vendimi i Emmanuel Macron për të bllokuar liberalizimin e
vizave me Kosovën dhe për ta izoluar atë ka të bëjë me strategjinë serbo-ruse
të diktatit për të imponuar një zgjidhje si ajo që predikon Lajçak në dialogun
midis dy vendeve në konflikt. Ky vendim nuk e ndihëmon zgjidhjen e konfliktit,
përkundrazi i jep kurajo Serbisë që të këmbngulë në kërkesat e saj të padrejta
për rivendikime territoriale në Kosovë. Një korajo të tillë beogradit ia jep
edhe "i paanshmi" në dialog, Miroslav Lajçak!
Deklarata
e Vjosa Osmanit është dobiprurëse, sepse jep mesazhin që Lajçak, Macron, Vuçiç
e të tjerë bashkëpunëtorë të tij, nuk do të gjejnë partnerë në Prishtinë, të
cilët do të pranonin zgjidhje sipas oreksit serb të Serbisë së Madhe. Në kohët
e sotme edhe votat e shqiptarëve për subjektet politike që garojnë në zgjedhjet
e 14 shkurtit do të duhet të adresohen te ata politikanë që kanë dëshmuar se
nuk bëhen bashkëpunëtorë të Beogradit për të realizuar projektet e tij në
Kosovë. Kosova më 14 shkurt 2021 ka shansin që të dëshmojë pozicionin e saj
kundër kompromisaxhinjve me Aleksandër Vuçiç për ndryshimin e kufijve e ndarjen
e Kosovës, ose kundër krijimit të një shteti serb brenda shtetit të Kosovës.
Idetë
dhe presionet sipas të cilave "Statuskuoja është më e dëmshme për Kosovën
sesa zgjidhja e konfliktit në interes të Serbisë", të cilat skicohen në
Beograd dhe hidhen në Prishtinë e në Tiranë, janë ide disfatiste. Kompromisi më
Serbinë është aty edhe pas dhjetë vitesh, bie fjala, ndërsa zgjidhja e drejtë
dhe e ndershme pa prekur territorin dhe shtetësinë e Kosovës është në prag të
derës, nëse autoritetet në Prishtinë qëndrojnë të vendosur dhe stoikë në të
drejtën e vet të pamohueshme. Vjosa Osmani është simbol i stoicizmit, së paku
deri më sot! Këtë e dëshmoi edhe në reagimin daj Lajçak, reagim i cili nuk mund
të qortohet as nga vetë ky përfaqësues pro-serb në dialogun midis Kosovës dhe
Serbisë!