Mendime
Florim Zeqa: Të ricikluarit nuk i bëjnë nder asnjë partie politike!
E marte, 19.01.2021, 08:07 PM
Të ricikluarit nuk i bëjnë nder asnjë partie politike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Të
gjithë atyre që po thirren në ndryshime me figura të vjetra politike, po ua
rikujtojë vetem një fakt nga e kaluara jo shumë e largët historike. Kosova
është shkëputur nga Serbia atëherë kur është themeluar LDK-ja, pjesë drejtuese
e së cilës nuk ka qenë asnjë pjestarë i sistemit politik të asaj kohe.
Prandaj,
sikurse atehërë, edhe sot duhet të ndodhë shkëputja nga keqqeverisja e
antivlerave, nga uzurpatorët dhe abuzuesit e pushtetit. Ndryshimi vjen me
figura të reja, të pastra dhe të papërfshira në sistemin qeverisës korruptiv të
këtyre dy dekadave të fundit.
Ndryshime
nuk mund të quhen riciklimet politike, gjegjësisht aderimet nga njëra parti në
tjetrën, kalimet nga krahu i djathtë në të majtë dhe anasjelltas.
Nuk
është ndryshim kalimi në krahun tjetër politik, pasi ta kesh shfrytëzuar deri
në palcë një subjektin i cili deri dje të ngriti në majat më të larta të
shtetit. E për më keq se kaq, ta akuzosh subjektin e deridjeshëm për
keqqeverisje dhe kapje të shtetit deri në ekzaltim.
Nuk
është aspak e ndershme dhe nuk paraqet ndryshim bashkangjitja një subjekti
politik, të cilin deri dje e ke akuzuar për gjithçka; për kapje të shtetit, për
vjedhje dhe abuzim, për diktaturë dhe mashtrim, për huliganizëm dhe shkatërrim.
Bazuar
në renditjen e listave të partive politike, ndryshimet janë aq të lehta dhe të
papërfillshme, saqë krijohet përshtypja e përseritjes së procesit të kaluar
zgjedhorë.
Të
gjitha partitë pa dallim, më shumë hapësirë në lista u kanë lënë klanorëve dhe
servilëve sesa meritorëve. Renditja e kandidatëve në listat e partive politike
është bërë sipas lidhjeve nepotike, klanore dhe korruptive.
Si
rezultat i kësaj, ka ndodhur privatizimi i listave zgjedhore. Në mungesë të
burrit vendoset gruaja në listë dhe anasjelltas, në vend të dajës vendoset nipi
në listë dhe anasjelltas, në vend të tezes vendoset halla dhe
anasjelltas,...kushëri pas kusheriri e deri në odiseadën e pafund nepotike.
Dukuri
tjetër e shëmtuar e të gjitha partive politike është abuzimi me familjarët e
heronjëve dhe viktimave, të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës çlirimtare, të
zhdukurve dhe të dhunuarve, të burgosurve dhe të vrarëve politikë vetëm për
grumbullim të votave.
Si
gjithnjë, në listat e partive politike prioritet kanë të aderuarit e jo më të
merituarit, respektivisht aktivistët dhe veprimtarët më të devotshëm që kanë
bartur mbi supe aktivitetin politik ndër vite e dekada, të cilët vendosen në
pjesën e fundit të listës zgjedhore ose hiqen fare.
Kjo
përveqse anashkalim deri në përbuzje, paraqet tradhëti të pastër ndaj
meritorëve, të arteries më të shëndoshë partiake.
Përvoja
e deritanishme na ka mësuar një rregull të pashkruar. Të aderuarit, pas
çertifikimit në Kuvend, e qesin "bishtin në shpindë" dhe sillen si të
pavarur, dhe në momentin ballafaqimit me liderin e partisë së re largohen nga
grupi parlamentar për t'ju bashkangjitur një grupimi tjetër ose mbesin
"singël" deri në një ofertë të re nga pushtetarët apo opozitarët.
Pa
dashur të ndalem në emra të përveqëm të subjekteve dhe kandidatëve, kjo lojë e
pasinqertë politike do të përseritet edhe në legjislaturën e 8 të Kuvendit.
Pra, ata të cilët nuk e kanë pasur
guximin të garojnë të pavarur, rasti i parë që u ipet do të largohen nga
subjekti që i solli në Kuvend.
Edhe
pse të ricikluarit nuk i bëjnë nder asnjë subjekti politik, një përvojë të
tillë të hidhur e kanë pasur pothuajse shumica e partive politike, por kjo po
ju konvenon për arritjen e rezultatit final zgjedhor për marrjen e pushtetit.
Liderët
partiak dhe politikanët karrierist që shkelin vija të kuqe dhe parime politike,
nuk ju intereson shteti as qytetarët, por vetëm pushteti, për të cilin janë të
gatshëm shkelin programe dhe ideologji politike, miq dhe shoqëri.
Këta
që thirren e çirren në "ndryshime", nuk është se janë të pastër dhe
as të virgjër siq deklarohen para opinionit, për arsye se pasuritë milionëshe i
kanë të krijuara bashkarisht me bosët e korrupsionit dhe krimit të organizuar,
familjarë e farefis përmes tyre i kanë të punësuar nëpër institucionet
shtetërore dhe publike.
Për
evitimin e këtyre dukurive dhe arritjen e ndryshimit real dhe substancial,
kërkohet krijimi i një alternative të re politike e cila do ta bëjë shkëputjen
nga kjo klasë kusarësh politikë, që ndryshe thonë e ndryshe veprojnë.
Meqë
shkrimin e nisa duke e apostrofuar LDK-në, është e udhës edhe ta përfundojë me
të. Fryma rugoviane, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë nuk mbrohet me
kundërshtarët e Ibrahim Rugovës, e aq më pak me ata që e shanë dhe akuzuan
publikisht apo abuzuan për tërë këto vite me emrin e tij.