Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Frymë e re anti-socialiste/anti-komuniste në SHBA
E shtune, 21.11.2020, 06:58 PM
NJË FRYMË E RE ANTI-SOCIALISTE/ANTI-KOMUNISTE NË KONGRESIN E ARDHËSHËM TË SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga
Frank Shkreli
Është një fenomen
i ri dhe interesant i zgjedhjeve të fundit këtu në Shtetet e Bashkuara për të
cilin po flitet pak ose aspak, pasi të gjithë janë përqëndruar në zgjedhjen e
presidentit. Mundt ë jem gabim, por për
herë të parë në histori, në Kongresin e ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara --
të dalë nga zgjedhjet që posa u mbajtën këtu në Amerikë – siç duket do të
formohet një grup anti-socialist/anti-komunist kongresistësh të rinjë. Sipas lajmeve në media, ndër kongresistët e
rinjë të Partisë Republikane që fituan në zgjedhjet e 3 Nëntorit janë edhe dy
anëtarë të cilët kanë lindur dhe janë rritur nën socializëm/komunizëm: Carlos
Gimenez, tani përfaqsues i shtetit Florida, i lindur në Kubë dhe Victoria
Sparts e lindur në Ukrainë si dhe dy kongresiste të reja republikane, me
prindër të ardhur këtu, nga Kuba: Nicole Malliotakis dhe MaElvira Salazar –
përfaqësuese të reja republikane në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Si shembuj të
këtij fenomeni të ri politik, po paraqes për lexuesit -- në profil të shkurtër
-- dy femra të reja, kongresistën Victoria Spartz nga shteti Indiana e lindur
në Ukrainë dhe Nicole Malliotakis nga Nju Jorku, nëna e të cilës ka lindur në
Kubë. Këto janë dy nga 35 femërat republikane që do të shërbejnë në sesionin e
Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, që fillon punën me 20 Janar, 2021, duke
sjellur, kështu, edhe njerëz të rinjë që zgjidhen për herë të parë në Kongresin
amerikan.
Nicole
Malliotakis, nëna e të cilës ka lindur në Kubë do të jetë një prej 10 anëtarëve
që e konsiderojnë veten kubano-amerikanë, në Kongresin e ardhëshëm të
Amerikës. Deputetja e re tha për median
amerikane se në fushatën e saj për Kongres, ajo pati mbështetjen e Senatorit
Mark Rubio dhe të Kongresistit Mario Diaz-Balart, të dy kubano-amerikanë nga
shteti Florida dhe se njihet due është në kontakt gjithashtu edhe me
kubano-amerikanë të tjerë, të posa zgjedhur në Kongres. Ajo u shpreh se këta anëtarë të Kongresit do
të formojnë, “Grupin Kuban” të interesit, ose (Cuban Caucus). “Kjo është shumë
e rëndësishme”, u shpreh ajo, “sepse kubano-amerikanët dinë më shumë se çdo
kush tjetër se çdo të thotë të jetosh nën komunizëm e socializëm dhe janë mjaft
vigjilent ndaj individëve që dëshirojnë të na mohojnë liritë individuale dhe të
na çojnë në rrugën drejt socializmit.
Zërat tonë do të jenë me rëndësi dhe do të formojmë një grup
anti-socialist në Kongres”, për të kundërshtuar idetë e përfaqësuesve të majtës
ekstreme demokrate në Kongres, ka thenë kongresistja e re republikane nga Nju
Jorku, Nicole Malliotakis për rrjetin televiziv Fox.
Ajo shtoi se ka
familjarë të saj që ende jetojnë në Kubë, ndërsa thekësoi se ajo i njeh shumë
mirë shtypjet (e regjimit komunist atje) nën të cilat ata jetojnë në atë vend
komunist prej dekadash. Ajo thekësoi
gjithashtu se për të, si bijë e një refugjati kuban, Shtetet e Bashkuara,
“Duhet të bejnë çdo gjë që të jetë e mundur për të vazhduar që Amerika të jetë
gjithnjë udhëheqëse e botës së lirë, për të promovuar lirinë dhe demokracinë,
kudo në botë.”
Nicole Malliotakis
@NMalliotakis
We
have quite a few Republican Members in the new class who are either children of
those who escaped socialism/communism or fled themselves like
who
left Cuba 60 years ago today. We will work together to preserve freedom,
opportunity & the American Dream
”Do të punojmë së bashku për të ruajtur lirinë, mundësitë më të mora për
jetesë dhe Ëndërrën Amerikane”
11:34 AM · Nov 13, 2020·Twitter for iPhone
Aktualisht,
nënvijoi kongresistja e ardhëshme republikane në Kongres, është kongresistja
Alexandria Ocasio-Cortez me “brigadën” e saj socialiste, e quajtur “Squad”, por
tani ne kemi individë me prejardhje dhe përvoja të ndryshme – shumë prej të
cilëve janë arratisur nga komunizmi/socializmi, e të cilët janë ashtu si edhe
unë që jam bijë e një refugjati kuban, tha ajo. Do të jemi ne, ata të cilët do
të themi -- bazuar në përvojën tonë ose të familjeve tona -- se pse socializmi
është një sistem i keq dhe, njëkohësisht, do të luftojmë për të mbrojtur liritë
tona dhe për të ruajtur sistemin kapitalist i cili siguron punësime dhe mundësi
të reja”, tha ajo në një intervistë pas fitores së saj.
Këta kongresistë
të ri republikanë janë imigrantë nga Korea, nga Kuba dhe nga Ukraina, ndër të
tjera vende, të cilët do sjellin në Kongresin amerikan përspektivat,
alternativat dhe qëndrimet e tyre anti-komuniste dhe anti-socialiste, u shpreh
ajo.
Disa prej antareve dhe antarëve të rinjë republikanë, që fituan në
zgjedhjet e fundit, duke zvogëluar numrin e shumicës së demokratëve në Dhomën e
Përfaqësuesve të Kongresit amerikan
Nga kongresistet e
reja republikane bie në sy sidomos, Victoria Spartz, e lindur në Ukrainë,
ardhur në Amerikë para 20-vitesh, dhe e cila mishëron atë që cilësohet si
“endërra amerikane”. E lindur dhe e rritur
në një vend socialist/komunist si Ukraina, ajo ka përjetuar personalisht anën e
errët të socializmit. Si pasojë e asaj përvoje, ajo ka adaptuar në Amerikë një
filozofi politike konservatore, sipas të cilës një qeverisje e kufizuar është
gjithmonë më e mirë për qytetarët, ndërkohë që vendimet financiare, ekonomike
dhe shëndetësore duhet të merren nga vet individët, në një treg të lirë dhe jo
nga burokratët dhe përfaqësues të grupeve të interesit.
Pllakat fushate e Kongresistes së re republikane Victoria Spartz nga shteti
Indiana, por e lindur në Ukrainë – “Luftë Socializmit” – me moton: E Kualifikuar, e Sprovuar,
Konservatore
Gjatë punës së saj
në Legjislaturën e shtetit Indiana, Kongresistja e re republikane njihej si një
konservatore fiskale që mbështet kufizimet e pushteteve të qeverisë mbi
qytetarët, si një grua e cila nuk ka frikë të trajtojë çështje të vështira dhe
në përgjithësi të sfidojë status-quo-në.
Në profilin e saj thuhet se ajo ka luftuar për të shfuqizuar rregulloret
e panevojshme qeveritare, për të reformuar kujdesin shëndetësor, për të
përmirësuar rezultatet arsimore, për të mbrojtur të drejtat e pronës private
dhe për të sjellë transparencën dhe llogaridhënien për qeverinë e shtetit
Indiana. Victoria Spartz është aktive në komunitetin e saj lokal, ku thuhet se
ka sponsorizuar, vullnetarisht, kauza të shumta bamirësie dhe ka ndihmuar shumë
fushata politike të Partisë Republikane në qarkun zgjedhor ku jeton, të cilin
tani do e përfaqësojë në Kongresin amerikan.
Duket
se edhe në Senatin amerikan është përhapur kjo frymë
anti-socialiste/anti-komuniste në vend. Kandidatja e Partisë Republikane për në
Senatin e Shteteve të Bashkuara, Kelly Loeffler, në portalin e saj u premton
qytetarëve të shtetit jugor të Amerikës, Xhorxhia se ajo “NUK DO TË LEJOJË
KURRË QË AMERIKA TË BËHET SHTET SOCIALIST”.
Zgjedhjet e posaçme për në Senat në shtetin Xhorxhia do të mbahen në
janar 2021 – zgjedhje nga të cilat do të varet edhe nëse Partia Republikane
fiton një shumicë të ngushtë në Senat, dhoma e epërme e Kongresit të Shteteve
të Bashkuara.
Mbetet
për tu parë, nëse kjo frymë e re anti-socialiste/anti-komuniste e grupit të
rinjë të legjislatorëve të posa zgjedhur republikanë në Kongres, do të këthehet
ose jo në vepra konkrete për të luftuar prirjet socialiste të krahut të majtë
ekstrem të Partisë Demokrate, të promovuara nga ish-kandidati demokrat për
president, Senatori Bernie Sanders i shtetit Vermont.
Por
duke pasur parasysh se zgjedhjet në Shqipëri janë caktuar të mbahen prillin që
vjen, ndërkohë që zgjedhjet në Kosovë duket se janë në “hava”, nuk mund ta
përmbajë veten e të mos bëj pyetjen pse jo edhe në Shqipëri e në Kosovë? Pse
pas 30-vjet post-komunizëm, kemi të njëjtat parti dhe të njëjtit politikanë që
po e çojnë Kombin shqiptar drejt një gremine historike, ekonomike, politike dhe
kombëtare duke shkaktuar, ndër të tjera tmere nga politikat e tyre të
papërgjegjëshme, që jo vetëm, prekin jetën e përditëshme të shqiptarëve, por po
shkaktojnë edhe zbrazjen fizike, katastrofike të trojeve shqiptare. Pas tre
dekadash, PSE në trojet shqiptare nuk ka individë ose grupe individësh që të
dalin me ide dhe programe ose me alternativa të reja për t’u përballur me
sfidat e mëdha, për të cilat jam i sigurt se të gjithë, pa dallim, e dinë dhe i
ndjejnë në palc se janë reale dhe të frikshme për të ardhmen e shqiptarëve,
nëqoftse vazhdohet kështu, anë e mbanë trojeve të tyre. KU është brezi i ri i
shqiptarëve (djem dhe vajza që e duan Kombin) të pas 1990-tës, që nuk
angazhohen për të shpëtuar të ardhmen e vet dhe të shqiptarëve në
përgjithësi? Shikoni fytyrat e reja dhe
angazhimin në politikë të rinjëve dhe shumë të rejave amerikane, nga të dy
partitë kryesore politike të vendit. Merrni shembull! Atdheu ju thërret, sot më
shumë se kurrë!
”Skuadra” është emri i femërave kongresiste të krahut të majtë të Partisë Demokrate, të zgjedhura dy vjetë më parë në Kongresin amerikan, të frymëzuara nga ideologjia majtiste e Senatorit demokrat, Bernie Sanders
“Skuadra socialiste” e katër femërave kongresiste të krahut të majtë ekstrem demokrat në Kongresin amerikan