Mendime
Gjokë Dabaj: Kriza gjithnjerëzore dhe ''avullimi'' i ateistëvet
E merkure, 11.11.2020, 09:09 PM
KRIZA GJITHNJERËZORE DHE “AVULLIMI” TRAGJIK I ATEISTËVET
Ia kushtoj JAKUP KRASNIQIT
NGA
GJOKË DABAJ
Ateistët kanë qenë
shumë të pranishëm midis njerëzvet në të gjitha kohët. Njerëz që nuk besonin,
ose më mirë të themi, njerëz që e dinin se nuk ekziston ndonjë fuqi e
mbinatyrshme, e jashtënatyrshme, e cila të kujdeset për natyrën, ka pasur dhe
do të ketë gjithmonë. Natyra është perëndia e vetëvetes.
Madje mund të
thuhet që s’ka njeri me mendje të kthjellët, që të besojë se ekziston dikush,
diku në qiell, i cili i vëzhgon njerëzit, pale a po gënjejnë, a po vjedhin dhe
a po vrasin njëri-tjetrin. Njeriu është trupërisht aq i vockël, në krahasim me
planetet dhe me yjet, sa, asaj fuqie të nbinatyrshme, edhe nëse do të
ekzistonte, s’do t’i hynte në punë fare sjellja e njeriut. Kaq gjë, njeriu me
mendje të shëndoshë e ka ditur në të gjitha kohët.
Por, në shekullin
e 20-të, ateistët, ata që e dinin se nuk ekziston një perëndi diku në qiell, së
cilës dihet t’i lutemi, erdhën në pushtet pothuaj në gjysmën e planetit Tokë.
Në librat e tyre ata predikonin ateizmin, në praktikë ata nuk i luteshin asnjë
zoti, përkundrazi, besuan në njeriun dhe organizuan revolucionet proletarë dhe
socialistë.
Në Bashkimin (në
atë kohë) Sovjetik, në Kinën (atëherë) Popullore, në shumë shtete të Evropës
Lindore, institucionet e religjionevet teistë, faltoret, kishat, xhamitë, u
margjinalizuan deri afër ndërprerjes së veprimtarivet. Madje, në ndonjë shtet,
si në RPSSH, religjionet teistë u ndaluan me kushtetutë.
Udhëheqësit e
vendevet socialistë, të gjithë ose thuajse të gjithë, ishin deklaruar se nuk
besonin në një fuqi të mbinatyrshme. Të gjitha partitë komuniste, punëtore e
socialiste e predikonin ateizmin e tyre gjithandej. Nëse toleroheshin
religjionet, kjo ndodhte thjeshtë për të mos u konfrontuar me ata njerëz që
ende besonin te perendia e tyre e përfytyruar, fuqi e mbi- dhe jashtënatyrshme,
dhe që e kishin vështirë të shkëputeshin nga ritet fetarë: Krishtlindjet,
Pashkët, ditët e shenjtorëvet, Bajramet, synetet, kurorëzimet, ceremonitë e
varrimit.
Mirëpo, po në
shekullin 20, ndodhi dështimi i socializmit, të udhëhequr prej komunistëvet
ateistë. Revolucioni socialist u mposht prej kundërrevolucionit brenda vetë
atyre shteteve. Në të gjithë ish-vendet socialistë u rivendos kapitalizmi. Tani
kemi në planetin Tokë vetëm kapitalizëm.
Janë përballë
njëra-tjetrës tri fuqi të mëdha kapitaliste: SHBA-ja, Rusia dhe Kina. Janë
fuqitë e tjera të shkallës së dytë, BE-ja, Japonia, Mbretëria e Bashkuar,
Kanadaja, India, Brazili, Irani, secila prej tyre nën influencën ose në aleancë
me njërën prej superfuqivet. Pastaj vijnë shtetet e shkallës së tretë e të
katërt, që të gjithë të përfshirë në një vorbull që s’i dihet fundi. Ose, i
dihet, por askush, prej atyre që drejtojnë shtetet, nuk i vë gishtin kokës, për
të parë kthjellët dhe për të ndërmarrë diçka të mençur, për t‘i shpëtuar
njerëzimin edhe veten nga humnera, drejt së cilës njerëzimi po rrokulliset.
Në këtë situatë të
re, religjionet tradicionalë e kanë rimarrë në dorë krejt edukimin e njerëzvet
me besimin ndaj zotit, fuqisë së mbi dhe jashtënatyrshme, e cila do t’u kujdeska
për secilin prej nesh, jo vetëm tash që jemi gjallë, por edhe mbasi të kemi
vdekur.
Tempujt, xhamitë,
kishat, janë shtuar me mijëra. Para e madhe po derdhet për të ndërtuar kisha,
xhami, teqe, faltore budiste, sinagoga. Para e madhe!
Ndërkaq, për luftën
bërthamore, kimike, bakterike, të sofistikuar deri në pamundësi për të mbetur
gjallë as miza e pleshti, jo më njeriu, klerikët nuk po shprehin kurrfarë
shqetësimi apo alarmi.
Në vitet e parë,
fill pasi kapitalizmi e rimori fuqinë në krejt planetin, pati një lloj shkuarje
mirë midis fevet të ndryshme. U tha që të gjithë njerëzit besojnë një zot dhe
prandaj ata nuk duhet të shkojnë keq njëri me tjetrin. Kjo shkuarje mirë midis
religjionevet kish ndodhur, me qëllim për t’iu kundërvënë ateizmit, në atë kohë
të zyrtarizuar në shumë shtete. Mirëpo, me kalimin e kohës, me shmangien e
“rrëzikut” prej ateizmit, hendeku midis religjionevet të ndryshëm sa vjen e po
zgjerohet e thellohet. Në Vjenë u mbyllën dy xhami. Nëpër Evropë, por edhe në
vende të tjerë, tashmë po shtohet fobia ndërfetare. Kamikazët s’janë tjetër,
veçse pasqyrë tragjike e indoktrinimevet me iluzioin se “mbasi ta kem hedhur
veten në erë në emër të Allahut, më pret xheneti i përjetshëm”. Ka ndodhur ky
lloj qorrollepsjeje edhe herë të tjera: krahaso, për shembull, asketizmin
krisjan të Mesjetës.
Kështu, me sa
duket, edhe zjarri i luftës së përbotshme pikërisht aty do të ndizet: te
urrejtjet ndërfetare. Do të ndodhë siç ndodh me eksplozivin, të cilin e
aktivizojnë, një fitil dhe një kapsollë. Pastaj, armët janë aty, të mjaftueshme
për ta shuar jetën mbi këtë planet nja dhjetë apo më shumë herë.
...Kjo është
gjendja! Por mua po ma gërric vetëdijen me këtë rast një pyetje fare e
thjeshtë: Ku janë ateistët, për ta shpëtuar njerëzimin nga vetëshkatërrimi?! Me
se po merren ateistët në këta vite lulëzimi të religjionevet teistë, kur
dalldia e të ecurit në rrugë qorre ia ka mbyllur sytë dhe turbulluar mendjen
gjithë njerëzimit?!
Në kohët kur
skllavopronaria e kish prurë njerëzimin në zgrip të kolapsit, njerëzit e asaj
kohe kërkuan dhe gjetën një rrugë për ta shpëtuar njerëzimin nga ai sistem
shoqëror që nuk mund të durohej më. Nga ai sistem shoqëror, por edhe nga ai
religjion, ku zotat grindeshin, shahesin e rriheshin njëri me tjetrin.
U shfaq Jezusi me
një predikim krejt tjetër nga ai që po ia zinte frymën Perandorisë Romake,
apostujt e Jezusit iu vunë predikimit të atij religjioni dhe erdhi një kohë kur
panteizmi grindavec iu la së shkuarës. Në vazhdim u krijua edhe feja myslimane.
Kështu, mund të themi, nga religjioni i një populli fare të vogël, populli i
Izraelit, u sajuan religjionet monoteistë, që e sollën njerëzimin deri në kohën
tonë.
Tani po shihet që,
jo vetëm monoteizmi, por asnjë lloj besimi në ndonjë fuqi të mbinatyrshme apo
të jashtënatyrshme, nuk mund ta mbajë më në këmbë njerëzimin.
Ateistët e kuptuan
këtë kryerje, këtë përfundim të misionit të monoteizmit, së paku qysh në
shekullin e 19-të dhe i hynë punës për ta rrëzuar këtë praktikë tashmë
qartësisht iluzore. I hynë punës, por nuk ia dolën.
Pyetja shtrohet:
Përse nuk ia dolën ateistët ta zëvendësojnë teizmin në shkallë botërore qysh në
shekullin e 20-të?
Edhe përgjigjja
është fare e thjeshtë, por është për t’u çuditur përse ateistët nuk e kanë
gjetur këtë përgjigje të paktën në vitet kur e kishin pushtetin në një pjesë të
madhe të botës?!
Jezusi u mbështet
te predikimi institucional, Lenini (krahas kruzhokëvet të tij të famshëm), u
mbështet te marrja e pushtetit me dhunë dhe te krijimi i pushtetit proletar, të
quajtur pushteti i sovjetëvet. Mirë e morën pushtetin ateistët, por pse nuk e
krijuan institucionin e religjionit të tyre, tashmë me këmbë në tokë? Pse nuk e
krijuan ateistët faltoren e tyre ateiste, ku të promovonin vlerat dhe virtytet
e njeriut dhe të dënonin antivlerat që gjithashtu i ka njeriu!? Këtu qëndron
shkaku kryesor i dështimit të ateizmit në kohën kur ai duhej të kishte hedhur
rrënjë institucionale.
Jezusi krijoi
kishën. Edhe Muhameti krijoi xhaminë. As Marksi, as Lenini, as Stalini, as
Enver Hoxha, as Mao Ce Duni, nuk krijuan kurrfarë institucioni të qëndrueshëm,
ku të predikoheshin idetë e tyre. Në kohë të ndryshme i kishin celulat dhe
organizatat e partivet, por ndërtesa në të cilat do të mblidhej “xhemati”
rregullisht, ata nuk krijuan. Ndërtesa, të cilat do t’u ngjanin nga forma
sinagogavet, kishavet, xhamivet, por që nga përmbajtja do të ishin mirëfilli
tokësore.
Ata nuk krijuan
dot një institucion të tillë, i cili do të funksiononte edhe pa e pasur
pushtetin. Madje edhe duke qenë të persekutuar.
Mbasi u kryqëzua
Jezusi dhe mbasi u martirizuan Shën-Pali e Shën-Pjetri, kisha e krishterë, pra
institucioni që themeluan ata, veproi rreth 300 vjet pa e pasur në dorë
pushtetin. Ateistët, që i kish thirrur koha për t’i dhënë një drejtim tjetër
zhvillimit shoqëror dhe për ta shpëtuar njerëzimin nga gremina, nuk e krijuan
një të tillë institucion të domosdoshëm. Në vitet kur e patën pushtetin,
degjeneruan, u shndërruan vetë në amalgamë, as mish as peshk, dhe tani nuk
shihen asgjëkundi! Ose më saktë, shihen atje ku ua do interesi për të zhvatur!
Në duar të kujt e
kanë lënë ateistët fatin e vet dhe fatin e krejt njerëzimit?! Në dorën e atyre
që i presin, shpëtimin ose ndëshkimin, nga qielli?!
I shohim që
vërtiten si zorrë, rreth kishavet, rreth xhamivet, rreth teqevet, rreth
sinagogavet dhe rreth tempujvet të budizmit, pa qenë në gjendje ta ndajnë
mendjen: T’i falen, t’i luten një fuqie qiellore, apo të bëjnë sikur po i luten
asaj fuqie, duke parë djathtas e majtas, pale a po i shikon dikush! Të
agjërojnë apo të mos agjërojnë?! Të pinë raki apo të mos pinë raki! Të hanë
mish apo të mos hanë mish ditët e kreshmevet? Ta mbulojnë gruan?! Në krahun
tjetër, të gëzohen kur gruaja e tyre del me kofshë e gjoks përjashta në rrugë e
në ekran?! Ç’të bëjnë me fëmijët? Si t’i edukojnë fëmijët?! Ç’i pret fëmijët e
tyre?!
Ndërkaq, klerikët
propagandues të fevet, tradicionale dhe të modifikuara në lloj-lloj variantesh,
sigurojnë para, mbajnë veshje fetare luksoze, grumbullojnë në mënyrë
sistematike fonde, ndërtojnë faltore me pamje impozante dhe i mbajnë miliona
besimtarë, gjysmëbesimtarë apo çerekbesimtarë, rreth faltorevet të veta, duke u
mbushur mendjen se, po të jenë besimtarë të devotshëm, do t’ia sigurojnë vetes
lumturinë edhe mbasi trupi i tyre të jetë mbuluar me dhé e me baltë.
Si është e mundur
të jenë kaq të cekët ateistët, sa të mos kuptojnë që koha po i thërret për ta
shpëtuar njerëzimin prej një asgjësimi gomorro-sodomas të papërfytyrueshëm?! Si
është e mundur të mos e kuptojnë që edhe ata duhet të krijojnë predikatoret e
tyre të rregullta?! Të kenë edhe ata një libër të vetin, ku të jetë shkruar
filozofia, e cila hyjnizon virtytet e njeriut dhe natyrën që e rrethon njeriun!
Një filozofi, e cila t’i hapë perspektivë njerëzimit për të jetuar këtu e jo
diku tjetër, në parajsë apo në fer!? Një filozofi, e cila do të predikojë të
mirën, pozitiven, dhe të flasë kundër së keqes, kundër negatives, kudo që ajo
të shfaqet?!
Si është e mundr
që, një njeri të jetë i qartë në mendjen e tij se nuk ka kurrfarë fuqie të
mbinatyrshme që kujdeset për ‘të, dhe të mos e ketë të qartë si do të duhej
organizuar, me qëllim që mendimi i tij të fitojë përkrahjen e duhur dhe
përhapjen e duhur?! Si është e mundur që ateistët të mos e kenë kuptuar deri më
sot se duhet të organizohen dhe t’i predikojnë idetë e veta sistematikisht
nëpër ndërtesa, me mure e me çati, pa shkaktuar as trazira e as luftëra?!
Përkundrazi, duke u bërë faktor i rëndësishëm i parandalimit të katastrofavet!
Dhe, më e
rëndësishmja: Si s’e kanë kuptuar ateistët që bota ka nevojë për ‘ta, sot më
shumë se kurrë?!