E enjte, 28.03.2024, 04:14 PM (GMT)

Mendime

Gjekë Gjonaj: Familja e hershme dhe e sotme trieshjane

E marte, 06.10.2020, 06:49 PM


Familja e hershme dhe e sotme trieshjane

Nga Gjekë Gjonaj

Familja trieshjane historikisht, dikur  ishte tradicionale , patriarkale  dhe mbështetej në  një bashkim të  njerëzve që jetojnë në një kulm, e formuar  në bazë të bashkimit martesor. Karakteristikë e familjes trieshjane është se ajo gjithmonë ka jetuar  me mendimin e zgjerimit të familjes dhe rritjes së familjes. Martesa bëhej për  të lindur sa më shumë fëmijë   e për t’i shtuar shtëpisë një njeri në punë. Çifti i ri lumturohej  me lindjen e fëmjëve.  Në të kaluarën, familjet patriarkale  kërkonim  me domosdo djem,  për pasurim të familjes, për mbarësi e përparim. Prindërit u gëzoheshin  djemve,  ndërsa vajzave shumë  pak. Në kujtesën historike të trieshjanëve të vjetër  ka mbetur  mendimi se  ata shikonin të zgjidhnin   për martesë djem e vajza të familjeve me shumë meshkuj, duke menduar se  nusja e djalit do të lind djem.  Gruaja që  lindte djem  ishte më e privilegjuar në familje. Një nga karakteristikat e familjes trieshjane tradicionale  është se ka qenë e bashkuar,  dhe secila prej tyre pothuaj ka pasur kontakt të mirë me anëtarët e tjerë.

Me rëndësi është të thuhet se  kjo familje ka pasur të zotin dhe zonjën e shtëpisë. Ata  kanë qenë përgjegjësit  të cilët kanë caktuar rregullat se kujt çka i takon.  I Zoti i shtëpisë ishte njeriu më me autoritet i familjes, më punëtori dhe shtrihej mbi çdo aspekt të jetës.   Ai  vetë punonte shumë për t’i bërë edhe të tjerët të punojnë.  Detyra e tij ishte  t’i mbrojë   sa më mirë interesat e përgjithshme të  familjes. I mësonte  dhe i këshillonte gjindtë   ( njerëzit) e shtëpisë  se si duhet të sillen dhe të veprojnë. Në shtëpi ai përpiqej që të jetë i paanshëm, dhe i drejtë. Të mos tregojë zemërim ndaj asnjërit dhe t’i caktojë secilit, qoftë edhe burrë e grua,  një detyrë çdo ditë.  Pa lejen e  zotit të shtëpisë  asnjëri prej anëtarëve të familjes nuk guxonte të largohej nga puna,  nuk mund të shkonte në punë diku tjetër apo të   kërkonte ndihmë mjekësore.  Pa pëlqimin, respektivisht dëshirën  e  zotit të shtëpisë asnjë djalë ose vajzë  nuk mund të fejohej  e  të martohej me dëshirën e tyre, të shkojë në shkollë e të kryejnë  detyra të tjera, përveç se ato që   ai ua kishte ngarkuar jo vetëm atyre , por edhe  burrave  e grave të tjera të familjes.   Përveç këtyre i zoti i shtëpisë  ishte personi i vetëm  që kishte kontrollin e plotë mbi  takulinën ( qesen) e familjes. Çdo para ( të holla për  shpenzime) e fituar me djersë ose dhuratë  e familjes  duhej dhënë  zotit të shtëpisë, i cili shpenzonte për të mirën e familjes sipas një rregulli të caktuar. Për   blerjen dhe shitjen e pasurisë  dhe prodhimeve    i zotëronte bashkërisht gjithë familja ai  mund të këshillohej me burrat e tyre, por jo me gratë. Meqë mbante  qesen e familjes( financat), i zoti i shtëpisë, në përgjithësi shkonte vetë në treg ( pazar), ku  i shiste   prodhimet e veta dhe me të ardhurat blinte sende që ai i vlerësonte të nevojshme për familje,  veshmbathje,  kafe, sheqer, e cigare për të ruajtur dinjitetin ( nderin)  e familjes në sy të miqve.  Në rast se i zoti i shtëpisë bëhej i paaftë fizikisht, sa nuk mund të merrte rrugën e gjatë dhe të vështirë  nëpër male për të shkuar në pazar, caktonte një nga  anëtarët tjerë të familjes.  I zoti i i shtëpisë sipas traditës   brenda në shtëpi rrinte në vendin e nderit në të djathtë të oxhakut. Kur hynte në  dhomë i zoti i shtëpisë, të gjithë ngriheshin në këmbë dhe qëndronin ashtu deri sa të ulej,  Në rast se ai  mbante armën, dikush prej familjarëve i merrte pushkën  apo armët e brezit dhe i varte  te dera ose  në mur. Në prani të tij të rinjtë nuk mund të pinin as raki , as duhan.  Në rast se ai kishte dëshirë për  bisedë ( muhabet) të tjerët e ndiqnin, ndërsa kur ai preferonte të heshtte, të tjerët nuk flisnin. Fëmijëve në praninë e tij u lejohej të qëndrojnë në dhomë, por jo të flasin me zë. Kur shtrohej dreka apo darka , asnjë anëtarë tjetër  familjes nuk duhej të fuste lugën  në çini- sahan ( pjatë) )  para tij, ndërsa kur dilte nga dhoma ai kryesonte.

Rol të rëndësishëm në familjet e hershme ( tradicionale)  trieshjane e organizuar përmes së drejtës zakonore, e cila e ka cunguar sidomos femrën dhe ia ka humbur imazhin,  luante edhe e zonja  e shtëpisë, e cila caktohej ( emërohej) nga i zoti i shtëpisë. Ky i fundit  nëpërmjet saj ( zojës së shtëpisë)   sundonte gratë e familjes.  Edhe ajo sikur i zoti i shtëpisë  duhej të punonte me drejtësi, me mend, me urtësi dhe me paanësi. Ajo   u jepte detyra,   urdhëronte   dhe mbikëqyrte  punën që bënin gratë   brenda shtëpisë, oborrit dhe kopshtit.  Pozita e femrës ( gruas) në shoqërisë tradicionale trieshjane  jo vetëm që ishte e rëndë e shkaktuar nga prapambeturia e patriarkalizmi, por edhe nga ndikimi i normave zakonore, të mbështetura te Kanuni i Lekë Dukagjinit.  Të drejtën kryesore ky kanun ia jep mashkullit, i cili përveç privilegjeve të ndryshme që gëzonte, kishte edhe të drejtën e sundimit të femrës.

Autoriteti i zotit  dhe zonjës së shtëpisë ishte i padiskutueshëm  në familjet tradicionale  trieshjane. Ata vëmendje të posaçme  i jepnin  edukimit të   fëmijëve.  Brenda familjes tradicionale  kryhej edhe   funksioni edukativo-arsimor, krijohej personaliteti  i fëmijës,   mësohej edukata  morale dhe edukata seksuale,  krijohej ndjenja e respektit, mikpritjes, ndjenja e vlerës, e mbrojtjes dhe e ndjeshmërisë. Kështu, brenda kësaj familje e cila dikur ishte e shenjtë,  fëmijët përgatiteshin  për jetë, për profesionin e tyre, mësonin  për mënyrën e arritjes së qëllimeve në jetë, për mënyrën e menaxhimit të ekonomisë shtëpiake, për përkrahjen e shëndetit fizik dhe mental të anëtarëve të familjes, për arritjen e standardit jetësor etj. qëndrueshme. Si  element i rëndësishëm që ia vlen të përmendet është se familja trieshjane  ka qenë gjithmonë bujare dhe kjo mund të vërehet të shembulli për pritjen e mysafireve ku gjithmonë kanë qenë të mirëpritur mysafiret në çdo familje në Triesh   dhe janë ende po ashtu.

Goditja e parë që mori famlja trieshjane ishte emigrimi masiv.   Trieshjanët të mësuar me qindra vjet me një jetë të bazuar mbi norma kanunore, emigrimi masiv i viteve 1970 të shekullit të kaluar, ishte hapi i parë drejt thyerjes së  këtyre  rregullave  familjare  që kishin trashëguar ndër breza. Natyrisht që ky fenomen i ri  ( emigracioni) që hyri në jetën  e trieshjanëve  pati pasojat e veta. Largimi i  familjeve të tëra bashkë me fëmijët  e tyre të drejt emigrimit në SHBA dhe vende tjera në Evropë,  u krijoj atyre kushtet për të bërë një jetë të pavarur. Kjo krijoj edhe përplasjen e parë midis brezave, e  cila jo vetëm se nuk është tejkaluar ende , por duket se është thelluar edhe  më shumë. Hyrja dhe depërtimi i një mentaliteti te ri në shoqërinë trieshjane  e ka tundur, lëkundur  dhe rrotulluar fort  familjen trieshjane.

Ndryshimet  dhe zhvillimet sociale  që po ndodhin  anembanë  botës,  me ardhjen e demokracisë,   pa dyshim se kanë  prekur edhe   strukturën e  familjes tradicionale shqiptare.  Ajo sikurse edhe familja shqiptare dhe familja në Perëndim  po kalon një periudhë tranzicioni dhe një krizë institucionale, e cila do të duhej të tërhiqte  vëmendjen e  sociologëve dhe antropologëve. Kjo krizë e ka ndryshuar fytyrën e familjes trieshjane në veçanti dhe familjen shqiptare në përgjithësi.   Tashmë është e kaluar familja  e madhe me  tridhjetë e më shumë frymë,   me gjysh, me gjyshe, kushërinj, e kushërira. Në kohën e sotme   familjet  trieshjane  përbëhen vetëm nga prindërit dhe fëmijët. Modeli i ri i familjes trieshjane ( shqiptare)   ka bërë që autoriteti i prindërit është i diskutueshëm,  e roli ( ndikimi) i femrës më i madh.  Thënë shkurt  e troç   tashmë familja  e sotme ( moderne) trieshjane, sikurse edhe familja shqiptare,   ka humbur  dy gjëra ( elemente) madhore  të cilat tek shqiptarët njihen si të “ shenjta” e   ato janë:  solidariteti social  dhe struktura e familjes së qëndrueshme. Magjia e familjes tradicionale  trieshjane ka pësuar dhe vazhdon të pësojë ndryshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora